E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në defterët e Perandorisë Osmane e hasim të shënuar si në shekullin e XV dhe XVI me sa vijon; më 1452/53 ka pasur 39 familje, më 1467/68 ka pasur 45 familje dhe 2 të pamartuar, më 1544/45 ka pasur 17 familje, 1 të pa martuar dhe 2 vejushe, më 1568/69 ka pasur 16 familje, 5 të pamartuar dhe 1 vejushë.
Pėrca, fshati me gjurmė qė rrėfejnė pėr ilirėt



ISMET JONUZI-KROSI

FSHATI PËRCË-KOMUNA E TEARCËS

“GJURMË QË RRËFEJNË PËR ILIRËT”

TË DHËNAT E PËRGJITHSHME GJURMË TË LASHTËSISË ILIRE


Në veriperëndim të Tetovës, në mbarim të fshatit Odër, brigjeve të maleve të shpien rruga për në fshatin e malësisë në Përcë, ku gati për 50 minuta udhëtimi në këmbë futesh në një ambient ku ndeshen dy botë ajo e të kaluarës së largët që është evidente në këtë fshat ku kanunet, doket dhe zakonet ende janë të gjalla sa që shtrohet pyetja se edhe në vitin 2002 ende mund të hasësh fshat të lënë krejtësisht pas dore nga qytetërimi, por ky fshat është vetëm si lokalitet ku aktualisht banojnë dy banorë. Para se të futesh në fshatin e vogël gjendet rrafshnalta ku më tej shtrihet fshati, ndërsa shtrirja karakteristike e shtëpive të rrënuar si objekti i Xhamisë dhe shkollës periferike. Mjeshtëria e rrallë e këtyre objekteve të rrënuara nga koha, të jep përshtypjen e fshatrave që mund t’i paramendosh shekuj më parë. Rruga tjetër e lashtë e cila lidh këtë fshat e që është prej fshatit Dobrosht, ku në anën e perëndimit has në vendin e quajtur “RËSKIL˔ ku ende hasen rrënjë të hardhisë së rrushit që të parët e Përcës i kanë shfrytëzuar deri para do dekadash.

HISTORIKU

Në defterët e Perandorisë Osmane e hasim të shënuar si në shekullin e XV dhe XVI me sa vijon; më 1452/53 ka pasur 39 familje, më 1467/68 ka pasur 45 familje dhe 2 të pamartuar, më 1544/45 ka pasur 17 familje, 1 të pa martuar dhe 2 vejushe, më 1568/69 ka pasur 16 familje, 5 të pamartuar dhe 1 vejushë.

Fshati Përcë graviton në Komunën e Tearcës. Ky fshat gjendet në Malësinë e Sharrit 2 kilometra larg Odrit që është rruga tradicionale e cila shërben për kuajt, këmbësorët e të ngjashme. Edhe pse në vitin 1997 është hapur rruga 6.5 km. me ekskavatorë dhe atë me vetë kontribut të përcasve e që u ka kushtuar mbi 30 mijë euro, ku pritet të asfaltohet, por për shkaqe tashmë të njohura të rregullimit të pronësisë juridike pronësorëve të disa individëve të përkatësisë maqedonase që janë nga Odri që duhet t’u paguhet pronësia e përgjithshme në shumë prej disa mijë eurosh, por siç shprehet avokati-privat Bari Shabani i shpërngulur nga ky fshat në vitin 1956, se projekti i kësaj rruge ka kaluar në këshillin e atëhershëm komunal të vitit 1996 që të asfaltohet në gjatësi prej 6,5 km, por prej atëherë e deri më sot, kjo rrugë ka mbetur mollë sherri për këtë fshat. Siç shprehet shoqëruesi ynë në terren Bari Shabani se po të rregullohet kjo rrugë ka shpresë që një ditë sërish ky fshat apo për së katërti herë të ribanohet edhe atë ndoshta për përherë, ngase kushtet për jetesë janë solide.
Ismet Jonuzi-Krosi

Përca shtrihet në rrafshnaltën ku lartësia mbidetare është 1050 metra, në anën e majtë është lumi i Odrit dhe në të djathtë ai i Dobroshtit, numëron disa shtëpi dhe vetëm dy banorë të vetëm. Edh pse shumë vonë hasen të dhëna të shkruara në historiografi më 1452/53 kanë jetuar 39 familje, më 1467/68 kanë jetuar 45 familje dhe 2 të pamartuar, më 1544/45 kanë jetuar 17 familje, 1 i pamartuar dhe 2 vejushe si dhe në vitet 1568/69 haset me 16 familje, 5 të pamartuar dhe 1 vejushë, por kjo u mbetet arkeologëve në ndërgjegjen e tyre dhe shumë organeve kompetente nga rrafshi i shkencës që të ndriçojnë lashtësinë e këtij fshati karakteristik me dëshmi nga antikiteti.

Gojëdhënat flasin se ky fshat është ndër të parët në këto vise që edhe vetë emrin e ka PAR+CA , që deshifrohet numëror themelor, që nënkupton TË PARËT në kohën kur Pollogu ka qenë liqen, që sipas tyre ilirët e kanë hapur pellgun diku kah gryka e malit të Zhedenit, që sot e kësaj dite ata veten e quajnë PARCAS e jo PËRCAS, por dëshmi autoktone e të parëve të këtij fshati argumentohen edhe me emërtimet që janë të gjalla tek këta si VORRET E LUSIANËVE dhe VORRET ILIRE, KISHA E TË PARËVE- që gjendet tek Baçja e Ramizit në brendi të Parcës, e që daton para ardhjes së sunduesve osman, KODRA E MOLLINJVE- që dikur kanë pasur mullinj me erë që është karakteristike se haset ndoshta për herë të parë në viset tona, SKAJ MALIT, GURI I SHQIPES, LUGJATA E GRAVE për të cilën thonë se e ka marrë këtë pietet se në të kaluarën e largët e të pacaktuar ky mal është ruajtur që gratë të bëjnë drunj në rastet kur burrat e Parcës i ka thirrur kushtrimi i lirisë, apo për të mbrojtur pragun e atdheut, ZABELI, TE RASA, KROI e shumë vend emërtime të vogla në atarin apo sinorin që e rrethon këtë fshat kodrinor-malor. Fati ka deshtë që deri në ditët e sotme tri herë resht është shpërngulur, por për shkaqe siç shprehet plaku Minah Zendeli, sipas rrëfimeve të të parëve se në të kaluarën e largët e të papërcaktuar kjo ka të bëjë para ardhjes së imperatorëve osmanli në këto anë, kur janë shpërngulur banorët e fshatit ka ndodhur për shkak të përhapjes së sëmundjes vdekjeprurëse të lisë (kolerës) prej nga janë vendosur në rrethinën e Kumanovës, ku sot aktualisht jetojnë me kujtimin e zbehur se prejardhjen e kanë nga ky fshat i Malësisë së Sharrit që ende e përmendin se Përca është vendlindja e të parëve të tyre, kjo argumentohet nga një Hoxhë me emrin Mulla Jakupi i cili punon në Kopenhagë të Danimarkës bashkë me mërgimtarë të Përcës.

Ndërsa për zhvendosjen e dytë thonë për shkak të vërshimeve nga moti i keq për të cilën vetëm kanë dëgjuar nga të parët dhe rasti i tretë përkon me vitet 1970 deri më 1980-ta për arsye themelore të kushteve praktike jetësore si; rruga e pa sanuar respektivisht e paasfaltuar, ambulanca e shëndetësisë, shkolla fillore, infrastruktura aspak e prekur si dhe ajo që është për t’u theksuar se intenca e zhvillimit, pra ajo e martesave ngase në këtë fshatë ka pasur katër familje të mëdha me llagape si KOLESIANËT, KIKIRËT, TOPOJANËT DHE BUZËMADHIT, të cilët nuk kanë bërë martesa mes tyre. Gjithashtu edhe kurbeti e ka bërë të veten që banorët e këtij fshati kanë paguar haraç ngase në vitet e 1967/1968 shumë të rinj kanë shkuar në perëndim si në Gjermani dhe Danimarkë e gjetiu në botë edhe atë në moshë shumë të re si prej 17 deri 20 vjeçar, që edhe kanë investuar kapitalin e tyre nëpër fshatrat e ndryshëm të Pollogut ku më të theksuar janë ata që janë zhvendosur janë fshatrat si; Odër, Përshevcë, Tearcë dhe në qytetin e Tetovës ku sot llogariten mbi 200 shtëpi të këtij fshati. E fundit nga ky fshat, është shpërngul Dada Muhabije Shahini, e cila sot jeton në Tearcë tek nipat dhe stërnipat e saj ngase i ka mbi 100 vjet e është bijë nga Bozovca e Malësisë së Sharrit që dëshmon për lidhjet e hershme martesore të fshatrave të malësisë edhe pse Parca në vijën e kufizimeve të fshatrave përreth i ka në perëndim me Kosovën, në verilindje me Odrin dhe në jug me Dobroshtin.

Rastësisht takuam banorët e shpërngulur e që shpeshherë e vizitojnë vendlindjen e tyre, ndërsa kësaj here edhe pse jemi në prag të vjeshtës së hershme ata bënin drunj për dimër nëpër pronat e veta që njëri ndër ata edhe Zemri Arifi me profesion inxh. i makinerisë më parë i punësuar në “Jugokrom” të Jegonovcës se në këtë fshat ka kryer katër vitet e shkollës fillore, pra të shkollës periferike që emrin e ka pasur “NUREMAN ARIFI” dëshmor i këtij fshati në Luftën e Dytë Botërore, ai me mall e pikëllim rrëfen se në vitet e 1970-ës mësues e kemi pasur Natmir Beqirin nga Struga ku atëherë mësonim afro 20 nxënës dhe atë, prej klasës së parë deri në klasë të katër që ka pasur karakterin e përzier, por kjo nuk do të thotë se në këtë fshat nuk është zhvilluar mësim ngase në mejtepin e xhamisë kanë mësuar fëmijët e fshatit ku me mburrje tregojnë për imamët që kanë shërbyer në këtë xhami, tani e rrënuar dhe atë duke filluar që nga imam Femiu nga Gllogja, mulla Imeri i Xhepxhitit, mulla Imeri nga Tearca, hafëz Zaimi nga Dobroshti, mulla Idrizi nga Odri, i cili ka qëndruar më shumë dhe mulla Vahiti nga Odri që ka qenë i fundit në këtë Xhami. Gjithashtu siç kuptojmë nga shoqëruesit tanë Bari Shabani, Naser Murtezani dhe Hikmet Rexhepi nga Përshevca, i cili pasion e ka arkeologjinë dhe lashtësinë e trevave tona e më gjerë, se mësues të fundit në fshat e kanë pasur Abedin Iljazin po nga i njëjti fshat, si dhe Jakup Shabanin mësuesi i parë, Beadini prej Sellce, Mustafa Loçi-poet i ndjerë nga Reçica, Rami Demiri nga Shipkovica, mësuesi Fatmir nga Struga, Menafi, Hakik Rexhepi nga Odri, Nazmi Fima nga Odri, Isak Sherifi nga Dobroshti dhe Enver Shala-sot gazetar në Flakë.

E gjithë kjo plejadë mësimdhënësish kuptohet se kanë nxjerrë edhe kuadro që parcasit mburren e ato janë; Abedin Iljazi-arsimtari i parë nga ky fshat, Bari Shabani-jurist-avokat privat, Afet Arifi- elektro-inxhinier, Nuhi Neziri-ekonomist, Zemri Arifi-inxh. i makinerisë, gazetarët Xhelal dhe Xhevahir Neziri, por edhe për çështjen kombëtare nga ky fshat ka pasur burra me nam qysh në kohët më të hershme, ndërsa në rrjedhat e pas Luftës së Dytë Botërore respektivisht prej 1944 e këndej janë përndjekur nga pushteti sllavo-komunist si Fejzulla Arifi, Jashar Arifi e të tjerë, të cilët kanë mbështetur Lëvizjen Kombëtare me Ballistët në krye. Simbol i qëndresës së parcasve është i burgosuri politik i 1968 Abaz Murtezani i cili me veprimtarinë e tij kombëtare nuk ka pushuar së vepruari edhe pas daljes nga burgu, ngase në Evropën Perëndimore ka qenë në Lëvizjen e Kombit Shqiptar dhe njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës e shumë veprimtarëve të dalluar të çështjes kombëtare.

Por, Minah Zendeli i cili jeton me bashkëshorten e tij zonjën Alije Qatipi, në një kasolle të ndërtuar më 1997, me mjeshtërinë e tij të rrallë ku me drunj gështenjash e ahu, të mbuluar me najlon, ku kishte të rregulluar dy dhoma për ndejë dhe fjetje si dhe hapësirë ku përgatisnin ushqimin, edhe pse kjo kasolle është sinonim i mikpritjes së Minah Zendelit i cili rrëfen se shpeshherë pret vizitorë të ndryshëm ndërsa ekip i parë i gazetarëve na thotë se jemi ne të “FAKTI”-it e të TVM-së programi i 3 zonjusha Imrane Bakiu, e me bujarinë e vetë i gostit ashtu siç e do zakoni në malësi dhe na lutet që t’i përcjellim këto mesazhe opinionit të gjerë civilizues se; mua deri më sot nga zyrtarët shtetëror askush nuk më ka ndihmuar si dhe nga shoqatat e ndryshme humanitare në përjashtim të “ELIHILALI”it, dhe se kërkoj që të ndihmojnë në shtruarjen respektivisht asfaltimin e rrugës që është e hapur prej Odri deri këtu, dhe kap gjatësinë prej 6,5 km, rryma ka largësi ajrore mbi 1 km. Ku duhet të instalohen 76 shtylla për korrentin, të rindërtohet xhamia, shkolla periferike, ambulanca e shëndetësisë dhe elementet e tjera të infrastrukturës. Sipas Minah Zendelit, jeta në këtë fshat i përmbushë të gjitha kushtet për jetë normale ngase ka pasuri natyrore si kullota, drunj, livadhe ku kultivohen të gjitha rendimentet e bujqësisë dhe pemëtarisë, kushte solide për bletari e të mos flasim për blegtori që njihet edhe nga opinioni ngase ka pasur blegtorë të zëshëm të familjeve Fejza, Rrahmanit dhe Iljazit ngase kopetë e dhenve i kanë dërguar në kohën e dimrit në Selanik e do vende të largëta në Turqinë e sotme. Falënderon trupat franceze të TFF-së që e kanë vizituar dhe janë habitur sipas Minah Zendelit përse askush ende nuk e ndihmon dhe se ka marrë premtime se do t’i ndihmohet për kushtet themelore si për ta ngritur kasollen në shtëpi, por banori i cili thotë se ka shkuar me qëllim të caktuar që t’i motivojë e t’u japë sinjale se në Parcë ka njerëz dhe se një ditë do të kthehen se ndryshe do t’i mallkojnë të parët, ngase dikush duhet të përkujdeset për varret e të parëve. Falënderim publik dhe u është mirënjohës banorëve të Nerashtës, të cilët që kur është vendosur në këtë fshat malor, janë përkujdesur tej mase duke i ofruar ndihma konkrete si me pajisje të ndryshme e produkte ushqimore.

Gëzon fakti se gjallëria e banorëve edhe pse të shpërngulur e vizitojnë këtë lokalitet të harruar e të lënë pas dore nga qytetërimi i shekullit XXI. Këtu jeta ka trajtën e rregullt edhe pse me dy të vetmit banorë dhe ndonjë tjetri që shkon në piknik. Malësisë së Sharrit nga ky fshat pa banorë, një ditë do t’i kthehen malësorët, o do zhduket nga faqja e dheut. Para se të ndaheshim nga ky fshat malësie që në vete ruan të kaluarën nga periudha antike e deri më sot Axha Minah Zendeli dhe bashkëshortja e tij Alije Qatipi na falënderuan me një mesazh për opinion dhe atë:” faleminderit shumë gazetës që është përkujdesur për ne, ngase deri më sot asnjë mjet informimi qofshin ato të shkruara apo elektronike nuk na kanë vizituar. Besoj se hallet tona do t’i kuptojë opinioni i gjerë dhe sado pak do të na ndihmohet. Ndërsa gazetës i falënderohem në emër të të gjithë ish-banorëve të fshatit Parcë.” Ndërkaq ne si ekip urojmë që dashtë Zoti që një ditë ky fshat të fillojë e të frymojë me ndërtimin e rrugës, e të të gjitha segmenteve jetike ku gjallëria me njerëz, me fëmijët që do lozin, e sërish të jehojë kënga e fyellit të barinjve, të ushtojnë dajret e dasmave, të dëgjohet si dikur curlja dhe tupani me vallet tona të lashta malësorçe bashkë me krismat lajmëtare të jetës në Malësinë e Sharrit Plak e legjendar.

Publikuar: 24.01.2011 | 21:55
Lexuar: 943 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime