Ekspertët i quajnë MNA, ose Mendime Negative Automatike dhe nëse nuk do të mësojmë se si ti ndalojmë, mund të na shkatërrojnë edhe jetën.
Ka raste kur një dështim i vogël mund të shndërrohet në një dështim me të vërtetë të madh dhe për tërë jetën tonë. A ju ka qëlluar ndonjëherë që diçka jo e mirë që mund të na ketë ndodhur në punë të na bëjë të mendojmë se jemi tërësisht të paaftë dhe se karriera jonë nuk do të realizohet kurrë siç e kishim ëndërruar? Nëse një gjë e tillë ju ka ndodhur, ta dini se nuk jeni vetëm në përjetimin e ndjesive të tilla. Edhe njerëzit që konsiderohen si më optimistët dhe më të pathyeshmit, kur është puna për moralin dhe entuziazmin nuk mund të quhen imunë ndaj mendimeve negative. Ndërkohë, ka disa që përjetojnë vazhdimisht mendime të tilla dhe kjo mund tu ketë shkatërruar jetën.
Psikologët besojnë se ashtu sikundër një mendim që na vë në siklet mund të shkaktojë menjëherë te ne ndjenjën e turpit dhe të na skuqë faqet, një mendim negativ, ose vetëshkatërrues, mund të shkaktojë situatë jo të mirë shëndetësore, shtim në peshë, probleme me lëkurën dhe mbi të gjitha një ndjenjë humbjeje e dëshpërimi që mund të keqësohet përditë e më tepër. Një nga psikologët që merret me këtë fushë të studimit të sjelljes njerëzore dhe që ka kaluar një jetë të tërë në studimin e fenomeneve të tilla, pra të ndikimit që ka ajo çka mendojmë në dukjen energjinë dhe vetë jetën tonë, thotë se pikërisht ana e padukshme e qenies sonë është e lidhur shumë ngushtë me atë që e konsiderojmë anën e dukshme.
Sipas teorisë së tij, shndërrimi i mendimeve negative në mendime pozitive na ndihmon për të pasur një jetë më të mirë në të gjitha aspektet. Ai e quan këtë simptomë, ose këtë realitet të brendshëm Mendime Negative Automatike. Këto mendime i përshkruan si ata zërat e vegjël brenda nesh që na thonë në mënyrë të vazhdueshme, se jemi njerëz të paaftë, të shëndoshë, të shëmtuar, të dështuar. Sipas tij, një pjesë e këtyre mendimeve negative janë të menaxhueshme.
Dhe kjo mund të bëhet përmes një teknike të thjeshtë, e cila i ndalon mendimet negative që të hedhin rrënjë dhe të krijojnë terren për të na shkatërruar pak nga pak gjendjen e brendshme shpirtërore dhe si pasojë edhe vetë jetën. Ideja është që të ndalohen këto mendime dhe mbi të gjitha të krijohet një mundësi për mosrikthimin e tyre. Truri është një organ shumë i fuqishëm, shumë më i fuqishëm nga sa mund ta imagjinojmë.
Nëse e sheh veten tënde si të shëndoshë, të rrudhur, të paaftë, kjo do të bëjë që të shtohet prodhimi i hormoneve të stresit dhe si pasojë do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme gjendja shëndetësore dhe vetë mendja. Mendimet negative sjellin gjëra negative dhe beteja për të shkatërruar, ose për të shndërruar mendimet negative brenda nesh është një betejë që nuk merr fund kurrë.
Fitorja arrihet me krijimin e një arsenali personal armësh për të luftuar mendimet negative, në mënyrë të vazhdueshme dhe pa asnjë tolerancë. Kështu duhet krijuar një mekanizëm që i ha mendimet negative. Dhe sa herë që të jeni të inatosur, të frustruar, apo të trishtuar vini në veprim këtë mekanizëm. Bëni një pakt me veten tuaj për të mos dëgjuar zërat e vegjël që duan tju poshtërojnë dhe që ju konsiderojnë si një qenie që ngjallni veç mëshirë. Nëse e bëni një gjë të tillë, pra ndryshoni mendimet, ato pak nga pak do të nisin që të transformojnë realitetin tuaj të jashtëm dhe do të shndërroheni në personin që keni dashur gjithmonë të jeni. Mos e harroni kurrë se trupi juaj ndjek atë që i thotë mendja. Kjo është e sigurt dhe e pashmangshme.