Megjithatë, ajo që mund të ketë shkaktuar vdekjen e këtyre specieve mund të ketë qenë shumë më pak e ndërlikuar se këto teori, ishte përfundimi i një grupi shkencëtarësh, studimi i të cilëve u raportua nga e përditshmja ruse Pravda, në numrin e saj të sotëm.
Çfarë i vrau dinosaurët? Pyetja ka munduar shkencëtarët prej kohësh, ndërsa zhdukja e specieve që popullonin botën 65 milion vjet më parë i është atribuar zakonisht impaktit të një asteroidi me Tokën, ftohjes globale që pasoi goditjen apo shpërthimeve vullkanike.
Megjithatë, ajo që mund të ketë shkaktuar vdekjen e këtyre specieve mund të ketë qenë shumë më pak e ndërlikuar se këto teori, ishte përfundimi i një grupi shkencëtarësh, studimi i të cilëve u raportua nga e përditshmja ruse Pravda, në numrin e saj të sotëm.
Ajo që i ka dhënë fund jetës së dinosaurve është zhvillimi i luleve dhe barit. Teoria bazohet në arsyetimin se një shpërthim vullkanik apo i ftohti që do të pasonte goditjen nga një asteroid, nuk do të kishte zhdukur të gjitha format e jetës, sidomos insektet apo gjitarët e vegjël, që ishin shumë më të pambrojtur e të papërshtatur se kafshët gjigante ndaj ndryshimeve.
Hipoteza se kafshët më të vogla arritën të përshtateshin më mirë me kushtet dhe më pas evoluan në specie të ndryshme, duke mbërritur deri në diversitetin e ditëve të sotme, prej kohësh ka qenë tepër e debatuar.
Për më tepër, studimet kanë treguar se pikërisht në fundin e epokës mesozoike (215-65 milion vite më parë) nisën të zhvilloheshin format e bimësisë si bari dhe lulet. Deri atëherë ekzistonin vetëm pemë dhe disa lloje shkurresh.
Krijimi i barit ndryshoi tërësisht pamjen e planetit dhe toka u popullua nga stepa të tëra, pyje të vërteta ku bari mund të rritej deri në disa metra. Në këto kushte, pretë e dinosaurve filluan ta kishin shumë më të lehtë të fshiheshin, ndërsa predatorët e tyre ishin të vetmet specie që dilnin mbi dendësinë e gjelbërt.
Ky ndryshim në planet krijoi kushte të përshtateshme edhe për evolimin e gjitarëve të vegjël. Njëri prej tyre, i quajtur herbivor, edhe pse kishte madhësinë e një maceje të sotme ishte shumë agresiv dhe jetonte në grupe të mëdha.
Herbivorët mund të ketë shndërruar në objektiv të tyre këlyshët e dinosaurve, duke pakësuar drastikisht numrin e atyre që arrinin në moshë madhore. Sipas studimit të një grupi shkencëtarësh rus, e vërteta e zhdukjes së dinosaurve nuk qëndron në asnjë prej teorive të mëparshme. Janë lulet, bari dhe një kafshë me madhësinë e maceve të sotme shtëpiake ato që vranë gjigantët.