Në zgjedhjet parlamentare, që janë në përfundim e sipër, nuk mora shumë vota, por nuk dola keq me mësime.
Petrit Selimi
Në mbrëmjen e 12 dhjetorit, festa filloi më herët se çduhej. Gota e parë e shampanjës u pi që në orën 9.
Sapo përfunduan votat, filluan me dhjetëra telefonata nga miq, komisionerë, vëzhgues që raportonin numrat e votave, siç numëroheshin në vendvotime. Partia Demokratike e Kosovës dihej që më herët që do të fitojë.
Exit polli krejtësisht korrekt i KFOS dhe Gani Bobi, i nxjerrë nga 2000 respondentë/votues, e shpalli PDK-në fituese me 31%. Të dhënat nga terreni flisnin për të njëjtën gjë, dalje e mirë e votuesve dhe rregull në vendvotime. Programet speciale televizive ishin të mbushura me lajme për llambat e gishtërinjve që nuk punonin, por kjo nuk do ta rrezikonte procesin e tërësishëm.
Eh, tani tju rrëfej për vete: i kisha rreth 6,500 vota sagllamë dhe ku me ditë sa në shumë komuna ku nuk kisha ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë me zyrtarë. E vetmja brengë që më sillej prapa veshit që në fillim të mbrëmjes ishte numri absurd i votuesve në Skenderaj prej 94%. E dija që kjo do të dilte problem, por tashmë në gotën e tretë a të katërt të verës me balontha intoksikues, situata me Skenderaj u bë objekt shpotitjeje në qytet (kish dal edhe Shaban Polluzha me familje me votu) gabim (pak i turpshëm) që mund të ndreqet. Disi. Nesër.
Por, të nesërmen askush nuk dinte se sa vota i ka. Kandidatët në Facebook mecojones (lexuese - ma falni këtë herë shovinizmin) dolën me numra të saktë të votave të fituara. (unë vetë kisha dalë krejtësisht nga Facebooku para fushatës, merrte shumë kohë dhe dyshoja që votuesit e mi i gjej aty)
Nga Suhareka më thirrnin më shpesh dhe, të jem i sinqertë, më saktë. Megjithatë, në xhepin imagjinar kisha edhe goxha do vota në rajone tjera, por ja që tashmë, një ditë pas votimit, u bë e pamundur që të merret vesh se kush sa, ku dhe qysh ka fituar.
Nuk dihej se çka është thashetheme e çka fakt.
Fitorja e pastër e PDKsë, mandat i padyshueshëm i popullit të Kosovës që doli në masë prej 65% (kjo do të dihet tek pas regjistrimit të popullsisë), humbi vizëllimën shumë shpejt, e pak ditë më vonë u mjegullua e tëra në atmosferën helmuese post-Dick Marty, dëshmive të ambasadorëve për manipulime në një zonë dhe vendimit pasues të KQZsë se në dy bastione partiake pat hile.
Numri i madh i kandidatëve të pakënaqur në secilën parti, secili me një rrjet miqsh në media (disa prej tyre edhe pronarë mediash) filluan të kukasin. Ishte e qartë që jo të gjithë kanë arsye të ankohen, se jo të gjithë kanë mundur të fitojnë, por situata e krijuar ishte perfekte që faji për humbje ti gjuhet partisë. Shumë oponentë të PDKsë, jo pa schadenfreude të theksuar, përdorën situatën për delegjitimim të tërë procesit. Ulrike Lunacek, fanse e madhe e jona vitet e fundit, bëri gabimin kardinal që bëjnë miqtë tanë. I marrin sendet personalisht. Rrjedhimisht dëshpërohen.
Më thanë para ca dite në parti se numri total i votave të mija është 2000.
Befasisht, nuk u dëshpërova fare. Shumë ditë pas zgjedhjeve, kuptova se kalkulimi im që me 7000-8000 vota bëhet njëri deputet, ishte thellësisht i gabuar dhe se nuk i kam as përafërt numrin e votave të raportuara nga terreni. Nevojiteshin së paku 10,000 shpirtra që do ta japin votën, që të kesh të drejtën të flasësh në emër të tyre.
Bllaca, Gilanca, Grejkoci, Mushtishti, vetë Suhareka e bile edhe Budakova e vogël e bjeshkëve votuan masivisht për mua, duke më bërë një nga kandidatët më të votuar në rajonin e Suharekës. Mu kjo mini-fitorja e PDKsë në Suharekë, e dizejnuar nga (tashmë) deputetët Enver Hoxhaj dhe Ramë Vataj, e pakontestuar nga askush, por dramatike për nga reperkusionet e mundshme në votimet e ardhshme lokale, më dha mjaftueshëm kurajo që të shoh përtej mungesës së votave në pjesë tjera, ku zaten, nuk kam bërë fushatë merituese.
Inati pak më kapi kur në shumë komuna më dolën zero vota. Asnjë e vetme, përfshi edhe Skenderajn ku më 12 dhjetor, nga 95% votues, i kisha zero vota. Pas rivotimit, me 3 ditë fushatë në të cilën nuk u angazhova hiç sepse e kisha të qartë humbjen, me dalje më të vogël të 65% të votuesve, më befasuan për të mirë 110 drenicalinj që kishin votuar për numrin tim.
Edhe vetë fushata kryesore ishte tmerrësisht e shkurtër, për ne kandidatët krejtësisht të rinj, jo veç në parti, por edhe politikë elektorale.
Në ditën e nëntë dhe të fundit të fushatës, mu thye zemra në dysh, sepse realisht jam kënaq me këtë pjesë të politikës.
Oh, po kishte bërryla dhe ndërskamca, por jo diçka shokuese për njërin që ka vendos të hyjë në politikë. Homo homini lupus est është rregull që prek më shume sojin e politikanëve, si në Kosovë, ashtu edhe në Amerikë, Francë a kojshillak.
Mos të keqkuptohemi, edhe unë jam njëri nga lluzerat elektoralë që e konsiderojnë vetën winner moral. Dhe sjanë veç fjalë vetë-ngushëllimi këto. Momentet e mira shumëfish i tejkalonin të këqijat!
Kam njoftuar shumë njerëz të mirë në fushatë. Kam fituar numër të madh të votave te rajoni i gjyshit tim.
Ka pasur momente që njeriu i ndjen ose brenda një stadiumi gjatë një loje dramatike futbolli, ose gjatë koncerteve spektakulare. E dini, kur të gjitha qimet e trupit të ngjiten përpjetë? Kur ndihesh një me një komunitet më të gjerë njerëzish, si kur të mban fjalim të zjarrtë me citate të Riza Bllacës para 4000 adhuruesve pleq e të rinj apo kur të përpin secilën fjalë në orë të vonshme të natës në odën e Sait Kicajt të Grejkocit. Tek ai kam parë qetësi të shpirtit, kthjelltësi të mendimit dhe vokabular të shprehjeve, të cilën kam dëgjuar, apo të shprehemi më saktë, përjetuar veç gjatë ligjëratave të profesorëve iluminues që dëgjon njeriu vetëm ca herë në jetë.
Ndoshta mësimin më të madh e kam marrë nga daja Xhemajl. Ishte pak pa qejf ato ditët e ftohta të fushatës dhe tha se i kishte rënë pishman që ka punuar aq gjatë pa ndërprerë. Puno gjatë të tërë tetëdhjetave në Ballkan, nganjëherë edhe nga tri ndërrime të njëpasnjëshme pa kompensim, veç mos ta ndalim prodhimin se gjynah. Puno gjatë të nëntëdhjetave me një autobus që mbante linjë për Ulqin. Puno tokën tërë kohën, bile edhe sot. Puno verë dhe puno dimër.
Në Ballkan janë sjellë brutalisht me punëtorët dhe privatizimi ska sjellë send pos poshtërimit të punëtorëve. Për çka pra, tërë ajo punë dhe shkatërrim i shëndetit? Mos po ta di kush sot? Në Gjermani është ndryshe tha një mesdite pa rrymë në fshat.
Xhemajli e kishte gabim. Nuk kisha asnjë dëshmi të prekshme që e ka gabim, që ia vlen edhe sot të punosh (tek e fundit edhe vetë jam mëkatari që kërkon sa më shumë benefite për sa më pak punë), por e dija që e ka gabim. Pyetja është se cili është modeli i prindit, shokut, kryefamiljarit, liderit që dëshiron tia lësh si trashëgimi fëmijëve, e modeli i tij i punës më dukej më i afërt me Gjermaninë se kolltukllëku i neo-otomanëve dembelë që projektohet sot si model suksesi.
Ndoshta këto epifani që përjetoja janë minore, të paarsyeshme për botim, por ja që së paku dy mijë votuesve të sigurt që i kam pas, u kam mbet borxh një fjalë a dy. Kam bërë edhe unë shumë premtime në zeitgeist të zgjedhjeve, por të gjitha do të reduktohen në një mini-konkludim, se në zgjedhje, si në jetë, na duhet më shumë punë. Për më pak fjalë nuk mund të premtoj.