Ndërsa tropojanët mësojnë se fondi për t'u ardhur në ndihmë pronarëve me shumë rrënjë gështenjë nuk është për të mbjellë fidanësh të rinj, por për ngritjen e linjave të reja të përpunimit, apo për krasitje të gështenjës.
R.Hoxha
- Lajmi se shteti do të rrisë ndihmesën për konsolidimin e shtimin e masiveve të gështenjës ka rritur interesin e tropojanëve, që e dinë mirë kur thone se kanë "masivin më të madh të gështenjës" në Ballkan dhe nuk është kot shprehja popullore se "fjala merr dhenë".
"Shumë banorë më kanë takuar ndërsa udhëtoja për një takim me zv/ministrin e Bujqësisë, Tokli Thomaj në qytetin e Kukësit për masat që duhen marrë këtë vit në zbatim të projektit të zhvillimit të zonave rurale. Shumë prej tyre janë pronarë të një numri të konsiderueshëm rrënjash gështenjë, ndaj kërkojnë shpjegime se cfarë projektesh duhen përgatitur prej tyre për të përfituar fondin e akorduar për gështenjën", thotë drejtori i zyrës së bujqësisë të rrethit të Tropojës, Riza Doci.
Ndërsa tropojanët mësojnë se fondi për t'u ardhur në ndihmë pronarëve me shumë rrënjë gështenjë nuk është për të mbjellë fidanësh të rinj, por për ngritjen e linjave të reja të përpunimit, apo për krasitje të gështenjës.
"Ne i dimë me rrënjë gështenjat se kemi shumë, por edhe sikur t'i shtojmë keq nuk bëjmë", thotë Ruzhdi Biberaj, një prej fermerëve të shumtë që ka mbi 500 rrënjë gështenja.
"Ngritja e linjave të reja të përpunimit të gështenjës është e domosdoshme. Është një ndihmesë e madhe për afrimin e tregut, vecanërisht atij të huaj në Tropojë", thotë Doci.
Për mjaft fermerë tropojanë, tregtia e gështenjës përmes së cilës sigurojnë të ardhurat për gjithë vitin është parësore në jetën e tyre. Edhe se Tropoja është e njohur për kultivimin e këtij drufrutori, dihet, se edhe para viteve '90 eksportohej gështenja tropojane në Gjermani, Turqi, Austri e ndonjë tjetër, ku përpunohej dhe prodhoheshin nënprodukte si, çokolllata, bile edhe miell.
Pas viteve '90 fillimisht nisi dëmtimi i kësaj pasurie, por shpejt interesi ekonomik që të ruhej kjo pasuri, kërkoi dhe privatizimin e domosdoshëm, që solli ruajtjen e shtimin e numrit të rrënjëve të këtij drufrutori. "Jemi vetë ne që i ruajmë, por edhe bëjmë përpjekje për shtimin e numrit të rrënjëve, pasi kështu rrisim të ardhurat tona", thotë fermeri Ram Muja që ka në pronësi rreth 600 rrënjë gështenja në fshatin Gribë.
Ndërsa Rizai në tregon se i gjithë masivi prej mbi 2000 ha tokë të zënë nga gështenja, thuajse është i trashëguar nga brezi në brez. Është masiv i vjetër dhe i ruajtur dhe shtrihet thuajse në të gjithë rrethin e në toka relativisht inproduktive, por ka ardhur edhe duke u shtuar. "Por kryesore është mbrojtja e tij, ky është shkaku që po investohet në masat mbrojtëse", thotë Doci.
Sipas tij, gështenja në këtë rreth është e shtrirë në të gjithë zonën, por masivet më të mëdha janë në komunat e Lekbibajt, Bujanit, Fierzës, Margegajt e deri në bashkinë e Bajram Currit, qytet thuajse i rrethuar nga gështenja.
Një prej fermerëve të komunës së Lekbibajt, Gjelosh Zhivani, thotë se aty në majë mali ku ka shtëpinë, gështenja siguron një farë të ardhure sa për të mbajtur familjen.
Ai ka në pronësi 240 rrënjë gështenja të cilën e tregton ku të ketë kërkesa nga tregtarët e mëdhenj të qyteteve të fushës. "Kam jo pak të ardhura, por mund të rriten nëse sigurojmë një treg të garantuar", thotë Gjeloshi.
Tropojanët thonë se tregun e kanë të siguruar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. "Në Shqipëri cmimi i një kilogrami gështenje ka arritur në 50 lekë, ndërsa në Kosovë me 80 cent", shton ai.
Edhe pse fermerët përpiqen të mbjellin gështenja të reja, futja e tyre në prodhim zgjat shumë, rreth 10 vjet. Interesi i tyre për rritjen e numrit të rrënjëve është edhe për faktin se kërkon pak investime dhe zë toka jo produktive. Vec kësaj, mikroklima ideale e këtij rrethi ka bërë që gështenja të zejë vendin kryesor ndër drufrutoret e këtij rrethi.
Një gjë e tillë është e pranishme deri në qytetin e Bajram Currit, qytet i rrethuar nga gështenja. Aq sa ndonjë vizitori që është i dhënë pas gështenjës, vetë qytetarët i thonë: "Ja ku janë gështenjat, shko e mblidh sa të duash".
Në këtë rreth është ngritur një linjë e përpunimit të gështenjës.
Pronari i saj është Ramiz Jaha, tregon se ka një linjë të thjeshtë të përpunimit të gështenjës, që nuk mund të përballojë gjithë prodhimin vjetor të rrethit. "Është një linjë e vogël jo sa janë nevojat e rrethit", pranon edhe drejtori i zyrës së bujqësisë.
Sepse masivi i gështenjës në Tropojë zë një sipërfaqe mbi 2000 ha me rreth 220 mijë rrënjë, prej të cilave rreth 190 mijë janë në prodhim, ku rendimenti arrin deri në 40 - 45 kilogram për rrënjë.
Por shqetësim i pronarëve të gështenjës është kërcënimi nga sëmundja e kancerit të këtij drufrutori. "Kjo sëmundje ka qenë e pranishme që prej 30 vitesh e sjell tharrjen e drufrutorit para kohe. Në realitet, dëmtimi nga kjo sëmundje është i rrallë dhe është gjithnjë nën vemendjen e specialistëve të pemëtarisë", thotë Doci.
Të gjithë urojnë rritjen e interesit për të investuar në ngritjen e linjave të reja të përpunimit, se kështu rriten të ardhurat e fermerëve, kështu bie edhe vrulli i fermërëve për t'u larguar në zonën fushore, fenomeni që ka sjellë jo pak shpopullimin e rajonit.
Kështu thotë dhe Riza Doci, i cili bashkë me specialistët ka nisur punën për t'u ardhur në ndihmë pronarëve të gështenjave.