E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ose t’i japin institucionalisht dum rrëzimit të raportit, ose t’i lëshojnë vendin ndonjë shtrigani haitian të ritit Woodo, që të trembë shejtanin që na ka hyrë dhe t’i japë munxët Dick-ut, pasi me sa duket, vetëm kjo na ka mbetur për të bërë.
Grusht pėr dy shtetet shqiptare







Dritan Hila

Udhëheqës të ndryshëm në Kosovë dënuan raportin e Marty-t; personalitete nga fusha të ndryshme u shprehën kundër tij; Shoqata e Veteranëve të UÇK-së mblodhi firmat për peticion dhe politikanë në Tiranë, si dhe qytetarë të thjeshtë e firmosën peticionin etj., etj. Deri këtu jemi në një reagim standard të një shoqërie paramoderne, ku veçanërisht shquhen politikanë të të gjitha niveleve, sidomos ata me kuota të ulëta në elektorat, që e shfrytëzojnë rastin për një shfaqje mediatike. Por gjithë sa më sipër, fatkeqësisht kanë vlerë vetëm për tregun e brendshëm politik dhe nuk shërbejnë për arenën e jashtme dhe për të frenuar ortekun që shkaktoi ky raport.

Gjithë sa është bërë deri tani, për të kundërshtuar këtë raport, praktikisht janë të barasvlershme me zero dhe një situatë e tillë “stand by” nga ana shqiptare, do jetë me pasoja të rënda në të ardhmen europiane jo vetëm të Kosovës, por tashmë edhe të Shqipërisë.

Aktualisht, raporti i Marty-it, pas aprovimit në Komisionin Juridik dhe të të Drejtave të Njeriut, është tashmë një raport institucional i këtij komisioni, çka e bën edhe më të vështirë rrëzimin e tij. Pas fundit të janarit 2011, kohë kur është planifikuar të votohet në Asamblenë e KiE-së, dhe nëse pala serbe ia arrin kthimit të këtij raporti në rezolutë, do të jetë e vështirë, gati e pamundur hedhja poshtë e saj.

Duket që në fillim se kjo nuk ka për të qenë një detyrë e lehtë, pasi shihet se kundërshtari ynë ka punuar gjatë dhe me detaje për këtë sulm, duke na shënuar edhe një herë gol në portën tonë. Kjo u duk kur, menjëherë pas publikimit të këtij raporti, mediat sllave nxorën nga furrat e propagandës emisione dhe reportazhe me nivel të lartë profesional, të cilat u gëlltitën edhe nga stacione prestigjioze europianoperëndimore, emisione që i bënin jehonë makabritetit të presupozuar të UÇK-së dhe komplicitetit të shtetit shqiptar.

Në unison dhe sinkroni me raportin dhe mediat, dolën ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Serbisë, të cilët me hije melankolie teatrale në fytyra, shfaqnin lehtësimin shpirtëror, që më në fund bota po zgjohej për ato çfarë ata kishin kohë që i thoshin. Nga të gjitha këto, kuptohet që kundërofensiva diplomatike sllave, është një gjë e menduar në mënyrë strategjike, me synim kryesor ngadalësimin e ritmit të Kosovës për njohje në arenën ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizmat transnacional, deri në lodhjen e vullnetit politik të popullsisë së saj dhe klasës politike kosovare, ku paralelisht me diversionin në Mitrovicë, të realizojnë kthimin e këtij vendi në një të ardhme jo të largët në një të ashtuquajtur “shtet të falimentuar”, dhe pas kësaj në një vend të cilit mund t’i ridiskutohet statusi, ose copëtimi.

Efekte anësore të kësaj rezolute do jetë shkurtimi i hapit të ecjes shqiptare drejt Europës, e ndihmuar kjo edhe nga proçkat që vetë vendi nuk mungon të prodhojë për ditë, duke i vënë njollën e një shteti të pakontrollueshëm, ku lidhjet me mafiet e të gjitha degëve, nga ajo e drogës dhe cigareve, deri tek e njerëzve dhe organeve, janë të ndërlidhura me jetën normale të shoqërisë shqiptare dhe duke e përshkruar vendin tonë si dhoma e tmerrit e Europës së re, si tezga ku mund të gjesh gjithë asortimentet e krimit. Efekti tjetër anësor, me projektim mbi aleatët tanë, do jetë njollosja e luftës së parë të NATO-s, dhe marrja nën tavolinë e favoreve, për të cilat sllavët janë mjeshtër të tratativave.

Në këto kushte, është detyrë e jona që të mos ta lëmë fatin tonë në duart e të tjerëve, me shpresën se diplomacia amerikane dhe ajo e aleatëve perëndimorë do të bëjë punën e saj dhe ne të merrnim dafinat e fitores, por së pari, për të fituar kohë në përgatitjen e një kundër-raporti, duhet të kërkohet shtyrja e votimit të “Raportit Marty” në asamble; dhe së dyti, duhet urgjentisht ngritja e grupeve të punës, me profesionistë nga kriminalistika, mjekësia, e drejta ndërkombëtare dhe diplomacia, të cilët do ta gruponin raportin sipas çështjeve, të studionin argumentet dhe përgatisnin kundërargumentet, dhe në përfundim të arrihej përgatitja e një kundër-raporti, i cili do paraqitej në Komisionin e Ligjeve dhe të të Drejtave të Njeriut të KiE-së dhe në punimet e Asamblesë Parlamentare.

Pavarësisht se pranimi i kundër-raporteve nuk është i mirëpritur nga Asambleja, kjo periudhë duhet shfrytëzuar paralelisht nga segmentet e ekzekutivit dhe legjislativit shqiptar, për një fushatë intensive pranë Parlamenteve dhe qeverive të vendeve aleate, në mënyrë që të merret parasysh kundër-raporti ynë dhe të zbuten efektet psikologjike të raportit “Marty”. Mungesa e Kosovës në Asamblenë e Këshillit të Europës e bën dyfish të nevojshme përgatitjen serioze nga shteti shqiptar të një fushate për hedhjen poshtë të këtij raporti. Natyrisht që sa më sipër, kërkon personalitete të spikatura dhe me peshë në fushat e tyre, dhe jo lulka të mbira në bahçet partiake, e të mbjella në ngastrat e administratës, pasi në këtë rast kundërshtarët që kemi përballë, janë me diploma që nuk trullosen dot nga shkëlqimi i diplomave universitare të universiteteve qesharakë dhe as hallexhinj që vegjetojnë nëpër institucione, deri sa të shkollojnë fëmijët e të dalin në pension për të ripërtërirë lejet e qëndrimit si emigrantë në shtetet ku janë akredituar, por përfaqësojnë institucione që shpesh kanë bërë shkollë në Europë për sa i përket administratës, diplomacisë dhe drejtimit të shteteve.

Raporti i qytetarit zviceran është vazhdim ligjor i veprës autobiografike të bashkëqytetares të tij Del Ponte, e cila në kundërshtim me konkluzione të hetimeve të bëra edhe më përpara në Shqipëri, e paraqiti vendin tonë si skenar të sagës së filmave horror “Scream”, ku vendet e shkuljes së organeve njerëzore, nuk ishin pavijone qoftë edhe me kushte minimale higjiene, por ca dhoma me mure të spërkatura nga gjaku, siç mund të japë fantazia mediokre e një skenaristi filmash zviceran. Megjithatë kjo ka ngacmuar politikën europiane dhe imagjinatën e gazetarëve. Ndaj nevojitet një punë serioze me një kundër-raport, me shpresë se mund ta ndalojmë ofensivën sllave.

Si metodologji, raporti i cili demonizon shqiptarët, është një shkresë që me grumbullimin e një faktologjie groteske sipas shkollës së Torkuemadës së Inkuizicionit të zi spanjoll dhe të Vishinskit, prokurorit të terrorit të kuq; stil procedural dhe interpretim faktesh që do zilepste edhe Roland Freiser-in, presidentin e Gjykatave të Popullit të Raihut të Tretë hitlerian, përpiqet të njollosë një popull të tërë. Është detyra e organeve të specializuara të shtetit shqiptar, jo vetëm për hatër të Kosovës, aleatëve tanë perëndimorë në atë luftë, dhe emrit tonë të mirë, por edhe në emër të së ardhmes sonë europiane, të hidhet poshtë ky raport. Vetë krimi për të cilën tashmë akuzohen shqiptarët nga të dyja anët e alpeve, është i barasvlershëm me atë të Hitlerit, pasi edhe kasapi i Ballkanit, Sllobodani, u akuzua për gjenocid, por jo për trafik organesh, ndaj kjo e bën të domosdoshëm reagimin.

Llafet boshe të deklaratave patetike; dënglat, nuk i shërbejnë ndalimit të një orteku që ka nisur nga malet e Zvicrës e rrezikon të na fundosë të gjithëve. Damkën e trafikantit të organeve nuk ia kemi borxh Marty-t, por ca më pak ca shqiptarëve që nuk dinë ta fshijnë nga fytyra pështymën që na kanë hedhur. Ndaj ose t’i japin institucionalisht dum rrëzimit të raportit, ose t’i lëshojnë vendin ndonjë shtrigani haitian të ritit Woodo, që të trembë shejtanin që na ka hyrë dhe t’i japë munxët Dick-ut, pasi me sa duket, vetëm kjo na ka mbetur për të bërë.

Publikuar: 13.01.2011 | 13:26
Lexuar: 710 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime