Ata kanë rrëfyer gjithmonë se duan të jenë të angazhuar në televizion dhe ia kanë dalë. Çifti, aq i dashur prej publikut të gjerë, menjëherë pas pjesëmarrjes tek Kënga Magjike, ka bërë një program të ngjeshur që fillon me regjistrimin në të njëjtin universitet privat, ku Adela ndjek degën e psikologjisë, ndërsa Bjordi atë të regjizurës.
Adela ka disa javë që ka filluar një program të përditshëm muzikor tek Greta Music Radio. Aty ajo, jo vetëm që transmeton muzikë sipas kërkesave të dëgjuesve, por ka mundësi të komunikojë me dashamirësit e saj me anë sms-ve, të cilat për hir të së vërtetës janë të shumtë. Ky program, krahas funksionit të tij argëtues, duket edhe si një lloj testimi i popullaritetit të Adelës, vajzës që u pëlqye dhe u votua aq shumë gjatë qëndrimit të saj në Big Brother dhe që vazhdon të pëlqehet akoma. Nga ana tjetër, Bjordi duket se ka realizuar një ëndërr të hershme, atë të angazhimit në televizion, por si asistent regjisor, një punë që ai e ka dashur fort dhe po e shijon shumë. Bëhet fjalën për programin Albania next top model, i cili po transmetohet në kanalin dixhital T.
Ai është një reality show, ku vajzat aspirante për modele janë në kompeticion për të fituar çmimin e parë. Aty Bjordi bën edhe editorin e përmbledhjes ditore që transmetohet çdo darkë në orën 20. Pas eksperiencës së tij në Big Brother, ku ishte ai i vëzhguar, tani Bjordi është në anën tjetër të kamerave, ku vëzhgon konkurrentët dhe zgjedh çdo ditë momentet më të bukura për ti sjellë në një përmbledhje ditore. Ndërkohë që rrugët e tyre, përsa u përket angazhimeve të lartpërmendura janë ndarë, pasi njëra është në radio e tjetri në televizion, duket se së shpejti do të bashkohen në një projekt të madh televiziv, siç është programi Dancing with the stars. Këto ditë është konfirmuar prezenca e Adelës dhe Bjordit në këtë program, ashtu si vitin e kaluar, por nuk dihet akoma se cili do të jetë roli i tyre. Por për fansat e këtij çifti, e rëndësishme është se do kenë mundësi që ti shikojnë akoma në televizion, në të njëjtin program, i cili thuhet se do të fillojë diku nga fillimi i marsit. Ne u urojmë suksese të dyve!
Big Brother 4 në sytë e Adelës dhe Bjordit
Ashtu si të gjithë dashamirësit e këtij formati televiziv, edhe Adela dhe Bjordi e kanë ndjekur këtë edicion të ri të Big Brother dhe si ish-pjesëmarrës, natyrisht që kuriozitetin e kanë më të madh se të tjerët. Adela ka qenë akoma më e vëmendshme, pasi i duhet të përgatisë çdo javë një rubrikë kushtuar banorëve të Big Brother 4 në gazetën e përjavshme Paloma. Aty Adela i është rikthyer profesionit të zyshës që jep nota, pasi rubrika është konceptuar si një listë notash, që fillon me notën katër për personazhin më pak të pëlqyer sipas saj dhe deri tek nota dhjetë për personazhin më të pëlqyer. Adela, si një mësuese e rreptë, nuk ia ka dhënë akoma askujt notën dhjetë, pasi sipas saj deri tani asnjëri nuk e meriton atë.
E pyetur nga Panorama plus, Adela rrëfen se deri tani banorët që ajo pëlqen më shumë janë Neda dhe Marjeli, ndërsa më pak të pëlqyerit Algeni dhe Ermela. Ajo ka shumë rezerva për mënyrën se si impostohen banorët para kamerave, duke kompromentuar seriozisht natyrshmërinë e lojës. Në fillim edhe ne e kemi pasur mendjen tek kamerat, por kjo nuk ka zgjatur më shumë se një javë. Më pas, askush nuk është se e ka pasur më mendjen tek ato, pasi njeriu përshtatet me çdo mënyrë të jetuari. Banorët e Big Brother 4 jo vetëm që flasin në funksion të kamerave, por shpesh u drejtohen atyre, flasin me kamerat, - thotë Adela. Një tjetër fakt që e bezdis jo pak është edhe gjuha. Nuk e di, por më duket sikur këta banorë po kontribuojnë seriozisht për të shkatërruar gjuhën shqipe. Unë nuk kam durim ti dëgjoj më shumë se pesë minuta, pasi gjuha e tyre është shumë e varfër, gramatika është në nivele mjerane dhe kjo bën që të bezdisesh teksa i dëgjon.
E kuptoj handikapin e tyre për faktin se kanë jetuar jashtë, por ne kemi nevojë të kuptojmë se çfarë thonë, - vijon ajo. Gjithsesi, Adela thotë se megjithë këto defekte, Big Brother ka qenë dhe do të mbetet një program shumë i ndjekur dhe i pëlqyer. Ndërsa Bjordi rrëfen se i ka ndjekur më pak, për arsye se angazhimi i tij në punë nga mëngjesi në darkë, ia bën të pamundur, por me aq sa ka parë edhe ai ka krijuar simpatitë dhe antipatitë e tij. Bjordi pëlqen Marjelin dhe Ogrenin dhe nuk pëlqen Elisën dhe Ermelën.