Në kuadër të këtij takimi u bisedua për mundësinë e bashkëpunimit institucional në mes Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Universiteteve nga Republika e Italisë. Për udhëheqësinë e Universitetit tonë, bashkëpunimi me univ
Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Agron Reka, qëndroi dje për vizitë pune në Ambasadën e Republikës së Italisë në Maqedoni. Rektori, Prof. dr. Agron Reka, i shoqëruar nga dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. dr. Arbër Çeliku dhe Valdrina Fetai, Shef i Zyrës për marrëdhënie me jashtë, realizoi një takim pune me Z.Fabio Kristiani, Ambasador i Republikës së Italisë në vendin tonë.
Në kuadër të këtij takimi u bisedua për mundësinë e bashkëpunimit institucional në mes Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Universiteteve nga Republika e Italisë.
Për udhëheqësinë e Universitetit tonë, bashkëpunimi me universitetet ndërkombëtare, përfshirë edhe universitetet nga vendi Juaj mbetet prioritet në angazhimin tonë, theksoi Rektori, Prof.dr. Agron Reka, dhe njëkohësisht, Ambasadorin italian e njohu edhe me funksionimin e Programit studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Italiane në USHT.
Me fillimin e vitit akademik 2010/2011, respektivisht prej 07.10.2010, në Universitetin tonë ka filluar funksionimi i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Italiane.
Përkrah sukseseve të tjera që kemi arritur në kohën e fundit, në sferën e arsimit, hapja e kësaj Katedre për arsimimin e gjeneratave të reja të studentëve paraqet një hap të rëndësishëm dhe kësaj i kushtojmë vëmendje të veçantë. Jo vetëm pse do të kemi më shumë kuadro të kualifikuar në fushën e filologjisë italiane, por edhe për arsyen që ata do të kenë shanse të mëdha për punësim, duke pasur parasysh traditën e bashkëpunimit mes dy vendeve tona mike, Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Italisë, tha Rektori, Prof. dr. Agron Reka.
Ambasadori, Z.Fabio Kristiani ka falënderuar delegacionin e USHT-së për vizitën e realizuar dhe po ashtu ka premtuar angazhimin e tij në afrimin e dhe forcimin e marrëdhënieve në mes universiteteve nga Republika e Italisë dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës.