Kush do të jetë pasuesi mbretëror dhe mbretëresha e ardhshme e Anglisë? A është më i favorizuar për kurorën çifti William-Kate, tanimë që dyshes Charles-Camilla shtypi nuk po i shkon më nga pas?!

Pak muaj para se të bëhet pjesë e familjes mbretërore të Anglisë, Kate Middelton ka hequr dorë nga angazhimet e saj në biznesin online të familjes, që merret me shitjet e aksesorëve për festa, kryesisht ato për fëmijë. Princesha e ardhshme deri tani ka qenë menaxhere me kohë të plotë në website Party Pieces, ku gjithashtu punonte si dizajnere dhe fotografe. Burime nga oborri mbretëror konfirmuan pak ditë më parë se ajo ka hequr dorë nga puna e saj, në mënyrë që të bëhet gati për jetën që e pret. Tanimë ajo e ndan kohën e saj mes familjes së prindërve, dhe vilës së princit William, që ndodhet në ishullin e Anglesey, në Uellsin verior, pranë bazës së Forcave Ajrore Mbretërore, ku ai punon si një pilot. Në fakt, Kate është e vetmja femër që bashkëjeton me pretendentin e fronit mbretëror, pa qenë e martuar ose të paktën e fejuar me të. Mbretëresha thuhet se ka kërkuar që çifti të qëndrojë larg vëmendjes mediatike për të paktën 2 vjet pas martesës së tyre, ndërkohë që William do vijojë karrierën e tij për Forcat Ajrore Mbretërore, deri në vitin 2013. Një burim nga oborri ka thënë se Mbretëresha e di se çështë presioni që krijohet ndërsa pret të marrësh fronin. Vetë Mbretëresha ka jetuar me Princin Filip në Maltë, ndërkohë që ai shërbente atje e forcat ushtarake të Flotës Mbretërore.
Ja projektet e saj
Si menaxhere marketingu në Party Pieces, zonjusha Middelton merrej me projekte si përfundimi i katalogëve të Krishtlindjes, arranxhimi i shërbimeve fotografike dhe pjesëmarrja nëpër panaire të ndryshëm. Sipas një shoqeje të saj, Kate ka bërë rolin e një planifikuesi dasmash, me shumë gusto dhe energji. Mikesha, e cila u deklarua në revistën Hello!, tha: Catherine është një person shumë kreativ dhe ka kaluar jetën e saj profesionale në një industri krijuese, më pas si dizajnere, fotografe, në marketing apo edhe organizatore eventesh. Megjithatë, është ende e paqartë se kur do të kthehet në punë pas martesës së saj Kate, sidomos po tu besojmë spekulimeve se ajo dhe William duan të krijojnë familje sa më parë. Duket sikur në një farë mënyrë, ajo po përpiqet të krijojë rolin e një njeriu që merret me bamirësi, edhe pse askush akoma nuk e ka zgjedhur për këtë punë. Çifti mbretëror do të vërë kurorë më 29 prill 2011 në Westminister Abbey, ku ceremonia do të mbahet nga kryepeshkopi i Kentbërrit. Ceremonia martesore do të nisë në orën 11:00, ndërsa pas vënies së kurorës, çifti do të shkojë me karrocë në pallatin mbretëror të Buckhingam, ku Mbretëresha e Anglisë do tu japë bekimin përpara qindra të ftuarve. Princi Charles do të organizojë më tej një mbrëmje private, e ndjekur nga një ballo, ku do të marrin pjesë vetëm miqtë e afërt dhe familjarët. Ndërkohë që përgatitjet për dasmën vijojnë, Middelton po përpiqet ta mbajë në fshehtësi stilistin e fustanit të saj. Sipas burimeve, edhe pse shumica e gjërave janë sakaq gati, ato po mbahen sekret, për të qenë surprizë gjatë ditës së dasmës. E kemi fjalën këtu për fjalët e zotimeve të tyre në altar, dizajnerin e unazave, të fustanit e kostumit të dhëndrit etj. Kate dhe William nuk duan që njerëzit të sëmurën pas dasmës së tyre, para se ata të bëhen burrë e grua. Dasma e tyre duhet të konceptohet si një event i ri dhe i freskët, jo si diçka që të gjithë e dinin prej kohësh, - tha një anëtar i oborrit. Gjithsesi, deri tani është marrë vesh se princesha do të veshë një fustan elegant, jo tepër të fryrë. Ende nuk është e qartë ama nëse Princi do të veshë uniformën ushtarake apo jo. I ati i tij, Princi Charles dhe xhaxhai Princi Andrew, si dhe gjyshi Duka i Edinburgut, kanë zgjedhur uniformat ushtarake për një rast të tillë. Po kështu, ende nuk dihet se ku do të jetojë çifti, pasi William të përfundojë trajnimin ushtarak në vitin 2013. Disa thonë se ata do të vendosen në Saint James Palace në Londër, por nuk përjashtohet as Buckingham Palace apo Kensington Palace.
Kush është Kate, e fejuara e Princit William
28-vjeçarja Kate është prej gati 9 vitesh e dashura e Princit. Ata janë ndarë për disa kohë në vitin 2007, për tu bashkuar sërish më pas dhe për tu fejuar zyrtarisht në vitin 2010. Pas ndarjes, William i kërkoi një këshillë për këtë marrëdhënie Mbretëreshës dhe ajo i tha se bëri mirë që u nda. Nëse do të qëndroni bashkë, do të përfundoni keq, - mësohet të ketë thënë sovrania, mesa duket nisur nga eksperiencat e tre prej katër fëmijëve të saj, të cilët janë divorcuar. Kate është e para vajzë e thjeshtë që mund të bëhet gruaja e një mbreti nga viti 1600 e deri më sot. Vetëm 6 muaj më e madhe se William, ajo vjen nga një shtresë e mesme dhe pozitiv është fakti që cilësohet si një femër e pjekur, që di të sillet në çdo rast. Deri tani, sipas shtypit ajo nuk ka bërë asnjë gabim; asnjë foto apo deklaratë që do të vinte në siklet Pallatin Mbretëror. Megjithatë, risku i saj është fakti që të gjithë do ta krahasojnë me Princeshën Diana, të cilën ajo ka thënë se do të donte shumë ta kishte njohur. Nëse do të ketë reputacion të mirë dhe të fitojë besimin e popullit, me siguri asaj do ti duhet jo vetëm të mësojë protokollin e Pallatit Mbretëror, por edhe të studiojë çdo lëvizje të Dianës së ndjerë. Tani që çifti Charles-Camilla po qëndron në heshtje sa i takon shtypit, që nuk e ndjek më nga pas, është e qartë që në qendër të vëmendjes do të jetë William-Kate. Kush do të jetë pra pasuesi mbretëror dhe mbretëresha e ardhshme?
Biznesi i suksesshëm familjar i Kate Midelton
Sipërmarrja e prindërve të saj në vitin 1987, mamasë Carole, ish-stjuardesë dhe babait Michael, ish-pilot, rezultoi kaq e suksesshme, saqë ata patën mundësi të shkollonin të tre fëmijët e tyre, Kate, Pippa dhe James, në Kolegjin Marlborough, që kushton 29 mijë paund në vit. Po ashtu, ata nuk u kufizuan nga pushimet në Karaibe apo udhëtimet e fëmijëve. Ndërsa vetë jetojnë në një shtëpi 1 milion paundëshe, ata i blenë vajzës tyre Kate, një apartament në Chelsea, me vlerë 780 mijë paund. Carole ka thënë se ata e ngritën këtë biznes, me qëllim që nënat të kishim mundësi tu ofronin festa magjike në shtëpi fëmijëë të tyre dhe gjithashtu për ta bërë gjithçka më të lehtë. Gjithçka nisi për shkak se Carole mërzitej shumë kur sa herë që kishte festa duhet të merrej me aq shumë gjëra e duhet të ngrinte aq shumë qese me sende. Ajo mendonte se edhe nënat e tjera duhet të ndiheshin njëlloj si ajo, ndaj kështu nisi ky biznes, - thotë Yvonne Cowdrey, e cila punonte si pastruese në shtëpinë e familjes Middelton aso kohe. Ajo që nisi në një apartament të vogël, në vitin 1995 u transferua në një ndërtesë më të madhe, me një staf që u përgjigjet telefonatave, me të tjerë persona që merren me porositë etj. Mbaj mend që Kate dhe Pippa që pozonin nëpër katalogë, të veshur si për festë, - tregon Cowdrey për fillimet e kësaj sipërmarrjeje.