Nëse, siç dikur një politikan anglez kishte deklaruar se kulti i popullaritetit (celebrity) po na kthen në mesjetë, kjo nënkupton se jemi vetëm në një fazë të përparuar të diçkaje që ka filluar shumë më herët- dikur ishte Shakespeare çfarë është sot Paris Hilton, ndërsa seksi, dhuna dhe skandalet e të famshmëve shisnin gazetat që në fillim të shekullit XX.
Pavarësisht nga Interneti, iPod, MTV dhe televizionit kabllor, Britania e Madhe është shumë afër rikthimit në mesjetën e errët - së paku kështu pohon konservatori, Liam Fox, i cili fjalën pavarësisht në njëfarë mënyrë po e zëvendëson me atë pikërisht shkaku i kësaj, respektivisht, po na bind se vetëm indi i shoqërisë moderne është nën cakun e regresionit kulturor, sado që jemi të bindur se shkaku i lodrave të avancuara - që nesër jemi të gatshëm të klonojmë njeriun me pauzë për drekë.
Politikani i brengosur britanik, vendosi të flet për vendin e tij, por natyrisht larg nga fakti se është vetëm Britania e Madhe, sa do ekstremist që dukej, të jetë i vetmi shembull - pasi që nga ëndrrat amerikane për pasuri dhe famë, përmes tabloidëve meksikanë, etheve të papara të shtypit të verdhë në Hong Kong dhe trajtimit të të famshmëve si perëndi në Japoni, tek shtetet në tranzicion si ato ballkanike - ku kriza e krijuar me takimin e dy boteve në konflikt, traditës kombëtare dhe entuziazmit të importuar me të mirat e kapitalizmit post-komunist, post-politik dhe global, krijon Minotaur për shitje të shpejtë nga Arena fshataro-popullore deri tek Story urbano-popullor - kultura e popullarizuar është bërë dominuese, globale, për dikë edhe virus vrastar që nuk mund të çrrënjoset nga shoqëria.
Të rinjtë sot më me dëshirë do të shkonin në ndonjë reality-show se sa në laborator? Nëse të rinjtë janë ardhmëria jonë - çka nënkupton ky fakt për ardhmërinë e qenies njerëzore?
Gjeneratat më të vjetra, fëmijët ëndërronin të bëhen astronautë, shkencëtarë- tash thjeshtë dëshirojnë famë, paralajmëron Liam Fox duke shtuar: Që nga renesanca dhe iluminizmi, kohë kjo e arsyes, kemi ndryshuar botën tonë.
Por tash mbretëron kriza e vetëbesimit, pasiguria dhe mungesa e optimizmit (...) dobësimi i lëvizshmërisë sociale, kulti i shoqërisë së popullarizuar, rënie e arsimit serioz, anashkalim i shtuar i empirizmit dhe qëndrimet shoqërore që kufizohen me frikën dhe nga vlerësimi kërcënojnë se mund të hedhin hijen në liberalizmin perëndimor i cili na solli kaq larg. Apo në përkthim- shoqëritë moderne janë në prag të rrethit të plotë, nga mamuti në shpellë, përmes David Beckham dhe Brangelina, dhe prapa deri tek Altamira dhe Krapina (shpella).
Po a është kulti i popullaritetit vërtetë aq fenomen/problem i ri? A nuk është fundja edhe ai vetë prodhim i atij liberalizmi perëndimor, i cili, sikurse edhe çdo medalje tjetër ka jo vetëm dy anë, por edhe skajin, e shpesh edhe pëlhurën me të cilin e kapni rreth qafe?
E vetmja e vërtetë këtu është intensiteti i tij, i shtuar dukshëm me media të reja dhe epokën e teprimit të decenies së parë të mileniumit të ri, aq sa edhe i potencuar me eskapizëm (ikje nga realiteti) të domosdoshëm për ruajtjen e gjendjes psikike në periudhën e Luftës së Tretë Botërore që pëlqehej të quhej luftë kundër terrorizmit. E sikur edhe çdo gjë tjetër edhe eskapizmi dëmton nëse përdoret në sasi të madhe- do të thotë, skemi të bëjmë me eskapizmin? por me sa eskapizëm.
Edhe në të kaluarën ka ekzistuar, e kaluar në të cilën nuk ka pasur Perez Hilton, TMZ... por ka pasur shumë gëzim për të gjithë ata të cilët, mu sikur edhe sot, zgjidhnin anët e luftërave kulturore brenda shoqërive të caktuara duke u përcaktuar për kulturë të lartë, ulët apo alternative në kuadër më aq sa edhe pavarësisht nga zhvillimi i vetë thelbit së shoqërisë-diturisë për të ardhmen e të cilës brengoset aq shumë, Fox.
Për shembull, kur në skenën teatrale mes viteve 1564-1616 u paraqit, William Shakespeare, sot larg nga simboli i kulturës masive, ai e transformoi teatrin elitë në formën e argëtimit popullor, mos brengosje popullore për masë të trajtuar nga dy anët e barrierave kulturore, mu sikur telenovelat e sotme.
Me fjalë të tjera, populli vraponte të shikonte shfaqjet të cilët arrinte ti kuptonte, ndërsa elita, në krye me intelektualët dhe priftërinjtë, mallkonin veprat e tij si të korruptuara, të pamoralshme dhe argëtim të lirë për masën e paedukuar. Të gjitha këto e shndërruan Shakespeare në të popullarizuar, mu sikurse që sot është, sado e ashpër që tingëllon, një Paris Hilton.
E vërtetë, Shake ishte gjeni me pendël në dorë, e Paris gjeni për...Po, mirë duhet pasur gjeni që mund të shesë asgjënë, apo jo? Tek e fundit a nuk është një gjeni i tillë, në kapitalizmin modern, me çmim më të lartë?
Historia e kultit të popullarizimit, daton shumë më herët para epokës së Shakespeare. Rrënjët e tij i gjejmë që në adhurimin e perëndive të vjetra, faraonëve egjiptian, figurave mitike dhe biblike. Perënditë romake dhe greke fshihen pas vetë rrënjës së fjalës celebrity (latinisht. Celeber-popullarizim), të personalizuar përmes miteve që zbulonin detajet për jetën e tyre private.
Gjeneralët, heronjtë, sportistët e Lojërave të lashta Olimpike, gladiatorët...të gjithë ata ishin embrione të yjeve të sotme, madhështia dhe statusi i të cilëve shpesh ishin kënduar në poezinë e asaj kohe.
Heroi sportiv në këngë, disa mijëra vjet më parë ishte njëjtë sikur edhe heroi sportiv me gojë në mikrofonin e gazetarëve të shumtë, sot. Duke hedh hapin në errësirën e mesjetës, arti dhe sporti vdesin, ndërsa kulti i ri i popullarizimit ngritët rreth pushtetarëve, monarkëve, shenjtorëve dhe mundimtarëve- për këta kryesisht dëgjohej, sepse shumica e njerëzve nuk dinte të lexonte, ndërsa me ardhjen e renesancës arti përsëri u bë i popullarizuar, bashkë me artistët të cilët bëhen jashtëzakonisht të famshëm, më të famshëm se politikanët dhe shenjtorët.
Në shekullin e XVII, Lui XVI, ekstravagant, mbreti francez i diellit krijoi kultin e vetvetes duke themeluar mbi arketipin e monarkisë absolute bazat e adhurimit modern të të famshmëve. Por për zhvillimin e kulturës masive të popullarizimit, është dashur të zhvillohen masmediat, apo së paku bazat e tyre.
Kah fundi i shekullit XVIII, me lindjen e shtypit dhe raportimit paraqiten të gjitha kushtet për krijimin e shpejtë dhe efikas të famës, ndërsa tri deceniet e para të shekullit XX shënojnë eksplodimin e parë të tabloidëve, të cilët jo vetëm që nuk dallonin shumë nga këto të sotmet, por dinin të jenë më të ashpër në futjen e hundëve të tyre në jetën e të famshmëve.
Amerika ishte epiqendër, me dhjetëra miliona emigrantë dhe qendra të shumta urbane, ndërsa kur New Yorku, para lindjes së Hollywoodit dhe mbretërimit të Bregut Perëndimor, ishte selia e industrisë së argëtimit. Profesori i ndjerë i historisë dhe studimeve kulturore, Lawrence W. Levine shpjegon se si ne erën e shtimit të imigrimit, elita e pasur e vendasve ndjente nevojën për shkëputje të qartë nga ardhacakët e varfër duke shtyrë vetëdijen kulturore në drejtimin e zhvillimit të personit, si distinkte të qarta në raport me masën, por edhe mjetit të llojit të vetë të ruajtjes së identitetit, statusit dhe stilit të jetës.
Në kulturën e obsesionit me personalitet, popullarizmi bëhet masë e suksesit, thotë Amy Henderson, autorja e librit Media and the Rise od Celebrity Culture. Disa autorë konsiderojnë se i vetmi dallim mes dje dhe sot është ai që kultura e të famshmëve u paraqit si zëvendësim për religjionin në zhdukje, marrë parasysh se celebrity religjioni sot u bë kult jashtë kontrollit.
Rosto Fatty Arbuckle, yll i madh i filmit pa zë, në vitin 1921 përfundoi në gjykatë shkaku ia akuzave se në ditët e hedonizmit hollivudian të hershem por hiç më pak të egër dhunoi dhe vrau një aktore të re. Kjo ishte epokë shumë mirë e dokumentuar në të cilën kolegu i tij i afërt, Charlie Chaplin i vriste ditët me orgji, por e fshihte kaq mirë këtë saqë u bë ylli më i madh i erës së paraluftës, (diçka mbeti e rezervuar edhe për Fatty) po të mos e kishin shkatërruar tabloidët.
Magnati gazetaresk, William Randolph Hearst I, krijoi një perandori duke përcjellë rastin e Fatty, si dhe shumë skandale të tjera, duke krijuar themelet e shtypit të verdhë me të cilin ato ditë më të madhe merrej edhe Joseph Pulitzer, sado që emrin e tij sot e bartë shpërblimi prestigjioz në gazetari.
Në fund Fatty u lirua nga të gjitha akuzat, por trillimet e Hearst (gazetat e tij gënjenin se Fatty kinse e ka dhunuar viktimën me shishe alkooli në kohën e prohibicionit) bashkë me entuziazmin e gjykatësit Matthew Brady (për të cilin Fatty ishte biletë e sigurt deri tek celebrity-statusi) ia shkatërruan karrierën dhe respektin.
Yjet e fillimeve filmike u gjetën bashkë me të palarat e tyre në librin Hollywood Babylon të publikuar në vitin 1965. Filmbërësi dhe autori avangardë, Kenneth Agner me këtë libër theu të gjitha rekordet e senzacionalizmit duke krijuar një lloj të ri të literaturës së popullarizimit, respektivisht libra të cilët duke përhapur fjalë krijojnë showbiz mitet e nevojshme, në këtë rast të ikonave të shumta të gjysmës së parë të shekullit XX siç janë, Rudolph Valentino, Marilyn Monroe dhe i përmenduri Arbuckle. Zhvillimi i radios, televizionit, Elvisit, Kennedyt, The Beatles e më vonë edhe Internetit dhe tek ne tallava yjeve, për më shumë i dha hov trendit, në mënyrë që sot të jemi këtu ku jemi. Në udhëkryq?
Të themi këtë kështu- pyeteni vetën se sa sot në Kosovë shitet Hamleti apo Dawkins e sa ama, ta dhash sta dhash... dhe propagandë teokratike? Numrat do të tregojnë se a po kërkojmë kulturë dhe dije apo sensacion dhe pa arsyeshmëri, gjegjësisht a po udhëton Kosova në drejtimin e zhvillimit të mëtutjeshëm të empirizmit iluminist apo në mallkimin e errësirës së mesjetës të budallallëkut njerëzor.
Kush e di a jemi të përfshirë në procesin e devolucionit apo kemi rënë në rrjetin mjaft të kurthuar të luftërave brendakombëtare kulturore në të cilat ajo ana e cila aq shumë e do erën e së kaluarës, pavarësisht se nga cila anë fryn, thjeshtë nuk është në gjendje tia kthej shpinën dhe të kërkojë ardhmëri në strehë.
Natyrisht, laboratori mund të jetë më argëtues se Big Brother- por kujt i duhet argëtimi dhe dija kur në tavolinën e folkotekës lokale e eliminon dijen dhe ekskluzivisht e shkel argëtimin dhe vetëm argëtimin. 100 në orë. Gaz, gaz!!!
Teuta Arifaj,ExpressOnline