Njerëzit e Reçakut dhe qytetarë nga vende tjera, të shtunën shënuan 12 vjetorin e masakrës serbe me homazhet tradicionale në Kompleksin Memorial.
Ambasadori William Walker, në përvjetorin e 12-të, kishte dërguar një letër nga Karaibet, duke u thënë reçakasve se gjithmonë me zemër dhe shpirt do të jetë me ta, duke i falënderuar udhëheqësit komunalë që e kishin ftuar në këtë shënim përvjetori.
Njerëzit e Reçakut dhe qytetarë nga vende tjera, të shtunën shënuan 12 vjetorin e masakrës serbe me homazhet tradicionale në Kompleksin Memorial.
Në tubimin në oborrin e shkollës së fshatit, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli ka thënë se masakra e Reçakut dhe lufta e UÇK-së janë vula e shtetit të Kosovës. Ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, i vetmi nga pushteti qendror që kishte ardhur në Reçak, tha se 15 janari do të ngelë në historinë më të lavdishme, sepse shqiptarët në trojet e tyre gjithmonë kanë luftuar për vlerat e civilizimit botëror.
Ai shtoi se nuk qëndron asnjë raport ndërkombëtar, sepse asgjë dhe askush nuk mund të heqë etiketën e krimeve serbe në Kosovë. Ai porositi që ndërgjegjja e secilit duhet të jetë e pastër.
Ndërkaq, Shukri Buja, ish- komandant i ZON të UÇK-së, tha se gjakun e derdhur dikush po e përdorë për të mbështetur një subjekt politik, me gjasë duke aluduar në ambasadorin Walker, ndërsa shtoi se askush nuk ka besuar se pas gjithë asaj që kishte ndodhur në Kosovë gjatë luftës, tani do të përballemi me një luftë të ashpër të denigrimit të luftës sonë.
Xhavit Jashari në emër të shoqatave të dala nga lufta, tha se liria nuk vinte duke krijuar filozofë të politikës, duke u gjunjëzuar e as duke bërë lutje. Ai i bëri thirrje tërë elitës kosovare, Akademisë së Shkencave, Institutit të Historinë e të tjerave që të përgatisin faktografi për luftën e drejtë në Kosovë.