E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Anketimi më i fundit u krye në datat 19-21 nëntor 2010 përmes intervistave telefonike, me një shembull rastësor prej 1,037 të rritur, mbi 18 vjeç, të zgjedhur duke përdorur modelin e zakonshëm të numrave telefonikë, me maksimum të gabimit ±4 pikë.
John Kennedy, presidenti mė i vlerėsuar nė pesė dekadat e fundit







“Gallup Poll” (që mban emrin e themeluesit Xh. Gallup, 1901 –1984), është një qendër e specializuar për matjen e opinionit publik përmes metodës statistikore të anketimeve me qytetarët. Prej vitit 1990, kjo qendër organizon anketime edhe për vlerësimin e punës të Presidentëve të ShBA-së në detyrë, dhe pasi ata mbarojnë mandatin, në retrospektivë.

Anketimi më i fundit u krye në datat 19-21 nëntor 2010 përmes intervistave telefonike, me një shembull rastësor prej 1,037 të rritur, mbi 18 vjeç, të zgjedhur duke përdorur modelin e zakonshëm të numrave telefonikë, me maksimum të gabimit ±4 pikë.

Anketimi kishte për objekt punën e 9 presidentëve që kanë shërbyer në pesë dekadat e fundit: nga Xh. Kenedi te Xh W. Bushi. “Gallup” u kërkoi amerikanëve të shprehen, bazuar në atë çka ata dinin apo kujtonin për presidentët, nëse e miratonin ose jo mënyrën e kryerjes së detyrës së tyre. Nga përgjigjet, “Gallup Poll” nxori të dhënat dhe përfundimet përkatëse.

Riçard Nikson mbetet në renditjen më të ulët

Xh. Kenedi vazhdon të ruajë renditjen më të lartë miratuese për punën e tij qëkurse vlerësimi i “Gallup”-it filloi më 1990. Në vitet 2006-2010 vlerësimi miratues është rritur nga 84 në 85 për qind. Vendin e dytë e mban R. Regan nga 71 në 74 për qind.

Por ndërsa renditja e këtyre presidentëve ka ndryshuar pak nga viti 2006, ajo e B. Klintonit është përmirësuar, duke e çuar atë në vendin e tretë, ndërsa Xh. Karter, me 52 për qind, ka rënë me 9 pikë, nga i treti në të gjashtin.

Niksoni ka qëndruar gjithnjë në fund edhe pse L. Xhonson ka pasur vlerësimin më të ulët më 1993 dhe të përafërt me të, më 1992.

Ndryshimi më i thellë në këtë anketim të ri është rënia me 9 pikë e renditjes të miratimit të Karterit dhe rritja me 8 pikë e miratimit të punës të Klintonit, Xh. Bushit dhe të Xhonsonit.

Për Xh W. Bush ky është vlerësimi i parë retrospektiv i “Gallup”-it që kur ai la detyrën më 2009-n. Renditja me miratim 47 për qind dhe mosmiratim 51 për qind e vendosin atë pranë Niksonit, si dy presidentët të cilëve, mosmiratimi u kalon miratimin. Por balanca është tepër negative për R. Nikson: 29 për qind miratim dhe 65 për qind mosmiratim.

Për Xh W. Bush – renditja e të cilit gjatë kohës kur ishte President ra në 24 për qind në vitin e tij të fundit, miratimi retrospektiv prej 47 përqindësh është pozitiv.

Xhimi Karter ka humbur më shumë pikë

Renditja retrospektive e miratimit të Karterit arriti një kulm prej 69 përqindësh më 1999, ra në 61 për qind më 2006 dhe tani është 52 për qind. Ndërsa ka ruajtur një miratim të lartë nga demokratët (80 për qind më 2006 ndaj 77 për qind sot) ka humbur mbështetjen nga republikanët (nga 42 për qind në 34 për qind) dhe të pavarurit (nga 57 për qind në 47 për qind).

Këto ndryshime mund të jenë si refleks i kritikës që Karter i bëri Presidentit Xh W. Bush për luftën në Irak, duke e quajtur Presidencën e tij si “më të keqen në histori” në çështjet ndërkombëtare. Pavarësisht nga kjo, Karter mbetet më i vlerësuar sot, se sa në fillim të viteve '90.

Rriten opinionet miratuese për B. Klinton dhe Xh. Bush

Renditja retrospektive miratuese e punës të ish-presidentit Klinton është rritur qëndrueshëm brenda dekadës që kur la detyrën: nga 51 për qind më 2002, në 56 për qind më 2006 në 69 për qind sot.

Kurse Xh. Bush, pas një ngritjeje të miratimit në vitet 1993 -1999 dhe një rënie gjatë Presidencës të të birit, por më 2010 ka pasur një rivlerësim prej 8 pikësh kundrejt vitit 2006.

Miratimi retrospektiv kundrejt miratimit në detyrë

Gjashtë nga presidentët: Kenedi, Regan, Xh. Bush, Ford, Karter, Xh W. Bush janë më të vlerësuar tani se sa ishin në fund të Presidencës së tyre. Nga ana tjetër, Klinton, Xhonson dhe Nikson janë renditur baras me miratimin e punës përfundimtare, para se të linin detyrën.

Kenedi, Regan, Ford, Karter dhe Klinton kanë një renditje retrospektive më të lartë sot se renditja e miratimit mesatar presidencial të tyre. Renditja retrospektive për të dy Bush-ët është afërsisht e njëjtë me renditjen mesatare presidenciale të tyre, ndërsa ajo e Xhonsonit dhe e Niksonit janë më të ulëta.

Afro 50 vjet pas vrasjes së Kenedit, shumica e amerikanëve e shohin presidencën e tij në një këndvështrim më shumë të përmirësuar nga sa ishte në ditët e tij të fundit. Diferenca prej 27 pikësh midis renditjes të miratimit të punës së tij të fundit në detyrë dhe renditjes të miratimit më të fundit retrospektiv është më e madhe se për çdo president pasardhës.

Ndërkohë, Regan, Ford, Karter dhe Xh. Bush kanë shënuar ngritje të ndjeshme në miratimin e publikut qëkurse janë larguar nga detyra, veçanërisht kur ata kanë qëndruar jashtë politikave partizane. Xh W. Bush gjithashtu ka ngritje në miratimin retrospektiv kundrejt atij në përfundim të detyrës me 13 pikë. Në të kundërtën, Xhonson, Nikson dhe Klinton janë renditur afërsisht në nivelin e vlerësuar në fund të mandateve të tyre.

Anketim edhe për punën e presidentëve shqiptarë?

Anketime për punën e kryetarëve të shteteve apo të qeverive, në një mënyrë apo tjetër, organizohen edhe në vende të tjera. Po a mund të realizohet edhe në vendin tonë? Pyetjes mund t’i jepet një përgjigje pozitive, pasi nuk shoh ndonjë pengesë serioze për t’u realizuar.

Por problemi qëndron te përgjigjja, pasi edhe sikur anketimi t’i besohej një OJF-je të njohur ndërkombëtare, duke qenë një vend i vogël dhe me një demokraci ende të pakonsoliduar, kjo mund të mos ishte e sinqertë.

Kam përshtypjen se sapo specialisti nga qendra do t’i drejtonte pyetjen në telefon një qytetari për të shprehur opinionin e tij për punën e ish-presidentëve Berisha, Meidani dhe Moisiu apo të Presidentit në detyrë, shumica e përgjigjeve do të ishte sipas kornizave partiake, ose nuk do të shprehej asnjë mendim.

Megjithatë, edhe pse mund të ndodhë kështu, duhet filluar njëherë, qoftë dhe me pyetje disi më të thjeshta se sa në shembullin e “Gallup Poll”. Në këtë mënyrë do të krijohej një përvojë, e cila do të ndihmonte për të gjetur mënyra më të përshtatshme anketimi.

Publikuar: 11.01.2011 | 00:40
Lexuar: 697 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
rajmonda (22/01/2012 19:18:13) kenedi vetem me fjalimin evitit 1961 te jep per te kuptuar ce ka cen nje persident ce do perballej dhe me sfidat e reja ce jan sot...merit e madhe per amerikanet ce i futi ne nje ekonomi te centralizuar...

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime