E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Fshati Radiovcë graviton në Komunën e Bërvenicës në lartësi mbidetare prej 460 m. Me 3,6 km2 të sipërfaqes së atarit, kurse me sipërfaqe të përgjithshme agrare prej 327 ha. si; 267 ha. tokë pjellore, 2 ha. kullota dhe 57 ha. kullota.
Reportazh, fshati Radiovcė (Shtrungė)




“Tokë e banuar nga 20 e më tepër gjenerata shqiptare”

Edhe fshati Radiovcë në historiografi haset prej 1308, ku autori M. Purkoviç në librin "Dokumente të regjistrimit..." ndër të tjera përmendet se ky lokalitetet i ka takuar kishës së Shën Nikitës së Rashçes së Derventit, e cila kishë është ngritur në vitet 320 deri 330 që nënkuptohet edhe përhapja e krishterimit në këto treva. ”...Nën ndikimin e perandorit romak me prejardhje ilire nga Nishi, Konstantini i Madh, bëhet legalizimi i krishterizmit dhe në vitin 325 ai e thërret një Kuvend në Nikej, ku bëhet zyrtarizimi i fesë krishtere në tërë Perandorinë e Romës.

Në këtë Kuvend përmendet peshkopi, gjegjësisht mitropoliti i Dardanisë. Derveni, duke qenë fare afër Mitropolisë, me seli në kryeqendrën e Dardanisë, pëson shumë ndryshime dhe nga botëkuptimi pagan pranojnë konfesionin e ri krishter. Sipas gjurmëve, supozoj se në kohën e Shën Niketës janë ndërtuar kisha në Raçe, kisha e Shën Niketës në fshatin e afërt të Nikishtanit, në Matkë , por, edhe në vendbanimet tjera të Dervenit si dhe në tërë rrethinën e Shkupit. Kjo është koha kur Shën Niketa shenjtërohet nga Papa i Romës, i cili duke e lëvdëruar dhe duke vënë në dukje veprën e tij madhështore me kontributin e tij të shkëlqyeshëm, që e ka dhënë për përhapjen e krishterizmit në Shkup e rrethinë, pra edhe në Derven.

Po ashtu në shekullin XV gjegjësisht më 1452/53 ku ka pasur 9 familje, 2 të pamartuar dhe 1 vejushë, më 1467/68 me 20 familje dhe 3 vejushe, më 1481/82 kanë jetuar 14 familje dhe 1 vejushë, më 1544/45 kanë jetuar 4 familje të krishterë, 2 të pamartuar si dhe për herë të parë hasen 5 familje të fesë islame, më 1568/69 kanë jetuar 3 familje të fesë islame, 2 familje të krishterë dhe 2 të pamartuar, këto janë të dhëna sipas defterëve turko-osmane, por kjo nuk do të thotë se ky fshat nuk ka ekzistuar që më herët që dëshmojnë edhe shënimet e lartshënuara. Dëshmi faktografike hasen edhe në rrafshin e patronimisë sip p.sh. Gerg /Gjergj m. Emër kalendarik me burim grek Georgios, me një përhapje shumë të theksuar te shqiptarët dhe atë në mesjetë para sundimit otoman dhe atë në formën e të të jatit dhe të të birit e hasim të dalë në këto tërthore gjeografike të Maqedonisë dhe me këto forma siç është rasti konkret 388 - NETKO B. GERGIT në fshatin Radiovcë dëshmi nga shekulli i XV-të.

Fshati ndahet në Mahallën e Epërme dhe atë të Poshtmen. Përmenden një mori vendemërtimesh si; Dragosh, Tapnec, Potoku i Zi, Tumba- vend karakteristik ku njihen si vende ku janë të vendosura varre dhe kulte besimesh nga periudha shumë të hershme, emërtimet e fushave pjellore si; Rupje, Kosovçicë, te Kisha, Prajca, Topaneci, Potoku i Zi, Trebajcë, Çeshma, Karaxhicë, Muraticë, Pllavnejcë, Andej Vardarit (që në antikë e ka pas emrin AKTIUS), ndërsa në anën e djathtë gjendet vendi i quajtur Kodra.

Ky fshat gjendet në jug 13 kilometra larg Tetovës, ka 3.6 km2 ose 267 ha. nën ara. Numëron mbi 250 shtëpi prej të cilave mbi 60% me shqiptarë dhe mbi 30% me maqedonas dhe afër 1300 banorë që nënkupton se shumica në përqindje janë shqiptarë. Në këtë fshat, që shtrihet në fushën e Pollogut të Poshtëm gjegjësisht disa kilometra afër autostradës Tetovë-Gostivar, apo atë të projektit G-8, ky fshat shtrihet në afërsi të brigjeve të Lumit Vardar.

Radiovca kufizohet me fshatrat Zherovjan, Tenovë dhe Çellopek. Si në shumë fshatrat e tjerë edhe Radiovca, ka specifikat e veta ngase ka infrastrukturë të mirë, ka Zyrën e Vendit ku janë të punësuar një shqiptar dhe një maqedonas, ka Bashkësinë vendore, shkollën territoriale “LIRIA” ku mësimin e ndjekin deri në klasën e katër e më pas vazhdojnë në fshatin fqinjë Zherovjan. Fshati ka rrjet telefonik ku duhet të shtohen numrat, ujësjellësin e kanë rregulluar në vitin 2002 me participimin e banorëve prej 20%, ndërsa tjetrën e ka siguruar shteti dhe atë prej 400 mijë eurosh që të rrumbullakohet duhen edhe 100 mijë euro për ta finalizuar. Fshati ka kapacitetin për 350 shtëpi që do të thotë se ky fshat edhe për një dekadë e ka të zgjidhur çështjen e ujit për pije dhe amvisëri, kanalizimin ku vërehet vetëm ajo pjesë ku jetojnë maqedonasit e pjesa tjetër ende është e parregulluar.

Ndriçimi publik mirëmbahet nga Komuna e Bërvenicës që nënkuptohet se tre këshilltarët komunalë prej të cilëve dy janë maqedonas dhe njëri shqiptar i koordinojnë punët me Bashkësinë Vendore e cila përbëhet nga këshilli prej pesë shqiptarëve dhe katër maqedonasve që dëshmojnë investime praktike nga ana e Komunës së Bërvenicës, rrugët e asfaltuara që në vitin 1980, ka xhami e cila është rindërtuar para tri dekadash edhe pse është shumë e lashtë, ka kishë ortodokse sllave e rindërtuar në vitin 1917 në kohën e Luftës së Parë Botërore të pushtimit të serbit të parë, dhe atë në themelet e kishës së lashtë dhe mban emrin Shën Atanasi, por në vendin e quajtur TE KISHA kuptohet se ka pasur kishë dhe një manastir të lashtë që në thellësinë e tokës mund të hasen gjurmë materiale që përkojnë me lashtësinë e pandriçuar të këtij lokaliteti, një repart privat për prodhimin e elementeve të betonit, një pompë benzine, një pulari, një fermë lopësh që e menaxhon me shumë sukses Ziber Ziberi, i cili është i njohur me kultivimin e lopëve që sot për sot ka afër 100 krerë që njëherit është edhe sinonim i bujqësisë së këtij fshati, ka tri shitore dy janë të shqiptarëve dhe një e maqedonasve, tri ëmbëltore, dy klube futbolli njëri i shqiptarëve dhe njëri i maqedonasve të gjitha këto të dhëna flasin qartë se ky fshat i ka gjasat reale për t’u zhvilluar, pasi ka pozitë të përshtatshme gjeografike dhe kushte solide për jetë.

Ismet Jonuzi-Krosi
Edhe këtë fshat plaga e rëndë e kurbetit e përfshinë me një përqindje të theksuar edhe pse banorët e këtij fshati janë të njohur si artorë dhe ëmbëltor me nam që dëshmojnë të parët që kanë punuar në Rumani dhe në ish-Jugosllavi. Me punë të përkohshme jashtë vendit gjenden thuajse çdo shtëpi ka mërgimtarë. Më të përqendruar janë në vendet e Evropës Perëndimore, të cilët gjithmonë kanë dhënë ndihmën që e ka dashur vendlindja e tyre.

Nga ky fshat mund të themi se janë të punësuar vetëm një përqindje relative simbolike. Mbi 40% e banorëve marrin ndihma sociale. Pjesa dërmuese merret me bujqësi apo mbi 80% qumështin ua blejnë qumështoret e ndryshme private. Po ashtu edhe blegtoria dikur është zhvilluar në këtë fshat ku para dy dekadash kanë pasur me qindra kokë dhensh që ende i përmendin si qahajë Ahmet Osmanin, Xhevat Ziberin, Vahit Nasufin, por për shkaqe të njohura të mungesës së ujit ky segment tradicional ngadalë sikur shuhet. Duhet shtuar se ky fshat edhe pse zyrtarisht e ka emrin RADIOVCË, por sipas gojëdhënave të banorëve thuhet se ky fshat është formuar nga “SHTRUNGAT” e dhenve dhe dhive që dikur ka pasur shumë në këtë lokalitet, prandaj edhe me të drejtë e ka emrin SHTRUNGË, dhe atë; SHTRUNGË-A f.sh-A,-AT, shteg i ngushtë afër derës së vathës, ku kalojnë dhentë e dhitë një nga një kur i mjelim; vend i rrethuar në vathë, ku futen dhentë e dhitë dhe prej nga nxirren një nga një nëpër shteg të ngushtë për t’i mjelë; VATHË. Shtrunga e vathës. Dera (gurët) e shtrungës.

Mjel dhentë (dhitë) në shtrungë. I futin dhentë në shtrungë apo shtegu që hapet për të kthyer ujin në arë , ngase gjatë sundimit otoman ky fshat ka qenë vend çifligjesh ku përmenden në historiografi se pronarë të fundit kanë qenë Emurlla-Aga nga Tetova dhe Alil-Aga e Veli-Aga nga Gostivari. Ndërkaq sipas të dhënave historike përmendet se para 200 vitesh në këtë lokalitet janë vendosur familje nga Krusheva që të parët e tyre janë marrë me zanatin e kallajxhinjve si dhe përmendet një familje e ardhur nga rrethina e Ohrit, nga rrethina e Kumanovës, ndërsa para 150 vitesh janë vendosur disa familje nga fshati i Malësisë së Sharrit pra të Lisecit, ka të ardhur nga fshatrat për rreth si të Miletinës ( Fshati Bardhë), Çellopek (fshati Ballisht), Zherovjani, Gurguricë, Sallarevë, ka të ardhur edhe nga fshati Koritë gjegjësisht nga Reka e Gostivarit si fshatrat Reç, Ribnicë, e kështu me radhë.

IOM-i në Radiovcë ka investuar gati 30 mijë dollarë amerikan.

Në kuadër të oborrit të shkollës territoriale “LIRIA” në Radiovcë, Organizata Qeveritare Amerikane IOM, ka investuar afër 30 mijë dollarë amerikan, për rregullimin e fushave sportive dhe parkut për të lozur fëmijët. Në këtë projekt ka ndihmuar dhe financuar simbolikisht edhe Bashkësia Vendore e këtij vendbanimi multietnik. Kryetar i B.Vendore–Radiovcë, përshëndet këtë investim të IOM-it, ngase ka ndihmuar shumë në rrafshin e sportit si dhe për të vegjlit. Fushat e sportit janë të mirëseardhura për nxënësit, po edhe për të rinjtë e fshatit, ngase do të ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes sportive. Parku i bukur me rekuizitat e shumta do të jetë kënaqësi e veçantë e vogëlushëve, të cilët përmes lojës do të zhvillojnë aftësitë psikofizike.

Samet Emurllai-Përgjegjës i sh. f ”LIRIA”-Radiovcë, ndër të tjera deklaron se është një ndihmesë serioze për nxënësit e kësaj shkolle si dhe për të vegjlit. IOM-mi me investimet praktike ndihmon seriozisht në realizimin e projekteve me rëndësi të posaçme në trevën tonë. Projektet e këtilla janë mirëpritur dhe përshëndetur nga mijëra njerëz e sidomos nga të vegjlit dhe të rinjtë.

Rinia e fshatit, edhe pse me përgatitje adekuate arsimore si me të mesme dhe pjesa dërmuese me arsimim të lartë, nuk janë të punësuar apo vetëm simbolikisht janë në administratën shtetërore. Sektori privat i ekonomisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është në zhvillim e sipër. Si në shumë vende të tjera edhe në arat e këtij fshati një përqindje simbolike mbeten të pa punuara që siç shprehen sa për nevojat klasike të jetës.

Bujqit kultivojnë grurë, misër, speca, patate, domate, e kështu me radhë, ngase vetëm një e treta e arave pjellore e shfrytëzojnë ujin e lumit Vardar, ndërsa pjesa tjetër ujisin tokën me pompa, edhe pse nga ky fshat rrjedh kanali prej Vardari për nevojat e bujqësisë së fshatrave që kalon deri në Jegunovcë.

Infrastruktura

Është karakteristike se ky fshat i përmbush të gjitha parametrat e një fshati me perspektivë ngase është për t'u përshëndetur se dekadën e fundit janë ndërtuar shumë shtëpi të reja edhe pse posedojnë të drejtën e ndërtimit për hapësirë urbane. Në këtë fshat nuk është evident migrimi. Rrugët janë të shtruara me asfalt prej 1980 me vetë kontributin e shtrungasve mirëmbahet e që nënkuptohet se është në shkatërrim e sipër e që kërkon sanime. Por, bujqit e këtij fshati kanë një problem të përhershëm me ujërat për ujitjen e fushave gjegjësisht tokë pjellore, kanë besim se një ditë edhe ky problem madhor do të zgjidhet në interes të bujqve, siç shprehet kryetari i Bashkësisë Vendore Satki Baftiari, se toka jonë pjellore është në mjerim ngase ujitja kryhet me motor privat të puseve të shumta nëpër fushë. Rendimentet e bollshme munden të jenë edhe më të mëdha në bujqësi sikur të zgjidhet problemi i ujit për ujitjen e tokës pjellore.

Autostrada Shkup-Tetovë-Gostivar që është e paraparë në projektin G-8, për banorët e këtij fshati është shpresëdhënëse se udhëtimi i nxënësve, studentëve dhe të punësuarve, për plasmanin e produkteve bujqësore nëpër ditët e tregjeve e kështu me radhë në Tetovë e më gjerë ndihmon pamasë. Është karakteristike se banorët e këtij fshati, Bashkësia Vendore dhe tre këshilltarët komunalë i kanë të harmonizuara qëndrimet dhe kërkesat për të mirën e vet fshatit.

Po ashtu shkollimi i mesëm është bërë i domosdoshëm që rezulton me vijimin masiv ku në të mesme shkollimi i femrës apo thënë se qind për qind vijojnë mësimin e mesëm. Nga ky fshat ka mbi 20 që ndjekin studimet si në USHT, UEJL, në Shqipëri, Kosovë e gjetiu.

Gëzon fakti se gjallëria e jetës në këtë fshat multietnik është për shembull të mirë që vërtetohet se bujqit i kryejnë obligimet e punëve të vjeshtës së vonshme jep përshtypjen se këtu jeta ka marrë trajtën e rregullt. Si shumë fshatra të Pollogut edhe ky fshat me banorët e tij janë optimist dhe shpresojnë për ditë më të mira. Kështu e lamë këtë fshat të Pollogut të Poshtëm me shpresë se në të ardhmen do të ecë përpara në të gjitha poret e jetës.

Publikuar: 27.01.2011 | 18:34
Lexuar: 897 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
buqja (09/02/2011 00:28:39) mir mbrama juve desh tju pusja per do pyetje jam ne shkoll ne londer po kam provime po mesuesja pom thot mi tregua para 100 vitesh si kan jetuar familjart ne kosov pa rrym pa tv ju lutemi ma ktheni pergjigjjen flm.
Saranda (20/03/2011 23:31:30) Jam gazetare, punoje ne Televizionin Klan Kosova...a kishe pas mundesi te me dergoni numrin tuaj ne emailin tim....do te doja te kontaktonimin dhe ta vizitonim kete fshat te vjeter, dhe pse jo TE REALIZONIM NJE REPORTAZH ATJE, normalisht me ndihmen tuaj...

Faleminderit per bashkepunim

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime