E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në fakt, disa burime diplomatike në Bruksel thanë se BE-ja është vonuar tashmë në zgjidhjen e lëmshit se çfarë pranie dëshiron të ketë në Kosovë. Dominon mendimi se BE-ja, për të folur me një zë më të fuqishëm dhe më unik në Kosovë, duhet të insistojë që të ndahen postet e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së (EUSR) nga ai i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (ICR).
Feith, EUSR nė largim?






Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Kosovë, Pieter Feith, do t’i skadojë mandati në fund të muajit shkurt dhe ai mandat, sipas burimeve në Bruksel, nuk do t’i jepet përsëri.

Por, siç shkruan sot “Koha Ditore”, në mungesë të ndonjë marrëveshjeje brenda BE-së sesi të rregullohet prania e saj në Kosovë, Zyra e përfaqësueses së lartë, Catherine Ashton, pa marrë parasysh se me Pieter Feithin duket se nuk kanë një raport aq të shkëlqyer, nuk do të ketë rrugëdalje tjetër pos t'ia zgjasë për ndonjë muaj përkohësisht qëndrimin edhe në këtë post në Kosovë.

Në fakt, disa burime diplomatike në Bruksel thanë se BE-ja është vonuar tashmë në zgjidhjen e lëmshit se çfarë pranie dëshiron të ketë në Kosovë. Dominon mendimi se BE-ja, për të folur me një zë më të fuqishëm dhe më unik në Kosovë, duhet të insistojë që të ndahen postet e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së (EUSR) nga ai i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (ICR).

Në vend të kësaj BE-ja do të krijonte një post të ri, prapë me dy “kapela”, por kësaj radhe përmes kryqëzimit të postit të delegacionit të Komisionit Evropian me atë të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së. Problemi qëndron në faktin se në Kosovë Komisioni Evropian nuk ka “Delegacion”, por vetëm një “Zyrë ndërlidhëse”.

Dallimi në pamjen e parë duket vetëm semantik, por kjo gjuhë në fakt dëshmon për problemet që krijohen ende brenda BE-së për shkak të mungesës së unitetit rreth statusit të Kosovës. Shtetet të cilat nuk e njohin Kosovën nuk pranojnë që në Kosovë prania e Komisionit Evropian formalisht të ngrihet në nivel të “Delegacionit“, sepse delegacione ka vetëm në shtete, ndërsa Kosova për BE-në nuk mund të trajtohet si shtet.

Në anën tjetër ka edhe shtete të cilat nuk pajtohen që të ndahet posti i ICR-së nga ai i EUSR-së, sepse, thonë diplomatët, nga disa shtete të tilla, të prira nga Britania e Madhe, “ka mjaft përparësi nga mbajtja e sistemit të dy ‘kapelave’”. Këto shtete eventualisht do të mund të pranonin që të ketë bashkim të postit të shefit të delegacionit të Komisionit Evropian me atë të përfaqësuesit të lartë të BE-së vetëm nëse brenda BE-së do të kishte pajtim që në Kosovë të ketë “Delegacion!” e jo “Zyrë ndërlidhëse”.

Por në BE ka përpjekje që të mos ngrihet niveli i përfaqësimit të Komisionit (për të mos irrituar kundërshtarët e pavarësisë) dhe kjo ide të shitet kinse si diçka e panevojshme, sepse edhe Zyra Ndërlidhëse mund të kryejë të njëjtin funksion.

Por, në asnjë mënyrë, sipas bashkëbiseduesve në Bruksel dhe në disa vende anëtare të BE-së, nuk vjen në konsiderim që të ketë ndonjë përfaqësues me “Tre kapela”, që do të thoshte të jetë edhe përfaqësues i posaçëm i BE-së, edhe shef i Zyrës së Komisionit Evropian edhe përfaqësues civil ndërkombëtar.

BE-së do t’i duhen disa muaj që të arrijë pajtim në mesin e të 27 vendeve anëtare se çfarë pranie do të ketë në Kosovë sipas ndryshimeve që kanë hyrë në fuqi me Traktatin e Lisbonës dhe sipas Shërbimit Evropian për Veprimin e Jashtëm - EEAS. Kjo është arsyeja pse mund të ndodhë që Pieter Feithit t’i zgjatet përkohësisht mandati dhe të jetë një lloj “EUSR në largim!”.

Por ka në BE edhe diplomatë të cilët pranojnë se gjatë mendimeve rreth pranisë në Kosovë, BE-ja sillet në mënyrë vetjake dhe mendon për vete, si të kënaqë të gjitha vendet anëtare, e jo edhe për nevojat reale në Kosovë.

Prandaj, disa diplomatë druajnë se BE-ja, duke i bashkuar Zyrën e Komisionit Evropian dhe Zyrën e EUSR-së, në vend që të rrisë zërin në Kosovë, në fakt do të mbetet pa ndikim politik fare.

Nuk pritet që në një të ardhme të afërt të ketë ndryshime në njohjen e Kosovës nga ndonjë vend anëtar i BE-së. Madje disa burime diplomatike thonë se vendet që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës në BE janë në ofensivë, më shumë sesa ato që e kanë njohur, me gjithë mendimin tejet pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ka diplomatë që shkojnë aq larg saqë thonë se nga Zyra e përfaqësueses së lartë, Catherine Ashton, u kanë ardhur urime vendeve që kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës deri më tash duke u thënë se “në këtë mënyrë e kanë ndihmuar politikën e BE-së në Ballkan dhe e kanë bërë BE-në si ndërmjetësuesin më të mirë të mundshëm në dialogun mes Serbisë dhe Prishtinës”.

Si pasojë nuk ka pritje që të ketë presion ndaj pesëshes që nuk e njeh Kosovën shtet, por do të ketë tentime që të çimentohet një status quo e re që do të thotë se për disa vite me radhë BE-ja do të punojë në Kosovë dhe me Kosovën pa pasur nevojë që ta trajtojë Kosovën formalisht si shtet.

Sa i përket vetë punës së Pieter Feithit në BE nuk duan të flasin publikisht për këtë, por thonë se “ka pasur disa fërkime mes tij dhe disa zyrtarëve tjerë të BE-së rreth disa qëndrimeve”.

Publikisht në BE do të hedhin poshtë pohimet e tilla, por disa diplomatë privatisht thonë se Brukseli, më saktësisht “disa qarqe në Sekretariatin e Këshillit të BE-së” preferojnë që të mos ngrihet shumë pluhur rreth problemeve të brendshme në Kosovë vetëm e vetëm që Kosova të jetë e gatshme për kompromise rreth dialogut me Serbinë që në Sekretariatin e Këshillit të BE-së e shohin si sukses të tyre.

Disa qarqe tjera i ka penguar edhe mbështetja për shtetin e Kosovës, që Feith e ka shfaqur në cilësinë e ICR-së. Në anën tjetër në BE thonë se nuk mund të dinë nëse Pieter Feith mund të qëndrojë në Kosovë si ICR nëse vendoset që postet të ndahen. Konsultimet rreth modaliteteve të reja të pranisë së BE-së në Kosovë formalisht ende nuk kanë filluar, por pritet që ato të zhvillohen në javën dhe muajt që vijnë. (zëri)

Publikuar: 18.01.2011 | 12:04
Lexuar: 332 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime