Nëse meshkujt udhëheqës nuk po i zgjidhin problemet që u parashtrohen, në mënyrën e duhur; nëse ata nuk po u kushtojnë rëndësi interesave parësore të komunitetit, atëherë femrat duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre.

Aktorja 64-vjeçare, aktiviste e njohur, së fundmi është duke drejtuar fushatën amerikane Got milk, që nxit adoleshentët të pinë të paktën tre gota qumësht në ditë, për shkak të vlerave të larta proteinike të këtij produkti. Si personazhi i njohur i ekranit, ajo ka lënë mustaqe (në foto; mustaqe qumështi), duke u thënë prindërve amerikanë se çfarë rëndësie të dorës së parë ka qumështi për fëmijët e tyre. Në një interviste për parade.com, aktorja ka folur edhe për rolin e saj si Ambasadore e Vullnetit të Mirë të UNICEF dhe se si ajo mendon të frymëzojë fëmijët përmes punës së saj. Sarandon është shprehur se kjo përgjegjësi që ka marrë përsipër, e ka bërë atë të ndjehet një person më i mirë për botën. Ka qenë me të vërtetë një eksperiencë që më ka hapur sytë. Arsyeja se përse dërgohen në mbarë botën persona të famshëm, është që sapo të ktheheni mbrapsht, ju të pyeteni dhe të flisni rreth asaj që keni parë në atë vend. Jam shumë mirënjohëse për këtë mundësi që më është dhënë, pasi nuk të jepet çdo ditë shansi që të shkosh nëpër shtëpitë ose kasollet e miliona personave që kanë nevoja të ndryshme sot në botë, ti dëgjosh ata të flasin për hallet e tyre dhe të shohësh nga afër mjerimin që i ka lidhur këmbëkryq. Kjo është një gjë që shumica e njerëzve e kanë parë vetëm në televizion ose thjesht e kanë lexuar nëpër libra, tha Susan Sarandon.
Aktiviste në Hollywood
Sarandon shpreson se i biri, Jack, i cili studion në degën e Filmit dhe që diplomohet këtë vit, do ti bashkohet asaj në fushatën që ndërmerr me UNICEF. Një nga gjërat më të vështira që ti konstaton kur je në këto vende, është fakti se sa vetëm ndjehesh ndërsa je kaq i përfshirë emocionalisht, kështu që nëse do të kisha një nga dy fëmijët e mi me vete, kjo do të ishte një mundësi shumë e mirë edhe për edukimin e tij në këtë aspekt, shton më tej aktorja. Kështu, mësimet e saj do të jenë leksione të vlefshme edhe për fëmijët. Nuk do ti shtyja dot kurrë fëmijët e mi të bënin diçka që unë personalisht do të dëshiroja për ta. Mendoj se ata duhet ta gjejnë vetë rrugën e tyre në jetë, tregon ajo. Ndërkaq, Sarandon nuk ka qenë dot e pranishme në debutimin kryesor të së bijës, aktores Eva Amurri.
Si do të ishte bota, në sytë e udhëheqëses Susan Sarandon
Bota do të ishte shumë më ndryshe nëse çdo grua do të kishte drejtimin në dorë. E këtij mendimi është aktorja, e cila argumenton se femrat, në ndryshim nga meshkujt, janë natyralisht më të interesuara në drejtim të disa interesave bazike njerëzore. Megjithatë, kjo nuk është e prerë me thikë, pasi unë jam zhgënjyer shumë shpesh nga femra me pozitë, kështu që kjo që them unë nuk është një garanci, komenton më tej nëna e dy fëmijëve. Kjo është arsyeja, sipas saj, që femrat nuk duhet të votojnë domosdoshmërish për çdo grua që merr pjesë në zgjedhjet elektorale. Pra, varet nga karakteristikat që ka secila prej tyre. Gjithsesi, mendoj se femrat janë shumë më të zonjat sesa meshkujt në disa drejtime, për shkak se atyre u është dashur gjithmonë të luftojnë për të arritur diçka dhe për më tepër, janë më pak egoiste sesa seksi i fortë. Apeli i saj është ky: Nëse këta burra, djemtë tanë, nuk po i zgjidhin problemet që u parashtrohen, në mënyrën e duhur; nëse ata nuk po u kushtojnë rëndësi interesave parësore të komunitetit, atëherë femrat duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre për mënyrën sesi i kanë rritur bijtë e tyre!
Kush është Susan Sarandon
Susan Sarandon, më e madhja ndër 9 fëmijët e familjes, ka lindur në New York më 4 tetor 1946. I ati i saj, Phillip Leslie Tomalin, ishte një producent në tv, njëherazi edhe këngëtar që performonte në klube nate. Sarandon u shkollua në Universitetin Katolik të Amerikës, nga viti 1964-1968, ku u diplomua për Aktrim. Karriera e saj kinematografike nisi në vitin 1969, me filma si Fleur bleue, Lady Liberty etj. Shfaqja e saj më e diskutuar ka qenë ajo në filmin The hunger, 1983, ku ajo kishte një skenë lesbizmi me aktoren Catherine Denevue. Më pas, filmi The witches of eastwick, 1987, ku interpreton edhe Jack Nicholson, e renditi atë mes aktoreve më të mirë. Ka qenë e nominuar pesë herë për çmimet Academy Awards, për Aktoren më të Mirë. Mbahet mend me rolin e spikatur te Thelma & Louise. Ka interpretuar edhe në komedi, si në Friends, Malcolm in the Middle etj., si dhe ka dhënë kontributin e saj në filma dokumentarë. Në vitin 2007 realizoi me të bijën, aktoren Eva Amurri, filmin Middle of nowhere. U martua në vitin 1964 me një student të quajtur Chris Sarandon, nga i cili u nda në vitin 1979. Asokohe, në një intervistë në revistën Cosmopolitan, Sarandon deklaroi se nuk besonte më te martesa dhe në fakt, nuk u lidh më në martesë. Nga marrëdhënia me drejtorin e prodhimit të filmave Franco Amurri, lindi e bija Eva Amurri, ndërsa nga romanca me aktorin Tim Robbins, ajo ka dy djemtë Jack Henry dhe Miles Guthrie. Në vitin 2006, aktorja është nderuar me çmimin Action Against Hunger Humanitarian Award dhe u shpall Ambasadore e Urdhrit të Mirë nga UNICEF. Në politikë, ajo është përkrahëse e bindjeve të majta liberale dhe është shprehur hapur kundër luftës në Irak.