Bizneset italiane në përgjithësi dhe ato lombardase e milaneze në veçanti janë shprehur mjaft të gatshme për të investuar në Shqipëri pas këtij forumi dhe takimeve që patën me Kryeministrin Berisha dhe biznesmenët shqiptarë.
Gjergji Mima, Milano
Burimet e shumta, bukuritë natyrore, pozita gjografike, infrastruktura e ndërtuar plotësisht, lehtësirat fiskale, shmangia e vështirësive burokratike, vitaliteti i një populli me moshë mesatare ndër më të rejat në Evropë, e bëjnë Shqipërinë një vend ideal për investimet e huaja.
Ky ka qenë konkluzioni i arritur në forumin ekonomik Itali- Shqipëri, të mbajtur të martën në Milano, ku rreth 85 biznese shqiptare u takuan kokë më kokë me homologët e tyre italianë, duke arritur disa marrëveshje bashkëpunimi.
Bizneset italiane në përgjithësi dhe ato lombardase e milaneze në veçanti janë shprehur mjaft të gatshme për të investuar në Shqipëri pas këtij forumi dhe takimeve që patën me Kryeministrin Berisha dhe biznesmenët shqiptarë.
Në fakt, siç e theksoi edhe presidenti i Promo-s, Bruno Ermolli, një prej organizatorëve të këtij forumi, "pjesëmarrja e 85 bizneseve shqiptare në këtë takim tregon një interesim të jashtëzakonshëm për të bashkëpunuar".
Bizneset italiane kanë investuar mjaft në Shqipëri dhe do të vijojnë ta bëjnë diçka të tillë, tha Ermolli, pasi Shqipëria është ndër partnerët kryesorë të Italisë në shumë fusha, që nga ajo ekonomike, sociale e kulturore.
Ermolli theksoi se pas disa muajsh do të ketë një tjetër takim të ngjashëm në Tiranë dhe ftoi Kryeministrin Berisha të marrë pjesë në forumin "Euromediterrano Milano", që do të mbahet këtë verë.
Por interesi i investitorëve lombardë në Shqipëri merr akoma më tepër rëndësi nga fjalët e kryebashkiakes së Milanos, Letizia Moratti, e cila vuri në dukje peshën ekonomike që ka Milano dhe bizneset e tij.
"Milano prodhon 10% të GDP-së së të gjithë Italisë", u shpreh ajo, teksa shtoi se, "është qyteti i dytë për kërkimin shkencor në Europë pas Londrës".
Ndërsa presidenti i Provincës së Milanos, Guido Podesta, e konsideroi si sukses dhe shenjë interesi të lartë pjesëmarrjen e gjerë të investitorëve lombardë në këtë aktivitet.
Ai theksoi se rënia e barrierës së kufijve mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së është një hap përpara për forcimin ekonomik të Shqipërisë, e cila tashmë është më e lirë për të bashkëpunuar me investitorët e huaj.
"Provinca e Milanos ka përqendrimin më të madh të bizneseve në Itali, ndaj mbështetja e saj do të jetë e gjithanshme, si politike edhe ekonomike në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian", përfundoi Podesta
Ndërsa Presidenti i rajonit të Lombardisë, Roberto Formignoni, theksoi se ky forum nuk është vetëm për të forcuar lidhjet ekonomike, por edhe ndërkombëtare mes rajonit të Lombardisë dhe Shqipërisë.
Sipas tij, "fuqia ekonomike e Lombardisë, falë bizneseve të saj, është mjaft e madhe. Ajo përfshin 32% të importeve kombëtare, 29% të eksporteve kombëtare si dhe është pritëse e 60% të investimeve të huaja në Itali.
Ndërkohë Kryeministri Berisha, pasi bëri një tablo të gjerë të burimeve, potencialeve dhe mundësive që ofron Shqipëria për investitorët lombardë, u shpreh në një prononcim për mediat shqiptare të pranishme në forum se "biznesi lombardez dhe milanez është një nga
promotorët e zhvillimit të biznesit në Evropë dhe botë dhe fakti që tregoi këtë interes të madh për Shqipërinë është një ogur shumë i bardhë për vendin tonë dhe për ekonominë tonë. Pres që të vijnë të investojnë dhe i garantoj për mbështetjen e plotë të Qeverisë time në projektin e tyre të investimeve".
Ndërsa i pyetur për Bursën e Milanos, e cila është mjaft e rëndësishme për tregun e kapitaleve të një vendi, Berisha theksoi se "këtu në Milano janë një numër i madh investitorësh shqiptarë, të cilët po bëjnë përpjekjet e para për të dalë në tregun e Milanos dhe ne jemi të hapur, pasi po ndërtojmë tregun tonë, bursën tonë, në të cilën Italia është angazhuar të na ndihmojë në ngritjen e saj dhe së shpejti do të jetë një realitet.
\Në përfundim të këtij takimi u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes kryetarit të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, Ilir Zhilla dhe presidentit të PROMO-s, Bruno Ermolli.
Sipas Zhillës, kjo marrëveshje është mjaft e rëndësishme pasi garanton bashkëpunimin në të ardhmen mes bizneseve shqiptare dhe atyre italiane.
Për Zhillën ishin disa elementët kryesorë të këtij forumi. Së pari, tha ai për ATSH-në, "pjesëmarrja mjaft e madhe e bizneseve shqiptare e atyre italiane tregon për një interes mjaft të madh reciprok si edhe paraqitja e autoriteteve më të larta të provincës së
Milanos tregon për një gatishmëri të tyre në këtë bashkëpunim. Së dyti, gatishmëria e rreth 230 bizneseve italiane për të investuar në Shqipëri është një lajm mjaft pozitiv për vendin tonë, pasi do të thotë se bizneset kryesore të Italisë janë të interesuara të investojnë në Shqipëri".
Zhilla tha se takimet e shumta kokë më kokë, që janë organizuar mes bizneseve shqiptare dhe atyre italiane, janë një mundësi mjaft e mirë për të vendosur ura të reja bashkëpunimi mes bizneseve të të dy vendeve.
Forumi ekonomik Itali - Shqipëri pritet të ketë një fazë të dytë, menjëherë pas tre mujorit të parë të këtij viti