E shtunë, 15.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Procesi i votimit elektronik, paraqet një proces i cili përfshinë shumë faza, duke filluar nga regjistrimi, përgatitja, votimi, dhe numërimi elektronik i votave. Secila nga teknologjitë aktuale të votimit, ka pikat e saja të dobëta, asnjëra prej tyre nuk mund të jetë perfekt.
Votimi elektronik, një mundësi e re për Maqedoninë











Mr. Besim Abdullai

Procesi i votimit elektronik, paraqet një proces i cili përfshinë shumë faza, duke filluar nga regjistrimi, përgatitja, votimi, dhe numërimi elektronik i votave.

Procesi i votimit ka qenë historikisht një proces me shumë gabime, si dhe proces me shumë manipulime. Në shumë vende, ka tentativa për vjedhje të votave, ndërsa në disa vende tjera, humbësit dëshirojnë rinumërimin e votave për disa herë. Votimi, si i tillë mund të rezultojë në kriza të mëdha politike, siç ndodhi në Ukrainë në vitin 2004. Ndërsa problemet gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000 në SHBA, i dhanë një shtyrje apo përshpejtuan vendosjen e votimit elektronik.

Procesi i votimit kërkon integritet të jashtëzakonshëm, si dhe sinqeritet dhe eksperiencë në mesin e punëtorëve të administratës elektorale. Në shumë vende, zgjedhjet vëzhgohen nga ekspertë të jashtëm. Procesi i zgjedhjeve mund të ketë nevojë për përsosmëri edhe të masës votuese.

Votimi nënkupton një spektër të gjerë problemesh teknologjike dhe sociale, të cilat duhet adresuar si duhet dhe në mënyrë sistematike, që nga regjistrimi i votuesve deri te numërimi i votave dhe paraqitja e rezultateve. Për këtë arsye, votimi elektronik d.t.th. gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm.

Secila nga teknologjitë aktuale të votimit, ka pikat e saja të dobëta, asnjëra prej tyre nuk mund të jetë perfekt. Sidoqoftë, procesi plotësisht elektronik i votimit, ka sjellë polemika të shumta për shkak të disa faktorëve, si: dobësitë e procesit të verifikimit apo certifikimit, natyra e softuerit që mundëson votimin, pamundësia e testimit në “bllok të zi” që të garantohej korrektësia, fshehtësia e procesit të votimit dhe numërtimit të votave, vlerësimi i prodhuesit të sistemit, dhe pamundësia e rinumërimit të pavarur dhe adekuat të totalit të votave.

Vendi i parë ku janë organizuar votimet e plota nëpërmjet kompjuterit është Brazili, ku u organizuan zgjedhjet e vitit 2000. Në SHBA, sistemet elektronike kanë filluar të përdoren që prej vitit 1980, por më së shumti në procesin e numërtimit të votave, ndërsa implementimi i votimit elektronik nëpërmjet kompjuterëve me ekran të ndjeshëm ndaj prekjeve (angl. Touch-screen systems) u përdor në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.

Në këndvështrimin teknologjik, makinat për votim e bëjnë shumë të thjeshtë vjedhjen elektronike të votave. Vjedhja elektronike e votave ka të bëjë me realizimin e softuerit, i cili do të numëronte votat e subjektit X duke i shtuar për dy, ndërsa votat e subjektit Y mos t’i numëronte fare. Së këndejmi, masat e sigurisë dhe auditimit janë çelësi i suksesit të votimit elektronik. Sidoqoftë, duke krahasuar parregullsitë që ndodhin me votimin tradicional, shtimin e teknologjive për sigurimin e votave elektronike apo rritjen e e-sigurisë, votimi elektronik mund të jetë zgjidhja. Informacione më të thella për votimin elektronik mund të gjenden në faqen fcw.com.

Realizimi i e-qeverisjes

Qeveritë e ndryshme të joshura nga benefitet e ndryshme të bizneseve private, nga organizimi online i proceseve dhe operacioneve, shkëmbimi i lirë i shërbimeve dhe informacioneve, filluan me përqafimin teknologjisë informative e posaçërisht Ueb teknologjisë, duke kaluar kështu në e-qeverisje.


Fazat e zhvillimit të e-qeverisjes



Transformimi i shërbimeve qeveritare nga ato të zakonshme manuale, deri te shërbimet online plotësisht të digjitalizuara, mund të jetë një proces i lodhshëm. Njëra nga firmat këshilluese më të njohura në botë “Deloitte & Touche”, zhvilloi një studim, ku identifikoi gjashtë faza të transformimit të e-qeverisjes:

Faza 1: Publikimi i informacioneve. Departamente qeveritare të veçanta krijuan Ueb faqet e veta personale, nëpërmjet të cilave informonin publikun për kompetencat e atij departamenti, shërbimet që ai ofron, dhe informacione për kontakt në rast të paqartësive. Kjo fazë mund të përfshinë edhe publikimin e një broshure në format digjital, me qëllim që të informon të interesuarit për gjëra të përgjithshme, dhe të kursen të punësuarit në linjat e ndihmës telefonike apo online, duke u gjendur në ndihmë atyre që kanë probleme më të mëdha.

Faza 2: Transaksionet zyrtare dy-kahëshe me të njëjtin departament. Me anën e nënshkrimeve digjitale (angl. digital signatures) dhe Ueb faqeve të sigurta, qytetarët mund të realizojnë transaksione monetare dhe të bartin informacione personale, drejt një departamenti të vetëm qeveritar. Në këtë fazë, qytetarët duhet të jenë të bindur në aftësinë e departamenteve qeveritare për të mbajtur sekret informacionet e tyre private duke përjashtuar piraterinë. Si shembull tipik i fazës dy, është pagesa e taksave në SHBA, nëpërmjet plotësimit të formularit për taksa online.

Faza 3: Portalet multifunksionale. Në këtë fazë, qeveritë e orientuara drejt qytetarëve si konsumatorë të shërbimeve, bëjnë ndryshime të mëdha në sferën e shërbimeve online. Duke u bazuar në faktin se nevojat e konsumatorëve mund të tejkalojnë kufijtë e departamenteve, portalet ju mundësojnë atyre një pikë të vetme fillestare apo një portë, ku mund të dërgojnë apo pranojnë informacione, dhe ku mund të realizojnë transaksione financiare nëpër disa departamente. Ky lloj i portaleve paraqet një model me një sportel (ang. One stop e-government) të e-qeverisjes, që nënkupton integrimin e më shumë shërbimeve në një lokacion, si psh. portali www.gov.sg, www.ecitizen.gov.sg, etj.

Faza 4: Personalizimi i portaleve. Në fazën 3 qytetarëve ju mundësohej qasja në shumë shërbime në një Ueb faqe të vetme. Në fazën e katërt, qeveria ju mundëson qytetarëve që të ndryshojnë përmbajtjen e portalit të qeverisë sipas preferencave të secilit qytetar, duke mbajtur vetëm informacionet e natyrës apo sferës që atyre ju intereson. Që të realizojnë këtë mundësi, faqet e qeverisë kanë nevojë për më tepër Ueb programim të sofistikuar, që ju lejon përdoruesve manipulimin me interfejsin e faqes. Benefitet apo vlera e shtuar e këtyre portaleve të personalizuara, vjen nga fakti se faqet e këtilla tërheqin më shumë qytetarë të interesuar të lexojnë informacionet elektronike, krahasuar me informacionet e kërkuara në rrugë jo-elektronike. Kjo mundëson një menaxhim të mirëfilltë të relacioneve me konsumatorët (CRM) në e-qeverisje. Shembuj të tillë portalesh janë ed.gov, irs.gov, etj.

Faza 5: Grumbullimi i shërbimeve të përbashkëta. Kjo fazë është faza ku merr formë reale transformimi i strukturës së qeverisë. Pasi që qytetarëve tash më ju është mundësuar personalizimi i Ueb faqeve të qeverisë, shërbimet e shumta dhe paketat e informacioneve nga më të ndryshmet, kanë sjellë një gjendje ku qytetarët vështirë mund të thonë me saktësi se në Ueb faqen e cilit departament gjenden, dhe dallimet ndërmjet shërbimeve të departamenteve të ndryshme qeveritare do të fillojnë të “mjegullohen”. Qytetarët do të shohin një grumbull shërbimesh, dhe jo një grup departamentesh apo agjencish qeveritare. Që të mos ndodhë kjo turbullirë, qeveritë duhet të grumbullojnë shërbimet në bazë të linjave të përbashkëta, ashtu që të nxisin dërgimin e shërbimeve të përbashkëta. Me fjalë tjera, do të bëhet ristrukturim biznesor. Implementimin e fazës 5, e kanë filluar Australia, Kanada, Zelanda e re, Anglia, dhe SHBA, kah fundi i vitit 2004.

Faza 6: Integrimi i plotë dhe transformimi i ndërmarrjes. Kjo fazë ofron një qendër të kompletuar shërbimesh, të personalizuar sipas nevojave dhe kërkesave të secilit konsumator. Në këtë fazë, muret e vjetra që ndanin shërbimet e departamenteve të ndryshme janë rrënuar, duke integruar teknologjinë që të shkurtojnë dallimet më të mëdhaja të zyrës së shërbimeve (angl. front Office) dhe zyrës mbështetëse (angl. back Office). Në disa vende, departamente të rreja krijohen nga mbeturinat e departamenteve paraardhëse. Disa departamente do të kenë emra të njëjtë, por përmbajtja nuk do të jetë e aspak e ngjashme pas implementimit të e-qeverisjes. Në këtë fazë do të realizohet bashkëpunim i plotë elektronik ndërmjet departamenteve të qeverisë, dhe ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve, si dhe të tjerëve, e që është në fazën e planifikimit.(29)


Votimi elektronik



Sfidat gjatë implementimit të e-qeverisjes

Çështjet e mëposhtme të implementimit varen nga gjashtë nivelet e zhvillimit të qeverisë dhe planit për arritjen e niveleve më të larta:
Shpejtësia e transformimit. Shpejtësia e kalimit të qeverisjes nga faza 1 deri te faza 6 e e-qeverisjes, ndryshon dhe zakonisht është një transformim i ngadalshëm. Faktorët kyç që ndikojnë në shpejtësinë e këtij transformimi lidhen me rezistencën e punëtorëve qeveritarë ndaj ndryshimeve, shkalla e pranimit të shërbimeve elektronike nga ana e qytetarëve, buxheti i qeverisë për e-qeverisje, dhe legjislacioni.

Implementimi i G2B (aplikacionet e llojit Qeveria drejt Bizneseve). G2B implementohet më lehtë se G2C. Në disa vende, aplikacionet G2B u huazohen (angl. outsourcing) kompanive private, në këmbim të një provizioni nga transaksionet e realizuara, psh. në Hong Kong. Shërbimet e llojit G2B kanë kursime kostosh të shpejta, dhe mund të jenë një mënyrë e mirë për fillimin e e-qeverisjes.

Siguria dhe privaciteti.

Qeveritë brengosen për mirëmbajtjen e sigurisë dhe privacitetin e të dhënave të qytetarëve, sidomos në sferën e shëndetësisë. Nga aspekti mjekësor, qasja e shpejtë në të dhënat pacientëve është primare, dhe një gjë e tillë mundësohet nga Interneti dhe kartelat inteligjente, ndërsa sigurimi i këtyre informacioneve është shumë i kushtueshëm. Vendosja se sa duhet të investohet në sigurimin e të dhënave dhe sistemeve informative, është një çështje mjaft sfiduese për menaxhmentin.

Aplikacionet pa tel (angl. wireless). Shumica e aplikacioneve pa tel janë të llojit B2E, sidomos për të punësuarit që gjenden në teren, apo aplikacione të llojit B2C, si psh. rasti i qytetit Bergen në Norvegji, i cili ofron shërbime pa tel (angl. wireless), për shërbime turistike. Në të ardhmen mund të priten shumë aplikacione të këtilla, prandaj duhet të merren parasysh plane për transformime të kësaj natyre.

Publikuar: 15.04.2009 | 04:58
Lexuar: 4764 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime