Në kilometrin e 18-të të aksit rrugor Tetovë-Jazhincë në verilindje të qytetit shtrihet fshati Odër. Në bazë të ndarjes së re territoriale i takon komunës së Teracës ku ka një këshilltar komunal. Fshati shtrihet në lartësi mbidetare në kuotën mbi 800 metër, për nga fizionomia gjeografike përbën një tërësi dhe radhitet ndër fshatrat mesatare dhe në shtrirje ka formën e gjysmë kurorës rrëzë Malit Sharr. Fshati numëron afro 320 shtëpi me mbi 2500 banorë prej të cilëve afër 10% janë maqedonas.
Ismet Jonuzi-Krosi
Botuar më: 2003
HISTORIKU I ODRIT
Prejardhja e emrit ODËR rrjedh nga gjuha latine ODER-ODERIS e gjinisë femërore që në gjuhën shqipe do të thotë AROMË për shkak se shtrirjes gjeografike që ka formën e gjysmë kurorës rrëzë Malit Sharr, e që gjithmonë ka drunj të gështenjave, blinjve e të ngjashme që në stinën e pranverës dhe verës kundërmon erë nga drunjtë në fjalë, pra nga ky konstatim është edhe emri i fshatit ODËR.
Edhe fshati Odër në historiografi përmendet në vitin 1321, të sundimit të Mesisë me rastin e Kishës së Dhimitrit (e cila është shtrirë në anën e majtë të lumit të Hollë të Odrit, ndërsa në vitin 1883 në afërsi të kësaj kishe është ndërtuar ajo e Shën Nikollës ku edhe gjenden varrezat e lashta të krishtera) e cila i ka takuar Kishës së Lypjanit ( Dardanisë) në Kosovë që shkenca e njanshme sllave e trajton si Serbia e Vjetër (Stara Serbija) term i shpikur gjeografik nga kuzhinat ruse-serbe për pansllavizëm për të etiketuar kështu një pjesë të mirë të Shqipërisë Veriore. Ky term i ri, siç shënon Midhat Frashëri Shqiptarët dhe sllavët-24, figuron për herë të parë në vitin 1845 në :Hartën e Principatës së Serbisë të Zhan Bugorskit, e shtypur në Beograd më 1827, po në atë vit dhe ku Krahina e Bjellopoljes paraqitet me emrin Serbia e Vjetër ose Shqipëria aktuale, në një kohë kur në gjeografinë e Vuk Karaxhiqit, e shtypur gjithashtu në Beograd më 1827, nuk figuron gjëkundi një term i ngjashëm me këtë ( M. Frashëri, Shqiptarët e sllavët 24). Serbia e Vjetër etnikisht ka qenë një vend thjesht shqiptar, por vetëm mbi bazën e absurdit politik ka qenë e deklaruar për vend sllav, sipas asaj recetës të shkollës ruse Atje ku ata zbulojnë një sllav të vetëm, një fshat të vetëm, sado i papërfillshëm që të jetë, nuk hezitojnë aspak që ta deklarojnë sllav të gjithë rajonin(shih M. Frashëri, Shqiptarët e sllavët 24). Kurse prof.dr. Qemal Murati thotë se;neologjizmi Stara Serbija është farkuar sipas modelit të njohur toponomastikë khs. Si te Epirus Vetus (Epiri i Vjetër) dhe Epirus Nova (Epiri i Ri) antik, me rrugë imitimi e në funksion të jezuitizmit panserb, për ti paraqitur si serbe trojet iliro-shqiptare. çështë e vërteta, termi Stara Serbija mund ti shkojë ndonjë visi rreth bregdetit Baltik apo Karpateve, prej nga u shkulën serbët primitivë dhe erdhën dhe u ngulën si pykë në Ballkanin ilirik
.
Por, sipas dëshmive turko-osmane të shekullit të XV, daton prej 1452/53 ka pasur 67 shtëpi, 16 të pamartuar dhe 4 vejusha, më 1467/68 ka pasur 71 familje dhe 8 vejusha, më 1481/82 ka pasur 77 familje dhe 1 vejushë, më 1544/45 ka pasur 71 familje, 5 të pamartuar dhe 6 vejusha si dhe më 1568/69 haset me 61 familje, 21 të pamartuar dhe 3 vejusha. Në rrafshin e antroponimeve të shekullit XV (në vitin 1467/68) në shënimet NTTD 386 hasen një mori emrash ku përmendi Danço,b.Martinit-fshati Odër/ Emri MARTIN m. emër kristian latin MARTINUS, me një përhapje të theksuar në mesjetë edhe te shqiptarët, Radisllav b, Progonit-fshati Odër, Nahija e Tetovës TD 383, pra emri PROGON, por siç thotë prof.dr. Qemal Murati në librin Shqiptarët dhe Ballkani ilirik në faqen 116 se ky topik ka rëndësi të veçantë se lidhet me një emër vetjak të burimit të padiskutueshëm shqiptar, ngase e ndeshim si dëshmi e shkruar edhe në një regjistër të pronave të Manastirit të Tetovës në vitin 1343- (shih më hollësisht në librin Spomenici 280) në formë të toponimit PROGONOVATA VRBA (Shelgu i Progonit)/ por kjo nuk do të thotë se ky fshat nuk ka ekzistuar që më herët.

KATUNI DËSHMI E AUTOKTONISË ANTIKE
Gjithashtu duhet theksuar se kam hasur që ka ekzistuar fshati Katuni i sllavizuar si topik një kalkim klasik nga KATUND në SELLCË që është një dëshmi e autoktonisë iliro-shqiptare. Ky Katun që shtrihet 2 km. në largësi përkatësiht larg Odrit. Ky fshat i zhdukur është shtrirë në anën e majtë të rrjedhës së Lumit të Hollë në lartësinë mbi detare afër 1000 m., ndërsa sot në atë vend hasen livadhe. Ky fshat është zhdukur shumë herët dhe se banorët janë vendosur në Odër dhe se 25 shtëpi janë shpërngulur në Selleçkë në Timok si dhe nëpër fushën e Pollogut.
Në këtë fshat, që shtrihet rrëzë Malit Sharr apo në fillimin e fushave të Pollogut gjegjësisht përgjatë rrugës magjistrale Tetovë-Jazhincë kufizohet me Republikën e Kosovës. Ky fshat ndahet në pesë mëhallë si dhe me përkushtim ruajnë llagapet familjare të cilat janë; Kolesianë-THAÇI, Lumjanë-SKURE, Kikirë-BUZËMADHI me prejardhje nga Dalmacia që po ashtu sot jetojnë edhe në fshatin Raçe e që njihen si BAKIE, Çerkinë, Çerkez apo muhaxhir të ardhur nga Ana Morava që nuk dihet saktësisht se a kanë ardhur si pasojë e futës austro-turke të viteve 1689/90 apo të viteve 1876 e tjera. Ka varreza të lashta ilire dhe të rejat, por duhet gjurmuar se sipas shumë të dhënave historike në Odër ka dhe manastire që njëherit dëshmojnë edhe për lashtësinë dhe për vendvarrezat e ndryshme. Por, edhe në hapësirën tokësore është boll e pasur me vendemërtime siç janë; Laki i Poshtëm e i Epërm, Te Kollca, Stani i Irikit, Rrafsha, Stanet e Islamit, Qamilit e Brahimit, Xhibre, Lugji i Ropuhave (lule e verdhë), Gjuri i Ritëm, Kepi i Xhënë, Kepi i Shipes, Kepi i Përcës, Udha e Gurit, Përroi i Hollë, Përroi i Kësollës Ukës, Te Lira(vend në mal me lule të verdha), Shpeshteja (vend në mal me drunj të shpeshtë), Te Shpella, Kepi i Shaqirit (ngase është mbytur bariu me emrin Shaqir), Livadhi i Popit, Livadhi i Tases, Udha e Dreqit, Te varet Uji (ujëvara), Rejnat e Poshtme dhe të Epërme, Zabeli i Vakofit, Hurdhat e Epërme dhe e Poshtme ( në Stanet e Odrit), Qafa e Alisë, Vlagji i Madh (prej ku i kanë lëshuar drunjtë), Thënat e Shpeshta (në afërsi të Parcës), Udha e Shkieve, Lugja, Mali i Grave, Pllasnejku, Çuka, Kodra e Stranës, Selisht (Sellca lokalitet ku dikur kanë banuar të parët), Balltepe, Sholloni (vend që e merr tërë ditën dielli), Osuj (vend që ka ujë, me lagështi), Vorri Met Keç (vorri që ka mbetur keq afër Parcës), Kroi i Vukës, Kshtijat e Hoxhës, Uji i Ungarit, Te Kisha (mbi fshat që në histori përmendet Kisha e Shën Dhimitrit 1321), Vërejt (verishkat) e Brahimit, Tërlla e Gavrës, Ara e Kocës, Rruga e Kriqit (kryqëzimi i rrugëve), Mllaka, Mullezët (lloj druri), Dushknaja, Prisaj, Buzëfanisht, Te Vneshtët. Nëpër Fusha; Gabërnicë, Udha e Dabës, Udha e Lejthisë, Udha e Kollnikut (mendoj se ka të bëjë me Kolë+Nikut), Shepoti, Udha e Nerashtit, Prekaçet, Llugji, Uji i mbretit (për këtë legjenda thotë se në kohën e sundimit osman bajraktari e ka ngulur flamurin dhe se prej atëherë buron ujë), Udha e Kaçanikut që lidhet prej Kështjellës së Nicës në fushë të Vratnicës, Bellovishtit, Odrit, Dobroshtit, Leshkë, Neproshten, Trebosh dhe del në Zhelinë, pra rruga antike e cila ka funksionuar edhe në mesjetë e që njihet si Rruga e Kaçanikut e shumë mikro vendemërtime që janë në interes të shënohen ngase ende mund t'i gjejmë në gojëdhënat e banorëve të Odrit.
Si shumë fshatra të tjerë edhe Odri ka Bashkësinë Vendore me 13 anëtarë prej të cilëve 2 janë maqedonas, kurse kryetar është Ejup Latifi, xhaminë që daton prej shekullit XVIII ku aktualisht është imam Isak Qamili, ambulanca e shëndetësisë ku punon mjeku Muhamet Aliu nga ky fshat një motër medicinale dhe një pastruese teknike edhe pse Odri ka mbi dhjetë specialistë të mjekësisë.
FILLET E SHKOLLIMIT
Në qytetin e Tetovës si dhe në fshatrat, përveç shkollave fillore shtetërore, kishte dhe një numër të madh shkollash fillore private ose sabiane për djemë e vajza, të cilat, sipas të dhënave zyrtare osmane edhe Odri ka patur shollë që në vitin 1889/90; Në fshatin Odër, shkollë fillore private e pranuar nga shteti në vitin 1889/90, me shpenzime vjetore 600 groshë, (kjo shkollë është hapur në shtëpinë e të parëve të Mulla Osman Shaqirit përkatëssisht njihen si familja e kolesianëve);
Funksionon shkolla fillore territoriale "Faik Konica" me 334 nxënës, mësimi zhvillohet me dy ndërrime me 14 paralele, ndërsa përgjegjës i shkollës është arsimtari i historisë Jonuz Xhelili. Kjo shkollë është ndërtuar në vitin pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse përmendet Mulla Vahit Nuhiu si hoxhë dhe si mësues në vitin 1924, por sipas gojëdhënave në këtë fshat në vitin 1912 në Luftën e Parë Ballkanike janë ekzekutuar shtatë odras ndër ta edhe Mulla Murat Saliu, intelektual i shquar i Çështjes Kombëtare si dhe pjesëmarrës aktiv në njësitin ushtarak të Gjeneralit Mehmet Pashë Derallës, gjithashtu mësova se janë të zhdukur që në Luftën e Dytë Ballkanike 17 burra nga Odri që ende nuk mund tu gjenden gjurmët e krimit serb e bullgar, si dhe në vitin 1918 janë vrarë 3 burra nga ky fshat, i përkujtojnë veprat fetare e kombëtare të Efendi Rushan Dervishit (i cili ka qenë nxënës i Xhemil Efendisë (1853-1961) nga Tetova që njihet ndër hoxhallarët më përparimtar ngase ka qenë profesor universitar në Stamboll e bashkëpunëtor me rilindësit tanë, i dënuar në vitin 1950 nga pushteti atëhershëm me 2 vjet burg për shkak se ka përhapur ide përparimtare, kombëtare e fetare dhe ka qenë kundër shpërnguljes së shqiptarëve, edhe pse në moshën 100 vjeçare ka vuajtur burg mbi 6 muaj, ka edukuar e frymëzuar një numër të madh të intelektualëve të trevës së Pollogut e më gjerë, që për fat të keq ende nuk ka zënë vendin e merituar në historiografinë shqiptare këtu në Maqedoni e më gjerë) që në kohën e mbretërisë serbe dhe në atë të Titos ka luajtur rol kyç që të mos shpërngulen shqiptarët nga trojet e veta ku pas Luftës së Dytë Botërore ia kanë dënuar vëllaun Avdil Dervishi (i cili ka qenë me gradë gjenerali) me 16 vjet burg ngase ka qenë bashkëpunëtor besnik i Xhemë Gostivarit. Pra, sipas të gjitha të dhënave mësimi është ndjekur në serbo-kroatisht, ndërsa sot në kuadër të kësaj shkolle territoriale-Faik Konica-Odër mësimin e vijojnë nxënës nga Jazhinca dhe Orasha e Epërme. Siç kuptova nga përgjegjësi Jonuz Xhelili dhe prof. Islam Islami se shkolla në Odër prej vitit 1946 deri më 1948 emrin e ka pasur Enver Hoxha, më 1948 është ndërtuar shkolla dhe emrin e ka pasur Emin Duraku deri më 1953, kurse prej 1953 deri më 1966 Dushan Petrushevski me seli në fshatin Vratnicë, prej vitit 1966 deri 1994 emrin e ka pasur Vëllazërimi me seli në Dobrosht ku edhe sot është drejtoria, por në vitin 1994 e deri më sot e ka emrin FAIK KONICA, por siç kuptova se Këshilli i prindërve i kësaj shkolle do të ngrenë nismën e mëvetësimit të kësaj shkolle territoriale. Shkolla është rindërtuar apo sanuar në vitin 2001 nga Banka Ndërkombëtare e Zvicrës dhe Holandës në vlerë prej 335 mijë euro, si dhe në terrenin e sportit të investuar CIMIC i forcave gjermane të KFOR-it në shumë prej 26.500 euro dhe Bashkësia Vendore me 8 mijë euro. Ka 3 ëmbëltore, 5 shitore dhe disa taksi ku përmendet firma Ajdri, mburren me kuadrin e shkencave ekzakte me ing.pid. i shkencave llogaritëse dhe prof. i shkencave llogaritëse Burim Murtezani dhe Nuri Memeti që të dy të diplomuar në Universitetin e Zagrebit, prej vitit 1999 udhëheqin kompaninë në lëmin e informatikës Tetovo-NET-PRO, shtypshkronja LUMA e ing.të grafikës Xhemil Selimit, por siç thonë se investimi simbolik edhe pse ka tendencë për t'u shtuar nga mërgimtarët të cilët prej viteve 1966 dhe 1967 gjenden në Evropën Perëndimore si në Zvicër, Gjermani, Danimarkë e gjetiu si dhe në SHBA kanë 7 familje, ndërkaq kryetari Ejup Latifi shpreh falënderim publik për ndihmat konkrete të mërgimtarëve të vyeshëm për kontributet për ta ndërtuar e sendërtuar fshatin e tyre që dëshmojnë një mori faktesh dhe argumente të të gjitha segmenteve të jetës ku përmend përpos infrastrukturës në tërësi e me theks të veçantë rezervuari i ujit, rrugëve, në kohë të fundit në terrenin sportiv të shkollës, të ndërtimit të qendrës rekreative sportive ku USAID-IOM ka donuar 33 mijë dollarë amerikan ndërsa Bashkësia Vendore 6 mijë dollarë, ndihmat konkrete për Universitetin e Tetovës, e në veçanti të periudhës së luftës së 2001 nuk kanë kursyer as mjete financiare e të ngjashme.
Por, duhet veçuar se nga ky fshat i cili ka dhënë figura të shquara në rrafshin e shkencës që banorët e Odrit mburren me personalitetet e tilla si: prof.dr. Remzi Nesimi, politikologu Rexhep Saliu-aktualisht diplomat i lartë në ambasadën R.M-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, këngëtari i mirënjohur Mahmut Ferati, aktorin e mirënjohur Luan Bexheti i cili në skenën e filmit në Holivud prezanton vlerat tona si komb para mbarë botës, aktorja Naime Azi, futbollisti i Vardarit Fisnik Nuhiu, volejbollistët Flaurent Islami, Nevzat Fejzuli, Vullnet Dehari e shumë e shumë personalitete të tjera të të gjitha segmenteve të jetës.
Gjithashtu, me nder të veçantë i kujtojnë mësimdhënësit e parë si: mësuesja Veronika Balaj, Neim Mustafi nga Gajrja, Sulejman Krasniqi nga Tetova, Sejdi Idrizi nga Sllatina i cili në vitin 1952/53 është dënuar me burgim për veprimtari politike të çështjes kombëtare, Mustafa Laçi nga Reçica e Vogël, Shefki Drogomaci nga Tetova, Muhamet Qollafi nga Dibra e të tjerë, ndërsa plejada e parë e mësimdhënësve nga Odri janë; Metush Murati, Emin Qamili, Refet Murtezani, Hakik Bexheti, Sherif Iljazi, Nafi Nesimi që ka qenë hoxhë por ka kryer edhe detyrën e mësuesit, Nuri Nesimi-jurist, Nexhati Hasani i punësuar në KEK të Prishtinës, Femi Demiri mjek specialist, si dhe shumë personalitete të reja të gjitha lëmive shkencore. Ky fshat ka mbi 40 familje që marrin ndihma sociale.
Rinia e fshatit, edhe pse me përgatitje adekuate shkencore dhe arsimore, me të mesme dhe një numër simbolik me arsimim fillor, nuk janë të punësuar apo simbolikisht janë në administratën shtetërore dhe dy policë të rregullt. Vetë shtrirja e bukur rrëzë Malit Sharr të jep përshtypjen se ky fshat është në zhvillim e sipër që dëshmojnë shtëpi të reja që janë afër 100 të ndërtuar në këto 10 vjetët e fundit si dhe nuk është evidente komponenti i migracionit fshat-qytet apo diku më larg. Sinori i tokës së këtij fshati kufizohet; në lindje me Bellovishtin, në jug me Nerashtin, në perëndim Dobroshtin, pjesërisht me Parcën dhe Bjeshkët e Sharrit me Kosovën.
INFRASTRUKTURA
Të gjitha investimet e infrastrukturës së këtij fshati janë të kënaqshme sepse deri tani me vetëkontributin e tyre me përjashtim të rrugës rajonale e cila është ndërtuar në vitin 1968. Në Odër uji për pije i përmbush nevojat dhe kërkesat, edhe pse kanë nevojë që ta riparojnë rrjetin gati 60% nëpër fshat, falë investimit të USAID-it, Komunës së Tearcës dhe vetëkontributit të banorëve të Odrit që ka kushtuar mbi 55 mijë euro, e që rezulton se edhe 5 dekada nuk do të kenë kokëçarje.
Banorët e këtij fshati janë me lidhje telefonike të rrjetit tokësor që nga viti 1981/1982. Ndriçimi publik i këtij fshati siç shprehet kryetari i Bashkësisë Vendore, Ejup Latifi se në bashkëpunim me Komunën e Tearcës e mirëmbajnë ashtu siç është më së miri. Gjithashtu, edhe pse është instaluar një trafostacion i ri kohë më parë për të cilën i janë mirënjohës Nadi Sulejmanit zëvendësdrejtor në Elektrodistribucionin e Tetovës, thonë se edhe për disa dekada e kanë rregulluar këtë çështje. Rrugicat i kanë të shtruara që më 1969 ndërsa me asfalt-kocka betoni si dhe është rregulluar sadopak kanali i cili shërben për ujërat e zeza që në vitin 1991 nga instancat e komunës së vjetër të Tetovës dhe tash të Tearcës edhe pse Bashkësia Vendore ka paraparë projekt ideor për kanalizimin e ujërave fekale në bashkëpunim me Komunën e Tearcës, po ashtu në vitin 2001/2002 e kanë zgjeruar rrugën Odër-Nerasht e cila është tamponizuar dhe pritet së shpejti ta asfaltojnë. Por, habit fakti se çështja e mbeturinave në këtë fshat është në gjendje të vështirë ngase ende nuk është gjetur zgjidhje adekuate e ndonjë deponie në nivel komunal.
BUJQËSIA DHE BLEGTORIA
Si në shumë vende të tjera edhe në arat e këtij fshati që janë simbolike për shkak se vendi ka shtrirje të lartësisë mbidetare edhe pse mbi 30% merren me bujqësi, por siç shprehen se me të madhe njerëzit kanë filluar t'i shfrytëzojnë kulturat e ndryshme të bujqësisë të cilat bëhen me bollëk, por që janë për nevojat familjare e ndoshta sadopak edhe për në treg. Kanë mjaft kullota e livadhe dhe bjeshkën e Odrit ku zhvillohet blegtoria dhe aktualisht ka mbi 500 kokë dele nga qehajtë Ismail Murati dhe Tahir Latifi, edhe pse me mburrje tregojnë se dikur kanë qenë qahajë me zë si Islami, Qamili dhe Xhelil Qehaja e të tjerë. Kanë Klubin e Futbollit DRITA që ndihmon në zhvillimin e përgjithshëm tek të rinjtë. Bashkësia Vendore i ka të harmonizuara qëndrimet dhe kërkesat për të mirën e vet fshatit, të cilën gjë e konfirmon edhe kryetari i kësaj komune Llokman Elezi se bashkëpunimi me Bashkësinë Vendore dhe me Komunën e Tearcës nëpërmjet të këshilltarit nga ky fshat janë shumë të mira edhe pse fshati Odër i ka karakteristikat e veta. Për nevojat dhe kërkesat jetike i kanë të harmonizuara veprimet dhe qëndrimet që dëshmon se edhe këshilli i Bashkësisë Vendore thuajse të gjitha projektet i koordinon në interes të ndërsjellë pra, Komunë-Bashkësi Vendore që bashkërisht të ndihmojmë në të mirën e të gjithëve edhe pse na presin ende investime në rrafshin e infrastrukturës. Po ashtu shkollimi i mesëm është bërë si shkollim i domosdoshëm që rezulton me vijimin masiv të shkollimit dhe atë mbi 90% ku vlen të përmendet shkollimi i femrës edhe pse nga ky fshat prej vitit 1970 e këndej femrat kanë ndjek shkollimin në të gjitha nivelet që dëshmojnë edhe kuadrot e shumta që trajtohet fshat me sinonim të shkollimit. Nga ky fshat studimet i ndjekin si në UT, UEJL, në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Nju Jork, Berlin, Osllo, Kopenhagë e gjetiu.
Për të ardhmen ska shenja optimizmi se do të bëhet mirë. Si shumë fshatra të Pollogut edhe ky fshat me banorët e tij janë optimist dhe shpresojnë për ditë më të mira në Maqedoninë e pasluftës.