Në këtë lokalitet akoma mbeten gjurmët e freskëta të lashtësisë siç shprehet imami i këtij fshati: Më shumë njerëz ka nëpër varreza se sa fshati sot.
Prof. Ismet Jonuzi-Krosi
Botuar më: 2002
FSHAT I LËNË PAS DORE NGA SHTETI
TË DHËNAT E PËRGJITHSHME
Në mbarim të fshatit Bogovinë, brigjeve të lumit të Bogovinës të shpien rruga për në fshatin e Malësisë së Sharrit, në Sellcë të Keqe, ku pas një orë udhëtimi në këmbë futesh në një ambient ku ndeshen dy botë ajo e së kaluarës së largët që është evidente në këtë fshat ku kanunet, doket dhe zakonet ende janë të gjalla sa që shtrohet pyetja se edhe në vitin 2002 ende mund të hasësh fshat të lënë pas dore nga qytetërimi, por ky fshat është vetëm sinonim i shumë fshatrave tjerë që gravitojnë në Malësinë e Sharrit Plak. Para se të futesh në fshatin e vogël gjendet shkolla periferike me oborr të rrethuar me tela, ndërsa me shtrirje karakteristike të shtëpive të ndërtuara nga mjeshtër të rrallë që të jep përshtypjen e fshatrave që mund ti paramendosh vetëm nëpër romanet e Ismail Kadaresë, Abdylaziz Islamit, Murat Isakut, Stereo Spases, Theodor Laços e shumë të tjerëve.
Fshati Guri i kuq (Sellcë e Keqe) graviton në Komunën e Bogovinës. Ky fshat gjendet në Malësinë e Sharrit, 4 km larg Bogovinës, në lartësi mbidetare 920 metra, me sipërfaqe të përgjithshme të atarit prej 3,8 km2, me sipërfaqe prej 157 ha si; 141 ha tokë pjellore, 0,4 ha kullota dhe 16 ha. pyje, ndërsa numëron 45 shtëpi dhe mbi 300 banorë.
HISTORIKU
GURI I KUQ (Sellca e Keqe) haset në historiografi më 1453 me 23 familje. Gojëdhënat flasin se ky fshat është shtrirë në anën e djathtë të lumit të Bogovinës dhe atë në lartësinë e njëjtë, por për shkaqe të panjohura janë zhvendosur në lokalitetin e sotëm, në anën e majtë në po të njëjtën lartësi.
Duhet përmendur se në pjesën jugore të Novo Sellës mbi Sellcë të Keqe, është shtrirë fshati Stara Sellë, ku ka ekzistur kishë. Banorët e këtij fshati janë shpërngulur para 250 vitesh dhe atë në Novo Sellë dhe në Ballisht (Çellopek).
Është karakteristike se komponenti i këtij toponimi ka të bëjë me shtrirjen e konfiguracionit që vërtet është pozitë e keqe, ngase nga tri anët e saj është i rrethuar me kreshta që kanë rënie të lartë dhe mu për të është pagëzuar me emrin Guri i kuq kurse sot e njohim Sellcë e Keqe që është tipik me elemente themelore të traditës së lashtë shqiptare.
Fshati shtrihet në bregun e djathtë të lumit të Bogovinës. Karakteristike është se në këtë fshat malor që ka vetëm Bashkësinë Vendore, shkollën territoriale ABDYL FRASHËRI me objekt përdhes të ndërtuar para 25 vitesh, ku mësimin e vijojnë 36 nxënës me 4 paralele, janë të punësuar 5 mësimdhënës prej të cilëve 3 janë me shkollë të lartë dhe 2 me kualifikim joadekuat si dhe një punëtorë teknik, pra mësimin e vijojnë deri në klasën e tetë, fshat ka një xhami të rindërtuar në vitin 2000, ku detyrën e imamit e ushtron hoxha nga Novosella e Shkupit, imam Raif Sulejmani i cili shprehet se në këtë lokalitet akoma hasen gjurmët e freskëta të lashtësisë, ai më tej thotë: Më shumë njerëz ka nëpër varreza se sa fshati sot.
Edhe këtë fshat e mundon plaga e rëndë e kurbetit e përfshinë me 5 familje. Përqendrimi i mërgimtarëve është në Itali. Si në gjithë Malësinë e Sharrit edhe në këtë fshat ka mbi 90% jetojnë nga ndihmat sociale. Rinia e cila është e paktë në këtë fshat, edhe pse pjesa dërmuese pa përgatitje shkollore kuptohet se nuk janë të punësuar apo vetëm simbolikisht janë në administratën shtetërore gjegjësisht vetëm në shkollën periferike dhe atë dy veta. Por, duhet theksuar se nga ky fshat pas fillimit të Ri në Maqedoni ende nuk ka asnjë të punësuar në policinë rezerve e në atë të rregullt. Sektori privat i ekonomisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme aspak i zhvilluar ngase nuk ka lokale afariste apo ndonjë shitore të rëndomtë.
Sa i përket bashkëpunimit të Bashkësisë Vendore me atë të Komunës së Bogovinës, Murtezan Gafuri thotë:Bashkëpunimi është në nivel. Por, nëse e shikojmë në aspekte të tjera mund të themi se komuna fshatin tonë e ka lënë pas dore, që do të thotë se nuk ka marrë asnjë iniciativë që të na përmirësoje kushtet në fshat. Një ndër problemet më me peshë është rruga. Sellca e Keqe është fshat malor që kryekëput merren me blegtori. Prej Bogovine deri në fshatin tonë ka 5 kilometra. Edhe pse ky fshat është i njohur nga e kaluara e afërt si një ndër fshatrat që janë marrë me blegtori por sot siç thotë kryetari i Bashkësisë Vendore se: Aktualisht kemi katër apo pesë familje që merren me blegtori dhe ekzistenca e tyre kryekëput varet nga blegtoria. Sot ka mbi 3 mijë kokë dhen, dy tri vitet e fundit prodhimet e veta blegtorët tanë i kanë plasuar në treg, me të ardhura relativisht mirë. Në këtë fshat përpos blegtorisë të ardhurat tjera kanë vetëm karakter simbolik. Bjeshkët që janë të pasura me kullota siç shprehet Murtezan Gafuri se: Kemi vetëm një bjeshkë e cila quhet SMREKA E VOGËL që nuk është e mjaftueshme për banorët tanë.
Por, secila shtëpi ka nga një apo dy lopë. Në arat tona të pakta kultivohen në mënyrë simbolike misri, patatja, gruri nuk kultivohet aspak ngase arat i shfrytëzojmë për livadhe. Më parë ka pasur edhe bletar por kohëve të fundit edhe kjo ka tendenca rënieje, edhe pse kushtet i kemi ideale. Fshati ynë më së shumti ka arra ndërsa pemëtaria tek ne nuk kultivohet në përjashtim të ndonjë shtëpie që kanë të mbjellë nëpër oborre dhe atë vetëm simbolikisht.
Se jeta në këtë fshat të malësisë është e rëndë dëshmojnë një mori faktesh, por kjo nuk do të thotë se atje nuk ka jetë. Edhe pse nuk kanë ambulancë shëndetësie ata thonë se për rast nevoje drejtohen në fshatin Bogovinë dhe atë siç rrëfejnë me lesë apo ndonjë formë tjetër që vetëm e vetëm ti dalin në ndihmë malësorit. Më e keqja është se, banorët e këtij fshati ankohen ngase kanë pasur rast kur u janë drejtuar kompanive të ndryshme të taksive ose ndihmës së shpejtë të cilët nuk vijnë me pretekstin se rruga është shumë e keqe.
Arat e këtij fshati thuajse janë simbolike ku më së shumti përdoren për kullota, siç shprehet Fekri Rustemi-bari i njohur në këtë fshat, që me shumë peripeci jetohet, thotë se kjo është vendlindja e tij ku katër fëmijët e tij shkollohen në fshat dhe se nuk e ka ndër mend edhe sikur të ketë mjete financiare nuk do ta lëshonte fshatin. Nga dita në ditë këtë fshat janë duke e lëshuar për shkaqe objektive ngase nuk ka hapësirë që të zhvillohet apo shtohet, pasi mungesa e tokës e bën të veten. Mërgimtarët sa bëjnë e pasurohen normal që migrojnë edhe pse kanë pasur shpresë se me ardhjen e pluralizmit do të përmirësohet gjendja por thjesht janë të zhgënjyer, andaj janë të detyruar ta lëshojnë fshatin dhe më të përqendruar janë nëpër fshatrat rrëzë Malit Sharr si në Pirok, Bogovinë, Pallçisht të Poshtëm, Kallnik e Reçicë të Vogël, që dëshmon se prej vitit 1985 e këndej nuk ndërtohen shtëpi të reja. Këtu bujqit thuajse shumë pak kultivojnë rendimente si: grurin, patatet, domatet, thekrën, elbin e kështu me radhë, ngase u mungojnë kushtet themelore. Atari i tokës së këtij fshati kufizohet me Urviçin, Novosellën II, Rakovecin dhe me Bogovinën.

INFRASTRUKTURA
Me vetkontribut është zgjidhur deri diku çështja e ujit për pije. Mbi 90% të Sellcës së Keqe janë me lidhje telefonike celular. Ndriçimi publik i këtij fshati është i rregulluar me vetkontribut dhe në bashkëpunim me Komunën e Bogovinës dhe atë gjatë vitit të kaluar të luftës. Rruga e cila ka mbi katër kilometra prej Bogovine deri në fshat llogaritet se mund të kushtojë mbi 200 mijë euro, rrugët e fshatit edhe pse të pakta janë të shtruara me gur e kalldrëme dhe mirëmbahen nga banorët, që nënkuptohet se duhet punuar në këtë rrafsh. Por, bujqit dhe blegtorët e këtij fshati kanë probleme të përhershëm me plasmanin e produkteve të pakta që i kanë. Kullota dhe pyjet e pasura me drunj të ahut është pasuria e tyre e vetme. Ky fshat është lënë jashtë lidhjes me jetën urbane që vetë banorët thonë se : kemi mbetur fshat i lënë pas dore apo thjesht sikur nuk ekzistojmë fare por, edhe për këtë dukuri e cila i preokupon seriozisht ata thonë se lidhja me Bogovinën ndoshta një ditë do të rregullohet, udhëtimi i nxënësve, për plasmanin e produkteve bujqësore, blegtorisë nëpër ditët e tregjeve e kështu me radhë. Këshilli i Bashkësisë Vendore për rregullimin e kësaj çështjeje thonë se zgjidhje e vetme është rregullimi i rrugës me qëllim që të qarkullojnë në linjën Sellcë e Keqe-Bogovinë-Tetovë që nënkupton edhe kyçjen e këtij fshati. Edhe pse kjo çështje është sensibilizuar mjaft, por kjo dukuri ende nuk ka zgjidhje adekuate nga organet e nivelit republikan. Për të gjitha këto projekte kryetari Bashkësisë Vendore, Murtezan Gafuri ka shpresë se një ditë ndoshta do të bëhen realitet objektiv. Mbeturinat edhe në këtë fshat janë çështje e pazgjidhur ngase mbeturinat në terren japin pamje të mjerueshme ku në radhë të parë ndotet ambienti, natyra dhe që është dukuri që duhet ndaluar edhe lumi i cili gjendet në fund në anën e djathtë të këtij fshati malor është në gjendje të keqe.
Është karakteristike se banorët e këtij fshati siç shprehen se ende gjendet Mulliri i vjetër që thonë se daton që para pesë shekujsh, të cilin e kanë shfrytëzuar edhe banorët e fshatrave të Pollogut dhe atë deri kah viti 1980. Bashkësia Vendore dhe këshilltari komunal i kanë preokupimet aq serioze që nënkuptohet se duhet më shumë të punojnë për të mirën e vet fshatit.
SHKOLLIMI
Shkolla territoriale ABDYL FRASHËRI që deri më 1990 emrin e ka pasur ARA më KODRA, ku mësimin e ndjekin 36 nxënës dhe atë në dy ndërrime ka 5 arsimtarë dhe 1 punëtor teknik, mësimin e vijojnë deri në klasë të VIII. Shkolla është ndërtuar para 25 vitesh ka 4 mësonjëtore, ku kushtet për procesin edukativ-arsimor thuajse janë në gjendje të mjerueshme. Objekti është njëkatësh që as për së afërmi nuk i plotëson kushtet për procesin edukativ-arsimor. Siç kuptojmë nga përgjegjësi i kësaj shkolle që njëherit është edhe kryetar i Bashkësisë Vendore, Murtezan Gafuri se para dy vitesh një shoqatë franceze ka investuar dhe i ka rregulluar nevojtoret e shkollës.
Edhe pse deri më sot janë shtruar kërkesa për ta pajisur me kushte themelore që ende nuk kanë hasur në mirëkuptim, ai ndër të tjera thotë se : kërkesat për të nuk kanë hasur në mirëkuptim deri më sot edhe pse gjendja është mjaftë e keqe, por shpresat se një ditë do të intervenohet besoni se kanë filluar të veniten
Mjetet mësimore për të mbajtur mësim thënë shkurtë nuk i kemi, u jemi drejtuar donatorëve të jashtëm dhe të brendshëm që veprojnë në Maqedoni dhe atë disa herë si: UNHCR, Mercy corps, OSBE-se Dhelprës së Kuqërremtë e shumë të tjerave. Me këtë rast ai thotë :shfrytëzoj rastin që edhe njëherë ti ftoj të gjithë arsimdashësit e me theks të veçantë organizatat e ndryshme që veprojnë në Maqedoni që këtë kërkesë tonën le ta marrin në konsideratë, është kohë e fundit që të ndërmerren hapa konkrete për të realizuar projektet tona që janë me peshë jetike. Me insistimin e përgjegjësit të kësaj shkolle disa herë është takuar me kryetarin e Komunës së Bogovinës Azbi Idrizin, ku janë shtruar kërkesat reale, por ende nuk ka ndonjë rezultat konkret. Po ashtu shkollimi i mesëm edhe pse për kohën që jetojmë është bërë i domosdoshëm që rezulton me vijimin masiv të shkollimit, ndërsa në këtë fshat ka tendenca për mos vijim ngase për këtë vit nuk kemi asnjë nxënës për të vazhduar shkollimin e mesëm.
Ky fshat edhe në rrafshin e shkencave pozitive dhe ato ekzakte ka dhënë njerëz të spikatur që sot janë mburrje e e Sellcës së Keqe si prof.dr. Faredin Xhelili ligjërues në UT, dhe një mjekë operator i zemrës Remzi Alili që jeton në Turqi. Bashkëpunimi i qeverisjes vendore me Komunën e Bogovinës nëpërmjet të një këshilltarit nga ky fshat sjanë aspak produktive. Siç thonë pjesa dërmuese se krejtësisht jemi të lënë anash nga institucionet e shtetit, nuk na shohin me sy të mirë, na vizitojnë vetëm në kohën e zgjedhjeve, na premtojnë dhe asgjë nuk realizojnë sa u përket problemeve madhore si, të rrugës, ambulancës, rrugëve të fshatit, shkollës, ujësjellësit e të ngjashme.
KRIZA E VITIT TË 2001
Shtabi për Mbrojtjen Civile gjatë tërë kohës së krizës së vitit të kaluar për fat të mirë nuk kanë pasur të vrarë ngase kanë qenë syçelur për gjithçka. Duhet veçuar se në oborrin e xhamisë gjendet varri i Komandant SHPENDI-t komandant i njësive speciale në kuadër të Brigadës së 113, i cili është i rrethuar me mburojë e i stolisur me lule të njoma. Por, banorët e këtij fshati janë mirënjohës siç thonë se vitin e kaluar në kohën e luftës UÇK-ja ka ndihmuar dhe atë ka bë zgjerimin e rrugëve të fshatit ku tash lirisht mund të qarkullojnë automjetet si traktorët e të ngjashme ku e kanë ndërtuar gjegjësisht kanë ngritur një urë brenda në fshat. Gëzon fakti se gjallëria e bujqve, blegtorëve që kryejnë e obligimet e veta të jep përshtypjen se këtu jeta ka marrë trajtën e rregullt edhe pse me vështirësi.
Si shumë fshatra të Malësisë së Sharrit edhe ky fshat me banorët e saj përpëliten me aktualitet e jetës, por janë optimist dhe shpresojnë për ditë më të mira në malësi. Para se të ndaheshim nga ky fshat kryetari i Bashkësisë Vendore na falënderoi me një mesazh për opinion dhe atë, për gazetës FAKTI që është përkujdesur për ne, ngase deri më sot asnjë mjet informimi qofshin ato të shkruara apo elektronike nuk na kanë vizituar.