Fshati Rakovec graviton në Komunën e Bogovinës. Rakoveci në historiografi të të dhënave turko-osmane të shekullit XV dhe XVI më saktë më 1452/53 ka pasur 10 familje dhe 3 të pamartuar, më 1467/68 ka pasur 15 familje dhe 1 të pamartuar, më 1481/82 ka pasur 12 familje, më 1544/45 ka pasur 16 familje kuptohet të krishterë, 2 të pamartuar dhe 2 vejusha, por për herë të parë hasen 3 familje të fesë islame, më 1568/69 ka pasur 14 familje të krishterë dhe 4 të pamartuar ndërsa vetëm 1 familje të fesë islame. Por, kjo nuk do të thotë se ky fshat nuk ka ekzistuar që më herët. Në Rakovec jetojnë tri mëhallë siç janë; Reka, Dede dhe Vidushe.
Prof. Ismet Jonuzi-Krosi
Botuar më: 2002
Numëron 127 shtëpi dhe 936 banorë sipas regjistrimit të vitit 1994, por kjo nuk do të thotë se këto të dhëna janë të sakta. Në këtë fshat që shtrihet në Malësinë e Sharrit. Ky fshat më parë shtrihet në brezin e fshatrave të mesëm siç janë Sellca e Keqe, Novaka, Pallçishti i Epërmë, Gajre e të ngjashëm. Si në shumë fshatrat e tjerë edhe Rakoveci ka Bashkësinë Vendore, xhaminë, dy shitore dhe tri çajtore. Është për tu habitur ngase në këtë fshat nuk ka ambulancë shëndetësie edhe pse kanë përgatitur projektin i cili përafërsisht kushton mbi 40 mijë euro që u është drejtuar shoqatave të ndryshme, sh.f Abdyl Frashëri ku mësimin e ndjekin 150 nxënës dhe atë në dy ndërrime me 9 paralele dhe një paralele e foshnjores.
Duhet veçuar se nga ky fshat, i cili ka dhënë figura të shquara në rrafshin e shkencës dhe politikës që rakovecasit mburren me personalitetet që për opinion dihen si pelivanët Xhevit Ahmeti, Mazllam Zeqiri dhe Qemal Ramizi, Alit Muharemi në cilësinë e sekretarit të Komitetit të atëhershëm Krahinor në mbledhjen historike të Kaçanikut më 2 Korrik 1990 ku lexoi deklaratën që Kosova u shpall Republikë, prof.mr. Rahim Imeri, Ixhet Mehmeti ministër aktual i drejtësisë, ekonomisti Mazllam Selmani, Osman Imeri veteran i arsimit shqiptar, prof.mr. Musli Halimi, prof. Nuhi Ramadani që ka të mbaruar Fakultetin e astronomisë, piktori Miftar Mehmeti, Ekrem Ajruli-poet, i rrallë që kultivon satirën në trevat tona, i cili është me prejardhje nga Rakoveci sot jeton dhe punon në Tetovë si dhe shumë e shumë të tjerë.
Edhe këtë fshat e mundon plaga e rëndë e kurbetit e përfshinë me një përqindje relative ku në ish-Jugosllavi mbi 40% kanë qenë ëmbëltorë të vyeshëm ku sot aktualisht kanë mbetur thuajse mbi 5 % me punë. Më të përqendruar janë në vendet e Evropës e gjetiu edhe pse ky fshat tradicionalisht njihet me sinonimin e ëmbëltorëve në ish-Jugosllavi, por duhet theksuar se nga ky fshat në luftërat nëpër republikat e ish-Jugosllavisë kanë lënë kapital në vlera shumë milionëshe që ende për fatin e tyre askush nuk përkujdeset. Brengë serioze për rakovecasit është dukuria që kohëve të fundit mërgimtarët i marrin me vete edhe fëmijët.
Rinia e fshatit, edhe pse me përgatitje adekuate arsimore si me të mesme dhe një numër i konsiderueshëm me arsimim të lartë, nuk janë të punësuar apo vetëm simbolikisht në administratën shtetërore, ndërsa pritet që së shpejti polici i parë të fillojë me punë pasi të mbarojë kursin me këtë gjeneratë si dhe kanë një epror ushtarak i punësuar në ARM. Sektori privat i ekonomisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është shumë pak i zhvilluar ku aktualisht funksionojnë afro 2 apo 3 lokale afariste. Banorët e Rakovecit simbolikisht merren edhe me bujqësi dhe blegtori, edhe pse në të kaluarën kanë qenë të njohur në rrafshin e blegtorisë, ndërsa sot i njohur në këtë fshat është Sali Xhaferi i cili ka mbi dyqind kokë dele. Arat e këtij fshati edhe pse të pakta, shfrytëzohen kullotat dhe livadhet. Atari i tokës së këtij fshati kufizohet me atë të Bogovinës, Pirokut, Sellcës së Keqe, Novosellës II, Gorjanin dhe në bjeshkë me fshatin Gorgjovisht që u takojnë Komunës së Negotinës së Pollogut.
INFRASTRUKTURA
Me vetë kontribut sadopak është zgjidhur çështja e ujit për pije edhe pse ankohen se duhet të shtohet kapaciteti gjë për të cilën veç kanë filluar me aksionin konkret të punohet për sjelljen e ujit për pije edhe projektin e kanë të gatshëm dhe se duhet të fitojnë nga donacioni i UNHCR në shumë prej 30 mijë dollarë amerikan që do të zgjidhte problemin e përhershëm, ky ujë burimin e ka në bjeshkët e Rakovecit në largësi prej 6 km. në vendin e quajtur Bristovec. Mbi 90% të banorëve të Rakovecit janë me lidhje telefonike me atë të Postës së fshatit Pirok. Ndriçimi publik i këtij fshati siç shprehet kryetari i Bashkësisë Vendore Ajdin Ahmeti se së shpejti do të sanohet ngase këtë e kanë zgjidhur në bashkëpunim me Komunën e Bogovinës dhe se së shpejti do të tejkalohet kjo çështje. Rrugën prej Piroku deri në Rakovec e kanë të shtruara me asfalt në vitin 1993 ku kanë participuar edhe vetë banorët me gati 50% me mjete financiare ndërsa tjetrën komuna e atëhershme e Tetovës, ndërsa me vetëkontribut i kanë shtruar me kocka betoni të gjitha rrugicat kryesore të fshatit si dhe është rregulluar sadopak kanali i cili shërben për ujërat e zeza. Por, bujqit e këtij fshati kanë një problem të përhershëm me ujërat për ujitjen e arave edhe pse kanë tokë pjellore, kanë besim se një ditë edhe ky problem madhor do të zgjidhet në interes të bujqve, ngase vetëm në muajt korrik dhe gusht kanë ujë. Edhe pse kjo çështje është sensibilizuar mjaft, por kjo dukuri ende nuk ka zgjidhje adekuate nga organet përkatëse. Po ashtu është evidente edhe shpërngulja e familjeve nga ky fshat që vendosen në fushën e Pollogut

SHKOLLIMI
Rakoveci në rrafshin e shkollës fillore respektivisht kanë objekt dykatësh ku shkollimin e ndjekin 150 nxënës, janë të punësuar 7 mësimdhënës prej të cilëve 2 profesorë dhe 5 me shkollë të lartë, si dhe dy punëtorë teknikë. Shkolla fillore Abdyl Frashëri në Rakovec graviton në shkollën fillore qëndrore të Bogovinës. Është ndërtuar më 1951 ndërsa 1998 është meremetuar dhe është dykatëshe dhe atë prej klasës së parë e deri në atë tetë, një paralele për foshnjore. Përgjegjës i shkollës në fjalë është arsimtari Ramadan Xhelili. Po ashtu shkollimi i mesëm është bërë si shkollim i domosdoshëm që rezulton me vijimin masiv të shkollimit ku vlen të përmendet shkollimi i femrës edhe pse problem kanë në sigurimin e udhëtimit prej Rakoveci në Tetovë dhe Gostivar e gjetiu që këtë e bëjnë me organizim privat të taksive. Nga ky fshat ka një numër të madh që ndjekin studimet si në UT mbi 90%, e UEJL. Ndoshta rakovecasit në të ardhmen e afërt do ti përkushtohen edhe jetës kulturore, sportit, artit e të ngjashme, ngase një fshat si ky është mëkat të mos ketë së paku një shoqëri kulturore artistike për hir të rinisë. Mbetemi me shpresë se një gjë e tillë do të bëhet realitet në të ardhmen e afërt.
BASHKËPUNIMI ME PUSHTETIN LOKAL
Bashkëpunimi i Bashkësisë Vendore dhe Komunës së Bogovinës nëpërmjet të këshilltarëve nga ky fshat, është shumë e mirë edhe pse fshati Rakovec i ka karakteristikat e veta, në Kuvendin Komunal të Bogovinës përfaqësohet me dy këshilltarë, që nënkupton se punët për nevojat dhe kërkesat jetike i kanë të harmonizuara që dëshmon se edhe këshilli i Bashkësisë Vendore thuajse të gjitha projektet i koordinon në interes të ndërsjellë pra, komunë-bashkësi vendore. Prioritet mbeten si; ambulanca e shëndetësisë, çështja e infrastrukturës si uji për pije ai për ujitjen e tokës e të ngjashme që ndoshta edhe këto kërkesa jetike do të bëhen një ditë realitet. Këtë fshat e kanë ndihmuar edhe simbolikisht shoqatat e ndryshme që veprojnë tek ne, por kanë shpresë se do të ndihmon edhe në të ardhmen e afërt.
Vendemërtimet e fshatit Rakovec; Gjeshkë, guri i zi, nfunt t aumës së madhe, stanet, shavar, te guri i Çanakit, te bote e kuçe, te udhe xhënë, te mali i llofkës, nkarlash, te selishetet, te kajnaki, te jasejkat, te dardha e Beqirit, te arat e kalpta, te lisi, te kodra, te vorret, te përroi i keç, te dushki, te barakat, te fiçi, te kutlica, te arat e kataundit, te vnesht, te arat e Bugavejës, te lipa e Demës e tje.
KRIZA E VITIT 2001
Siç kuptojmë nga Kryetari i Bashkësisë Vendore, Ajdin Ahmeti se gjatë luftës së vitit të kaluar ky fshat ka qenë i organizuar ashtu siç e donte rendi dhe nevoja që nënkuptohet se kanë qenë syçelë. Ky fshat gjatë historisë njihet me pietete për Çështjen Kombëtare që edhe kanë dhënë sprova kombëtare këtë e dëshmuan vitin e kaluar që me mburrje e krenari e përkujtojnë dëshmorin e këtij fshati nga radhët e UÇK-së Fekri Rakipin. Shprehin skepticizëm serioz nga malësorët për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit, por optimizmi mbështetet në faktorin politik shqiptar në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet të përbashkët.