Hashim Thaçi nuk do ta ketë të lehtë të ndërtojë një qeveri të fortë dhe të besueshme; nuk do të jetë lideri politik që do të udhëheqë një mazhorancë të fortë, por kryeminstri teknik që do të menaxhojë një mishmash interesash.
Armand Shkullaku
Ndonëse zgjedhjet e 12 dhjetorit i dhanë të drejtën Partisë Demokratike të Kosovës të jetë mandatare për formimin e qeverisë së re, lideri i kësaj partie doli prej tyre me një autoritet politik të gjymtuar. Nga euforia e mesnatës së një muaji më parë, kur shpalli fitoren madhështore në Sheshin 21, Hashim Thaçit nuk i ka mbetur asgjë. Madje edhe flakët që ndezi shkëndija patriotike për tu mbledhur grusht bashkuar kundër Dick Martyt po shuhen. Shumë shpejt, kryetari i PDK-së do të duhet të përballet me realitetin e ri.
Ai duhet të sajojë një qeveri që të mbahet në këmbë, pikërisht kur gjendet në ditët më të vështira për të: nën presionin e njerëzve brenda PDK-së, nën shantazhin e aleatëve të mundshëm, në një klimë ndërkombëtare aspak të favorshme dhe me besim të lëkundur tek partnerët ndërkombëtarë. Në këto kushte, Hashim Thaçi më shumë se sa një lider politik, ngjan me një kryeministër teknik që si objektiv primar nuk mund të ketë realizimin e programit dhe vizionit të tij politik, por shpikjen e një formule qeverisëse në gjendje për ta shtyrë sa më gjatë. Ai nuk mundi që në këto zgjedhje të fitonte autoritetin e duhur për tiu imponuar partisë së tij dhe forcave të tjera politike si një figurë e fortë që di të vendosë në momente të vështira.
Thaçi nuk mundi ta bëjë këtë, pavarësisht se disa kohë përpara zgjedhjeve u kërkoi falje qytetarëve dhe premtoi ndryshime të mëdha. Ai nuk e gjeti kurrë vullnetin ose fuqinë për ti ndërmarrë këto ndryshime. Emrat e shumëpërfolur në partinë e tij ishin fytyra dhe simboli i PDK-së në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Paralajmërimeve të ndërkombëtarëve se njerëz të tillë do të dëmtojnë imazhin e Kosovës nuk iu vu veshi. Dhe ja se çfarë ndodhi vetëm disa ditë më pas. Deformimi i procesit zgjedhor, reagimi i shtypit ndërkombëtar, deklaratat e rënda të diplomatëve dhe emisarëve të BE-së, madje edhe jehona e raportit të Dick Martyt, sigurisht që kanë lidhje mes tyre.
Kryeministri Thaçi premtoi ndryshime dhe frymë të re, por pothuajse gjithë të rinjtë mbetën jashtë dyerve të parlamentit. Grupi i ardhshëm parlamentar i PDK-së do të jetë po i njëjti, në mos më i përkeqësuar. Sepse të rinjtë u përdorën për kozmetikë, ndërsa të vjetrit nuk u guxua të largohen. Pse ndodhi kjo? Nuk pati Thaçi fuqinë e duhur brenda partisë, druhej nga humbja e votave apo është peng i pushtetit të një grupi njerëzish në PDK? Kjo nuk ka shumë rëndësi. Fakt është se PDK, megjithë teorinë se nuk ndërrohet ekipi fitues, shkoi në zgjedhje e vjetëruar dhe me njerëz që fare lehtë parashikohej se do të prodhonin probleme. Dhe që i rrëzuan Thaçit edhe premtimin tjetër të rëndësishëm se procesi zgjedhor do të ishte fer dhe demokratik.
Duke mos mbajtur dot këto dy premtime, ndryshimet brenda PDK-së dhe zgjedhjet e pacënuara, kreu i mazhorancës i ka ulur ndjeshëm kuotat e besueshmërisë politike. I ka ulur si brenda partisë së tij ashtu edhe tek partnerët ndërkombëtarë. Një lider që lë të nënkuptohet se ai dëshiron të bëjë ndryshime, por nuk po mundet, se ka rezistencë në parti, se nuk po i shmang dot individët problematikë, se ai do por nuk e ka të lehtë, se edhe zgjedhjet në disa zona i dolën jashtë kontrollit jo për faj të tij por të këtyre individëve, se fytyrat e reja nuk arritën të hynë në parlament megjithë përpjekjet e tij, etj, etj, pra një lider i tillë mund të shpjegohet vetëm në dy mënyra: ose nuk do vërtet ti realizojë ato që thotë ose nuk është lider.
Prandaj, në gjendjen në të cilën ndodhet, Hashim Thaçi nuk do ta ketë të lehtë të ndërtojë një qeveri të fortë dhe të besueshme. Prandaj ai nuk do të jetë lideri politik që do të udhëheqë një mazhorancë të fortë, por kryeminstri teknik që do të menaxhojë një mishmash interesash. Në radhë të parë nuk do ta ketë të lehtë të kënaqë orekset në partinë e tij. Do të gjendet mes shantazhit të të vjetërve që e kanë provuar se kjo metodë funksionon me të dhe zhgënjimit të të rinjve për tu përfshirë në projektin e tij. E që të mund të ketë një qeverisje të qëndrueshme do ti duhej të bënte për vete dhe AAK e AKR, duke e modeluar kësisoj kabinetin qeveritar jo sipas interesave të vendit por sipas kërkesave të partnerëve potencialë. Dhe nëse ia del mbanë, do ti duhet të fitojë besimin e qytetarëve dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve se projekti i tij do të funksionojë. Një mision i vështirë për Hashim Thaçin, pas gjithë atyre që kanë ndodhur.
Zgjedhjet e fundit dëshmuan se lidershipi i tij është lëkundur seriozisht dhe se për ta rikuperuar atë duhet së pari të pranohet ky fakt dhe të bëhen ndryshimet pavarësisht çmimit. Por diversioni me partitë e tjera dhe peticionet kolektiviste të ditëve të fundit, janë shenja të qarta se shumë pak është kuptuar nga ajo që ka ndodhur. Nganjëherë është më mirë të mos fitosh se sa të të mbetet fitorja në dorë.