Këto zhvillime nuk janë politizuar shumë brenda vendit, duke reflektuar një lloj uniteti mes poleve të politikës kosovare, por edhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Gjithsesi, imazhi i Kosovës jashtë vendit ka rënë nën çdo nivel, duke krijuar një re të zezë mbi shtetin, edhe ashtu të konsideruar si vrimë e zezë në rajon, për shkak të ngecjeve në proceset integruese evropiane.
Drilon Zogaj
Dëmi që i është shkaktuar Kosovës në arenën ndërkombëtare në dy muajt e fundit, vështirë se do të restaurohet për një kohë të gjatë. Akuzat e rënda kundër liderëve politikë e institucionalë të Kosovës, gjatë kësaj kohe, janë publikuar në disa media prestigjioze ndërkombëtare dhe kanë qenë pjesa e debateve në institucione të rëndësishme evropiane.
Këto zhvillime nuk janë politizuar shumë brenda vendit, duke reflektuar një lloj uniteti mes poleve të politikës kosovare, por edhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Gjithsesi, imazhi i Kosovës jashtë vendit ka rënë nën çdo nivel, duke krijuar një re të zezë mbi shtetin, edhe ashtu të konsideruar si vrimë e zezë në rajon, për shkak të ngecjeve në proceset integruese evropiane.
Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës e konsiderojnë të orkestruar fushatën kundër Kosovës që po zhvillohet tash e sa muaj.
Blerand Stavileci, ministër në Qeverinë në largim, ka thënë se ngjarjet e fundit janë sulme të pareshtura e të orkestruara nga kuzhinat e armiqve të Kosovës, me qëllim të vetëm dëmtimin e imazhit të shtetit.
Sipas tij, ato që janë thënë në disa media, por edhe në raporte të caktuara, janë akuza pa kurrfarë faktesh e argumentesh, të ricikluara nga qarqe të cilët janë kundër progresit në Kosovë.
Stavileci mendon se është koha që Kosova të veprojë me unitet të plotë për tiu kundërpërgjigjur këtyre shpifjeve. Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë së bashku me shoqërinë civile duhet të jenë unik dhe pavarësisht se më çfarë modalitetesh do të mund të manifestohej, është e domosdoshme që akuzat e fundit të marrin përgjigjen e duhur dhe të dëshmohet realiteti në vendin tonë, ka thënë Stavileci.
Përveç raportit të eurodeputetit zviceran Dick Marty, gjatë kësaj periudhe në disa artikuj të botuar në mediet evropiane, si: The Guardian, Le Monde, The Economist, The Telegraph, Kosova është përshkruar si një shtet i krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke inkriminuar elitën e saj politike në lloj-lloj veprimesh kriminale.
Kjo pasqyrë e krijuar për Kosovën, sipas analistëve politikë, i ngjan një fushate mediale kundër shtetit më të ri në Evropë, me qëllim të dëmtimit të imazhit të saj.
Pa dashur të paragjykoj rreth akuzave të publikuara gjatë kësaj periudhe, analisti Imer Mushkolaj ka thënë se shfaqja e tyre me këtë intensitet dhe në këtë kohë, tingëllon si një lloj presioni që i bëhet politikës kosovare, në prag të bisedimeve me Serbinë me qëllim të arritjes së ndonjë lëshimi gjatë tyre.
Gjithsesi, sipas tij, tërë kjo fushatë dëmton rëndë imazhin Kosovës në sytë e qytetarëve të vendeve të BE-së. Qytetarët e BE-së nuk do të interesohen se çfarë do të ndodhë me akuzat e ngritura nëpërmjet medieve kundër Kosovës, a do të faktohet apo hidhen poshtë. Ata do të krijojnë idenë se Kosova është një vend ku sundon krimi dhe kjo do të dëmtojë dukshëm imazhin e Kosovës në sytë e tyre, ka thënë Mushkolaj.
Ndërsa, për përmbajtjen e akuzave të ngritura, ai thotë se të gjitha ato që janë thënë kohët e fundit nuk sjellin asgjë të re. Ato më shumë janë një lloj përmbledhje e gjërave që janë thënë tash e sa kohë, të riaktualizuara në një kohë të caktuar, ka thënë ai.
Duke iu referuar dështimit të fushatës së mëhershme të Qeverisë së Kosovës me sloganin Kosova, The Young Europeans, Mushkolaj ka thënë se tani është e nevojshme një fushatë e re, e mirëfilltë, lobuese për përmirësimin e imazhit të Kosovës në botë.