E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ata që kanë qëndruar në Shqipëri gjatë trazirave të vitit 1997, thonë se pamjet e demonstratës së dhunshme të sotme në Tiranë u ngjanin me një lojë fëmijësh.
Alarmi nga Tirana






Astrit Gashi

Ata që kanë qëndruar në Shqipëri gjatë trazirave të vitit 1997, thonë se pamjet e demonstratës së dhunshme të sotme në Tiranë u ngjanin me një lojë fëmijësh.

Për ne që nuk ishim atje atëbotë dhe as sot, por që demonstratat e sotme po i shihnim “live” përmes televizioneve shqiptare, ata demonstrues që hidhnin gurë, shishe benzine, ombrella e çka jo tjetër në drejtim të policisë, e cila iu kundërpërgjigj demonstruesve me gaz lotsjellës e vrushkuj uji, dhe ato vetura e deri në pemë që po digjeshin në qendër të Tiranës, na kujtonin shumë me imazhin e projektuar për trazirat e 1997 dhe me pamjet filmike që vinin nga Greqia, para ca kohësh.

Tronditja nga këto skena vërehej gjatë tërë pasdites dhe mbrëmjes edhe në Kosovë dhe kudo që jetojnë shqiptarët. Televizionet tona lidheshin me ato të Tiranës drejtpërdrejt për të mësuar të rejat dhe deklarimet.

Përmes postimeve e mesazheve, në versionin online të kësaj gazete, por edhe shumë të tjerave, lexues nga Kosova dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarë shprehnin mllefin, dhembjen dhe revoltën për atë që po shikonin duke ndodhur në Tiranë.

Krejt këto mesazhe kanë një emërues të përbashkët: frikën se kah po shkojmë ne si komb, si shqiptarë- bashkë me pyetjen se çfarë faji shekullor paskemi bërë që të përcillemi me elita politike të papërgjegjshme këtu e atje, që për hir të pushtetit e hanë shtetin dhe si rezultat i kësaj pastaj e humbin edhe vetë pushtetin.

Elita politike, pra, që janë jo vetëm kundër popullit, por me veprimet e tyre rezultojnë të jenë në fund të fundit kundër vetes. Momente këto që secili të pyesim veten se pse me këtë vetëdije u shkojmë pas, si komb në tërësi.

Mbase nuk është e jona, shqiptarëve të Kosovës të përcaktojnë fajin majtas apo djathtas, e as për të konstatuar nëse shqiptarët e Shqipërisë kanë apo jo arsye për të protestuar.

Nuk jetojmë atje dhe nuk ua dimë as hallet e as gjendjen reale. Por, është e drejtë jona të themi se shteti duhet të respektohet në tërësi. Nga votat e lira e deri tek institucionet e tij.

Por, as qytetarët nuk duhet të vriten, për asnjë hall të vetëm individual e shoqëror. Është e jona t’i përbuzim pamjet që na vinin sot nga Tirana e t’i lutemi Zotit se të tilla nuk do të shohim më as atje, dhe as këtu.

Pamjet e djeshme nuk erdhën as përnjëherë e as papritur. Ato u paraprinë nga një gjuhë urrejtjeje që po kultivohet nga politika e atjeshme mbi 20 vjet. Gjuhë politike fyese ndaj individëve, ndaj miqve e të kundërtve, familjeve të tëra dhe në fund edhe shoqërisë shqiptare në plotësi.

Gjuha barbare u shoqërua nëpër vite me paaftësinë për të menaxhuar e udhëhequr shtetin dhe qytetarët e saj- përmes kultivimit e mospengimit të krimit e korrupsionit, mosluftimit të varfërisë e mosshtimit të mirëqenies qytetare.

Të gjitha këto të këqija që u përmendën, bashkë më shumë të tjera që nuk i zumë në gojë, prodhuan nëpër 20 vite pushtete që nuk menaxhuan me vendin, por e sunduan vendin, duke prodhuar opozita herë të majta e herë të djathta, që humbën besimin se mund të vijnë në pushtet pa demonstratë e dhunë. Pra, politikë e demokraci xhunglash!

Problemi është se për ne këtu, ajo që pamë në Shqipëri, përpos e dhimbshme, ishte edhe e frikshme. U tmerruam se mos një ditë diçka të tillë do ta shohim përmes xhamave të shtëpive, banesave dhe zyrave tona e jo përmes xhamave televizivë.

Prandaj reagimet e lexuesve nëpër internet apo edhe dhoma ndeje dje e mbrëmë janë më shumë alarm frike për shoqërinë tonë dhe politikën dhe jo vetëm dhembje për atë çfarë po ndodhte atje.

Alarm për atë nëse duhet të influencohemi nga shteti amë, të marrim nga atje gjëra të mira siç janë kultura, ditura e aftësitë e komunikimit ndërnjerëzor dhe jo gjuhën e urrejtjes politike, veprat e dhunimit të demokracisë e individit, jo polarizimet e skajshme shoqërore, korrupsionin, jo pushtetin që është mbi shtetin dhe opozitën që e do pushtetin edhe me dhunë. Ftesë të minutës së fundit për të ndërruar kahun shoqëror nga ai mesjetar në atë evropian e të civilizuar.

Në mos dishim ta bëjmë këtë, atëherë Shqipëria, dhe me këtë bashkë me Kosovën- vërtet është në rrezik nga vetë shqiptarët, siç na tha para 100 vjetësh Konica, citat ky i cili gjithandej flitej e shënohej nga lexues e qytetarë të shqetësuar.

Nëse në shoqëritë tona zgjidhja shndërrohet në dhunë, vërtet s’ka më rëndësi nëse ajo do t’i ngjajë asaj të vitit 1997, 2011 apo 20100, sepse do jemi me shekuj mbrapa!

Le të shpresojmë që ajo që dje ndodhi në Tiranë- të ishte një alarm kalues, i cili klasave politike shqiptare, në pozitë e opozitë, në Tiranë por edhe në Prishtinë, Tetovë e gjetiu, do t'u shërbejë si leksion që në Europë nuk shkohet as me gjuhën e dhunës dhe as me dhunën.

Publikuar: 22.01.2011 | 23:15
Lexuar: 667 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime