E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kompozitorja mendon se nuk falet një profesionist, që vendos komercializmin para vlerave artistike muzikore.
Lejla Agolli: Kritika t’u flasė vlerave nė muzikė, jo tė nderojė pseudoartistėt















Nga Julia Vrapi

“Nuk do ta falja një profesionisti që të vejë komercializmin para vlerave artistike muzikore”, u shpreh kompozitorja Lejla Agolli. Me një karrierë të gjatë muzikore, kompozitorja thekson se për emra të mëdhenj të muzikës botërore, ashtu si ka pasur rëndësi krijimtaria muzikore ashtu ka pasur rëndësi edhe kritika. Për kompozitoren Agolli kritika e mirë dhe profesionale arrin të ndajë vlerat nga antvilerat në muzikë, duke orientuar në këtë mënyrë dhe shijet muzikore. Sipas kompozitores, nëse kritika është e mirë dhe mbi baza profesionale ajo nxit dhe më shumë krijimtarinë artistike. “Duhet të jenë profesionistë ata që duhet të shkruajnë muzikë. Ata duhet të kenë bagazh muzikor dhe eksperiencë, por tek ne bëhen shfaqje muzikore të cilat shikohen nga publiku dhe nuk gjenden fjalët e duhura për të bërë një kritikë të mirë, ashtu si duhet dhe e mbështetur mbi baza profesionale.

Të bësh të gjitha këto duhet të mendohesh mirë që të servirësh një vepër muzikore me një standard të tillë”, tregon kompozitorja Lejla Agolli. Më tej ajo duke folur mbi vlerat muzikore tregon se nëse vazhdon kritika gjithmonë me fjalë të bukura dhe e pa mbështetur mbi baza profesionale, atëherë ajo do të jetë një kopje e keqe dhe muzika nuk e bën misionin e saj. “Unë nuk e di nëse kjo mund të quhet kritikë, pasi për mua kjo është një flluskë e madhe dhe për mua nuk duhet të jetë e tillë”, thekson kompozitorja. Më tej ajo pohon se nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë, atëherë do të jetë shumë e dëmshme për krijimtarinë muzikore shqiptare.

“Kritika duhet të jetë në shërbim të edukimit muzikor, të edukimit të shijeve, të edukimit të brezave të rinj që merren me krijimtarinë muzikore. Nëse kritika nuk arrihet dhe ne vetëm bëjmë shfaqje dhe duartrokasim fuqishëm kur ajo nuk ka vlera, atëherë kjo e dëmton shumë krijimtarinë muzikore shqiptare”, cilëson ndër të tjera kompozitorja Lejla Agolli.

Jeni një kompozitore e njohur, por çfarë mendoni sot për kritikën muzikore në vendin tonë, sa i flet ajo vërtetë muzikës sot?

Historikisht në historinë e muzikës për emra të mëdhenj, ashtu siç ka rëndësi krijimtaria muzikore, po aq rëndësi ka pasur dhe kritika në muzikë. Ka shumë arsye që kritika të jetë në madhësinë maksimale. Unë po ju përmend disa. E para një kritikë e mirë e ardhur nga profesionistë të vërtetë, ajo orienton shijet publikut, sepse muzika shkruhet për publikun. Duke qenë një kritikë e mirë dhe e përgatitur maksimalisht nga ana profesionale ajo ndan dhe vlerat nga antivlerat muzikore. Emra kritikësh të famshëm, që kanë mbetur në historinë e muzikës që në kohën e Verdit, janë marrë me kritikën e muzikës, sepse një profesionistë i mirë di ti hyjë në thellësi veprës muzikore, nga ana profesionale, materiali muzikor, interpretimi etj.

Roli i pazëvendësueshëm për mua i kritikës është sepse ajo edhe stimulon edhe nxit dhe nga kjo ka dhe zhvillim krijimtaria muzikore. Një kritik i muzikës duhet të jetë i shkolluar nëse ai do që të merret me krijimtarinë muzikore. Kritika muzikore e vërtetë nuk është vetëm për thënë fjalë kritikuese por ajo thotë dhe fjalën e mirë. Nëse unë kam shkruar një vepër që ka brenda frymëzimin, talentin, profesionalizimin, atëherë kritika është e mirë dhe kjo është një stimul shumë i madh për mua dhe duke qenë ky stimul unë nxitem dhe më shumë në krijimtarinë muzikore. Kryesore tjetër tek kritika muzikore është edhe orientimi, sepse nëse unë shkruaj diçka të bukur unë bëj një mision, pasi i servir brezit të ri një vepër të mirë profesionale dhe të vlerësuar nga kritika, unë në këtë mënyrë orientoj shijet e brezit të ri, sepse ai nesër do të jetë e ardhmja. Nëse kjo kritikë nuk do të jetë e vërtetë, nuk do të bëjë punën e saj ose ata që për mua janë pseudokompozitorë do të vazhdojnë të shkruajnë vepra muzikore, atëherë ku shkon kjo shije e brezit që vjen?

Ju pohoni se në art duhet të jetë një kritikë e vërtetë, por ndërkohë që janë dhe shumë artistë që nuk flasin mbi këtë situatë që ka të bëjë me krijimtarinë muzikore, ju vetë si e komentoni këtë?

Kjo është e vërtetë, pasi sot shumë artistë nuk flasin dhe kritika e krijimtaria muzikore duhet të bëhet mbi bazë vlerash. Duhet të jenë profesionistë ata që duhet të shkruajnë muzikë. Ata duhet të kenë bagazh muzikor, eksperiencë, por tek ne bëhen shfaqje muzikore të cilat shikohen nga publiku dhe nuk gjenden fjalët e duhura për të bërë një kritikë të mirë, ashtu si duhet dhe e mbështetur mbi baza profesionale.

Të bësh të gjitha këto duhet të mendohesh mirë që të servirësh një vepër muzikore me një standard të tillë. Unë ndërkohë që dëgjoj dhe epitete si e mrekullueshmja, e mallërishmja, etj, që nëse vazhdon do të jetë një kopje e keqe dhe muzika nuk e bën misionin e saj, ndërkohë unë nuk e di nëse kjo mund të quhet kritikë, pasi për mua kjo është një flluskë e madhe dhe për mua nuk duhet të jetë e tillë.

Nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë, atëherë çfarë do të sjelli kjo në krijimtarinë muzikore shqiptare?

Nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë, atëherë do të jetë shumë e dëmshme për krijimtarinë muzikore shqiptare. Kritika duhet të jetë në shërbim të edukimit muzikor, të edukimit të shijeve, të edukimit të brezave të rinj që merren me krijimtarinë muzikore. Nëse kritika nuk arrihet dhe ne vetëm bëjmë shfaqje dhe duartrokasim fuqishëm kur ajo nuk ka vlera, atëherë kjo e dëmton shumë krijimtarinë muzikore shqiptare.

Shumë artistë kanë vënë komercializmin para vlerave artistike, ju si mendoni?

Unë nuk do t’ia falja një profesionisti që të vejë komercializmin para vlerave artistike muzikore.

E ndërkohë që ju keni qenë për shumë vite edhe drejtuese e Ansamblit Popullor, ndërkohë çfarë mendoni sot për krijimtarinë popullore?

Që në vitin e dytë studente, unë kam kërkuar shumë në Institutin e Folklorit. Jam marrë shumë me vallet, këngët, motive të ndryshme që kanë të bëjnë me krijimtarinë folklorike. Unë mund t’ju siguroj që ne kemi një hapësirë të pafundme të folklorit shqiptar, e cila duhet të shfrytëzohet sot nga ata që merren me krijimtarinë popullore shqiptare, kush do ka se çfarë të marrë dhe ajo nuk mbaron. Unë nuk do t’ia falja askujt që pretendon që është muzikant dhe nuk do ta shikonte seriozisht këtë pasuri të çmuar të folklorit tonë.

Nëse ne nuk do të punojmë për këtë pasuri muzikore ne do të mbetemi një kopje e keqe dhe pa identitet. Sot identiteti ynë është krijimtaria popullore, e cila ka shumë larmi dhe kjo është e veçantë. Nëse unë po përmend DV e famshme të Kubës që bëri xhiron e botës, Shqipëria që është shumë e vogël ka një larmi të paparë në folklor. Nuk mund të bësh një DV të tillë për Shqipërinë, por duhet të bësh minimumi tre të tilla, që të ketë veriun, jugun dhe Shqipërinë e Mesme. Nëse unë do shkruaj një valle me temë nga veriu, ka kaq shumë motive të bukura sa mund të bësh krijime të bukura. Unë vetë i kam përdorur këto motive. Kam shkruar në vitin 2000 një vepër për klarinetë dhe orkestër, dhe është luajtur në Vatikan në një nga mjediset më të famshme muzikore, ku ishte dhe Papa që ndiqte koncertin e Milleniumit.

Vepra kishte motivet e klarinetës së jugut, kishte brenda shijet e mia, fantazinë dhe mbi të gjitha ishte shqiptare dhe vepra pati sukses. Motivet dhe larmia të garantojnë gjysmën e suksesit, ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me profesionin si punon ti. Sot kemi dhe rrymën turbo-folk, i cili më shumë se kaq nuk ka se ku të shkojë më. Unë shpresoj që të ketë arritur kulmin e tij dhe të fillojë të ketë rënien e tij. Koha do ti fshijë dhe do të mbeten ato që duhen në krijimtarinë popullore.

Publikuar: 04.02.2011 | 11:27
Lexuar: 754 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime