E ky gabim, i paraportuar në ditën e publikimit të njohjes, nuk e bën të pavlefshëm këtë akt shtetëror, por gjithsesi, ka bërë që zyrtarët e Guinea-Bissaus të detyrohen që ta shkruajnë një letër të re të njohjes, e cila, sipas zyrtarëve të AKR-së, do të vijë së shpejti në Kosovë.
Drilon Zogaj
Postin e presidentit të Kosovës, liderit të Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, po ia ndjellin edhe përfaqësues të shteteve të huaja.
Autoritetet e shtetit të Guinea-Bissaus, e cila e ka njohur më 10 janar pavarësinë e Kosovës, shkresën zyrtare të njohjes ia kanë adresuar pikërisht Pacollit, i cili me aktivitetin e tij lobues e ka siguruar këtë njohje. Por, në letrën zyrtare, autoritetet e Guinea-Bissaus, e kanë bërë një gabim interesant. Në fund të letrës, së vulosur dhe nënshkruar nga presidenti i këtij shteti, Malam Bacai Sanha, në anën e djathtë kjo njohje i është adresuar Son Excellence Monsieur, Behgjet Pacolli, President du Kosovo.
E ky gabim, i paraportuar në ditën e publikimit të njohjes, nuk e bën të pavlefshëm këtë akt shtetëror, por gjithsesi, ka bërë që zyrtarët e Guinea-Bissaus të detyrohen që ta shkruajnë një letër të re të njohjes, e cila, sipas zyrtarëve të AKR-së, do të vijë së shpejti në Kosovë.
Mimoza Kusari-Lila, zëvendëspresidente e AKR-së e ka konfirmuar gabimin në shkresën zyrtare të njohjes nga Guinea-Bissau. Ajo ka thënë për Zëri se adresimi i njohjes për Pacollin duke iu drejtuar si president i Kosovës, ka qenë gabim teknik i administratës së këtij shteti. Sipas Kusari-Lila, autoritet e atjeshme janë të njoftuara me realitetin në Kosovë, me faktin se Pacolli është lider i një partie opozitare por, gabimi në tekstin e njohjes, sipas saj, është bërë nga zyrtarët e administratës së atjeshme.
Kjo njohje i është drejtuar z. Pacolli pasi që ai ka qenë kontakti i vetëm i autoriteteve shtetërore të Guinea-Bissaus, të cilët e dinë që Pacolli është president i AKR-së dhe udhëheqës i biznesit. Ndërsa në letrën e njohjes, në vend të president i Kosovës është dashur të shkruhet president i AKR-së, me çrast, siç duket, ka ndodhur gabimi teknik, ka thënë Kusari- Lila.
Megjithatë, ajo ka bërë të ditur se zyrtarët e Guinea- Bissaus janë njoftuar për gabimin e bërë dhe ata kanë filluar procedurat për korrigjimin e tij. Së shpejti, dy përfaqësues të shtetit të Guinea-Bissaus do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Kosovë dhe do të takohen me autoritetet më të larta shtetërore, si dhe do ta dorëzojnë personalisht shkresën zyrtare të njohjes, në të cilën nuk do të figurojë gabimi teknik, ka thënë Kusari-Lila.
Guinea-Bissau, është shteti i 74 që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo njohje është publikuar të enjten në Aleancën Kosova e Re, nga kryetari i saj Behgjet Pacolli. Ndërsa, në letrën e publikuar për media, është prerë pjesa ku Pacolli cilësohet President du Kosovo.
Lideri i AKR-së ka thënë se njohja nga Guinea-Bissau, është e 20-ta me radhë, e cila ka ardhur si pasojë e aktivitetit lobues të tij. Kjo njohje e sjell në 30% numrin e njohjeve që i kanë ardhur Kosovës si rezultat i aktivitetit tim lobues, ka deklaruar Pacolli.
Ndërsa, një ditë më parë, njohjen nga ky shtet afrikan, e ka konfirmuar edhe u.d. e ministres së jashtme, Vlora Çitaku.
Kurse të premten, ka qenë e pamundur kontakti me të, rreth gabimit teknik që ka shoqëruar letrën zyrtare të njohjes.
Guinea- Bissau është shteti i dytë që njeh pavarësinë e Kosovës këtë vit, pas Katarit.
Guinea- Bissau komplimente Pacollit dhe Qeverisë
Në shkresën zyrtare të njohjes së Kosovës nga Guinea-Bissau, përveç gabimit, Qeveria e saj, falënderon z. Pacolli për kontributin e tij në ndërtimin e marrëdhënieve miqësore mes dy shteteve. Presidenti i Republikës së Guiné-Bissau, shkëlqesia e tij z. Malam Bacai i paraqet komplimentet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe njofton se autoritetet e Republikës së Guiné-Bissau njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe shfaqin dëshirën për të vendosur marrëdhënie diplomatike sa më parë që të jetë e mundshme, thuhet në letër.