Në kilometrin e 15 të aksit rrugor Tetovë-Jazhincë në verilindje të qytetit gjendet fshati Dobrosht, të cilin lumi Bistrica e ndanë nga fshati Tearcë. Në bazë të ndarjes së re territoriale i takon Komunës së Teracës ku kanë një këshilltar komunal. Fshati shtrihet në lartësi mbidetare në kuotën mbi 500 metër, për nga fizionomia gjeografike përbën një tërësi dhe radhitet ndër fshatrat mesatare dhe në shtrirje ka formën e gjysmë kurorës rrëzë Malit Sharr. Fshati numëron afër 750 shtëpi me mbi 5 mijë banorë.
Prof. Ismet Jonuzi-Krosi
Botuar më: 2002
Edhe Dobroshti në historiografinë turko-osmane të shekullit të XV, daton prej 1452/53 ka pasur 109 shtëpi, 17 të pamartuar 3 vejusha, një vresht dhe një mulli, 10 kopshte me një pasuri 14207 akçë, më 1467/68 160 familje, 10 të pamartuar dhe 21 vejusha, 1481/82 ka pasur 86 familje dhe 3 vejusha, më 1544/45 ka pasur 77 familje, 18 të pamartuar si dhe për herë të parë hasen të regjistruara 3 familje të fesë islame, më 1568/69 ka pasur 59 familje, 31 të pamartuar dhe 1 vejushë, ndërsa 5 familje të fesë islame. Por, duhet veçuar se në rrafshin antropologjik hasim emrin Bojko b. GONIT-fshati Dobrosht TD 363, pra GON/GJON është njëri nga antroponimet më të shpeshta te shqiptarët, të cilin e hasim me një përdorim të dendur edhe në truallin e Maqedonisë në periudhën para pushtimit osman të shekullit XV, në regjistrat turko-osmane të kësaj perudhe emrin vetjak GON/GJON e hasim të përdorur në këto vilajete a nahije si në atë të Tetovës, por kjo nuk do të thotë se ky fshat nuk ka ekzistuar që më herët.
Në këtë fshat, i cili shtrihet rrëzë Malit Sharr apo në fillimin e fushave të Pollogut gjegjësisht përgjatë rrugës magjistrale Tetovë-Jazhincë apo atë për në Republikën e Kosovës. Ky fshat ndahet në mëhallat e lumjanëve, tërkalaçve, haxhiallarëve, pervisteve, restemallarë, çitakallarëve dhe fidallarët gjithashtu ende me përkushtim ruan llagapet familjare të cilat janë; Lumjan, Trakalaç, Çitake, Perviste, Dibran, Tërkalaç etj. Aktualisht ka dy palë varreza ato të vjetrat dhe të rejat, por duhet gjurmuar se sipas shumë të dhënave historike në Dobrosht ka pasur 4 kisha dhe manastire që njëherit dëshmojnë edhe për lashtësinë dhe për vendvarrezat e ndryshme. Por, edhe në hapësirën tokësore është boll e pasur me vendemërtime siç janë; Te Gjuri i Madh, Te Mulliri ( edhe pse në këtë fshat ka pasur pesë mullinj, ndërsa sot punon vetëm njëri që dëshmon për gjallërinë e jetës) Te Zbiralla, Te Domi, Zullishte, Te Lugjata, Kah Rrojna, Zabeli i Medisë, Te Dushku, Te Lethejat, Kraishtet, Silistrajcat, Te Shenjat, Livadhet e Popit, Pefçinat, Druni i Madh e shume mikro vendemërtime që janë në interes të shënohen ngase ende mund ti gjejmë në gojëdhënat e banorëve të Dobrosht. Si në shumë fshatrat e tjerë edhe Dobroshti i ka Bashkësinë Vendore, dy xhami ku aktualisht është imam në xhaminë e re Hamdiarif Xhemi dhe tek e vjetra imam është Islam Asllani, por xhamia është e ndërtuar para më shumë se 350 vjet.
Funksionon shkolla fillore Faik Konica me afro 800 nxënës ku mësimi zhvillohet me dy ndërrime me 36 paralele e të punësuar 60 arsimtarë, ndërsa drejtor i shkollës është Ramadan Azemi. Kjo shkollë për herë të parë është ndërtuar në vitet 1926 ku mësimi është ndjekur në serbo-kroatisht, ndërsa sot në kuadër të kësaj funksionojnë shkollat territoriale nga Odri dhe një nga Dobroshti. Është rindërtuar apo sanuar në vitin 2000 prej shoqatës italiane ICRM në shumë prej 25 mijë euro ku me 20% të mjeteve financiare ka marrë pjesë edhe shkolla.

Ky fshat ka dy ambulanca, një shtetërore dhe ajo private VITO-MED e mjekëve nga ky fshat e Shaban Mehmetit ( ushtar në UÇK-në e Kosovës dhe atë të 2001 si ushtar e mjek) i cili gjatë qëndrimit tonë në këtë fshat na shoqëroi dhe na ofroi shumë kontakt me banorët lokal. Në këtë ambulancë janë të punësuar dy mjek, një stomatolog, një teknik laboratori dhe dy motra medicinale e cila punon 24 orë, ka disa firma prodhuese private kanë 2 pompa benzini, ndërmarrje të njohura si UNI-BAU dhe METI-KOMERC, një restorant PRINC ka 10 lokale, 20 shitore si dhe zyrën e vendit në fshatin Tearcë, por siç thonë se investimi simbolik edhe pse ka tendencë për tu shtuar nga mërgimtarët edhe pse ka mbi 1200 persona në Danimarkë dhe në vende të Evropës Perëndimore si në Zvicër, Gjermani, Norvegji e gjetiu si dhe në SHBA që si sinonim e kanë Hoxhën Jusuf Azemin-sinonim i qëndresës kombëtare pa ideologjizma dhe ngarkesa provinciale.
Ndërkaq Kryetari Isen Hasani shpreh falënderim publik për ndihmat konkrete të mërgimtarëve të vyeshëm për kontributet për ta ndërtuar e sendërtuar fshatin e tyre që dëshmojnë një mori faktesh dhe argumente të të gjitha segmenteve të jetës në Dobrosht. Po ashtu nuk mungon edhe jeta kulturore dhe sportive që ky fshat i ka pasur Shoqërinë Kulturore Artistike ILIRËT e cila që nga viti 1970, ende nuk mund të rimëkëmbet që ndoshta së shpejti edhe do të aktivizohet ashtu siç duhet, sinonim i këngës është këngëtarja e këtij fshati Sherife Sherifi, ndërsa Klubi i Futbollit SLLOGA ndihmon dukshëm në ngritjen e vetëdijes sportive që edhe nuk i mungojnë rezultatet.
Por, duhet veçuar se ky fshat, ka dhënë figura të shquara në rrafshin e shkencës që banorët e Dobroshtit mburren me personalitetet e tilla si: prof.dr. Hasan Jashari, prof.dr. Reshat Qahili, prof. dr. i historisë Nuri Bexheti, i cili është ndër figurat më markante të çështjes kombëtare në dekadën e fundit ku dëshmuan dy luftërat e fundit në Kosovë dhe tek ne, profosori Bilall Lutfiu ish-deputet republikan, spec. Neurologjisë dr. Jahi Ahmeti, i cili gjatë luftës së 2001 ka qenë komandant i skuadrës së shëndetësisë në fshtin Sellcë, plaku i urtë i konaqeve, i cili i ka respektuar me përpikëri zakonet shqiptare Hasan Hasani, Kadri Azemi luftëtarë i vrarë në betejat e Karadakut më 1917 që në Luftën e Parë Botërore 1913-1917 apo kohën e serbit të parë nga ky fshat janë vrarë 17 burra nga një farë gjakpirës ushtarak serbo-sllav kapiteni Gjuroviq, edhe pse përmendet ende burrëria e Isen Rustemit, Halil Ivaja-Koxhaku e shumë e shumë të tjerëve, ndërsa për periudhën 1940/1945 përmenden si; Ramadan Ramadani, Metë Azizi, Brahim Halimi, Llokman Lutfiu si dhe sinonim e kanë Hoxhën Jusuf Azemin-simbol i qëndresës kombëtare pa ideologjizma dhe ngarkesa provinciale, ushtarë të devotshëm të Ballit Kombëtar në Luftën e Dytë Botërore.

Por, duhet shtuar se në Luftën e Dytë Botërore nga ky fshat janë vrarë 33 burra si dhe 38 burra tjerë janë pushkatuar nga uniforma partizane-sllavo-komuniste. Gjithashtu me nder të veçantë i kujtojnë mësimdhënësit e parë si: mësuesi Muhamet dhe Istref Mahmuti, Nexhat Pustina, Adile Pustina, Selajdin Qazimi, Enver Shala, Enver Murati, Zelfi Aliti nga Dobroshti, Jakup Aliti, Menaf Elmazi, Kurtish Aliti, Jumni Elmazi, Selim A. Selimi, Setki Azemi e të tjerë. Ky fshat ka mbi 40% që marrin ndihma sociale. Rinia e fshatit, edhe pse me përgatitje adekuate shkencore dhe arsimore, me të mesme dhe një numër simbolik me arsimim fillor, nuk janë të punësuar apo simbolikisht janë në administratën shtetërore. Si në shumë vende të tjera edhe në arat e këtij fshati që janë mbi 5 ha.
Një përqindje simbolike mbeten të papunuara që siç shprehen se me të madhe njerëzit kanë filluar ti shfrytëzojnë kulturat e ndryshme të bujqësisë të cilat bëhen me bollëk, por që janë për nevojat familjare e ndoshta sadopak edhe për në treg. Vetë shtrirja e bukur rrëzë Malit Sharr të jep përshtypjen se ky fshat është në zhvillim e sipër që dëshmojnë shtëpi të reja të ndërtuar në këto 5 vitet e fundit si dhe nuk është evident komponenti i migracionit fshat-qytet apo diku më larg. Sinori i tokës së këtij fshati kufizohet me atë të, Nerashtit, Gllogjës, Odërit dhe Bjeshkët e Sharrit me Kosovën.
INFRASTRUKTURA
Të gjitha investimet e infrastrukturës së këtij fshati janë të kënaqshme sepse deri tani me vetëkontributin e dobroshtasve me përjashtim të rrugës rajonale e cila është ndërtuar në vitin 1968. Me vendim të Bashkësive Vendore të fshatrave Dobrosht, Gllogjë dhe Tearcë rruga kryesore, apo rruga e Kaçanikut e që është shtruar në vlerë prej 150 mijë euro, që i lidh këto fshatra është pagëzuar me emrin SHABAN SAHITI, e që ia kanë ngritur pllakën përkujtimore dëshmorit të luftës së lavdishme të USHTRISË ÇLIRIMTARE KOMBËTARE të vitit të kaluar. Në Dobrosht uji për pije është i ndaluar nga Enti Epidemiologjik, ngase siç kuptojmë nga Isen Hasani se uji zihet për tu përdorur dhe se u mungon një basen për të cilin bashkësia vendore e cila në përbërje të këshillit kanë njerëz që janë në koordinim ngase janë me kualifikime të larta si dhe tituj shkencor, kanë përgatitur projekt për basenin i cili do të kushtojë mbi 150 mijë euro, që do të thotë se pjesërisht do ta zgjedh këtë problem jetik. Banorët e këtij fshati janë me lidhje telefonike të rrjetit tokësor, të cilët ankohen se kanë nevojë edhe për numra të rinj e cila duhet një ditë të ndodh. Ndriçimi publik i këtij fshati siç shprehet kryetari i bashkësisë vendore Isen Hasani se duhet të sanohet në bashkëpunim me Komunën e Tearcës. Gjithashtu, edhe pse janë instaluar dy trafostacione për të cilën i janë mirënjohës Nadi Sulejmanit zëvendësdrejtor në Elektrodistribucionin e Tetovës, por thonë se kanë nevojë edhe për tri trafostacione të reja që besojnë se do të hasin në mirëkuptim tek organet përkatëse të elektro-ekonomisë. Rrugicat i kanë të shtruara me asfalt-kocka betoni si dhe është rregulluar sadopak kanali i cili shërben për ujërat e zeza që në vitin 1985 e që ka kushtuar afër 2 milionë euro.
BASHKËSIA VENDORE DHE KOMUNA E TEARCËS-BASHKËPUNIM SHUMË I MIRË
Bashkësia Vendore, ka anëtarë të cilët janë thuajse të gjithë me fakultet si dhe me tituj shkencor, kanë dy këshilltarë komunal dhe i kanë të harmonizuara qëndrimet dhe kërkesat për të mirën e vet fshatit, të cilën gjë e konfirmon edhe Kryetari i kësaj komune Llokman Elezi se bashkëpunimi me Bashkësinë Vednore dhe me Komunën e Tearcës nëpërmjet të këshilltarëve nga ky fshat, janë shumë të mira edhe pse fshati Dobrosht i ka karakteristikat e veta.
Për nevojat dhe kërkesat jetike i kanë të harmonizuara veprimet dhe qëndrimet që dëshmon se edhe Këshilli i Bashkësisë Vendore thuajse të gjitha projektet i koordinon në interes të ndërsjellë pra, komunë-bashkësi vendore që bashkërisht të ndihmojmë në të mirën e të gjithëve edhe pse na presin ende investime në rrafshin e infrastrukturës.
SHKOLLA DHE SHKOLLIMI JAPIN KUADRO TË TË GJITHA LËMIVE SHKENCORE
Shkolla Fillore Qendrore Faik Konica Dobrosht-me afro 800 nxënës ku mësimi zhvillohet në dy ndërrime me 36 paralele, të punësuar 60 arsimtarë, ndërsa drejtor i shkollës është Ramadan Azemi. Kjo shkollë për herë të parë e ndërtuar në vitet 1926 ku mësimi është ndjekur në serbo-kroatisht, ndërsa sot në kuadër të kësaj funksionojnë shkollat territoriale nga Odri dhe një nga Dobroshti. Është rindërtuar apo sanuar në vitin 2000 prej shoqatës italiane ICRM në shumë prej 25 mijë euro ku me 20% të mjeteve financiare ka marrë pjesë edhe shkolla. Më 13.11.2002 në Lagjen e Poshtme, solemnisht u inaugurua objekti i ri shkollës ku do të mësojnë 117 nxënës në 5 paralele një foshnjore, tri fillore dhe një klasë e përzier në gjuhën maqedonase. Në praninë e shumë mysafirëve dhe zyrtarëve eminent nga vendi dhe jashtë, solemnitetin e shpalli të hapur Ramadan Azemi-drejtor i Shkollës fillore Faik Konica. Në këtë solemnitet përshëndetën me fjalë rasti shumë personalitete të shquara si përfaqësues nga shoqatat e ndryshme donatore për ndërtimin e këtij objekti.
Shkollën e re e lëshuan në përdorim ekselenca e tij Lorens Batler-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni dhe Ramadan Azemi drejtor i shkollës fillore të këtij fshati. Objektin e ri e kanë financuar Ministria e Arsimit e Republikës së Maqedonisë, dhe donatorët; USAID, IOM, CRS, UNHCR-ja e të tjerë. Të cilëve për kontributin e dhënë iu ndanë mirënjohje publike. Kjo godinë e re paraqet gëzim të madh për vogëlushët e Lagjes së Poshtme të Dobroshtit, sepse prej sot mësimet do ti vijojnë afër shtëpive të tyre. Ramadan Azemi-Drejtor i sh.f Faik Konica- fshati Dobrosht. Po ashtu shkollimi i mesëm është bërë si shkollim i domosdoshëm që rezulton me vijimin masiv të shkollimit dhe atë mbi 95% ku vlen të përmendet shkollimi i femrës. Siç kuptojmë nga Shaban Mehmeti-mjek në se nga ky fshat studimet i ndjekin si në USHT, UEJL, në Prishtinë, Tiranë, Shkup e gjetiu.
JETA KULTURORE DHE SPORTIVE
IOM-i investon 34 mijë dollarë në ndërtimin e terrenit sportiv në fshatin Dobrosht. Para një muaji ka filluar të realizohet investimi në fushën e sportit nga ana e IOM-it i cili kushton gati 34 mijë dollarë amerikan. Mbi 30% i këtij projekti përkrahet financiarisht edhe nga banorët e këtij fshati. Kjo fushë sporti e cila ndërtohet do të ndihmojë në ngritjen e vetëdijes sportive në këtë fshat multietnik. Llokman Elezi-Kryetar i Komunës së Tearcës, i cili e përshëndet një investim të tillë, ngase kjo komunë është njëra prej komunave më të varfra në rajonin e Tetovës, andaj i falënderoi të gjitha shoqatat e ndryshme që kanë ndihmuar e në veçanti atë të IOM-it.
Të rinjtë e Dobroshtit që moti kanë ëndërruar për një terren të këtillë sportiv, i cili sadopak do ti kënaq dëshirat dhe kërkesat e tyre. Selajdin Dauti-aktivist nga Dobroshti, ndër të tjerat deklaron se kjo nismë është e kamotshme që rinia të ketë një terren të vetin, dhe ne e përgatitëm projektin dhe dokumentet e duhura ligjore dhe me ndihmën e IOM-it që ndihmojnë financiarisht mbi 70% jemi duke e mbaruar këtë projekt fisnik në të mirë të të rinjve të Dobroshtit. Gjithashtu Rexhep Dauti-arsimtar nga Dobroshti, shpreh gëzimin e tij ngase të rinjtë do të kenë mundësi se ku të kalojnë kohën e lirë dhe të kenë afërsi njerëzore pas të gjithave që ndodhën vitin e kaluar tek ne. Para se të ndaheshim nga kjo vizitë lamë një grup të rinjsh e fëmijësh nga Dobroshti, të cilët me padurim presin përfundimin e punëve ndërtimore. Por, ata edhe në këtë fazë gjejnë mënyrë dhe hapësirë që me topin e futbollit të lozin në fushën e tyre të ardhshme sportive.
Klubi i Futbollit SLLOGA
Për të ardhmen shprehin dyshim, por prapë se prapë ka shenja optimizmi se do të bëhet mirë nëse jetësohet Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Si shumë fshatra të Pollogut edhe ky fshat me banorët e tij janë optimist dhe shpresojnë për ditë më të mira.