E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Nuk është e shkurtër lista e veprimeve prioritare që e presin Qeverinë e Re. Qartësia dhe energjia e kanalizuar drejt, janë dy nevojat që po dalin nga tremujori i kaluar jo aq i mirë, ironokisht ngjashëm me situatën pas ngjarjeve të marsit 2004.
Reformat e mėdha







Petrit Selimi

Hymë në vikend me votimet përfundimtare në Mitrovicë, e që shpresojmë të jetë episodi i fundit i zgjedhjeve kombëtare - të cilat, me kohëzgjatje, arritën të barazohen me ato në Shqipëri dhe Tetovë.

Mbarëvajtja e suksesshme nuk dyshohet, ngase vendimi i Gjykatës Supreme për përsëritje të votimeve, bazuar në llambat flouroscente jofunksionale, nuk ka qenë bindës, sepse llambat, edhe ashtu, ishin një nga katër mënyrat kushtetuese të identifikimit të votuesit.

Natyrisht, frika mbetet tek dinamika lokale e garës që në këto zgjedhje pat reperkusione mbarëkombëtare.

Suksesi i këtij hapi të fundit do të iniciojë certifikimin përfundimtar të rezultateve në fillim të shkurtit. PDK do ta nominojë Hashim Thaçin për Kryeministër, me koalicion që do të jetë kredibil dhe me shumicë stabile.

Në anën tjetër, ngjarjet në gjysmën e dytë të vitit të kaluar imponuan një agjendë edhe më të ngjeshur të prioriteteve, që reflektojnë pritjet popullore, sugjerimet e partnerëve nga SHBA dhe BE, si dhe vetë reformat e sugjeruara që më herët në Raportin e Progresit - që tashmë është bërë udhërrëfyes për të gjitha shtetet e Ballkanit në proceset integruese.

Shumëkush pret që organizimi i zgjedhjeve të reja duhet të jetë prioriteti kryesor i Qeverisë Thaçi 2.

Por, thjesht, dyshoj që ka diku apetit ngutjeje të këtij procesi. Jemi përtej atij diskutimi.

Megjithatë, hapa të sigurt dhe të shpejtë duhet të bëhen në hapjen e debatit se çfarë reforme zgjedhore dëshirojnë partitë, shoqëria civile dhe komunat, dhe si do të mund të përkthehej kjo në legjislacion dhe implementim teknik.

Shenjat janë që do të krijohet një grup punues, i cili do të merret me reformën zgjedhore, ku do të angazhohen edhe partnerë nga bashkësia ndërkombëtare, e ku do të fillonte diskutimi i gjerë i nevojave që dolën nga dy ciklet e fundit zgjedhore. Diskutimi bëhet mbi koncepte që shpesh janë antagoniste, me të mirat dhe me të këqija që duhet të kalibrohen për nevojat e shtetit kosovar.

Për shembull, a të fokusohemi në fuqizim të infrastrukturës prezente, me ndryshime minimale të një sistemi që teorikisht nuk është i keq, apo të mendojmë radikalisht dhe e t’a rrisim numrin e zonave, që nënkupton edhe hapjen e pakos kushtetuese? A ta mbajmë sistemin proporcional, të shkojmë në mazhoritar, apo të përzier? A të mendojmë edhe një hap më tutje dhe të konsiderojmë votimet elektronike, sepse kohëzgjatja e marrjes së rezultateve te ne është e paprecedentë në demokracitë e sotshme. Kosova, me territor sa një mëhallë e Kryeqytetit të Indisë, do të mund të mendonte edhe për solucione më inovative dhe afatgjate që do të parandalonin dridhjet tektonike që po kemi çdo cikël zgjedhor.

Brazili, me 65% të vendvotimeve në rajone në xhunglave tropikale, dhe India me 1 miliard banorë dhe korrupsion të theksuar, tashmë kanë implementuar votimin elektronik kredibil, që nuk kontestohet nga partitë, që të rrisin transparencën dhe shpejtësinë e shpalljes së rezultateve.

Ky diskutim, referimi i komisioneve përkatëse në Kuvend dhe procesi i leximeve të para dhe të dyta, si dhe vetë votimi, do të marrin kohë.

Shumëkush pret që vetë procesi i regjistrimit të popullatës, i planifikuar për prill të këtij viti, të revidojë listën e votuesve. Kjo, natyrisht, nuk është e mundur. Të dhënat nga Censusi 2011, që do të kërkojnë muaj të tërë përpunimi, do ta japin vetëm numrin total të banorëve dhe rrjedhimisht votuesve rezidentë, por më tutje i takon KQZ’së (para apo pas reformave) të gjejë metodat e pastrimit të listave votuesve nga të vdekurit, si dhe atyre që thjesht nuk janë banorë të Kosovës.

Reforma zgjedhore do të jetë proces që do të shkojë paralelisht me pikat prioritare, si aprovimi i buxhetit, rinegociimi i stand-by aranzhmanit me FMN’në pas rritjes së rrogave dhe benefiteve për më shumë se 100,000 pranues të parave nga buxheti, privatizimi sa më i shpejtë i PTK’së, fillimi i dialogut teknik me Serbinë, adresimi i prioriteteve të dala nga Raporti i Progresit, si p.sh. aprovimi i Pakos Anti-Mafia, përfshirë prioritetin numër një të bashkësisë ndërkombëtare si Ligji për Mbrojtjen e Dëshmitarëve.

Kryeministri do të duhet t’i përdorë krejt fuqitë negociuese t’i mbrojë rritjet e rrogave dhe benefiteve për punonjës të tërë sektorit publik, veteranë, familje dëshmorësh. Obligimet kontraktuale Bechtelit dhe rritja e rrogave e benefiteve - do të kërkojë përfundim imediat të tenderit në formë të auksionit që pret fituesin me muaj të tërë, nga 5 firmat me renome që janë kualifikuar për të blerë PTK’në. Puna duhet përfunduar edhe në dhënien e kontratës dhe koncesionit per ndërtimin e TC Kosova e Re.
Një pjesë e komentuesve dhe opozitës insistojnë në një interpretim, që përbën gabim logjik, se pasi kandidatët e partive kanë delegjitimuar vetveten me garë që përfundoi me hile në disa komuna – rrjedhimisht i tërë Kuvendi është jolegjitim, dhe e vetmja detyrë e këtij vendi është “krijimi i një Kuvendi legjitim”. Në planin e politikës reale, kjo nuk qëndron. Në momentin kur deputetët japin betimin dhe votojnë Presidentin dhe Kryeministrin me Qeveri, rithemelohen të tri institucionet, me legjitimitet të plotë dhe mandat të plotë.

Është e qartë që problem specifik i këtyre zgjedhjeve do të jenë marrëdhëniet e fragmentuara njerëzore dhe partiake që do të kërkojnë krejt mjeshtërinë e Kryeministrit të riparohen dhe konsolidohen. Por, sa i përket jetëgjatësisë së saj, askush dhe asnjëherë nuk do të mund ta kornizojë atë, sepse thjesht në politikë kush s’bën plane 12 ose 18 muajshe për dorëzim të frenave qeveritare. Edhe ashtu, ekuacionet e orakujve politikë në Ballkan gjithmonë kanë më shumë të panjohura se ç’mund t’i parashikojnë,
Ju kujtohet se si, pas katrahurës së ngjarjeve të marsit 2004, në momentet më të errëta dukej se ka shumë pak shpresë të përmirësimit.

Megjithatë, një mësim u nxor atëherë, ndoshta i përmbledhur në fjalitë kyçe të raportit të Përfaqësuesit Special të OKB Kai Eide: “Koha ka ardhur të fillojmë negociatat” dhe “qartësia e statusit u nevojitet të gjitha palëve”. Procesi që vazhdoi me Ahtisaarin premtoi të sjellë qartësi dhe lëvizi edhe palën kosovare në angazhim më të madh.
7 vjet më vonë, Kosova dhe partnerët ndërkombëtarë, përsëri patën momente të errëta kur gjithçka duket e pashpresë, por solucioni tutje mbetet i njëjtë: nevojitet punë e pashoqe e Kuvendit dhe Qeverisë tash jo për status, por për integrimin në BE.

Pjesa tjetër është qartësia, apo punë përfundimtare në qartësimin e statusit tonë për ata që ende nuk e kanë të qartë, proces i cili do të kërkojë angazhim shumë më të madh të partnerëve në BE. Kosova nuk e ka më luksin e stagnimit.

Publikuar: 22.01.2011 | 23:09
Lexuar: 563 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime