E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ata mësimdhënës, të shkollës fillore “Elena Gjika”, nuk përbëjnë një grup të caktuar, të veçuar, të njohur si për të tillë deklarativisht. Në momentin e caktuar, ata thjesht kanë manifestuar qëndrimet tona shoqërore të heshtura. Do të thotë: qëndrimet raciste!
Ne, racistėt




Arben Idrizi

Qëndrimet raciste, fashiste, të urrejtjes në përgjithësi ndaj “tjetrit”, me një fjalë qëndrimet jonjerëzore (në terminologjinë e sotme do të mund të thoshim edhe qëndrimet jodemokratike, jotoleruese) manifestohen fillimisht në raste të veçuara. Ndonjëherë janë shenjë e shkuarjes së pandalshme drejt një qëndrimi ideologjik që në fund merr përmasa tragjike, e ndonjëherë vazhdojnë të gjallojnë ashtu, në mënyrë sporadike, duke e lënë një vend të caktuar nën hijen e trazimeve dhe krizave. Rastit të dytë, ma ha mendja, i takon ajo që ngjau ditë më parë në shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë. Siç jeni të informuar tashmë, mësimdhënësit shqiptarë të kësaj shkolle bojkotuan procesin mësimor në shenjë proteste ndaj zgjedhjes në postin e zëvendësdrejtorit të z.Daut Hamullar. Z.Hamullar i takon pakicës etnike turke në Kosovë, ndërsa, sipas të dhënave, në këtë shkollë të kryeqytetit vijojnë mësimin nxënës të kësaj përkatësie etnike.

Me zgjedhjen e tij si zëvendësdrejtor, besohet, në njëfarë mënyre do t’iu ofrohej këtyre nxënësve një përfaqësim më i afërt, sado që, parimisht, nuk përjashtohet mundësia se atë përfaqësim do ta kishin edhe me një zëvendësdrejtor shqiptar. Megjithatë, a është bash kështu?

Duke parë reagimin e mësimdhënësve shqiptarë, duket se jo. Përveç në rast se këta të fundit do të shkonin me bindjen se, duke qenë shumicë, u takon të kenë në duar gjithçka. Por, nuk është e thënë të jetë kështu. E dimë se, edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e gjithsesi kjo ka shumë rëndësi, zgjedhja e tij në atë post parimisht është e ligjshme. Do të mund të kontestohej zgjedhja e tij, në rast se ai nuk do t’i plotësonte kriteret profesionale. Por, për këtë s’ka folur askush. Kontestimi i mësimdhënësve shqiptarë është ndërtuar mbi kriteret etnike, të cilat s’do të duhej të ekzistonin në një vend demokratik. Mirëpo, shihet, ekzistojnë.

KMDLNJ e ka vlerësuar këtë reagim si një fyerje me përmasa raciste. Dëshiroj të them: në esencë, jo me përmasa, por thjesht reagim racist. Si i tillë, është për t’u shqetësuar edhe/vetë ne.

Duke u lëshuar në një diskurs human dhe etik, do të thoshim se kjo sjellje e atyre që konsiderohen edukues të fëmijëve tonë (një atribut sublim, fisnik), është turpi më i madh me të cilin e mbulojmë veten dhe atë me plot vetëdije. Si është e mundur kjo? Ndoshta fare thjeshtë: nuk është një pjesë e veçuar e shoqërisë që manifeston sjellje të tilla diskriminuese ndaj komuniteteve pakicë në vend – është në përgjithësi e tërë shoqëria ajo që e ka në vetvete këtë qëndrim. Po të vinin sjellje të tilla nga një grup i caktuar i njohur, të themi me prirje të deklaruara antiminoritare, do të dinim të distancohemi nga ai dhe për kundërpeshë t’i manifestojmë sjelljet tona toleruese, demokratike. Ata mësimdhënës nuk përbëjnë një grup të caktuar, të veçuar, të njohur si për të tillë deklarativisht. Në momentin e caktuar, ata thjesht kanë manifestuar qëndrimet tona shoqërore të heshtura. Do të thotë: qëndrimet raciste!

Dhe, merreni me mend, i vetmi institucion që ka reaguar është KMDLNJ. Në njëfarë mënyre, reagim i pritshëm. Sikur edhe ai institucion të mos reagonte, atëherë e mori dreqi këtë punë. Porse, asnjë reagim nga Ministria e Arsimit. Për të shkuar më tutje, asnjë reagim nga Qeveria.

Që të kalojmë në një interpretim hipotetik: paramendojeni sikur ne të ishim një vend aq i fuqishëm, i cili s’do t’ia dijë për mbikëqyrjen ndërkombëtare dhe të qeverisnim sipas tekave të parapëlqimeve tona etnike. Jo vetëm që do t’i diskriminonim, por edhe do t’i asimilonim?

Duke pasur parasysh qoftë edhe vetëm atë reagimin e atyre mësimdhënësve, them se po. Do t’ua mësonim gjuhën dhe historinë tonë, ashtu siç do të dinim ta shkruajmë ne me nacionalizmin tonë të sëmurë.

Publikuar: 07.02.2011 | 20:51
Lexuar: 608 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime