Megjithkëtë, Florence Hartmann, ish-zëdhënse e Tribunalit, në artikullin e saj Kosova: Carla Del Ponte dhe thashethemet për trafikun e organeve » (Le Temps, Gjenevë, 16 prill, 2008), shprehë habi përse Del Ponte u beson këtyre thashethemeve për heqje të organave ndonëse vet « pranon se nuk kishte as një pikë prove për të vazhduar hetimin.
Muhamedin Kullashi
Raporti i Dick Martyt, me titull « Trajtimi jonjerëzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë, i paraqitur me 16 dhjetor para Komisionit për çështje juridike dhe të drejta të njeriut në Asambleën Parlamentare të Këshillit të Evropës shkaktoi një tronditje të opinionit dhe rrëmbim të mediave, në shumë vende të botës. Z. Marty ishte autorizuar nga ky Komision të bëjë një raport, pas botimit të librit të ish Prokurores së Tribunalit Ndërkombëtar Penal për Jugosllavinë, Carla Del Ponte, me 2008, ku përmenden disa dyshime për « heqjen e organeve të të burgosurëve serb nga ana e përgjegjësve të UCK-së ».
Megjithkëtë, Florence Hartmann, ish-zëdhënse e Tribunalit, në artikullin e saj Kosova: Carla Del Ponte dhe thashethemet për trafikun e organeve » (Le Temps, Gjenevë, 16 prill, 2008), shprehë habi përse Del Ponte u beson këtyre thashethemeve për heqje të organave ndonëse vet « pranon se nuk kishte as një pikë prove për të vazhduar hetimin.
Ajo pranon pokështu se hetuesit nuk kishin patur qasje te burimet e gazetarëve. Këta, në fakt, kishin refuzuar të zbulojnë identitetin e burimeve të tyre, për shkak të mngesës së elementeve të besueshme që do mbështesnin deklaratat e tyre. » Cështë e vëreta, për këto supozime, që vinin kryesisht nga Serbia, përveq Tribunalit, kishin bërë hetime edhe UNMIK-u dhe EULEX-i. Mirëpo këto hetime nuk sollën asnjë provë.[1]
Optika manikeane e instancave ndërkombëtare?
Z. Marty, në këtë raport, i vë vetes për detyrë që të zhvilloj një hetim të vërtetë, « një hulumtim të thelluar » mbi këto « fakte », i i udhëhequr nga « detyra për të vërtetën dhe drejtësinë » si një « premisë e domosdoshme që një paqë e domosdoshme të mund të vendoset dhe që bashkësitë e ndryshme të mund të pajtohen dhe të rifillojn të jetojn dhe të punojn së bashku. »(fq.7)
Ai orvatet të nxjerrë në shesh një mungesë të të vërtetës dhe drejtësisë në Kosovë dhe e shpjegon këtë me qëndrimin e instancave ndërkombëtare të cilat gjoja se i paskëshin « kundruar të gjitha ngjarjet dhe faktet nëpërmjet një prizmi rreptësisht manikean : nga njera anë sërbët, domosdoshmërisht të këqinj, nga ana tjetër kosovarët shqiptarë, doemos të pafajshëm. »(fq.7)
Kjo tezë qëndrore, në mbështetje të së cilës raportuesi do ti shikoj disa ngjarje në Kosovë gjatë luftës dhe pasë luftës, është megjithkëtë thjesht e pavërtetë.
Mjafton tu hudhet një shikim raporteve të organizmave të shumta ndërkombëtare që kanë vepruar në Kosovë (UNMIK, UNDP etj.), raporteve të shoqatave të ndryshme për të drejtat e njeriut, sikurse edhe fjalimeve publike, në veçanti, të zyrtarëve ndërkombëtarë, për të parë se, duke filluar nga qershori 1999, kujdesi për pakicën serbe, do të bëhet preokupim madhor. Zyrtarët politik të OKB-së dhe të BE-së do ta përkufizojnë pikërisht qëndrimin ndaj pakicës serbe si kriterin kryesor me të cilin do të vlerësohen institucionet kosovare.
Në anën tjetër, para vendimit për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, në prill të vitit 1999, bashkësia ndërkombëtare, siç ishte rasti edhe me konfliktet e mëparshme (në Slloveni, në Kroaci dhe ne Bosnje), nuk ishte e prirur ta kundroj në mënyrë « rreptësisht manikeane » përgjegjësinë e aktorëve që ishin në konflikt. Për një kohë mjaft të gjatë pati sunduar skema e konflikteve midis « ndërluftuesëve » (« belligérants »), e cila përmbante një ndarje simetrike të përgjegjësive për krime. Për Bosnjen, është dashur të presim që krimet e trupave serbe të marrin trajtat nga më ekstremet, që të fillohej të flitej për një relacion agresorët-të agresuarit.
Kësisoji, instancat ndërkombëtare nuk i kanë shikuar sërbët, siç pohon Marty, si « doemos » xhelatë apo të këqinjë (përkah natyra), por përballë situatave ekstreme kanë konstatuar objektivisht se kanë të bëjnë me faktin e agresioneve të Sërbisë. Në dallim nga Marty i cili i ishte kundërvënë, në emër të së drejtës ndërkombëtare, ndërhyrjes së NATO-së në Kosovë, vende të shumta i ka ka bashkuar vullneti për ti ndalur krimet masive mbi shqiptarët e Kosoves.
Për ti dhën peshë pretendimit të tij që të rivendosë të vërtetën dhe drejtësinë në Kosovë, Dick Marty bën përpjekje për të zhvlerësuar punën e rëndësishme që instancat ndërkombëtare e kanë bërë në Kosovë, që nga viti 1999 : punën nën rindërtimin e një vendit të shkatëruar nga lufta, në vendosjen e institucioneve të reja politike e administrative, në organizimin e zgjedhjeve të para të lira, në rindërtimin e spitaleve, shkollave, ndërmarrjeve, në krijimin e kushteve për mediat e lira, por edhe në vendosjen e një shërbimi policor dhe të një administrate gjyqësore.
Pohimi i z. Marty se « krimet kundër sërbëve në Kosovë kanë qenë një tabu e vërtetë (fq.9), se paska patur jo vetëm te institucionet kosovare por edhe te ndërkombëtarët « një mungesë e vullnetit për tu marrë me këto fakte », është pokështu i pavërtetë. Krimet kundër civilëve serb në Kosovë kanë qenë pjesë e debatit publik, sa në media aq edhe në punën e zyrtarëve ndërkombëtar në Kosovë. Zyrtarët kosovarë, bashkë me ata ndërkombtarë i kanë dênuar këto krime. Që nga viti 1999, ka patur hetiqme gjyqësore, padi penale dhe procese gjyqësore. Të pamjaftueshëm ? Natyrisht, por nuk duhet harruar, për të evituar pikërisht qasjen manikeane, se proceset kundër serbëve që kanë bërë krime ndaj shqipëtarëve kanë qenë edhe më të pamjaftueshme.
Gjithnjë duke zhvlerësuar punën e instancave ndërkombëtare, ndonjëherë i rastisë Martyt që ti nyancojë pohimet e veta, duke pranuar se madje edhe « policia kosovare, me karakter shumetnik, është e formuar në mënyrë profesionale, mirë e ekipuar dhe efikase në luftën kundër kriminalitetit të vogël dhe atij të mesëm. »(fq.8)
Njëherazi, me zellin e tij për të zbardhë të vërtetën, konstaton se « krimet e bëra nga trupat serbe kanë qenë të dokumentuara, të denuncuara dhe, aq sa ka qenë e mundur, të ndëshkuara ». Ky pohim është shumë i çuditshëm. Dihet, në fakt, se vetëm një numër simbolik i autorëve të krimeve të 10.000 civilëve shqiptarë të Kosovës, është gjykuar, qoftë në Sërbi apo në Kosovë. Përndryshe, shumica e autorëve të këtyre krimeve, si edhe ata të krimeve të bëra në Kroaci dhe në Bosnje, gjenden sot në Serbi. Nëse z. Marti, me zemërgjerësi konsideron se gjykimi i krimeve të bëra nga trupat sërbe është realizuar « aq sa ka qenë e mundur », disa shoqata për të drejtat e njeriut në Beograd, përkundrazi, mendojnë se këto gjykime, po të merren parasysh përmasat e mëdha të krimeve, janë simbolike.
Kur është fjala për dënimin e krimeve të bëra në Kosovë nga trupat serbe në Kosovë, Marty harron se autoritetet e Sërbisë, asnjëherë deri më sot nuk e kanë pranuar përgjegjësinë e shtetit serb për krimet e bëra në Kosovë. Qeveria e Sërbisë dhe Kryetari i shtetit z. Tadic vazhdon të kultivojë, gjithnjë duke afirmuar mbështetjen e « vlerave evropiane », mohimin e krimeve ndaj shqiptarëve.
Karakteri « mafioz » i Kosovës
Në « hulumtimin e tij të thelluar » z. Marty operon me tri përfytyrime kryesore: UCK-ja si organizatë thlebësisht mafioze, shoqëria kosovare që nuk ka shoqëri civile, e përcaktuar « me një strukturë shumë klanike » dhe me ligjin e heshtjes (omerta), ndërkaq shteti i Kosovës del i themeluar dhe i kapluar nga strukturat mafioze. Z. Marty e zhvillon hetimin e vet mbi rrjetet kriminale, në mbështetje të këtyre përfytyrimeve, ndonëse i ndodhë ndonjëherë ti nyancojë ato duke sjell fakte që mund të prblematizonin karakterin global të këtyre nocioneve mbi UCK-ën apo shoqërinë kosovare. Kësisoji, ai pronon se « disa bashkëbisedues që përfaqësojn shoqërinë civile kosovare që sapolind » (fq.8) apo madje disa « rezultate të dukshme » të punës së policisë dhe të drejtësisë, të drejtuara nga EULEX-i.
Z. Marty orvatet ta shpjegoj krimin e organizuar në Kosovë, ndonëse pranon se ky është « një problem madhor i rajonit », si një fenomen specifik i cili gjëja se del nga esenca mafioze dhe kriminale e UCK-ës, trajtat e së cilës sikur shpërfaqen brenda të gjitha institucioneve kosovare dhe brenda vet themeleve të shtetit të Kosovës. Mirëpo, një vëzhgues, i cili edhe me pak vëmendje do ti kundronte ngjarjet politike e sociale të Kosovës, do ta hetonte karakterin së paku problematik të këtyre përfytyrimeve, e në veçanti të pohimit mbi sundimin e ligjit të heshtjes (omertës) dhe Kanunit. Ai do të kuptonte, bie fjala, se shoqërinë kosovare e cilësojnë ndarjet dhe frakturat politike e sociale, diversiteti i interesave dhe opinioneve midis partive politike por edhe brenda vet partive, se atë e cilëson transformimi i organizmave të shoqërisë civile, në ndërveprim të vazhdueshëm, tani e dhjet vite, me organizmat ndërkombëtare. Vëzhguesi i vëmendshëm do të mund të vërente se që nga viti 1999, asnjë personalitet e institucion, vendor apo ndërkombëtar, nuk mund ti shmanget kritikave të gazetarëve dhe shoqatave, se korupcioni dhe format e ndryshme të krimit janë tema të shpeshta të mediave në Kosovë.
Ndonëse pranon ekzitimine e disa fraksioneve në gjirin e UCK-ës, përfshirë edhe në periudhën e luftës, Marty dëshiron ta shikojë atë si thelbësisht « kriminale e mafioze », në kundërshtim me një kujdesë elementar për objektivitetin. Prandaj ai edhe pohon : « Njësitet kryesore të UCK-ës dhe të zonave të tyre të komandimit operacional ishin kopje gati e plotë e strukturave që kontrollonin trajta të ndryshme të kriminalitetit në teritoret ku kishte operuar UCK-ja. »(fq.14)
Për ta mbështetur më mirë tezën se UCK-ja është para së gjithash një organizatë mafioze, ai pohon se vetëm një pakicë e saj ka luftuar për çlirimin e vendit.(fq.12) Kështu, ai don të thot se shumica është marrë me aktivitete kriminale e mafioze. Ndryshe nga z. Marty dhe ata që e kanë dëmkosur UCK-ën, vëzhguesit që donin të kuptojnë se çka po ngjet në teren, kanë patur mundësi të vërejn se lëvizja e rezistencës së armatosur, u paraqit në vitin 1997, pasiqë lëvizja e rezistencës politike të shqiptarëve të Kosovës ndaj terrorit të regjimit serb u gjend përball murit, përballë pamundësisë për ta ndryshuar situatën. Kjo rrezistencë e armataosur ka qenë më e theksuar në rajonin e Drenicës dhe në atë të Dukagjinit: këtë rezistencë e ka bartur kryesisht, siç pranon edhe vet Marty në një moment, popullësia e fshatërave që ishin objekt i dhunës më të rëndë. Megjithkëtë, Marty nuk e kupton faktin se edhe një pjesë e anëtarëve të rezistencës politike (të LDK-së së Rugovës e të tjerë), përfshirë edhe disa anëtarë të Këshillit të Drejtave të Njeriut i janë bashkuar radhëve të UCK-ës.
Mirëpo, në vend se të shpjegoj lindjen dhe aktivitetet e një lëvizje të rezistencës së armatosur me domosdosinë që një popull i rrezikuar të mbrohet nga një agresion ushtarako-policor, Marty, si specialist i mafiave, sheh tek bërthamat e rrezistencës në Drenicë vetëm një « strategji globale, të paramenduar dhe evolutive » të « Grupit të Drenicës », të paraqitur si një rrjet i « krimit të organizuar » me në krye « shefin e bandës » së UCK-ës, Hashim Thacin, Kryeministrin e tashëm të Kosovës.(fq.15) Ndonëse ai vet pranon njëherazi se lugina e Drencës kishte qenë një « bërthamë tradicionale e rezistencës së shqiptarëve ndaj dhunës serbe dhe vend i lindjes së UCK-ës. » Mirëpo, me pak më shumë njohuri historike, Marty do të kuptonte se lugina e Drenicës dhe rafshi i Dukagjinit, kanë qenë hapësira karateristike të rezistencës ndaj shtypjes së shetit serb, pokështu edhe në fillim të shekullit XX si edhe në periudhën midis dy luftërave botërore. Por asokohe, luftëtarët shqiptarë nuk ishin të cilësuar nga klasa politike serbe dhe nga një pjesë e mediave perëndimore, si « mafioze » por si « banditë ». Ndërkaq, liderët e social-demokracisë serbe (D. Tucovic, D. Jovanovic, etj.) i konsideronin ata si fshatarë-luftëtarë që bëjnë një luftë legjitime.
Karakteri « kriminel dhe mafioz » i UCK-ës shpjegohet në raportin e Martyt, poashtu edhe me vrojtime « antropologjike » mbi Kanunin dhe « strukturën shumë klanike të shoqërisë kosovare ». Këto vrojtime shpalohen përgjatë gjithë raportit si prizëm e privilegjuar mbi Kosovën. Injorancën e tij për shoqërinë kosovare, por edhe për Kanunin, mund ta ilustrojmë me këtë fjali : « Eshtë para së gjithash zakoni stërgjyshëror, ende shumë i rrënjosur brenda disa shtresave të shoqërisë, respektimi i verbët ndaj klanit apo ekuivalentit të tij në sferën e krimit të organizuar ajo që duket se pengon shumë kosovarë të arrijnë te zbatimi i mirëfilltë i drejtësisë. »(fq.27) Injoranca shfaqet këtu në faktin se ai nuk e kupton se Kanuni, si kod tradicional, përkundrazi, kodifikon një spektër të ndëshkimeve për aktet e vlerësuara si të padrejta apo të kundërta me zakonet tradicionale. Kanuni nuk e përkufizon nderin e njeriut me heshtjen përballë krimit por përkundrazi me guximin për ta emëruar atë hapur dhe me kërkimin e ndëshkimit. Ky kod tradicional, ka shumë të meta, është shumë i moqëm, por ai nuk ka të bëjë me rregullat dhe zakonet e bandave mafioze.
Vëzhguez sadopak serioz të shoqërisë kosovare e dijnë se ajo nuk drejtohet sot me Kanunin dhe omertën, dhe nuk e shikoj atë si një organizëm i madh mafioz. Kjo nuk i pengon, njëherazi, që ata të zhvillojnë analiza kritike të fenomeneve negative (midis të cilave janë korupsioni dhe krimi i organizuar) që e rëndojnë shoqërinë kosovare.
Paraqitja e shoqërisë kosovare si një organizëm kriminel dhe mafioz, është zhvilluar në veçanti, duke filluar nga vitet 80, nga makina e propagandës së shtetit serb, nga mediat e tij dhe nga Akademia e tij Shkencave dhe Arteve, propagandë kjo që bashkërendiste dhe arsyetonte, njëherit, terrorin policor. Kjo propagandë do ta stigmatizojë si « terroriste » dhe « mafioze » njësoj si UCK-ën e Thaçit poashtu edhe lëvizjen e rezistencës politike, të drejtuar nga LDK-ja e Rugovës.
Ndërtimi i imazhit të UCK-ës dhe të shoqërisë kosovare si organizma mafioze, në skemën e Martyt, mbështetet edhe me përdorimin e shpesht të termit « ilegal », i cili zbatohet mbi shumë aktivitete të luftëtarëve apo të qytetarëve kosovarë në kushte të okupimit. Cështë e vërtea, mbledhja e parave dhe armëve për rezistencën, mbledhja e parave për ndihmën humanitare për gjithë ata që ishin ndjekur nga vendet e tyre të punës, nuk kishte si të zhvillohej brenda suazave të një shteti juridik, ngase ai thjesht nuk ekzistonte. Por athua lëvizjet tjera të rrezistencës nuk kanë vepruar brenda një hapësire « jolegale » ? A do të thotë kjo se ato nuk kanë qenë legjitime pse nuk janë zhvilluar brenda një suaze legale? Bie fjala, a nuk kanë qenë legjitime aksionet e rezistencës franceze, gjatë okupimit nacist, si bje fjala falsifikimi i dokumenteve (pasaportave, lejeve të njoftimit etj.), që kishte për qëllim të shpëtoj nga burgu apo vdekja individë të ndryshëm ?
Thashethemet për krimet e ndyra
Përkufizimin e shoqërisë kosovare, e veçanërisht të UCK-ës dhe partive politike që u sajuan nga ish-anëtarët e saj, si një organizëm klanor dhe mafioz, Marty don ta mbështesë edhe te supozimi se me 1999, « një grusht i të burgosurëve ka qenë dërguar në Shqipërinë qëndrore për ti vrarë atje pasi tu jenë nxjerrë veshkët në një klinikë të improvizuar ». Ky supozim për një krim të tmershëm, i ndërtuar nga disa gjurmë e rëfime të dëshmitarëve, në të shumtën e rasteve jo të drejtpërdrejt, ka për qëllim të paraqesë retrospektivisht sit ë urryer « natyrën e vërtetë » të UCK-së dhe të strukturave politike që kanë dalë nga gjiri i saj.
Stigmatizimi i përsëritur, në këtë raport, i Kryeministrit Thaçi (« personalitetit më të njohur të UCK-së në skenën ndërkombëtare », fq.15), si personazhi kryesor i të gjitha formave të krimit të organizuar në Kosovë, e veçanërisht i heqjes së organeve, mëton të inkriminoj si « mafioz e kriminel » rrugëtimin e shtetit të Kosovës që nga lufta për çlirim e deri te zgjedhjet e fundit, në të cilat ngadhnjeu z. Hashim Thaçi.
Të shtojmë se z. Thaçi ka kërkuar hapjen e një hetimi ndërkombëtar profesional me qëllim të ndriçimit të këtyre thashethemeve për trafikimin e organeve.
Dick Marty, në njerën anë me ngulmë përhap dyshime për një krim të supozuar, e në anën tjetër e mënjanon çështjen e mosndëshkimit të autorëve të krimeve të më shumë se 10.000 civilëve kosovarë.
Megjithkëtë, shumë personalitete ndërkombëtare, që kishin punuar në Kosovë apo lidhur me Kosovën në vitet 2000, sikurse edhe shumë ekspertë, shfaqën publikisht dyshime serioze ndaj supozimit të përmendur, i cili merr trajtën e një akuze si në shkrimin e
Carla Del Pontes ashtu edhe në raportin e Marty-t.[2]
Hetimet e zhvilluara nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, nga UNMIK-u dhe nga EULEX-i, lidhur ato rrëfime e thashetheme, që vinin kryesisht nga Sërbia, u braktisën në mungesë të provave.
Mirëpo, vështirësitë që këto organizma ndërkombëtar kanë patur në hetimet e tyre nuk mund të përkufizohen, siç bën Marty, si prova a priori se krimi i supozuar vërtetë ka ndodhur.
Vullneti për stigmatizim, i cili është më i theksuar në këtë raport të Martyt se sa obligimi për objektivitet, shfaqet poashtu edhe në mënyrën se si ai e paraqet vazhdimësinë midis krimit të supozuar në vitin 1999 « në një klimë të improvizuar » në Shqipëri, dhe faktet reale të trafikimit të organeve në klinikën « Medicus » në Prishtinë, në vitin 2010. Ky aktivitet kriminal u zbulua nga Policia e Kosovës dhe ajo e UNMIK-ut në vitin 2008 dhe pastaj iu përcoll në shqyrtim policisë së EULEx-it. Në këtë rast kemi të bëjmë me një fenomen të trafikimit të organeve që ka dimension ndërkombëtar. Personat e përfshirë në këtë veprim janë nga tri vende të ndryshme, veç Kosovës. Karakteri arbitrar i metodës së Marty-t shifet edhe këtu me një konstruksion artificial të vazhdimësisë prej një decenie, që nuk është e mbështetur me asnjë provë. (fq.27)
Luftërat në Ballkan, me tmerre reale, me krime të ndyra, kanë qenë të shoqëruara poashtu edhe me thashetheme dhe fiksione, disa prej të cilave morën dukjen e një hetimi koherent.
Kësisoji, thashethemet për heqjen e organeve të të burgosurëve serb nga pjesëtarët e UCK-ës, u shoqëruan në vitin 2006 e 2008 me rrëfimin, që e transmetuan mediat e Beogradit (e përditshmja Kurir, fjala vjen), se Bernard Kouchner-i paskësh marr pjesë, si mjek, në heqjen e organeve të të burgosurëve sërb, se trupat e KFOR-it e kanë përgaditur këtë operacion, dhe se transplantimi i organeve është bërë në një bazë ushtarake të NATO-së në Gjermani. Këto thashetheme u transmetuan në mediat serbe nga persona që thonin se janë burime të Carla Del Pontes.
Një thashetheme e ngjashme kishte qarkulluar për një Kryeministër tjetër të Kosovës, z. Bajram Rexhepin, me 2002. Porsa u zgjodhë, në disa media të Serbisë, doli akuza se ai i paska « prerë kokat civilëve serb ». Kjo thashetheme mori trajtën e një dosje hetuese, e përgaditur nga ekspertët serb. Z. Nebosa Covic, përfaqësues i Sërbisë në një komision të përbashkët me përfaqësuesin e UNMIKU-ut dhe me atë të qeverisë së përkohshme të Kosovës. Sipas z. Covic, z. Rexhepi mbahej fajtor se i kishte prerë kokat e civilësve serb, si ushtarë i UCK-ës dhe si mjek. I dërguari special i OKB-ës në Kosovë, z. Steiner, kishte kërkuar ekpertizën e kësaj dosje. Pas një muaji, ai pat deklaruar : « U pajtuam me z. Covic se në atë dosje nuk ka asgjë inkriminuese për Kryeministrin Rexhepi ». Por, megjithkëtë, mediat e Sërbisë bën zhurmë të pandërpreë edhe për këtë rast[3].
Motivet politike të Marty-t dhe vullneti për revidim
Motivet politike të z. Marty shpërfaqen përgjatë tërë tekstit të raportit të tij. Si kundërshtar i vendosur i ndërhyrjes së NATO-së kundër trupave serbe që masakronin civilët shqiptarë në Kosovë, ai i kushtohet, siç patëm rastin të vejmë në pah, stigmatizmit të UCK-ës, të shoqërisë kosovare dhe të shtetit të Kosovës, si « organizma mafioze kriminele ».
Ky imazh i Kosovës, i kapluar në të gjitha poret e veta nga mafia, vështirë pajtohet, megjithatë, me faktin se Kosova, që ka një sipërfaqe vetëm të 10.000km2, që nga viti 199, ishte e kontrolluar dhe e mbikëqyrur nga 40.000 ushtarë të KFOR-it, nga qindra policë ndërkombëtarë, nga shumë shërbime të inteligjencës, dhe e ekspozuar shikimit të shumë gazetarëve dhe shoqatave.
Z. Vladimir Vukcevic, Prokuror special i Sërbisë për krime lufte deklaroi në Beograd, pas publikimit të raportit Marty, se ky përmban një pjesë të madhe të raportit të tij. Megjithatë, Marty pranon se as ekipa e këtij prokurori, « e cila ka zhvilluar përpjekje të konsiderueshme, nuk ka arritur rezultate shumë konkrete. »(fq.10)
Në raportin e vet, z. Marty nuk e fsheh as pasionin e vet anti-amerikan (fq.13, bie fjala), pikërisht lidhur me Kosovën. Ai e paraqet UCK-ën dhe shtetin e Kosovës si produkte dhe instrumente të politikës amerikane. Edhe në këtë rast pokështu, z. Marty nuk dëshmohet objektiv: në fakt, çështjet e Kosovës kanë qenë të trajtuara përmes një pune të përbashkët midis BE-së dhe ShBA-ve.
Motivet politike të z. Marty ndaj Kosovës janë të ngjashme me ato të kryetarit të Sërbisë z. Tadic. Që të dytë orvaten tani të përmbysin perceptimin e çështjes së Kosovës, të bëjnë revidimin e ngjarjeve, revidimin e rolit dhe të përgjegjësisë së aktorëve të konfliktit.[4]
Në të përditshmen beogradase Danas, me 20 dhjetor, presidenti i Serbisë, z. Tadic, lidhur me raportin e Marty-t deklaron: « Pas botimit të raportit Marty për krimet ndaj Sërbve, dhe megjithë parimin e prezumimit të pafajësisë, bashkësia ndërkombëtare do ta perceptoj në mënyrë krejtësisht tjetër çështjen e Kosovës. Sërbia ka pritur vite të tëra që instancat ndërkombëtare të bëjnë një raport të tillë. Ne kemi kërkuar që të gjitha krimet të ndriçohen, por këto kërkesa nuk u patën marrë seriozisht. Tani, imazhi është i ndryshëm dhe unë jam mirënjohës, për këtë, Dick Marty-t. Kryetari Tadic shton se një hetim i gjerë për rastin e ngritur nga Marty do të duhej të ndriçoj procesin e formimit të të ashtuquajturit shtet i Kosovës.
Pra, megjithë prezumimin e pafajësisë[5], megjithë faktin se supozimi për trafikimin e organeve nga disa anëtarë të UCK-ës mund të jetë i pavërtetë, Tadic pret që perceptimi i çështjes së Kosovës, por poashtu edhe perceptimi i konflikteve të tjera në ish-Jugosllavi do të jetë, në saje të këtij raporti, krejtësisht tjetër.
Kësisoji, përgjegjësia e Sërbisë për katër luftëra të agresionit (kundër Sllovenisë, kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës), me gjithë kortezhin e krimeve masive mbi popullësitë civile do të duhej tani të fshihej me supozimin, e pavërtetuar me asnjë provë se një grusht të burgosurish serb, para se të jetë vrarë, ka pësuar heqjen e veshkëve në një klinikë të improvozuar në Shqipëri, nga pjestarët e UCK-ës. Kështu, është tani egërsia e një krimi të supozuar që do të duhej të ndriçojë natyrën e vërtetë të një lëvizje për çlirim dhe të një shteti.
Kah fundi i raportit, Z. Marty pranon se hetimi i tij nuk ka sjellur diçka të re: Kjo nuk është ndonjë risi dhe nuk është ndonjë ekskluzivitet i Kosovës », duke shtuar se « Krimi i organizuar është po aq i rrezikshëm në Serbi, në Mal të Zi, në Shqipëri (
) ai njëherit konstaton « madje edhe një bashkëfajësi të çuditshme dhe shqetësuese midis bandave të ndryshme. »(fq.28) Ne do të mund të shtonim se hetohen pokështu edhe bashkëfajësi të çuditshme midis atyre që duan me çdo kusht të besojnë dhe ti bindin të tjerët për « të vërtetën » e krimeve e për të cilën nuk kanë asnjë provë të besueshme.
Mirëpo, pikërisht me përqëndrimin te një krim i supozuar, z. Marty ka arritur të tërheq vëmendjen e mediave dhe të trondisë opinionin e gjerë.
Me këto të meta, raporti i z. Dick Marty nuk mund të jetë një kontribut për një analizë më objektive të së kaluarës së mbrujtur me konflikte, nuk mund të jetë kontribut për të vërtetën dhe drejtësinë. Me qasjen e tij të kufizuar, me njënashmërinë e qëndrimeve të tij politike dhe me tezat e tij ai edhe më pak mund të pretendojë të kontribuojë për një « pajtim të mirëfilltë » dhe për një « stabilitet afatgjatë në rajon ».
(Autori është Profesor dhe Ambasador i Republikës së Kosovës në Francë)
[1] Duke marrê vendimin qê nê librin e Kujtimeve tê veta tê ngatêrrojê gjêrat dhe tê vejê krahas krimeve tê gjykuara, pra tê dêshmuara nê mênyrê tê sigurtê edhe kêto teza tê paverifikuara, qê dalin nga dëshmitarê, pêr tê cilêt ajo nuk di asgjê, madje as kush janê, Carla Del Ponte inkurajon kêshtu ngatêrrimin midis thashethemeve dhe fakteve, dhe rrezikon tê nxisê revizionistêt e tê gjitha ngjyrave. Ndêrkaq, puna e saj, nê gjirin e Tribunalit penal ndêrkombêtar pêr ish-Jugosllavinê, kishte tê bêjê pikêrisht me kêrkimin e tê vêrtetês, pêrkundêr vêshtirêsive, dhe duke luftaur kêshtu mohimin e krimeve dhe manipulimin. Sot ajo na zhyt sêrish nê çastet mê errêta t ê propagandês. »
[2] Bernard Kouchner, Wolfgang Petric, Denis Mac Shane, Franc Wizner , Robert Gelbart, etc. Drejtori i Institutit të mjekësis ligjore, të Forenzikës dhe Kriminologjisë në Shkup, z. Aleksej Duma, në intervistën e tij për të përditshmen maqedonase Utrinski vesnik , me 25 dhjetor, thekson mungesën e kushteve teknike e mjekësore në Shqipëri për këtë lloj të operacioneve kirurgjike. Disa të tjerë kanë përkujtuar faktin se transplantimi i parë i veshkës në Shqipëri është bërë në vitin 2008 në një klinikë të Tiranës.
[3] Një rast tjetër karakteristik : në shtator të vitit 1998, gjatë luftës në Kosovë, autoritetet e Beogradit e informuan opinionin se në fshatin Klecka, në afërsi të Lipljanit, paska ndodhur një « krim i tmershëm » mbi 15 civilë serb : se ata paskan qenë të djegur të gjallë në një gropë me gëlqere të ndezur, në një temperaturë prej 1000 grad celzius. Gjatë disa muajëve, mediat e Beogradit, flisnin për « krematoriumin e Kleckës, për një Aushvic të Sërbëve ». Mirëpo, drejtori i Akamedisë mjekësore-ushtarake (VMA) të Beogradit, z. Stankovic, i cili, pasi bëri hetimet për kêtë rast, deklaroi publikisht disa herë se kjo akuzë ishte e pambështetur.
[4] Në seksionin « Rezultate të hollësishme të hulumtimeve tona », fq. 12, z. Marty shkruan : « Pikëshikimi i cili del nga hetimi jonë dallon dukshëm, në shumë pikëpamje, nga pasqyra që rëndom ndërtohet për konfliktin e Kosovës. » Mirëpo, në anën tjetër, z. Zarko Korac, kritikon ringjalljen në Serbi, pas botimit të raportit të Marty-t, të teorive që arsyetojnë politikën e Milosevicit ndaj Kosovës, teori që sforcojnë imazhin e Sërbisë si « viktimë e vërtetë » në të gjitha konfliktet në ish-Jugosllavi.
[5] Parim i afirmuar në Deklaratën e të Drejtave të njeriut (1789), i cili nënkupton se çdo individ është i pafajshëm gjithnjë përderisa nuk bëhet definitiv vendimi i instancës më të lartë gjyqësore.