Duart e pastra janë një mesazh i qartë politik, se qeveria e ardhshme nuk do ti ketë duart e lira, por do të veprojë brenda një kornize të përcaktuar dhe të monitoruar fort nga partnerët ndërkombëtarë.
Armand Shkullaku
Ende pa u përcaktuar formula e qeverisë së ardhshme, ajo është vënë përpara një kushti nga bashkësia ndërkombëtare: duhet të jetë një qeveri e duarve të pastra. Madje ambasadori Dell shkoi aq larg sa përcaktoi pak a shumë edhe kriteret e personave që nuk duhet të jenë pjesë e kësaj qeverie. Mungonin vetëm emrat e përveçëm. Ky qëndrim i fortë i ambasadorit të Shtëteve të Bashkuara, duket i papritur po të kemi parasysh heshtjen e tij domethënëse gjatë bastisjeve të EULEX-it, apo gjatë debateve për përbërjen e listës së kandidatëvë për deputetë të PDK. Duket se diçka nuk ka shkuar mirë.
Duket se zgjedhjet e 12 dhjetorit kanë lënë një shije të keqe edhe tek kryediplomati, e që tani po mundohet ta shpëlajë duke përsëritur fort mesazhin e duarve të pastra.
Qeveria e duarve të pastra nuk është ndonjë zbulim dhe as ndonjë kërkesë e rënë papritur nga qielli. Vazhdimisht ka patur presion ndaj qeverisë Thaçi për të luftuar korruspionin, disa ministrave të tij publikisht u është kërkuar dorëheqja nga opozita, opinioni publik apo dhe kreu i ICO, Peter Feith. Bastisjet e EULEX-it dhe hetimet e prokurorisë e ulën ndjeshëm autoritetin e qeverisë, pikërisht duke treguar se nuk po qeverisej ndershëm dhe me transparencë.
Në momentin e shpalljes së listës së kandidatëve për deputetë të PDK-së, numri dy i EULEX-it deklaroi se përfshirja në të e individëve nën hetim apo në procedura juridike do ta dëmtonte imazhin e Kosovës. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Dragodani ka qenë më i përmbajtur dhe më i kujdesshëm në deklarata. Duke menduar se ndoshta në Kosovë nuk ka alternativë tjetër më të qëndrueshme se sa PDK dhe Thaçi, është preferuar të mbyllet njëri sy për ti dhënë një tjetër shans këtij grupimi politik. Mirëpo zgjedhjet e 12 dhjetorit e komplikuan situatën.
Në këto zgjedhje procesi u dëmtua aq rëndë sa vetë ambasadori Dell u detyrua të dalë publikisht e ti dënojë ato. Opinioni i huaj mbeti i zhgënjyer, ndërsa partitë në Kosovë po kërkojnë rivotim, qeveri teknike dhe marrëveshje politike për të mos i dhënë legjitimitet dhe mandat katër vjeçar qeverisë së re, por për të përgatitur vendin për zgjedhje të reja. Në këtë pikë kritike, kërkesa e ambasadorit Dell, e paraqitur madje si kusht, për një qeveri me duar të pastra duket si një dalje nga situata e vështirë.
Kosova nuk ka nevojë për më shumë zgjedhje. Kosova ka nevojë për më shumë qeverisje. Është kjo formula e ambasadorit Dell, duke ftuar indirekt partitë e tjera të pranojnë rezultatin dhe pse jo të bëhen pjesë e një qeverie që këtej e tutje do duhet të jetë e pastër.
Kuptohet që kushti i duarve të pastra më shumë se i tillë, është një lloj gjetje për të justifikuar një qeveri të ardhshme të dalë nga zgjedhje problematike. Në radhë të parë ky kusht ngjan si një ndëshkim ndaj PDK për atë që ndodhi më 12 dhjetor. Më shumë se sa duart e pastra ai do të tregojë se Hashim Thaçi, këtej e tutje, do ti ketë duart e lidhura për të vendosur vetë. Së dyti, me këtë kusht, ambasadori Dell shpreh hapur përfshirjen e tij dhe të faktorit ndërkombëtar në qeverisjen e ardhshme dhe tregon dështimin e lidershipit kosovar deri më sot. Dhe së treti, qeveria e duarve të pastra, ofrohet si një mundësi kompromisi që edhe partitë e tjera të bëhen pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar.
Eshtë naive të besosh se qeverisja e duarve të pastra do të sigurohet vetëm duke mos përfshirë në të persona të caktuar. Pastërtia e një qeverie është rezultat i vullnetit politik që e drejton atë dhe jo e emrave që e përbëjnë. Mund të kemi ministra të pastër në fillim e që njollosen rrugës. Këtë sigurisht që e di edhe ambasadori Dell. Ai nuk ka zbuluar ndonjë formulë magjike, por thjesht ka treguar një mundësi për të shpëtuar atë çka mbetet pas kaosit politik në vend. Ndonëse disi me vonesë, ambasadori është detyruar të ndërhyjë hapur në kriteret e një qeverisje të ardhshme për të riparuar dëmet e shkaktuara.
Duke përcaktuar se kush duhet të jenë ministrat e rinj, madje duke treguar edhe prioritetet e qeverisë së ardhshme, ai ka kufizuar ndjeshëm dhe me qëllim autoritetin e fituesve të dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit. Dhe duke vënë si kriter primar pastërtinë dhe jo votat, duke kërkuar që ligji të veprojë sa më shpejt, që parpara drejtësisë të dalin edhe peshqit e mëdhenj, ambasadori Dell ndoshta shpreson që të rikthehet edhe besimi i qytetarëve tek institucionet e vendit.
Duart e pastra janë një mesazh i qartë politik, se qeveria e ardhshme nuk do ti ketë duart e lira, por do të veprojë brenda një kornize të përcaktuar dhe të monitoruar fort nga partnerët ndërkombëtarë.