Kryetari Ahmeti para të pranishmëve theksoi se një nga prioritetet në punën e BDI-së është implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, dokument ky i cili stabilizoi Maqedoninë dhe shqiptarët i bëri shtet formues.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti i vazhdoi takime me qytetarët. Ai i shoqëruar nga funksionarët partiak mbrëmë ka realizuar takim me banorët e Komunës së Kumanovës ku në praninë e qytetarëve të shumtë u shpalosën të arriturat por edhe prioritetet e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Kryetari Ahmeti para të pranishmëve theksoi se një nga prioritetet në punën e BDI-së është implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, dokument ky i cili stabilizoi Maqedoninë dhe shqiptarët i bëri shtet formues.
"Marrëveshja e Ohrit as nuk është e vdekur e as nuk është e përbaltur, por është një dokument që bërë që sot të kemi fakultete në Kumanovë, Dibër, Kërçovë, Strugë e Shkup, të kemi Muzeun e Alfabetit në Manastir, të kemi përdorim të barabartë të gjuhës shqipe, përfaqësim adekuat të shqiptarëve në të gjitha institucionet e shtetit. Me këtë dokument kemi bërë që vendi të mos jetë më shtet mono etnik, por përkundrazi, shtet demokratik dhe shumë etnik", tha Ali Ahmeti.
Sot jemi në shekullin e integrimeve dhe rruga jonë është integrimi, u shpreh lideri i BDI-së.
"Ne jemi përcaktuar për integrim të shqiptarëve në këtë shtet, në Evropë. Disa integrimin e shohin si asimilim, mirëpo si duket nuk e kuptojnë se integrimi paraqet moment të rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë në këtë vend drejt proceseve euro integruese", theksoi kryetari i BDI-së.
Ahmeti edhe në takimin e djeshëm me qytetarë në Kumanovë, foli për të ashtuquajturat dosje, duke thënë se: "Shqiptarët nuk kanë nevojë të bëhen shërbëtorë të Bozhidar Spasiqit e ta paguajnë atë të fabrikojë dosje. Para shqiptarëve ekzistojnë projekte shumë më të mëdha se sa puna e dosjeve".
Lideri i BDI Ali Ahmeti përshëndeti edhe bashkë atdhetarët tanë të cilët punojnë në vendet e huaja që gjenden për pushime në vendlindje, të cilët i ftoi që me partner të huaj të kthehen në vendlindje e të investojnë në vendin e tyre.
Para të pranishmëve folën edhe zëvendëskryeministri Ademi dhe ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Xhelal Bajrami dhe kryetari i degës së BDI-së në Kumanovë, Ulusi Beqiri
Zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi foli për procesin e regjistrimit që do të realizohet në muajin prill të këtij viti. Ai tha se në këtë proces do të përfshihen të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, përfshij edhe ata të cilët janë për punë të përkohshme në ndonjë vend tjetër.
"Ligji është i favorshëm për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pra edhe për shqiptarët. Me këtë ligj aspak nuk do të dëmtohen shqiptarët, por përkundrazi, do të sjell në dritë numrin e vërtetë të shqiptarëve që është e një rëndësie të madhe për zbatimin e mëtejmë të ligjeve të caktuara që janë në interes të shqiptarëve", theksoi Ademi.
Ndërkaq duke folur për projektet e realizuara në Kumanovë dhe Likovë, ministri i Punës dhe Politikës Sociale Xhelal Bajrami ndër të tjera theksoi se "BDI gjithmonë mes tjerash është angazhuar dhe ka punuar për popullatën e Kumanovës dhe Likovës, kurse rezultat i kësaj janë projektet e realizuara si: Fakulteti i Administratës së Biznesit, Teatri shqiptar, Ujësjellësi në Likovë, Qendra ditore për persona me aftësi të kufizuara dhe çerdhja për fëmijë dhe një sërë ligjesh që janë në favor të kësaj ane", theksoi ministri Bajrami.