E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Mbushja e buxhetit, mbulimi i shpenzimeve të rritura, duke nënkuptuar edhe pagat, si edhe ruajtja e bilancit buxhetor, nuk duhet të bazohet aq shumë në shkurtime, sa në rritjen e të hyrave.
Shumė negativitet






Ibrahim Rexhepi

Mbi 70 mijë punëtorë të profileve të ndryshme me shpresë, por edhe me drojë, presin ditën e parë të shkurtit. Këtë ditë presin të marrin pagat e rritura nga 30-50 për qind, varësisht se cilës veprimtari i takojnë. Kanë arsye që të besojnë për këtë, meqenëse rritja tashmë është vendim qeveritar, e jo vetëm premtim parazgjedhor.

Por, kanë edhe ku të mbështesin dyshimet se mos ndoshta kjo nuk do të ndodhë. Apo, se do të marrin pagat në nivelin e dhjetorit, ose do të marrin pagat e rritura, por pa shtesat e tjera që iu takojnë. Dilemën për mundësinë e pagesës, apo për rregullshmërinë e vendimit, kryesisht e kanë nxitur ata që pretendojnë pushtetin. Madje, në këtë mes ka edhe të atillë që gjatë fushatave parazgjedhore premtonin rritje ekonomike dyshifrore, punësim të dhjeta mija njerëzve, apo edhe dyfishim të të hyrave në buxhetin e Kosovës. Më e keqja është se kundërshtimi i tyre nuk bazohet aq shumë në llogaritë matematikore, apo në potencialet ekonomike, por bëhet vetëm sa për të kundërshtuar. Me çdo kusht duan të dëshmojnë se vetëm ata dinë dhe se është e gabueshme çdo lëvizje që bëhet jashtë ndikimit të tyre.

Për fat të keq zgjedhjet edhe më tuje po stërzgjaten. Kjo zvarrit edhe themelimin e institucioneve të shtetit. Pastaj, çdo zvarritje gjithnjë e më shumë e afron krizën dhe problemet me buxhetin. Përndryshe, sot po të kishim institucionet e dala nga vota e 12 dhjetorit, gjërat do të zhvilloheshin krejtësisht ndryshe dhe pa stres. Nga aspekti kalendarik ato kanë mundur të jenë funksionale nga fundi i janarit, po të mos paraqiteshin defekte serioze gjatë procesit të votimit të para një muaji. Tash edhe përsëritja e zgjedhjeve në Mitrovicë imponon zvarritje, tensione… Zvarritjet përcillen edhe me fushata e promovime individuale e partiake, ku është shumë e qartë lufta për karrige, përkatësisht për pushtet.

Angazhimi dhe dëshira për pushtet nuk mund t’i mohohet askujt. Por, nuk mund të pranohet as fakti që përmes kësaj lakmie të krijohet një pasqyrë e zymtë dhe joreale për gjendjen në Kosovë. Madje, duke përdorur pikën më të ndjeshme, atë të të ekzistencës - pagat.

Është e vërtetë se pagat janë rritur në përqindje shumë të larta, por jo edhe të paarritshme. Madje, kur merret parasysh vetëm përqindja, krijohet bindja se këtu kemi të bëjmë me një shtet që është në hiperinflacion dhe përmes rritjeve të këtilla ka për synim që në një mënyrë të mbrojë standardin e popullatës. Por, Kosova nuk është në këtë mes, meqenëse vjet inflacioni kishte 6,6 për qind. Te pagat është një defekt tjetër, i cili ka ndodhur vite më parë dhe një moment është dashur të korrigjohet. Ato me vite të tëra kanë qenë të ngrira. Madje, nuk kanë përcjellë as shkallën e inflacionit. Niveli i tyre nuk është bazuar as në koston e shportës së artikujve për jetë. Duket se suficiti buxhetor për vite të tëra është krijuar vetëm duke kursyer në pikat ku nuk është dashur - në paga dhe në investime kapitale. Tash vjen një moment kur domosdo duhet reaguar. Përkatësisht duhet ngritur motivin dhe efikasitetin, por në të njëjtën kohë duhet ashpërsuar përgjegjësinë. Kjo nuk mund të bëhet ndryshe pos përmes stimulimit.

Për ilustrim po shtojmë këto fakte: Në vitin 2007 për paga dhe mëditje nga buxheti i Kosovës janë paguar 208,5 milionë euro, ndërsa vjet, sipas llogaritjeve paraprake, 311,4 milionë euro. Do të thotë se ka pasur një rritje 49 për qind, apo 12,25 për qind në vit. Ndërkaq, për gjashtë vitet e mëhershme rritjet kanë qenë simbolike. Madje, pagesat e shtuara për paga nga buxheti më shumë i atribuohen rritjes së numrit të punëtorëve se sa të pagave. Po ashtu, pagat e ulëta kanë ndikuar për ikjen e stafit kreativ nga institucionet, por edhe si gjenerator i korrupsionit. Këtyre duhet shtuar edhe rritjen e shkallës së varfërisë. Prandaj, një ditë është dashur të merret një vendim radikal, i cili ndodhi në momentin kur qeveria është në shkuarje dhe kur Kuvendi i Kosovës është jofunksional.

Në total rritja e pagave buxhetit të Kosovës i krijon një ngarkesë të re diçka më të rëndë se 100 milionë euro. Si shumë kjo nuk duhet të paraqesë kurrfarë problemi. Një pjesë e tyre mund të sigurohen vetëm nëse i referohemi rritjes ekonomike prej 6 për qind. Kjo në buxhet, bazuar në raportin e gjendjes nga fundi i vitit të kaluar, duhet të sjellë së paku edhe 60 milionë euro.

Ndërkaq, nëse shpenzimet për mallrave dhe shërbime shkurtohen vetëm 5 për qind, mbesin rreth dhjetë milionë euro. Madje, me një shfrytëzim më racional të mallrave dhe shërbimeve, kursimet mund të jenë më të mëdha. Megjithatë, këtu gjithmonë duhet pasur parasysh rrezikun se çdo shkurtim në këtë kategori mund të reflektoj negativisht në rritjen ekonomike. Mirëpo, mbushja e buxhetit, mbulimi i shpenzimeve të rritura, duke nënkuptuar edhe pagat, si edhe ruajtja e bilancit buxhetor, nuk duhet të bazohet aq shumë në shkurtime, sa në rritjen e të hyrave. Posaçërisht pse ende ka tatimpagues të mëshehur, përkatësisht evazion fiskal. Do të thotë se duhet një mobilizim shumë më i madh i ATK-së dhe i Doganave të Kosovës me qëllim të identifikimin e të gjithë atyre që iu bishtërojnë pagesave për buxhet. Nëse këto dy burime sivjet i rrisin të hyrat vetëm 10 për qind, krahasuar me vjet, atëherë buxheti do të jetë më i pasur edhe për 93 milionë euro. Ndërkaq, ka mundësi reale që prurjet e tyre të jenë shumë më të madha.

Të gjitha këto kalkulime tregojnë se ka mundësi edhe për qasje të tjera ndaj problemit të pagave. Kjo nuk nënkupton se me çdo kusht duhet duartrokitur për vendimin e qeverisë, por gjendja nuk është aq e pashpresë. Por së pari kërkohet disponim më i madh për themelimin dhe forcimin institucioneve të shtetit, si edhe gatishmëri e guxim për përballje me sfida dhe me vështirësi.

Publikuar: 13.01.2011 | 13:24
Lexuar: 574 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime