Faturat e të gjitha borxheve të mundshme politike dhe sociale, tashmë janë paluar mbi tavolinën e punës së kabinetit të ri qeveritar. Nëse të jesh në krye të Qeverisë së Kosovës në vitin 2008 ka qenë si në ëndërr, tani është si në ankth.
Blerim Shala
Pa u bë fare Qeveria e re e Kosovës, duket që borxhet e shumëfishta politike, ekonomike dhe financiare do ta bëjnë shumë të rëndë funksionimin e saj.
Çfarë dallimi me atë Qeverinë e janarit të vitit 2008! Ajo Qeveri trashëgoi një mori të mirash, dhe dihej që atë, së paku në vitin e parë, e presin suksese të garantuara. Qeveria e atëhershme PDK-LDK, i kishte në buxhet 400 milionë Euro suficit prej qeverisë së mëparme. Si thuhet, e gjeti sofrën e shtruar plotë. Kjo Qeveri, dihej mirë, do ta shpallte pavarësinë e Kosovës, do të merrte një numër të madh të njohjeve, në arkën e saj do të vinte përkrahja financiare prej Konferencës së donatorëve. Dukej që historia dhe kjo Qeveri do të ecnin bashkë. Dukej që nuk ka kush të ndalë Qeverinë e Kryeministrit Thaçi dhe të Presidentit Sejdiu të kujtohet në historinë e re të Kosovës si Qeveria më e suksesshme.
Sot, mbase, këtë vlerësim nuk e kanë as vetë ata që i prinë institucioneve të vendit në tri vitet e kaluara. Për dallim prej janarit të vitit 2008, ky i tanishmi, duket i zymtë, i ftohtë, i keq.
Dhe ky është realiteti. Vlera e shtetit të Kosovës kurrë nuk ka qenë më e ulët se sa tash. Me meritën e madhe, në mos ekskluzive, të PDK-së dhe LDK-së, dy partive më të mëdha të vendit.
Borxhet politike të Kosovës janë të mëdha. Sepse ne prodhojmë të mira politike shumë më pak, se sa të këqija politike. Konkretisht: zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, na kanë bërë borxhli, si shoqëri, përballë Perëndimit. Kemi thënë shpesh që ne nuk do të jemi më konsumues të stabilitetit, të garantuar prej Perëndimit (KFOR, EULEX, etj), por madje, prodhues të tij. Po del që nuk është ashtu. Paramendoni, për pak çaste, që këndejpari nuk janë KFOR dhe EULEX. Vështirë që do të ishim në gjendje të mbajmë edhe këtë stabilitet të brishtë. Pastaj, situata e krijuar pas Raportit të Dick Martyt në Këshillin e Evropës, dhe pas një serie shkrimesh në mediat e rëndësishme perëndimore, dashtë e pa dashtë ne, na ka sjellë në një pozitë kur duhet të mbrohemi, të arsyetohemi, të ofrojmë shpjegime të shumta, kur me këtë imazhin plotë vragë, duhet të përpiqemi ta ndryshojmë pozicionin tonë ndërkombëtarë. Kështu si jemi sot, vetëm në ëndërr mund të shohim njohje të reja të cilat do ta ndryshonin thelbësisht statusin ndërkombëtarë të Kosovës. Pastaj, e dimë fare mirë që nuk kemi bërë të thuash gjë prej gjëje në luftimin e korrupsionit, edhe pse nuk ka kaluar as një ditë e vetme pa e zënë në gojë. Në ndërkohë, duart tona na janë bërë pis, prandaj, po na thonë që si politikanë, duhet të merremi me higjienën tonë personale politike, ti lajmë duart si duhet, nëse nuk duam që Perëndimi ti lajë duart prej nesh. Si thuhet.
Faturat e të gjitha këtyre borxheve tashmë janë paluar mbi tavolinën e punës së kabinetit të ri qeveritar. Nëse pra të jesh në krye të Qeverisë së Kosovës në vitin 2008 ka qenë si në ëndërr, tani është si në ankth.
Punët janë edhe më keq në një fushë tepër të rëndësishme: atë të ekonomisë dhe të stabilitetit social. Investimet kanë rënë shumë në tri vitet e mbrama, papunësia është shtuar, tok me të gjitha llojet e varfërisë, së bashku me pasurinë e atyre që kanë qenë në pushtetin e tri viteve të fundit.
Dhe ky është realiteti. Vlera e Qeverisë së Kosovës, e politikës së Kosovës, kurrë nuk ka qenë më e ulët se sa tash. Me meritën e madhe, PDK-së dhe LDK-së, dy partive më të mëdha të vendit. Por këtu, kemi dhënë kontribut të matshëm edhe ne të tjerët. Veçmas me mënyrën se si i kemi menaxhuar zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Po e kuptojmë ditëve të fundit, që ëndrra/premtimi për rritjen e rrogave në sektorin publik, për dhjetëra mijëra të punësuar, për 30-50% e më shumë, për të cilën ka folë tërë kohën Hashim Thaçi, Kryeministri i Kosovës dhe Kryetari i PDK-së, dhe e cila, me gjasë, ka mundësuar që PDK të dalë e parë në këtë zgjedhje, mund të shndërrohet në ankth për gjithë shoqërinë kosovare.
Shkurt e shqip: Para nuk ka për të jetësuar premtimin e Kryeministrit Thaçi, i cili për vitin 2011 peshon 425 milionë Euro. Për fatin tonë të mirë, pasiqë Euro është valutë zyrtare në Kosovë, BQK nuk mund të shtypë para, sepse zgjidhja do të gjendej saora.
Çka po bënë Qeveria e tashme e Kryeministrit Thaçi për të mbuluar borxhin në të cilin ka hyrë para të punësuarve të sektorin publik?
Po kërkon që Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës, të mbledhin shumë më tepër para, e për diç të tillë, duhet të ketë zhvillim ekonomik dhe investime nga jashtë. Mision i pamundur pra. Po synon ta rrisë tatimin në shfrytëzim të linjitit, e nëse e bënë këtë KEK-u, atëherë do të rritet çmimi i prodhimit të rrymës, dhe ne (po kush tjetër), do të paguajmë fatura më të larta. Po propozon që TVSH të ngritët prej 16%, sa është sot, në 19%. Kjo do të thotë që secili prej nesh, kur të blejmë, cilindo artikull, do të paguajmë më shtrenjtë se sa sot, me të vetmin qëllim që të sigurohen pagat e premtuara për disa dhjetëra mijëra vetë. Ekspertët ekonomikë po na thonë që me këtë TVSH prej 19%, secila familje do ti ketë diku 90 Euro më shumë harxhime në muaj se sa sot. Kjo do të thotë që edhe ajo rritja e rrogave gati do të shkrihet në yryshin e TVSH-së, e qytetarët e tjerë që nuk kanë rroga më të larta, do të jetojnë më keq se sa para synimit të Kryeministrit Thaçi për sendërtimin e premtimeve të tij.
Këtu as që po flasim për shkeljen e procedurave ligjore (buxheti miratohet nga Kuvendi i Kosovës, e jo prej Qeverisë), dhe as për përplasjen e Qeverisë së Kosovës me vetëveten, apo me zotimet dhe marrëveshjet e bëra me institucionet ndërkombëtare si me Fondin Monetarë Ndërkombëtarë, etj.etj.
Dhe ky është realiteti. Të gjithë ne, qytetarët e Kosovës, nja dy milionë a sa jemi, në një mënyrë apo tjetrën do të paguajmë që Qeveria e Kryeministrit Thaçi të mos i mbetet borxh dhjetëra mijëra punëtorëve të cilëve ky u ka premtuar rritje të pagave, si thuhej përpara, pa mbulesë.
Kush do ti lajë gjithë këto borxhe?