Megjithatë, te asnjë prej të infektuarve me virusin A H1N1, nuk ka pasur komplikime shëndetësore, thotë drejtori i Klinikës Infektive në Prishtinë, dr. Dreshaj. Të infektuarit, që deri më tani janë paraqitur nëpër institucionet shëndetësore, sipas tij, kanë pasur një formë të lehtë të gripit të derrave.
Afërdita Uka
Simptomatologjia e gripit të derrit në këtë sezon është e ngjashme me simptomat e gripit të zakonshëm, që është në qarkullim. Madje sipas, profesionistëve shëndetësorë, nuk ka ndonjë shenjë dalluese, me të cilën do të mund të identifikohej qartë se nga cili tip i gripit vuan pacienti.
Megjithatë, te asnjë prej të infektuarve me virusin A H1N1, nuk ka pasur komplikime shëndetësore, thotë drejtori i Klinikës Infektive në Prishtinë, dr. Dreshaj. Të infektuarit, që deri më tani janë paraqitur nëpër institucionet shëndetësore, sipas tij, kanë pasur një formë të lehtë të gripit të derrave.
Dreshaj sqaron se simptomat e gripit të derrit janë të ngjashme me ato të gripit sezonal dhe nuk ka ndonjë shenjë dalluese mes tyre. Ai thotë se të infektuarit po trajtohen me terapi simptomatike standarde.
Ndërkaq, Isme Humolli nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, thotë se për shkak të simptomatologjisë së njëjtë të gripit të derrit më atë sezonal përzgjedhja e rasteve për të cilat kërkohen analizat laboratorike është një zgjedhje e rastësishme.
Sidoqoftë, ajo saktëson se te të infektuarit nga virusi A H1N1 tabloja klinike është paksa më e rëndë, ndërsa zakonisht manifestohet me probleme në pjesën e sipërme të traktit respirator (organeve të sipërme të frymëmarrjes).
Derisa, nëpërmes analizave laboratorike deri më tani janë konfirmuar si pozitive 36 raste, profesionistët shëndetësorë nuk e hedhin poshtë teorinë se numri i të infektuarve nga gripi i derrit është shumë më i lartë se ai që është raportuar tek institucionet shëndetësore.
Për shkak se tradicionalisht jo vetëm në vendin tonë gripi trajtohet nëpër shtëpi, Humolli thotë me përgjegjësi të plotë se numri i të infektuarve mund të jetë shumë më i lartë në realitet se ai që është evidencuar deri më tani.
Nuk është asgjë alarmante apo për shqetësim, pasi që në këtë sezon gripi A H1N1 është duke u paraqitur në formë të lehtë, thekson ajo. Humolli rikujton se te cilido tip i gripit qoftë, pacientët nuk paraqiten te mjeku me tu shfaqur simptomat e tij, por vetëm atëherë kur nis të komplikohet gjendja e tyre shëndetësore.
Nga ana tjetër Dreshaj thotë se në klinikë janë duke u trajtuar 4 raste me gripin e derrit, të cilat tanimë janë konfirmuar nëpërmes analizave laboratorike, ndërsa për disa të tjera të dyshimta janë duke pritur rezultatin e analizave.
Nëse përhapja e gripit të derrit vazhdon me ritmin e deritanishëm, profesionistët shëndetësorë thonë se janë të pajisur me të gjitha medikamentet e nevojshme për trajtimin e të infektuarve si dhe me materialet e nevojshme për përpunimin e analizave.
Për dallim prej sezonit të kaluar, kur si pasojë e infektimit me A H1N1 në vendin tonë kanë vdekur 14 të sëmurë nga ky grip, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë të moshave të reja, në këtë sezon gripi pandemik që ishte përhapur me një shpejtësi të madhe në gjithë globin dhe kishte marrë jetët e mijëra njerëzve, ai është paraqitur në një formë shumë më të lehtë, pa komplikime të rënda shëndetësore te të infektuarit dhe pa fatalitet.
Ndërkohë në vendet e rajonit tanimë janë shënuar viktimat e para gjatë përballjes me gripin A H1N1.