Të gjithë shqiptarët janë irrituar nga ky raport, i cili karshi opinionit të përgjithshëm në botë ka njollosur rëndë UÇK-në, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Reagimet pos qeverisë në dorëheqje kanë ardhur edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia.
Arbana Xharra
Pas miratimit të Rezolutës në Këshillin e Evropës, ku i bëhet thirrje EULEX-it që të nisë hetimet mbi dyshimet për trafikim të organeve njerëzore, normalisht që janë pritur reagime të ashpra. Është e vërtetë se raporti i Dick Martyt e ka prishur rëndë imazhin e Kosovës, edhe pse pretendohet se ky raport nuk është as kundër UÇK-së e as kundër qytetarëve të Kosovës.
Të gjithë shqiptarët janë irrituar nga ky raport, i cili karshi opinionit të përgjithshëm në botë ka njollosur rëndë UÇK-në, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Reagimet pos qeverisë në dorëheqje kanë ardhur edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia.
Kryeministri i Shqipërisë, edhe dje pasi u miratua Rezoluta për Raportin, e quajti racist këtë raport, por megjithatë, tha se do të bashkëpunojë në çdo drejtim dhe hetim për t'u sqaruar kjo çështje, derisa zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi apeloi për atë që nevojitet unitet dhe pjekuri për menaxhimin e situatës. Autoritetet nga Kosova thonë se ky është lobim i fortë i shtetit serb për ta prishur imazhin e Kosovës.
Nëse është kështu, natyrisht që duhet të pyesim dhe gjejmë përgjigjen - apo edhe të na japin përgjigjen ata që e dinë - për atë se kush loboi? Sa ka kushtuar ky lobim? Si u depërtua deri te Dick Marty? Shumë pyetje për t'u shtruar, por ja që secili dyshim është hipotetik derisa të mos vërtetohen me fakte gjërat. Dhe në ndërkohë bota ka kthyer sytë nga ne duke i besuar raportit të Martyt derisa ai edhe kaloi në KE.
Eksperti i njohur për të Drejtën Ndërkombëtare, njohës i madh i Ballkanit dhe profesor në Universitetin e Grazit në Austri, por edhe mik i madh i çështjes së Kosovës, prof. dr. Joseph Marko, pas miratimit të raportit, dje tha se EULEX-i duhet tanimë të fillojë hetimet përkatëse. Ai sugjeroi se EULEX-i duhet të përpiqet të mbledhë prova, dhe ato të shkojnë në Gjykatë.
Nga deklarata e tij shihet qartë se ai e lë të hapur mundësinë që edhe Thaçi të akuzohet. Sigurisht, mundet dhe duhet që të vijë puna deri te një proces normal gjyqësor. Edhe për të treguar se askush, madje edhe kryeministri nuk është i imunizuar kundrejt ndjekjes penale, tha Marko. Por, edhe potencoi që "Marty ka në raportin e tij fjalë e akuza që përsëriten që tashmë dhjetë vjet... ".
Këtyre dy gjërave kundërthënëse duhet kundërvënë. Prandaj, deklaratave të Qeverisë në dorëheqje që merret me Serbinë dhe deri diku edhe Martyn, nuk mund t'u themi që s'janë me vend. Bile nëse duan edhe ne po pajtohemi që "Thaçi është burrë i mirë. Por a mjafton kjo? Jo.
Prandaj, ka ardhur koha që Thaçi të kërkojë edhe publikisht, sidomos pas miratimit të Rezolutës që të nisin hetimet, që të dëshmohet pafajësia e tij. Ka ardhur koha që për të mirën e këtij vendi dhe nëse do edhe të vetë Thaçit, duhet të heqim qafe këtë barrë, e cila po bie mbi të gjithë ne. Sot dhe nesër. Prandaj, tani duhen hapa konkretë.