E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Xhevahiri shkollën fillore e kreu me sukses të shkëlqyer, prandaj mësuesi i sugjeroi Molla Vejselit që djalin ta dërgojë në shkollim të mëtutjeshëm, sepse djalin e kishte intelegjent dhe të talentuar. I sugjeroi ta regjistrojë në MEDRESENË E MADHE, të Mbretërisë Jugosllave në Shkup. Kështuqë, Molla Vejseli e regjistroi Xhevahirin në këtë shkollë.
Profil / Prof.dr. Xhevahir Shaqiri-1923-2007








Ismet J. Krosi

Xhevahir Shaqiri, lindi në fillim të shekullit XX, kur Tetova me rrethinë ishte nën sundimin e Mbretërisë Jugosllave në kilometrin e 17 të rrugës Tetovë-Jazhincë, në fushën e begatë të Pollogut, ku shtrihet fshati Nerasht. Aty me 23.04.1923 u lind djali i pare i Molla Vejsel Shaqirit, i cili ishte njeri me virtyte të larta morale dhe patriotike, i nderuar në fshatin e tij dhe më gjerë. Ai, ishte edhe hoxha i fshatit dhe bujk i vyer. Kur i lindi djali i parë (Xhevahiri), ai ndodhej në arë si argat, duke punuar i erdhi lajmi se i ka lindur djalë. Pronari i arës ku punonte atë ditë i thotë: “Për hajër djali Molla Vejsel, paska lindur edhe një argat...”.

Këto fjalë e prekin në sedër dhe u betua se djalin do ta shkollon. Si u betua ashtu edhe veproi. Djalin e regjistroi në shkollën pesëvjeçare në fshatin e lindjes. Në atë kohë mësohej në gjuhen serbe, gjegjësisht që në vitin e parë mësohej vetëm gjuha serbe që nxënësit ta përvetësojnë mirë këtë gjuhë e mëpastaj mësonin lëndët tjera. Duhet të kemi parasysh për këtë kohë sepse shumë pak fëmijë e ndiqnin shkollën për shkak të prapambeturisë së madhe të popullatës dhe varfërisë së skajshme që mbretëronte në atë periudhë.

Xhevahiri shkollën fillore e kreu me sukses të shkëlqyer, prandaj mësuesi i sugjeroi Molla Vejselit që djalin ta dërgojë në shkollim të mëtutjeshëm, sepse djalin e kishte intelegjent dhe të talentuar. I sugjeroi ta regjistrojë në MEDRESENË E MADHE, të Mbretërisë Jugosllave në Shkup. Kështuqë, Molla Vejseli e regjistroi Xhevahirin në këtë shkollë. Kur e kuptoi fshati se hoxha po e dërgon djalin në shkollë, filluan reagimet të llojit se, do të bëhet i pa fe ose do të bëhet shka, etj. Mirëpo, Molla Vejseli, thoshte se, më mirë të bëhet shka me shkollë e pa kësulë, se sa ANALFABET e me kësulë.

Xhevahiri i vogël sa s’fluturonte nga gëzimi, ai ishte bursist i Bashkësisë Islame të Tetovës, do të thotë se, shkollimin e kishte falas.

Në vitin 1936, bëhet nxënës i Medresesë në Shkup. Atje shkon bashkë me kushëririn e tij Hisni Abdullaun nga fshati Sllatinë e Tetovës. Që të dy shpejt u adaptuan në këtë shkollë. Nga bisedat që tregonte nga ajo kohë thoshte se, kjo periudhë e shkollimit të tij ka qenë shumë e rëndësishme sepse ai u formua si intelektual, përvetësoi disa gjuhë të huaja, disiplina dhe edukata që mori në Medrese, atë e kaliti me plot kuptimin e fjalës dhe e bëri që akoma më shumë ta kupton rëndësinë e shkollimit.

Medreseja e Madhe ishte shkollë 6 vjeçare dhe trajtohej si shkollë e mesme. Aty mësoheshin këto lëndë: Mësimi fetar, gjuha serbe, gjuha frënge, gjuha gjermane, gjuha latine, gjuha arabe, gjuha turke, histori, gjeografi, dituri natyrë, fizikë, matematikë, tradita islame, fillet e filozofisë, bukurshkrim, gjimnastikë, muzikë, vizatim, punëdore etj. Ditë pushimi ishte dita e premte. Kishte konvikt me ushqim, veshje. Mirëpo, në vitin 1941, kur u bë klasa e gjashtë plasi Lufta e Dytë Botërore, Mbretëria kapitulloi, edhe kjo shkollë u mbyll, kështuqë u detyruan ta braktisin Shkupin dhe ia mësyjnë në Shqipëri, sepse Bullgari donte t’i mobilizojë në ushtri.

Atje u ndihmon shumë patrioti dhe atdhetari i shquar nga fshati Gajre Shaip Kamberi. Nga Shqipëria shkon në Prishtinë për ta vazhduar klasën e 7 dhe 8 në Gjimnazin “Sami Frashëri”. Në vitin shkollor 1943-44, përfundoi me sukses të shkëlqyer gjimnazin dhe kthehet në vendlindje ku emërohet mësues në shkollën “Liria” në Tetovë.
Xhevahir Shaqiri, në vitin 1936, bëhet nxënës i Medresesë në Shkup

Meqë Tetova ishte nën administrimin e Shqipërisë, Ministria e Arsimit e Shqipërisë, me një dekret të posaçëm emëron mësues dhe i shpërndan në tërë territorin e Tetovës. Kjo periudhë do të jetë lulëzimi i shkollimit të shqiptarëve të Maqedonisë, sepse për herë të parë hapen shkollat shqipe në tërë territorin e Tetovës me fshatrat për rreth. Kështu mësuesi i ri nga Tetova, Xhevahir Shaqiri u njoh me disa prej tyre dhe bashkë me ta e fillojnë “luftën” kundër analfabetizmit, duke punuar me nxënësit e rregullt para dite, pas dite me kursistët dhe natën me të rriturit. Frymëzuesit e tij ishin Jonuz Balla dhe Mahmut Dumani që të dy nga Elbasani.

Përveç punës arsimore e edukative, ai bashkë me shokët e tij u bë anëtar i NDSH (Nacional Demokratike Shqiptare), një organizatë atdhetare e cila luftonte për bashkimin e trojeve shqiptare. Mirëpo, aktiviteti ilegal i saj u zbulua dhe në gusht të vitit 1946 u burgosën si; Jonuz Balla, Mahmut Dumani, Xhevahir Shaqiri e shoket tjerë të NDSH. Më 24 mars 1947 në Tetovë zhvillohet Gjyqi Ushtarak i Divizionit dhe grupin prej 7 anëtarësh i dënoi me burgim të rëndë dhe kufizim të të drejtave qytetare dhe lirinë . Xhevahir Shaqiri u dënua me 3 vjet burg dhe dy vjet humbje të drejtave qytetare dhe politike.

Në atë kohë aktin e gjykimit e kanë përcjellë rinia shqiptare, veçanërisht nxënësit e gjimnazit të Tetovës, siç rrëfen zotëri Halil Rufati si sot më kujtohet kur policia sllave e dërgonte në gjyq Xhevahirin me pranga në duar e, ai, qëndronte burrërisht kokëlartë, krenar dhe i pamposhtur. Qerpiku s’i dridhej fare! Dhe ne të rinjtë mburreshim se ka djem shqiptarë që i dalin zot vatanit.
Kur doli nga burgu menjëherë e dërgojnë në ushtri. Si i dënuar politik me një dosje si “terrorist, nacionalist kundër sistemit komunist Jugosllav”. Ushtria ishte burgu akoma më i rëndë se i pari, sepse kazerma ushtarake ku ai shërbeu ishte si kamp përqendrimi sepse aty i dërgonin zakonisht të burgosurit politik.

Pasi u kthye nga Zagrebi, nga shërbimi ushtarak, i shkatërruar fizikisht, por i kalitur me moral akoma më të lartë. Pas shumë peripecive administrative e burokratike dhe biografinë që kishte, më në fund emërohet mësues në shkollën fillore “Liria” në Shkup.
Aty për shkak të mungesës së kuadrit jep disa lëndë. Krahas punës si mësues regjistrohet në fakultetin filozofik dega e gjuhës frënge, të cilin e kreu me sukses. Aty punoi prej vitit 1949 deri më 1958, me përkushtim dhe vullnet të lartë për arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj. Bën propagandë për përfshirjen e sa më shumë nxënësve e nxënëseve shqiptarë. Me punën e tij të palodhur si pedagog dhe koleg në këtë shkollë për kontributin që dha në arsimimin dhe edukimin e shumë gjeneratave u shpërblye me mirënjohje. Pas kësaj ai emërohet profesor i gjuhës frënge në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë.

Tani fillon beteja akoma më e madhe për profesorin e ri, sepse popullata shqiptare akoma në prapambeturi të skajshme, nuk i dërgonte fëmijët e vet të vazhdojnë shkollimin e mesëm. Ky ishte edhe synimi i tij, që të bind sa më shumë prind që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në këtë shkollë. Kështuqë nga një paralele në gjuhën shqipe dhe 5 maqedone, çdo vit shtoheshin nga 2 e më tepër paralele me mësim në gjuhen shqipe. Me angazhimin e palodhur me kolegët, drejtorin dhe me Komunën, arriti ta rris numrin e paraleleve. Sukses më të madh ai e konsideronte përfshirjen e femrave në këtë shkollë. Falë këmbënguljes së tij dhe autoritetit që kishte në kolektiv dhe në popull, gjimnazi i Tetovës në atë kohë u bë çerdhe e shkollimit të djemve e vajzave nga të gjitha qytetet e fshatrat të banuara me shqiptarë në Maqedoni. Ai në këtë gjimnaz emërohet tre mandate zëvendës drejtor dhe ka qenë si këshilltar komunal, por pasi bie Rankoviqi, aty mbetet deri në vitin 1972.

Për punën e pa lodhur dhe suksesin e lartë që tregoi në këtë gjimnaz u shpërblye me mirënjohje dhe me shpërblim me të holla. Më pastaj braktis Tetovën sepse emërohet ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetit të Prishtinës. Aty mbetet deri në pension.
Pasioni i tij për punë dhe arsimimin e brezave të rinj edhe këtu nuk u ndal, ai ishte urë lidhëse me studentët shqiptarë nga Maqedonia, të cilëve u ndihmonte në forma të ndryshme që të regjistrohen dhe të vazhdojnë studimet me sukses. Shumë gjenerata kanë kaluar nëpër duart e tij dhe gjithmonë thoshte këto janë shpresa jonë sepse vetëm shkollimi do të na shpie drejt emancipimit dhe bashkimit.

Në vitin 1989 kur Kosova u okupua nga Millosheviqi, filluan ndjekjet dhe persekutimet në baza nacionale, bëheshin diferencimet e intelektualëve, burgoseshin i nxjerrin nga puna edhe profesorin nuk e kurseu ky diferencim dhe nxorën para kohe në pension. Ai në vitin 1981, kur u bën demonstratat e mëdha studentore, i përkrahu, edhe pse në moshë, doli bashkë me studentët në demonstratë. Një koleg i tij e kap për krahu që ta ndalon t’u bashkohet studentëve në demonstratë, duke i thënë se, mund të vritej nga policia serbe. Ai ia largon dorën dhe i thotë: Si?! Pasi t`më vriten studentët e mi, ç`më duhet jeta ime.
Xhevahir Shaqiri dhe Hysni Abdullahu në shkollën normale në Prishtinë

Pas okupimit të Kosovë, shqiptarët filluan ta ngrenë zërin kundër padrejtësive që i bëheshin popullit të Kosovës, u themelua sistemi paralel në arsim, shëndetësi etj. Filloi një aparteidi i paparë nga Serbia. Burgosje, përndjekje ndaj elitës intelektuale. Nga deputetë e kuvendit të Kosovës, KOSOVA u shpall REPUBLIKE.

Tanimë, çdo përpjekje e shqiptarëve ishte drejt kërkesës se kosovarët e meritojnë Republikën e tyre si gjithë popujt tjerë të ish Jugosllavisë. Mirëpo, e gjithë kjo mohohej nga Serbia në krye me Millosheviqin. Studentët e Universitetit të Prishtinës u përzunë nga objektet e tyre dhe u detyruan të mësojnë nëpër “shkollat shtëpi”. Edhe këtu erdhi në shprehje humaniteti dhe dashuria ndaj arsimimit të të rinjve nga ana e profesor Xhevahirit dhe pa hezitim ai pranoi të ligjërojë në “shkollat shtëpi” deri në ditën e çlirimit të Kosovës.

Një tjetër fakt që tregon dashurinë e madhe që kishte për Kosovën ishte se gjatë bombardimeve të NATO-s, ai bashkë me bashkëshorten e tij nuk e braktisi Kosovën, por qëndroi deri në fund të luftës në Prishtinë.

Kur e pyetnim pse se braktise Kosovën si gjithë të tjerët, ai thoshte: “Desha ta shoh dhe ta përjetoj largimin e ushtrisë serbe nga Kosova. Kjo ka qenë lufta ime, ideali im që luftova gjithë ato vite të rinisë sime dhe jetës sime, edhe nësë vdes do të shkoj i qetë...”.
Profesor Xhevahir Shaqiri, edhe në moshë të thyer do të angazhohet në nismën e intelektualëve shqiptarë për themelimin e Universitetit të Tetovës në vitin 1993 në sallën e Komunës së Tetovës, si dhe do t’i bashkohet rinisë shqiptare edhe në protestat e organizuara para objektit të Komunës së Tetovës gjë që e dëshmon edhe kjo fotografi.

Veprimtari e prof. Xhevahirit nuk ishte e përqendruar vetëm në procesin edukativ arsimor, por ai merrej edhe me shkrime, përkthime, recensione, dhe vepra e tij më voluminoze ishte Fjalori Shqip-Frëngjisht, në të cilin punoi mbi 20 vjet. Në kohën e komunizmit e refuzuan disa herë botimin e tij, shkaku biografia e tij “irredentiste e nacionaliste” që e ndoqi tërë jetën jo vetëm atë por edhe familjen e tij. Kjo vepër pa dritën e botimit në vitin 2005, nga shtëpia botuese Tringa Desing. Përveç këtij fjalori, ai përktheu edhe veprën Emili të Zhan Zhak Rusos në gjuhën shqipe.

Ishte përkrahës fanatik ndaj emërimit të porsalindurve me emra shqip. Që ta bind popullatën se me emërimin e fëmijëve me emra arab, turk, sllav, anglez, gjerman, etj. vetëm e zhdukin identitetin shqiptar, ai botoi fjalor emrash të përkthyer dhe të komentuar në gjuhën shqipe. Ai mendonte se me këtë fjalor do të ndërgjegjësoheshin së paku” intelektualët” dhe të mendohen se çfarë kuptimi ka ai emër nga arabishtja, turqishtja në shqip e pastaj ta emërtojë fëmijën e vet.

Vitet e fundit të jetës së tij, u kthye në vendlindjen e dashur në Tetovë, ku i kaloi çastet e fundit të jetës, ku edhe ndërroi jetë më 9 Mars 2007. U varros me nderimet më të larta nga bashkëqytetarët, nxënësit dhe studentët e tij. Tani prehet i qetë në varrezat e qytetit të Tetovës.

Profesor Xhevahir Vejsel Shaqiri, ka lindur në fshatin Nerasht të Tetovës, më 23.04.1923, shkollën fillore katërvjeçare e kreu në vendlindje në gjuhën serbe, ndërsa shkollën fillore dhe të mesme e filloi në medresenë e Shkupit, por meqenëse kjo merese mbyllet, profeser Xhevahir Shaqiri shkollimin e ka vazhduar në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në vitin 1944. Ishte intelektuali i parë në rajonin prej Tetove deri në Kaçanik. Punoi mësues në Tetovë dhe shquhet për veprimtarinë e tij për arsimin shqip në këto anë, duke kontribouar për mposhtjen e analfabetizim dhe errësirës së arsimit që mbretëronte në trojet tona etnike.
Foto nga gazeta e vitit 1993

Ishte njëri ndër iniciatorët e parë për hapjen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në gjimnazin e Tetovës. Punoi 10 vjet në shkollën fillore “Liria” në Shkup. Gjatë kësaj periudhe studioi dhe diplomoi në Universitetin e Shkupit në fakultetin e gjuhës dhe letërsisë frënge. Pas diplomimit, punësohet si profesor i gjuhës frënge dhe latine në gjimnazin e Tetovës. Në vitin 1972, pranohet profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës, ku edhe punoi deri në pensionim. Gjatë kësaj kohe është marrë edhe me përkthime të literaturës frënge për nevojat e studentëve. Ka përpiluar dhe botuar librin “FJALOR EMRASH TË PËRKTHYER DHE TË KOMENTUAR NË GJUHËN SHQIPE”. Ndërsa, viteve të fundit ka botuar fjalorin “SHQIP-FRËNGJISHT”. Përveç kontributit të tij në sferën e arsimit shqip, profesor Xhevahir Shaqiri ka dhënë kontribut të madh edhe në lëvizjen e çështjes kombëtare. Në atë kohë mjaft të vështirë politike, për të vepruar, pasiqë çdo intelektualë ndiqej nga OZN-ja famëkeqe. Në Tetovë u themelua Komiteti i NDSH-së.

Në aktin e themelimit kanë marrë pjesë: Memet Bushi, Imer Balla, Hafës Hetem Tahiri, Esat Sulejmani e disa patriotë të tjerë. Anëtar i Komitetit Qëndror nga Tetova u emërua Jonuz Balla, i cili e ka anëtarësuar profesor Xhevahirin në këtë Organizatë. Profesor Xhevahiri në atë kohë ka qenë mësues i ri, por entuziazmi dhe dëshira e madhe për të kontribouar drejt çështjes kombëtare, e ka shtyrë profesorin që të ketë kontakte të pa ndërprerë me Jonuz Ballën dhe veprimtarë të tjerë. Profesor Xhevahir Shaqiri, aktivitetin e tij në NDSH e ka zhvilluar nëpër fshatrat e Tetovës për themelimin e nënkomiteteve të NDSH-së. Prandaj, duke pasur parasysh vizionin e tij në aspektin e arsimit dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare në përgjithësi, ai deklaronte: ”Mbrojtja më e mirë i një kombi, është arsimimi i një populli”.

Profesor Xhevahir Shaqiri për veprimtarinë atdhetare në Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, u dënua me tre vjet burg dhe pesë vjet heqje liri qytetare. Por, ky dënim nuk e mposhti profesorin. Ai vazhdoi me veprimtarinë e tij kombëtare. Profesor Xhevahiri edhe pse i përndjekur politikisht nuk e harroi familjen e tij. Ai arriti t’i shkollojë katër fëmijët e tij, të cilët mbaruan mjekësinë, drejtësinë dhe pedagogjinë. Prandaj, kontributi i tij vlerësohet me të madhe nga të gjithë veprimtarët e kombit, do të vlerësohet për veprat që ai ka lënë pas vetes.

Publikuar: 26.01.2011 | 09:22
Lexuar: 964 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
Drita Halili (01/02/2011 17:56:38) Me preku pa mase kur e pash artikullin e botuar nga gazeta e juaj me autorin tone shume te nderuar z.Ismet Krosin i cili me punen e palodhur ne fushen e historise se popullit shqiptar ne viset e rroberuara nga sllavet e te gjitha llojeve,ai kontribuon qe te mos harohen brezat nga koha kur jetoi dhe veproi edhe babai im Xhevahir Shaqiri,sepse jeta e tij ishte e bujshme me plot dashuri dhe energji por ne heshtje i realizoi endrat e tij per kombin,per popullin e vet sidomos ne arsimimin dhe edukimin e brezave te rinj,ju pershendes edhe nje here ju faleminderit z.Ismet ne emrin e famijes sime dhe femijes Shaqiri.Ju jam mirenjohese,me respekt Drita Halili e bija e Xhevahirit.
Albani (01/02/2011 19:30:23) Po te mos ishin patriote te tille si profesori i nderuar Xhevahir Shaqiri, populli yne akoma do te ishte ne terrin e paditurise.
Gezime Hajredini (12/02/2011 21:16:24) Vlersoj pa mase shkrimin e gazetarit I.Krosit qe ka bere nje vlersim origjinal te profesorit tim te nderuar te ndjerit XHevahir SHaqirit ,njekohesisht babait te shoqes time Drita Halilit. Edhe pse nuk jeton profesori i nderuar veprat e tij e bejne te pavdekshem ne cdo vend dhe ne cdo kohe do te ngel si udherrefyes i njerezimit te gjeneratave te ardheshme dhe si nje model i paster i atedhetarizmit .
X-Prishtine (09/03/2011 11:57:10) E qmoj pa mas shkrimin e gazetarit.Te njoha shume pak ike shume shpejt do te mbetesh gjithemon ne kujtimet e mija.Pusho i Qete.
Ekrem Shaqiri (23/03/2011 20:40:12) I faleminderoj shum gazetarit per shkrimin qe ka shkrujtur per Axhen tim te nderuar qe e kam dashur shum,dhe qe nuk ja haroni mundin qe ka dhan per poplin Shqiptar.
Mr Ramazan Shaqiri (24/03/2011 17:30:44) I nderuar z. Ismet Ju falemnderoj shume per kontributin e Juaj te cmuar qe keni bere se pari per Profesorin e Popullit e mandej per axhen tim te nderuar , te cilin ne si familje e patem frymezim, kurse une personalisht i jam mirrenjohes per gjithcka qe me mesoi , dhe me dha edukimin kombetare.
Nga kjo familje e tij dolem edhe ne si gjenerate te reja por vazhdimisht te perndjekur politikisht; Une Ramazan Shaqiri ( Magjister i Diplomacise i burgosur politik v 1982, Blerim Shaqiri i burgosur politik v 1982, Flamur Shaqiri i burgosur politik v 2001, Islam Shaqiri i burgosur politik v. 2001.
Edhe nje here Ju jam mirrenjohes qe patriotet dhe dijetaret e kombit nuk harrohen por kujtohen gjithmone me pietet dhe krenari kombetare.
PUSHO I QETE XHAXHAU IM I MADH DHE AMANETI JOT DO TE SHKON NE VEND ME ZOTIN PARA DO TE BASHKOHET KY KOMB I PERVUAJTUR SHUME SHPEJT
Enver Asani (26/03/2011 00:51:06) Ishe mik i dashur dhe krenohem qe kam njohur keshtu njeri si ke qen ti,njeri qe e dashti familja ime e ngusht dhe e gjer.
Pusho i qet.

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime