Sipas këtyre paralajmërimeve, dy deri në katër deputetë të LDK-së në legjislaturën e radhës mund të shkëputen nga Grupi Parlamentar i kësaj partie, ti bashkohen listës Ibrahim Rugova dhe të mbështesin qeverinë e re të Kosovës, nga Hashim Thaçi.
Drilon Zogaj
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të përballet me një krizë të re brenda saj, në rast se do të jetësoheshin paralajmërimet se disa deputetë të saj mund të japin votat e tyre në Kuvend në favor të krijimit të qeverisë së re nga PDK-ja.
Sipas këtyre paralajmërimeve, dy deri në katër deputetë të LDK-së në legjislaturën e radhës mund të shkëputen nga Grupi Parlamentar i kësaj partie, ti bashkohen listës Ibrahim Rugova dhe të mbështesin qeverinë e re të Kosovës, nga Hashim Thaçi.
Megjithatë, i gjithë ky skenar është ende në nivel spekulimi, pasi që askush në LDK nuk ka informacion dhe nuk e konsideron të mundshëm që ndonjë deputet i saj të bëjë një tradhti të tillë.
Megjithatë, zyrtarë të lartë të PDK-së, por edhe eksponentë të Listës Ibrahim Rugova e kanë lënë të hapur mundësinë që koalicioni i ardhshëm qeverisës, përveç partive tjera, të mund të përbëhej edhe nga deputetët e Listës Rugova, në gjirin e së cilës do të aderonin së paku katër deputetë nga LDK-ja.
Por, udhëheqësit kryesorë të LDK-së nuk besojnë në këto paralajmërime, duke i quajtur spekulime joserioze.
Eqrem Kryeziu, anëtar i Kryesisë së LDK-së nuk beson se brenda partisë së tij ka njerëz me potenciale të atilla, të cilët, siç shprehet ai, do të tradhtonin në këtë nivel votat e LDK-së.