Në ditët e fundit te dhjetorit dhe ditët e para të janarit ky hotel ka patur të prenotuar edhe mysafirë nga SHBA-të, Zvicra, Gjermania, Holanda, Franca, Sllovenia, Kroacia, me gjithsej 968 bujtje -thotë Faton Sherifi, përgjegjës për rezervime. Sipas tij gjatë ditëve të ngrohta, që e karakterizuan janarin e sivjetshëm, ka patur edhe shumë vizitues ditor që e kanë shfrytëzuar kohën e mirë për pushim, skijim, e rekreacion
Qendra Rekretaivo-sportive Kodra e Diellit - Tetovë
Sadije Aliti
Fundviti e fillim muaji Qendrën Rekretaivo-sportive Kodra e Diellit e gjetën të përmbushur me mysafirë, por pas dekadës së parë ta janarit me shkrirjen e borës shënohet një rënie e dukshme e vizitorëve. Reshjet e këtij uikendi kanë shtuar edhe sasinë e borës që pritet të shtojë edhe fluksin e vizitorëve.
Kodra e Diellit, qendër turistike me një bukuri të rrallë e madhështore qëndron në shpatijet e Sharrit. Krahëhapur pret turistët, vizitorët e adhuruesit e borës e bardhësisë dhe adhuruesit e qetësisë e relaksimit shpirtëror.
Në qendrën rekreative-sportive Kodra e Diellit pritet një stinor i bujshëm me aktivitete sportive, falë kushteve klimatike që janë të volitshme për skijim. Drejtuesit e kësaj qendre rekreative sportive, theksojnë se janë të gatshëm për të pritur të gjithë mysafirët nga do që të vijnë.
Trashësia e borës shënon një rritje, ndërsa terrenet e skijimit janë të adaptuara për rrëshqitje dhe për stërvitje. Mekanizmi tjetër i nevojshëm për pastrimin dhe mirëmbajtën e terreneve është në gjendje gatishmërie.
Objektet hotelierike disponojnë me salla ushqimi, aperative, dhe kënde zbavitëse, diskotekë, sallë pingpongu, bilardo, pishinë dhe lojëra argëtuese për fëmijë.
Hoteli Kodra e Diellit është e gatshme për të pritur një fluks më të madh të vizitorëve , numri më i konsiderueshëm i vizitorëve ka qenë nga Kosova, Shqipëria e vendet fqinje.
Në ditët e fundit te dhjetorit dhe ditët e para të janarit ky hotel ka patur të prenotuar edhe mysafirë nga SHBA-të, Zvicra, Gjermania, Holanda, Franca, Sllovenia, Kroacia, me gjithsej 968 bujtje -thotë Faton Sherifi, përgjegjës për rezervime. Sipas tij gjatë ditëve të ngrohta, që e karakterizuan janarin e sivjetshëm, ka patur edhe shumë vizitues ditor që e kanë shfrytëzuar kohën e mirë për pushim, skijim, e rekreacion.
Ky vit shënon edhe një rënie të vizitorëve si pasojë e gjendjes së përgjithshme ekonomike, pasi financat mujore vështirë diktojnë që të ndahen mjete edhe për pushime më të gjata.
Drejtuesit e kësaj qendre turistike shpresojnë se me shtimin e reshjeve të borës do të ketë edhe rritje të numrit të vizitorëve sidomos të atyre jashtë vendit.
Faton Sherif thekson se janë realizuar edhe disa rezervime grupore si ato të akademisë policore të Shkupit, Programi studimor i edukatës fizike i USHT-së, Studentë nga Universiteti i Prishtinës dhe disa organizime të tjera grupore që do të realizohen në këtë stinor turistik.
Në hotelin Sllavija janë bërë disa investime dhe meremetime në objektin hotelierike,në një kapacitet të 120 shtretërve. Fund viti ka shënuar përmbushje të kapaciteteve, ndërsa mungesa e borës e zvogëloi numrin e turistëve-thotë Zoran Markovski, përgjegjës.
Në këto dy hotele pansion i plotë, varësisht nga kushtet e akomodimit rrotullohet prej 1.900-2.360 denarë për person.
Në bukuroshen e Sharrit, kanë filluar që të bëhen edhe investimet e para të kapitalit privat.
Hoteli "Bora", është pronë e Arif Arfit, bashkatdhetar nga Tearca me punë në Gjermani ku edhe e ushtron të njëjtën veprimtari. Është një restorant i parë privat, ku ofrohet meny e kuzhinë ballkanike por dominon kuzhina italiane, me inventar modern e shërbim cilësor.
"Kapaciteti aktual është mbi 70 shtretër, kemi çmime standarde edhe pse vendi ku servohet ndryshon nga mjediset tjera, me një lartësi më të madhe mbidetare"-thotë Rexhep Asani përgjegjës. Mysafirët që takuam në këtë ambient ishin nga Kroacia, Austria, Suedia, Danimarka, Sllovenia, Gjermania, si dhe grupe të tjera vizitorësh që kishin paralajmëruar ardhjen e tyr nga vendet skandinave. Një bujtje me mëngjes dhe darkë në këtë hotel kushton 37 euro për person, ndërsa gjatë shkurtit paralajmërohen edhe ulje të çmimeve.
Edhe restorante e hotele të tjera në sektorin privat si Casa Leone, Konaku ofronin shërbime e rezervime të ndryshme e të pasura në meny.
Reshjet e borës së ditës së premte më së shumti gëzuan skiatorët profesionist por edhe ato që i bënin hapat e parë në skijim. Aty takuam edhe një grup skiatorësh të rinj që bënin përpëlitjet e para nëpër borë.
Gazmend Gafuri, instruktor i skijimit, klubi i skijimit Tetova theksoi se është grupi i tretë që e kanë përgatitur për këtë stinor, ndihet mungesa e borës, por kjo sasi e borës nëpër shtigje për fillestarët është e mjaftueshme.
Traditë e turizmit dimëror
Në shpatijet e malit Sharr, Qendra turistike Kodra e Diellit me qytetin e Tetovës, lidhet me rrugë të asfaltuar e të mirëmbajtur prej 18 kilometrash. Rajoni i Kodrës së Diellit përfshin një sipërfaqe prej 150 hektarësh në një lartësi mbidetare prej 1.070 deri më 2.510 metra.
Objektet e para këtu datojnë që nga viti 1934, në fillim me 30 shtretër ndërsa tani me kapacitete të plota turistike. Krahas objekteve hotelierike dhe pushimoreve të tjera janë ndërtuar edhe një numër i madh i uikend-shtëpizave, me mbi 600 sosh, disa prej tyre tani janë edhe në përdorim të turistëve me një çmim prej 50-70 euro për bujtje.
Stinori dimëror këtu fillonte më parë diku në muajin nëntor e zgjaste deri në muajin mars apo prill. Bora më së shumti u mungoi qendrave turistike viteve të fundit. Stina e ftohtë e vitit, dimri, në anën e Sharrit është e njohur si stinë me dimra të ashpër dhe të ftohtë. Ndryshimet e fundit klimatike ndikojnë në shkurtimin e stinorit turistik, zgjat deri sa ka edhe sasi të mjaftueshme të borës, por disa kapacitete hotelirike punojnë dhe gjatë verës ku mbahen edhe organizime e manifestime të ndryshme shoqërore.
Të gjitha shtigjet për skijim janë adaptuar, aktualisht punojnë 5 skilifta. Kodra e Diellit ka 35 km terrene skijimi me shtigje të veçanta për snaubord, 3 shtigje të homogjenizuara sipas kriteriumeve të FIS dhe shtigje të ndryshme të përshtatshme si për amator ashtu edhe për profesionist. Gjithashtu ka edhe 11 ski teleferikë që mbulojnë shtigjet me gjatësi 20 km. Bileta gjysmë ditore për skijim kushton 600 denarë, ditore kushton 800 denarë, javore 4.800 denarë dhe stinore 12.000 denarë.
Sipas përgjegjësve për marketing dhe rezervime, në këtë Qendër rekreative-sportive, stinori sportiv pritet të jetë me plot aktivitet, janë paralajmërua gara ndërkombëtare të skijimit si Kupa e Sharrit , Kupa Mbarëkombëtare dhe Universiada Dimërore .
Karakteristikat e Kodrës së diellit janë Shtigjet e skijimit me standarde perëndimore, ofertat hotelierike dhe tradita e organizimit të garave.