Disa nga aleatët e tij janë vrasës të mirëfilltë, njëri prej vëllezërve mbart mbi shpinë një mal me dyshime për trafik droge, ndërsa një tjetër është bërë befas jashtëzakonisht i pasur në një mënyrë shumë enigmatike.

Mënyrat e mira të të sjellurit, kujdesi për veshjen (sipas një stilisti, është politikani më elegant në botë), nuk arrijnë dot më që të mbulojnë dobësinë e një lidershipi që ka shënuar dështime të vazhdueshme: Afganistani është përfshirë nga një luftë civile gërryese dhe e përgjakshme, nuk ka një ushtri apo polici efikase për të përballuar të gjitha sfidat e momentit, dhe në krye ndodhet një qeveri e korruptuar dhe aspak transparente. E megjithatë, Hamid Karzai ka mbushur 8 vjet në pushtet, një pushtet që nisi nga dita më e çuditshme e jetës së tij, kur nga një person i rrezikuar të vritej, brenda disa orësh u shndërrua në njeriun më të fuqishëm të vendit. Ishte 5 dhjetori i vitit 2001, dhe shtëpia e tij në Sha Wali Kot, në periferi të Kandaharit (një provincë në jug të vendit), u shkatërrua gabimisht nga një sulm amerikan. Disa nga njerëzit që ndodheshin me Karzain humbën jetën, ndërkaq ai vetë kërkonte një leckë të lagur për të pastruar gjakun nga fytyra. Në këto momente ndeu zilen e celularit. Ishte një mike e tij në BBC që i tha: Urime! Sapo je emëruar President i Afganistanit. Në Bon, përfaqësuesit e Loya Girga (asambleja e madhe afgane) në prani të përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, e kishin përzgjedhur Karzain në postin e lartë.
Gjatë harkut kohor të viteve që pasuan, Karzai ia ka dalë të jetë një figurë e dashur dhe e urryer njëherazi, dhe kjo me të njëjtin intensitet. Megjithatë, edhe armiqtë e tij më të egër e pranojnë që ai ia doli që të bënte bashkë shumë etni afgane e të krijonte një ndjesi sado të vogël të unitetit kombëtar.
Karzai ka lindur në vigjilje të Krishtlindjeve në vitin 1957, në Kandahar dhe ka qenë i dhënë pas politikës që në të ri. I ati ishte udhëheqës i një klani të etnisë pashtun, klani më i fuqishëm i rajonit. Tek ai njerëzit shkonin për të zgjidhur mosmarrëveshjet, grindjet dhe çështjet e konfliktet. Ndërkaq, Hamid i vogël dëgjonte dhe vëzhgonte gjithçka ulur pranë të atit dhe pak nga pak mësonte artin e politikës dhe të të bërit kompromis. Sipas miqve të afërt, atij i ka pëlqyer gjithmonë edhe sporti, madje edhe sot vazhdon që të vrapojë në oborrin e rezidencës së tij. Kur kishte mundësi shkonte edhe në kinema, edhe pse kundër dëshirës së të atit, i cili e quante kinemanë një budallallëk. Sa i përket shkollimit, gjithçka ka qenë shumë e rreptë dhe e rregullt. Ai u diplomua në shkenca politike, në Indi. Hamid ishte i vetmi nga djemtë që i ati merrte me vete kudo që shkonte, sidomos kur bëhej fjalë për mbledhje në të cilat merreshin vendime. Sipas vetë Karzait, nga i ati ai mësoi se si të jetë një dëgjues i mirë dhe të negociojë edhe me kundërshtarin më të paarsyeshëm, ndërsa nga e ëma mësoi se në jetë ka momente kur duhet të veprosh, të rrezikosh. I ati iu vra në vitin 1999, gjatë një sulmi në shtëpinë e tij nga disa të panjohur. Hamid ishte i bindur që bëhej fjala për talebanët dhe mbi varrin e të atit u betua për hakmarrje dhe se një ditë do ti shporrte nga vendi. Në atë kohë ai ishte një nga miliona refugjatët që ikën nga Afganistani, pas mbërritjes së rusëve. Në kampet e refugjatëve, Karzai u shndërrua në një pikë referimi për 8 fraksione të ndryshme që nuk binin dakord me njëri-tjetrin. Ai arrinte që të qetësonte edhe ekstremistët më të egër, shkonte nëpër ambasada për të kërkuar mbështetje nga ndërkombëtarët. Fliste dhe hynte në muhabet me të gjithë ata që mund ta ndihmonin: italianë, amerikanë, shërbimet sekrete. Në këtë përpjekje e ndihmoi edhe fakti që zotëronte 6 gjuhë të huaja. Pas ikjes së rusëve erdhi në atdhe në postin e zëvendësministrit të Jashtëm në qeverinë e brishtë të Rabanit. Kur plasi lufta civile, u detyrua që të largohej nga Kabuli. Talebanët, që morën pushtetin i ofruan postin e ambasadorit në Kombet e Bashkuara, por ai nuk pranoi, pasi nuk u besonte atyre njerëzve që kishin për qëllim të izolonin Afganistanin. Kështu, pa rrugëdalje tjetër shkon edhe një herë në Perëndim për të organizuar një tjetër rezistencë. Dita e 11 shtatorit të vitit 2001 e gjeti në Pakistan. Qeveria vendase ishte gati ta shpallte person non grata për fjalimet që ai mbante kundër talebanëve, me të cilat pakistanezët kishin marrëdhënie të mira. Siç tregon vetë më pas, ditën e 11 shtatorit ishte ulur në dhomën e tij të hotelit për të ndjekur hap pas hapi gjithë sa ndodhi në Një Jork, duke mos i besuar syve.
Aktualisht, Karzai është njeriu më i vetmuar dhe më i rëndësishëm i Afganistanit. Një miku i tij i afërt thotë se, Karzai nuk është aspak i lirë që të bëjë atë që dëshiron as me amerikanët, as me shefat e mëdhenj të luftës, as me vetë pakistanezët, e as me iranianët. Akordimi i gjithë këtyre faktorëve kaq të ndryshëm është thuajse i pamundur. Në Afganistan janë zhvilluar vazhdimisht luftëra e beteja të ashpra dhe një njeri i vetëm nuk do të mundej kurrë që të gjente zgjidhje. Interesat që janë në lojë janë të shumtë. Karzai duket se është njeriu që qëndron ulur mbi kutinë e Pandorës, që ta pengojë hapjen e saj. Kështu, për të kryer këtë funksion ai bën marrëveshje me shefat e klaneve e të bandave të ndryshme për ti çuar në Parlament. Për të ruajtur ekuilibrat detyrohet që të bëjë kompromise e tu japë pushtet njerëzve të dyshimtë, majtas e djathtas, madje edhe figurave shumë të korruptuara publikisht. Njëri prej tyre është ish- guvernatori i Kandaharit, Sher Muhammad Akhunzada, i njohur për trafiqet e drogës. Ky person është marrë personalisht me fushatën e Karzait, në jug të vendit. Një tjetër person është ish-ministri i Mbrojtjes, Fahim, që është marrë me votën e taxhikëve. Një tjetër person i dyshimtë me të cilin Karzai ka bërë marrëveshje parazgjedhore është gjenerali Abdul Rashid Dostum, i akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit, i përçmuar nga amerikanët. Ai ndodhej në Turqi deri para zgjedhjeve, por më pas u thirr nga Karzai për të bërë së bashku kompromise. Në këtë kuadër ndodhet edhe Hekmatyar, që gjatë luftës civile rrafshoi gjysmën e Kabulit. Në vitet 70 ai u hidhte acid në fytyra grave që dilnin me fytyrë të zbuluar në rrugë. Hekmatyar ka qëndruar për gjithë këtë kohë i fshehur në male. Për kokën e tij janë vënë në dispozicion miliona dollarë. Ditët para zgjedhjeve, një njeriu i tij është parë të shëtisë qetësisht në kryeqytet dhe thuhet se ai ka bërë një marrëveshje edhe me Karzain për poste paszgjedhore. Po ndërsa Karzai thuhet se ka bërë shumë kompromise të pista me njerëz të dyshimtë për të mbajtur në këmbë pushtetin e tij, familjarët e vet i janë dhënë biznesit, që shpesh është shumë i dyshimtë. Departamenti amerikan i Antidrogës ka 5 vjet që ka grumbulluar shumë prova në lidhje me përfshirjen e vëllait të tij në aferat e drogës. Sipas akuzave që i bëhen, Ahmad Wali është shefi i kartelit të Kandaharit. Vëllai i madh i Presidentit, Mahmud është bërë befas një ndër njerëzit më të pasur të vendit dhe pa asnjë biznes që ta mbështesë. Nga pronar modest i një restoranti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai ka një pasuri që përfshin: 50% të aksioneve të shitësit të vetëm e ekskluziv të Toyotas në Afganistan, shumicën e aksioneve në bankën e Kabulit, katër miniera qymyri shumë fitimprurëse, të vetmen fabrikë të prodhimit të çimentos në vend. Por, edhe vetë Karzai thuhet se jeton mbi një mal me para, edhe pse deri më tani për të nuk ka pasur prova të përfshirjes personale në çështjet e korrupsionit. Ndërkaq, të gjithë familjarët përfliten vazhdimisht për një oreks e babëzi të jashtëzakonshme në përfitime pronash, në përfshirje trafiqesh e zhvatje ryshfetesh. Megjithatë, siç ndodh rëndom me politikanët në botë, që nuk duan të përlyhen drejtpërsëdrejti me paratë, ata kanë ndërmjetësit e tyre. Sipas burimeve amerikane, Karzai merr 2 milionë dollarë në dorë çdo muaj vetëm nga iranianët, dhe kjo ndodh të paktën që prej tre vjetësh dhe në zgjedhjet e fundit presidenciale çdo biznesmen i madh, i mesëm apo i vogël ka qenë i detyruar që të japë para për fushatën e Karzait. Për të mos folur për kontributet ndërkombëtare si ato që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera perëndimore, që ndihmojnë në rindërtimin e vendit. Po sipas burimeve amerikane, në lojë është një shumë e jashtëzakonshme parash dhe amerikanët do të jenë shumë skrupulozë për personin që do të emërohet ministër i Financave.
Tani të shohim edhe një kapitull tjetër të Presidentit të deritanishëm të Afganistanit: kapitullin e tij me gratë, që në fakt është një kapitull delikat për të gjithë politikanët. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe për Karzain. Për të fituar simpatinë e shiitëve, Karzai ka nënshkruar një ligj që u jep ligjërisht të drejtë bashkëshortëve që të keqtrajtojnë gratë nëse këto nuk u binden. Bashkëshortja e Karzait, Zeenat, një gjinekologe, është thuajse e panjohur për të gjithë. Një mikeshe ajo i ka thënë kohë më parë se, Karzait nuk i pëlqen që tia shohin gruan. Çifti ka një djalë, Mirwais. Ata jetojnë në pallatin presidencial, një godinë që ruhet natë e ditë nga truprojë e agjentë të policisë. Truprojat e Karzait janë më së shumti amerikanë, sepse Karzai nuk ka besim tek askush brenda vendit. Gjatë këtyre viteve i ka shpëtuar të paktën 4 atentateve. Një nga gjërat që ka më shumë merak janë rrobat. Është jashtëzakonisht i dhënë pas tyre, dhe veç këtyre edhe këpucët, që i ka gjithmonë jashtëzakonisht të shtrenjta dhe gjithmonë angleze. Preferon çajin në vend të kafesë dhe mban gjithmonë në gojë disa karamele me Vitaminë C. Një nga referencat e tij politike është Mahatma Gandhi, që ka qenë një model i tolerancës. Në tryezën e punës mban dy foto. Njëra është e të birit dhe tjetra e mbretit Zahir Shah, me të cilin kishte një lidhje të veçantë. Në vitin 2002 shkoi personalisht ta takonte në Romë, ku mbreti ndodhej në mërgim, për ta sjellë në Afganistan. Ja edhe disa nga kontradiktat e tij: ai mallëngjehet e derdh lot kur flet për viktimat civile të luftërave afgane, e megjithatë pa iu dridhur qerpiku arrin që të nënshkruajë marrëveshje me kriminelët më të kërkuar të Afganistanit. Ky është Karzai, njeriu në krye të Afganistanit.