Violinistja e njohur shqiptare tregon se në aktivitetin e saj artistik ka në qendër mesazhin human.

Ajo mban emrin e një princeshe ilire, ndërkohë që rruga e artit të saj ka qenë një sukses në rritje, së bashku me rrugën e konsolidimit e profilit human. Nuk janë të pakta performancat virtuoze të artistes me famë ndërkombëtare, Anyla Kraja, por ndryshe nga shumë të tjerë, telat e violinës së saj largojnë urinë. Prej disa vitesh violinistja bashkëpunon me FAO një nga organizmat kryesore të OKB-së që lufton kundër urisë në botë. Mbështetjen e projekteve të FAO-Telefood e ka realizuar nëpërmjet CD-së së saj Heart Strings, (Tinguj zemre), si dhe një sërë koncertesh në gjithë botën. Jo më kot muzika e saj është cilësuar si jehonë e zemrës njerëzore. Këto ditë ajo ndodhet në Tiranë, ku i dhuroi një piano liceut artistik Jordan Misja, e ndërkohë që shpreson dhe në bashkëpunime të mëtejshme. Në këtë intervistë dhënë për gazetën violinistja tregon se ka një nostalgji të jashtëzakonshme për shkollën, sepse të gjithë pedagogët i kanë gatuar me shpirtin e vërtetë të artistit, ku nëpërmjet artit ata arrijnë të bëjmë diçka të vlefshme për shoqërinë. Lidhja e saj violinën është krijuar që kur ishte 6 vjeçe për të vijuar më pas një udhë të suksesshme. Edhe pse prej vitesh jeton në Itali, brumin e ka marrë në Tiranë, përçuar përtej Adriatikut në festivalet më prestigjioze të botës. Dhe rolin e ambasadores së kulturës e kryen më mirë Kraja, falë misionit të saj me muzikën. Artistja shqiptare përfaqëson atë plejadë artistësh, që pasi u larguan nga Shqipëria kërkuan perfeksionimin e tyre profesional drejt një karriere dinjitoze. Dhe kjo është fitorja më e madhe për një artist, sidomos kur jeton dhe punon jashtë kufijve të atdheut që e ka rritur, për të lartësuar gjithmonë dhe më shumë imazhin e popullit të tij. Aktivitetin e Krajës, mjaft domethënës në Itali, e dëshmon edhe fakti që ajo ka marrë shumë vlerësime jo vetëm për tingujt e bukur muzikor, por dhe për misionin e saj human.
Jeni në liceun artistik Jordan Misja për ti uruar këta nxënës për vitin shkollor, por dhe për tiu dhuruar një piano, e cila do tu shërbejë atyre në procesin mësimor. Pse pikërisht erdhi kjo dhuratë pranë kësaj shkolle?
Kjo piano do ti shërbejë brezit të ri, talenteve të reja në këtë shkollë, të cilës unë i përulem me respekt, sepse ka shumë artistë që kanë kaluar në bankat e kësaj shkolle. Mendoj se dhurimi i kësaj pianoje është një xhest shumë i vogël që ne kemi bërë në bashkëpunim me drejtoreshën e shkollës, me pianisten Fatma Spahiu. Për mua kjo është një dhuratë që vjen nga zemra e një artisteje. Do ta konsideroja edhe si një mesazh, që nëse janë mundësitë secili mund të japë një ndihmë për këta talente të rinj. Për mua është një emocion shumë i madh që jam sot këtu, kur shikoj fytyrat e nxënësve që e shikojnë këtë instrument, i cili do ti prezantojë ata me dinjitet. Tingulli në artin tonë muzikor është elementi numër 1, sepse me anë të tij formohet personaliteti artistik. Rikthimi në Shqipëri sidomos në liceun artistik Jordan Misja është emocionues, sepse është shkolla që na ka formuar personalitetin. Kam një nostalgji të jashtëzakonshme, sepse të gjithë pedagogët na kanë gatuar me shpirtin e vërtetë të artistit, ku nëpërmjet artit ne bëjmë diçka të vlefshme për shoqërinë. Bashkëpunimi me liceun artistik do të vazhdojë dhe duam të ftojmë një orkestër të liceut në Itali për të zhvilluar disa koncerte, apo dhe pedagogë italianë për të shkëmbyer eksperiencat. Të krijojmë bashkëpunime me të gjitha klasat si ato të kantos apo dhe të frymës.
Ndërkohë që ju zhvilloni një aktivitet të ngjeshur artistik jashtë kufijve shqiptarë. Si po vijon ai?
Unë aktualisht po punoj për FAO, një nga organizmat e OKB e cila trajton çështjet e urisë në botë dhe bëj shumë koncerte solidariteti ku jam e shoqëruar me artisten e njohur shqiptare Fatma Spahiu, pianiste dhe pedagoge pranë Akademisë së Arteve. Ne kemi vite që punojmë bashkë dhe kemi bërë shumë koncerte në të gjithë Europën. Jemi artistë që kemi dinjitet në botë që jemi shqiptarë dhe do të kemi një koncert, i cili do ta ketë premierën në Romë në muajin shkurt. Në Itali jam si soliste dhe zhvilloj koncerte me menaxherë. Nuk jam me orkestra, por tani po bëj koncerte në të gjithë botën, me mesazhin kundër urisë në botë. Isha e ftuar në Ditën Ndërkombëtare të Ushqimit që organizohet nga FAO në Romë dhe unë interpretova aty dy pjesë muzikore. Aty unë kuptova që në botë në gjashtë sekonda vdes një njeri, një fëmijë. Është e pabesueshme kur e mendon një gjë të tillë dhe janë fakte që ne që jetojmë mirë dhe i përkasim perëndimit, ndërkohë që janë faktorë realë, kanë ndodhur, po ndodhin në këto momente dhe do të ndodhin nesër vdekje në botë. Në këto momente po përfundonte CD-ja ime dhe mendova se 40 për qind të të ardhurave të shitjes së saj do të shkojnë tek FAO kundër urisë në botë. E kam lidhur ekzistencën time si artiste me këtë mision.
Sa të vështirë e keni pasur që të zhvilloni këtë jetë artistike larg skenës shqiptare?
Është një punë shumë e madhe dhe duhet shumë për tu treguar, por fakti është që arti është i vetmi element nga inteligjenca shqiptare që arrin të trokasë më me lehtësi në dyert e kulturës evropiane.
Ju folët për aktivitetin tuaj në Itali, por a keni projektet për të zhvilluar koncerte në skenën shqiptare?
Po kemi ndërmend që të zhvillojmë një spektakël, i cili do të jetë më balet. Do të jetë me zëra recitues nga poezi të Nënë Terezës. Kemi në plan që të jetë një aktivitet i madh, i cili shpresojmë që ta zhvillojmë në Pallatin e Kongreseve. Do të jetë balerini jonë i mirënjohur Leon Çino, i cili do të jetë pjesëmarrës në këtë spektakël që debuton në Itali, do të jenë balerinë Bullgarë, por dhe nga vende të tjera të Europës. Mendoj se ky koncert do të zhvillohet në Tiranë në pranverë nga fundi i muajit maj.
E ndërkohë që albumi juaj me titull Tinguj zemre ka shërbyer dhe për vepra bamirësie. Si ndiheni nga kjo?
CD ime Tinguj zemre u dedikua për FAO, kundër urisë në botë dhe nga shitjet e saj 40 për qind shkon kundër urisë në botë. Më vjen mirë ta pohoj se jam e para artiste shqiptare që e kam bërë këtë në nivel ndërkombëtar, pasi FAO është një organizëm i OKB.
Një karrierë të gjatë artistike në shumë skena të Evropës. Keni pengje në jetën tuaj artistike?
Në jetën time artistike nuk kam pengje. Jam munduar ti realizoj me shumë durim, sepse është një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, por me shumë sadisfaksione.
Ju tregoni se karriera juaj ju ka falur shumë momente të bukura deri tani, por ndërkohë si nisi udha juaj me violinën?
Çdo gjë ia dedikoj prindërve të mi, pasi ishte dëshira e tyre që unë të nisja me violinën. Isha vetëm gjashtë vjeçe dhe në atë moshë sigurisht që nuk vendos dot, por falë prindërve të mi nisi dhe udha me violinën.
Ndërkohë që vëllai juaj gjithashtu është artist, kompozitor dhe pedagog pranë Akademisë së Arteve. Si i keni ndërtuar marrëdhëniet me të?
Kemi marrëdhënie shumë të mira si motër dhe vëlla, por ato shtohen dhe më shumë sepse ne jemi dy muzikantë. Flasim shumë për artin, debatojmë për atë, dhe kjo është normale mes dy artistëve.
Momenti më i veçantë i karrierës suaj artistike?
Kur kam lozur me violinë para 3 mijë vetave, me mesazhin kundër urisë. Isha një artiste shqiptare para një trupi diplomatik të botës, e cila mbronte një kauzë të tillë dhe dikush atje tha: ka të drejtë që është artistja shqiptare, sepse është pasardhësja e Nënë Terezës. Ky ishte një moment që unë e ndjeva veten krenare që jam shqiptare.
Keni menduar që të zhvilloni një koncerte me vepra shqiptare në Itali?
Vazhdimisht e kam menduar këtë dhe atje unë punoj me pianistin dhe kompozitorin Aleksandër Gashi, i cili është një nga talentet më të mirë. Ai ka shkruar disa vepra me mua dhe mund të them se ka një sukses të jashtëzakonshëm muzika shqiptare. E bukura është sepse ia ka gërshetuar folklorin tonë i cili është shumë i pasur, kështu është violina që imiton lahutën. Është një vepër Lotët e lahutës titullohet dhe publiku italian çohet në këmbë kur e dëgjon. Ka një emocion të jashtëzakonshëm.