Rritje ekonomike robuste, punësim rekord, boom në konsum: Ministri federal i Ekonomisë, Rainer Brüderle, paraqiti në Berlin raportin vjetor ekonomik 2011.
Ekonomia gjermane pritet që në vitin 2011 të shënojë një rritje mbi nivelin e asaj të eurozonës. Kështu deklaroi në Berlin Ministri federal i Ekonomisë Rainer Brüderle:
"Edhe 2011 do të jetë një vit i mirë. Ne llogarisim me një rritje ekonomike prej 2,3%. Ne po ecim me hapa gjigantë përpara, kurse disa të tjerë mezi po hedhin hapat duke na ndjekur pas." Në vitin 2010 ekonomia gjermane kishte arritur një rritje prej 3,6 % duke shënuar "comeback-un e vitit".
Por megjithë fjalët e fuqishme të ministrit, qeveria është e kujdesshme me prognozat e saj, sepse rritja e prodhimit të brendshëm bruto me 2,3% është më e ulët se ajo që mendojnë shumë ekspertë. Për vitin 2012 qeveria pret një rritje prej 1,8%. Pas përfundimit të paketave stimuluese të shtetit ekonomia do të rikthehet në normalitet, tha ministri, duke shtuar se rritja ekonomike do të vazhdojë.
Përveç eksporteve të fuqishme kjo tendencë pozitive e vazhdueshme lidhet para së gjithash me shtimin e vëllimit të konsumit privat. Sepse në vitin 2011 pritet që të rriten rrogat, pas vitesh të tëra që Gjermania në këtë drejtim ishte ndër vendet e fundit të Evropës.
"Papunësia do të jetë mesatarisht nën tre milionë vetë. Kjo i përgjigjet një kuote kombëtare prej 7%, niveli më i ulët që prej rreth 20 vjetësh."
Sipas Brüderles në vitin 2011 në Gjermani pritet të ketë 40,8 milionë njerëz të punësuar, aq shumë sa kurrë më parë në RFGJ.
Të rrezikshme për rritjen ekonomike të Gjermanisë mund të jenë ekonomia e dobët botërore dhe kriza e euros. Prognozat e Ministrisë së Ekonomisë bazohen në parametra të tillë si rritje e ekonomisë botërore prej 4%, çmim mesatar i naftës prej 94 dollarë për barrel dhe një kurs këmbimi 1 Euro = 1,32 dollarë.
Brüderle tërhoqi gjithashtu vëmendjen se rreth 5% e zhvillimit të ekonomisë botërore varet prej Kinës dhe Indisë dhe kërkoi që Evropa ta zgjerojë aftësinë e saj konkurruese, në mënyrë që të mund ta ruajë pozicionin e saj në botë ose madje ta zgjerojë atë.
Duke folur për fondin për shpëtimin e euros dhe për kriteret e paktit të stabilitetit për euron, Brüderle theksoi se këtë vit Gjermania do të jetë një ndër vendet e pakta të BE-së që me një deficit shtetëror prej 2,5% do ta respektojë kufirin prej 3% që parashikon pakti i stabilitetit./dw-start/