E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Zemra për të cilën kemi folur nuk është zemra organike, por ajo shpirtërore, harresa e së cilës sjell mallkim, kurse përkujtimi Mëshirë të Zotit
Njeriu dhe morali nė Kur’an*



Shejh Akbar Eydi

Njeriu është krijuar në formën më të bukur

Përgjigjen në pyetjen se nga çfarë përbëhet përkryerja e njeriut dhe çfarë duhet të bëjë ai më tepër për arritjen e përkryerjes së mëtutjeshme të tij – do ta hasim në disa ajete të Kur’anit Fisnik. Allahu i Madhërishëm është Përkryerja Absolute dhe në Fronin e Tij nuk ka vend për kurrfarë mangësie. Pohimin dhe vërtetimin e kësaj e gjejmë në ajetet vijuese:

“Ai është Allahu, Krijuesi, Zanafillësi. Ai çdo gjëje i jep trajtë. Atij i përkasin Emrat më të Bukur; Atë (Allahun) e përlëvdon gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (El-Hashr, 24).

“Thuaj: ”Thirrni Allahun ose thërrisni të Gjithëmëshirshmin (Er-Rahman), me cilindo emër që ta thirrni ju Atë, Ai ka Emrat më të Bukur…” (El-Isra’ë, 110).

Duke u bazuar në faktin se në mes Krijuesit i Cili krijon dhe asaj që është krijuar ekziston lidhje e ngushtë dhe esenciale (senhijjet), afërsi dhe burim i njëjtë i cili e lidh esencën e Krijuesit dhe veprat e Tij, si dhe duke marrë parasysh se Ai (Allahu) gjithçka krijon të plotë dhe në mënyrën më të bukur – mund të thuhet se në krijimtarinë e Tij nuk ka vend për kurrfarë mangësie dhe të keqe. P.sh. në ajetet vijuese qëndron:

“Është Ai që i di gjërat e padukshme dhe të dukshme. Ai është i Plotfuqishmi dhe Mëshirëploti, i Cili ka përsosur çdo gjë që ka krijuar. Ai e ka filluar krijimin e njeriut prej baltës.” (Es-Sexhde, 6-7)

“Ai ka krijuar shtatë qiej njërin mbi tjetrin. Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit kurrfarë ceni. Hidhe vështrimin: a sheh ndonjë plasaritje? Pastaj hidhe sërish vështrimin; sytë e tu do kthehen të lodhur e të molisur.” (El-Mulk, 3-4)

Këto ajete qartë flasin se në krijimin e Tij nuk ka vend për kurrfarë mangësie.

Vetë njeriu është një nga krijesat e Zotit. Ndaj, nisur kjo ai (njeriu) kur lind nuk është i mangët dhe në të nuk ka kurrfarë mungese e as të keqe. Mirëpo, duke marrë parasysh se njeriu është i veçantë në raport me krijesat tjera, atëherë kuptohet që krijimi i tij (njeriut) ka një qëllim dhe synim të caktuar. I Madhërishmi tërheq vëmendjen në këtë fakt, dhe në ajetet vijuese kërkon nga ne që kësaj t’i kushtojmë një vëmendje të posaçme:

“Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer.” (Et-Tinë, 4)

“Atëherë ti, o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt.” (El-Inshikak, 6)

Duke marrë parasysh se njeriu në amshueshmëri do të takohet me Krijuesin e vet, shtrohet pyetja çfarë duhet njeriu të përgatit për këtë takim, përkatësisht si të përkryhet që sa më mirë të jetë i përgatitur për këtë takim sublim?

Çfarë cilësie njeriu duhet të posedojë që të jetë i denjë për takimin dhe çfarë të vendos si bazë të lëvizjes drejt përkryerjes? Përgjigje në këtë pyetje është dhënë në ajetin vijues:

“…dhe thuaj: ”O Zoti im, shtoma dijeninë!” (Ta-Ha,114).

Nga pikëpamja islame, çdo dituri dhe mendim i cili i kënaq nevojat njerëzore të cilat shpijnë kah lumturia njerëzore dhe çdo mendim që shpie drejt shoqërisë së shëndoshë janë të mira dhe të pranueshme. Ndaj, edhe sipas jurisprudencës islame (fikhut), të gjitha profesionet, dijet dhe mjeshtëritë të cilat i nevojiten komunitetit mysliman: janë ose vaxhib-kifai (obligim i komunitetit në tërësi) ose vaxhib-ajni (obligim për çdo person individualisht). Ky lloj obligimi (kifai) ndërpritet atëherë kur një numër i mjaftueshëm i komunitetit përcaktohen për profesione dhe dije të caktuara.

Imam Xhafer Sadiku r.a. thotë: “A dëshironi t’ju tregoj se kush është fakih?:

1. Ai i cili me veprën e vet e tregon vërtetësinë e fjalëve të veta;

2. Ai i cili është i durueshëm në vështirësi (me durim i përballon të gjitha pengesat në rrugën e arritjes së cilësive/virtyteve dhe pavarësisë”; Dhe më pas në lidhje me këtë Imam Xhafer Sadiku r. a. thotë: “O njeri! Barte vet barrën tënde – ngase të tjerët nuk kanë për të ta bartur!”; – e kjo i referohet si komunitetit ashtu edhe individit.);

3. Ai i cili e rregullon jetën (ia adopton jetesën e vet) kornizave të ligjit dhe vepron sipas tij, si dhe përpiqet për zbatimin e ligjit duke filluar nga vetvetja”.

Pra, përkryerja e njeriut përbëhet nga dituria (informimi) dhe zbatimi i kësaj diturie, ndërsa argument se dituria duhet të shoqërohet me veprën do të gjejmë në ajetin vijues:

“Dije se nuk ka zot tjetër përveç Allahut! Kërko falje për mëkatin tënd dhe për besimtarët e besimtaret! Allahu e di se si silleni ju dhe ku qëndroni.” (Muhammed, 19).

Porosia e parë, përkatësisht mësimi nga ky ajet është dituria mbi Tewhidin. Nëse njeriu vërtet e din se Krijues, Udhëheqës, Mbikëqyrës, Furnizues dhe Edukues i gjithçkaje që ekziston është Allahu i Madhërishëm Një dhe i Vetmi, ai me siguri nuk do të ndalet nga përfitimi/kërkimi i diturisë dhe zgjerimi i horizonteve dhe njohjes. Pas arritjes së përkryerjes, falë diturisë, ai pa kurrfarë mëdyshjeje, me përkushtim të plotë do të tentojë që t’i zgjerojë, përhapë dhe përcjellë ato dije edhe tek të tjerët. Këtu fjala është për dijet intelektuale dhe njohjen e Njëshmërisë së Zotit-Tewhidin.

Mësimi i dytë: Kur njeriu e kupton se Zoti është Furnizues dhe Mbikëqyrës i gjithçkaje të krijuar, do të kuptoj se Ai (Allahu) është edhe Furnizues dhe Edukues i vetë atij-ngase njeriu është pjesë e krijimit të Zotit. Atëherë duart e tij të nevojshme do të drejtohen kah Zoti dhe pandërprerë do të lutet për falje për gabimet dhe të këqijat si dhe për mos-kahëzimin në rrugën e arritjes së të mirës dhe ngjalljen e saj në vetveten. Pra, ‘ilm dhe ‘amal (dija dhe vepra) – janë ato që shpijnë drejt Zotit të Madhërishëm.

Mësimi i tretë: Ajo çka në fund njeriut do t’i ofrojë plotësim dhe përkryerje është kontinuiteti në dituri dhe vepër. Në terminologjinë islame ky lloj i Tewhidit quhet Tewhide-fe’li ose Tewhidi veprues d.m.th. sigurimi i fesë në Njëshmërinë e Zotit- nëpërmjet veprës.

Në Kur’anin Fisnik thuhet:

“Thuaj: “O Zoti im, më shpjer në një hyrje të kënaqur, më nxirr nga një dalje të kënaqur dhe më dhuro nga Ti fuqi, që do të më ndihmojë!” (El-Isr’aë, 80). (D.m.th. bërja e istigfarit - kërkimit të përhershëm të faljes.) Fillimi i çdo vepre (hyrja) duhet të jetë Në Emër të Zotit, kryerja e saj duhet të shoqërohet me të përkujtuarit e Zotit dhe vetëdijen se Ai na mbikëqyr, dhe po e njëjta vlen edhe për fundin e çdo vepre (daljen). Pra, këtu flitet për çdo hyrje dhe dalje (fillim dhe mbarim), e jo vetëm për disa nga to. Kur’ani na përkujton për këtë kur thotë: “…Allahu e sheh mirë atë që veproni.” (El-Enfalë, 72); d.m.th. Ai sheh çdo fillim, ecuri dhe fund të veprës.

Në bazë të këtyre ajeteve arrihet në konkludim se çdo punë dhe çdo vepër për besimtarin është vaxhib (obligim i fortë, i detyrueshëm) ose mustehab (e bukur, e preferuar), ngase harami (e ndaluara), mekruhi (e papëlqyeshmja) dhe muteshabih-i (punët e dyshimta) – nuk shkaktojnë kënaqësinë e Allahut, ndaj nisur nga kjo edhe nuk ka kuptim të bëhen në Emër të Tij (me Besmele!)

Çdo punë me Besmele

Në bazë të asaj që thamë gjer tani, vërejmë se na është urdhëruar që çdo punë ta fillojmë me Besmele (me Bismil-lah!). Shtrohet pyetja: Kjo a është vetëm urdhëresë morale ose ligj (parim i monoteizmit) me mos-përmbajtjen e të cilës në të vërtetë e prishim veprën tonë?!

Nga ajeti “…Allahu e sheh mirë atë që veproni.” (El-Enfalë, 72), arrihet të konstatohet se kjo nuk është vetëm urdhëresë morale, por ligj të cilin muwehiddi (besimtari në Një Zot të Vetëm) duhet ta zbatojë. Ku dallon urdhëresa morale nga ligji? Nëse nuk e zbatojmë një urdhëresë morale, privohemi nga një kemalât (virtyt), kurse nëse e thyejmë ligjin – thyejmë të drejtat e të tjerëve; pra, jo vetëm që diçka humbasim, por kryejmë edhe mëkat, pra e thyejmë ligjin.

Kur thuhet: “Thuaj Bismil-lah në fillim të çdo pune!”; kjo në realitet d.m.th. që të mos fillohet me Besmele asnjë punë që nuk është e denjë. Pra, me Besmele nuk mund të thyhen të drejtat e të tjerëve, të fliten gënjeshtra, të përgojohen njerëz etj. Prandaj Profeti s.a.v.s. kur e pyetën se përse në fillim të sures Beraet (Et-Teube) nuk ka Besmele, u përgjigj: “Sepse fillon me një kritikë të ashpër ndaj jobesimtarëve, kurse Besmeleja është manifestim i Mëshirës së Zotit, e me Mëshirë nuk mund të fillohet as ashpërsia e as kërcënimi.”

Surja fillon me hidhërim dhe për këtë nuk ka Besmele, por sipas disa transmetuesve, madje edhe kur kryhet dënimi ose hakmarrja sipas parimeve islame, duhet të fillohet me Besmele -ngase kjo është ligj i Mëshirës së Zotit, sado që kjo të duket e ashpër:

“Në ligjin e barazisë në ndëshkim ka siguri për jetën tuaj, o mendarë, në mënyrë që ju të përmbaheni!” (El-Bekare, 179); ose: “…Të mos ju pengojë kurrfarë mëshire për të kryer detyrën e fesë së Allahut, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Fundit…” (En-Nurë, 2); pra të mos jetë zemërbutësia shkak që t’i ikni zbatimit të ndëshkimit, ngase në këtë rast dënimi është manifestim i Mëshirës së Zotit ndaj njerëzve.

Dy lloje të pendimit

Ekzistojnë dy lloje të kërkimit të pendimit/faljes nga Allahu i Madhërishëm:

1. Pendimi preventiv ose mbrojtës – istigfar-daf’i; dhe:

2. Pendimi shmangës ose largues – istigfar-raf’i.

Pendimi preventiv është ai me të cilin parandalohet qasja drejt të keqes dhe mëkatit në qenien e njeriut, kurse duke e mënjanuar të keqen ne e pastrojmë llumin që është grumbulluar në zemrën tonë.

Mënyra e kërkimit të faljes/pendimit për mëkatet e kryera (istigfari-raf’i) është treguar në një munaxhat (lutje):

“Zoti im! Mëkatet e mia dhe hamendësimi im, m’i kanë veshur teshat e përçmimit. Largimi nga Ti më ka bërë të varfër. Zoti im! Mëkati dhe tradhtia janë aq të mëdha – saqë e kanë mbytur zemrën time.”

Pendimi shmangës është kërkimi i ‘ismetit – pagabueshmërisë, ky është kërkim që të jemi të mbrojtur nga mëkatet. Andaj, kur flitet për Jusufin a.s., në ajetin 24 të suresë Jusuf, thuhet: “Ajo e dëshiroi atë; por edhe Jusufi do ta kishte dëshiruar atë, sikur të mos kishte parë provën e Zotit të vet…” Që d.m.th. se edhe ai (Jusufi a.s.), po të mos ishte e vërteta dhe argumentet nga të cilat mbrohej nga mëkatet, do të lëshonte pê dhe do bënte mëkat e do t’i afrohej Zylejhasë.

Gjithashtu Profeti ynë s.a.v.s. tregonte se si 70 herë në ditë bënte istigfar me qëllim që të ndalonte llumin (ndyrësirën) të mos depërtonte në zemrën e tij. Prandaj edhe lutjet (duatë) e profetëve të Zotit bëjnë pjesë në istigfarin preventiv.

Kur’ani virtytet e njeriut i sheh në diturinë, veprimin sipas asaj diturie, si dhe në përkujtimin e gabimeve, ngase harresa njeriun e shpie në humbje, kurse përkujtimi për gabimet e afron kah përkryerja e tij. Si shembull mund të sjellim ajetin:

“…sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit.” (El-A’rafë, 179).

Të përkujtuarit e mëkateve është një nga kriteret e përkryerjes së njeriut dhe progresit, ngase vetë përkujtimi nxit të kërkuarit e faljes. Kjo gjendje në të cilën njeriu kërkon/lutet për falje është gjendje e turpërimit. E, nëse vërtet e përkujtojmë mëkatin dhe këtë përkujtim e bashkojmë me gjendjen e të qenit i vogël përpara Allahut të Madhërishëm, atëherë gjithsesi kjo do të rezultojë me Mëshirën e Tij.

Xhelaluddin Rumi-Mevlana, në një varg thotë: “Dëgjoni unin si vajton dhe ankohet për vetminë!” Mirëpo, njëherë përgjigj-ja e Imam Homeinit në lidhje me këtë varg ishte: “Jo, jo, mos e dëgjoni unin – ngase ai është i zbrazët, dëgjojeni zemrën – ngase ajo është vendi i shndërrimit të të Madhërishmit në qenie të njeriut. Kur uni (egoja) digjet – mbetet vetëm hiri, ndërsa kur zemra ndizet – ajo bëhet vend i shfaqjes së shkëndijës hyjnore të Zotit.”

Përkundër mëkatit, për të cilin gjithnjë dhe nga e para duhet ta kuptojmë, e mira e bërë të tjerëve duhet sa më parë të harrohet – në përputhje me thënien: “Vepra e mirë është sikur aroma e lules rozë, të cilën çdo prekje/kontakt me dorë – do ta dëmton, duke marrë një pjesë nga aroma e saj, e kur ty dikush të bën mirë, kujtoje si figurën më të mirë – të cilën sa herë që e kujton vjen e të bëhet akoma më i dashur dhe ndjehesh gjithnjë e më mirë.”

Hafizi thotë: “Ai zemër nuk kishte, kurse Zoti gjithnjë me të ishte, ndërsa ai çdoherë nga lugina e thërriste.”

Ky varg e përshkruan gjendjen e transit (apo të pavetëdijes), kur i drejtojmë duart kah modelet dhe filozofitë e ndryshme të të jetuarit (p.sh. sistemin e demokracisë), duke harruar faktin se Islami ofron dhe ka zgjidhje për gjithçka.

Nëse dëshirojmë të sjellim në lidhje me atë se çfarë e shpie njeriun drejt përkryerjes dhe cilat janë virtytet që duhet t’i posedoj-do të ishin këto dy gjëra:

1. Basiret - shikimi i duhur ndaj gjërave, kuptimi i tyre dhe shqyrtimi;

2. Pasuria dhe posedimi i fuqisë.

Basireti është rezultat i diturisë dhe mendimeve, kurse pasuria dhe fuqia janë pasoja të veprave të njeriut dhe moralit.

“…dhe fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është e madhe!…” (El-Ankebut, 45).

Pra, njeriu do të mbështillet me Mëshirën e Allahut, kur në qenien e vet do t;i bashkojë këto dy cilësi/virtyte.

“Kur ju t’i lini ata dhe gjithçka që adhurojnë në vend të Allahut, gjeni strehë në shpellë: Zoti juaj do t’u mbulojë me Mëshirën e Tij dhe do t’ju përgatisë mënyrën nga e cila do të keni dobi.” (El-Kehf, 16).

“Dhe kur u largua (Ibrahimi) nga ata dhe nga idhujt që i adhuronin në vend të Allahut, Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe që të dy i bëmë profetë.” (Merjem, 49).

“Kush dëshiron lavdi e pushtet, ta dijë se gjithë lavdia e pushteti i takojnë Allahut. Tek Ai ngjiten fjalët e bukura, ndërsa veprën e mirë Ai e ngre Vetë. Sa i përket atyre që kurdisin të këqija, ata do të kenë dënim të rëndë dhe dredhitë e tyre do të dështojnë.” (El-Fatir, 10).

Pra, nëse dëshirojmë të arrijmë në cakun përfundimtar (Zotin), duhet t’i përmirësojmë bindjet dhe veprat tona, ngase pas dijes së vërtetë – veprat na shpijnë drejt lartësive.

Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja

E vërtetë është se ajetet e theksuara më sipër flasin mbi njerëz të caktuar, por gjithashtu e dimë se Kur’ani në këtë mënyrë i bën të ditura/i shpall ligjet e përgjithshme (sunnetull-llah). Ajeti i sures El-Fatir flet mbi një parim të caktuar, e jo për ndonjë grup të veçantë:

“…Tek Ai ngjiten fjalët e bukura, ndërsa veprën e mirë Ai e ngre Vetë. Sa i përket atyre që kurdisin të këqija, ata do të kenë dënim të rëndë dhe dredhitë e tyre do të dështojnë.” (El-Fatir, 10).

Ky obligim na është përshkruar të gjithëve nga ne, ndërsa synimi është që tek njeriu të nxit ndjenjat e arritjes të së mirës. Kur njeriu e kupton tamam ashtu siç duhet këtë obligim, do të vërejë se në vetë qenien e tij duhet të ekzistojë diçka që do ta urdhërojë për të mirë, dhe do ta largojë nga e keqja.

Kur’ani për këtë thotë: “…Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar…” El-Ankebut, 45). Ndaj, nisur nga kjo, namazi e ngjall dhe e zgjon këtë institucion tek njeriu, kurse në vazhdim thotë “… dhe vërtet që përmendja e Allahut është e madhe!…”; Namazi pra, është një lloj dhikri, por këtu me fjalën dhikër – nënkuptohet përkujtimi i pandërprerë, që është sqaruar në ajetin e sures së parë të shpallur: “A nuk e di ai se Allahu i sheh të gjitha?!” (El-Alak, 14).

Përderisa njeriu në veten e vet nuk e ngjall institucionin e të urdhëruarit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, nuk do të mbetet imun ndaj mëkateve, ndërsa sa i përket kujtimit të përhershëm, duhet ta hulumtojmë si diçka që mbetet e qëndrueshme në praktikimin e namazit. Ka edhe nga ata që pohojnë se nëse njeriu është në pozicionin e dhikrit – atëherë nuk i nevojitet namazi!!! Mirëpo një pohim i këtillë nuk qëndron dhe fare lehtë mund të hidhet poshtë, ngase është e pamundshme që të ngelet në pasojat (dhikrin) duke anashkaluar shkakun (namazin).

Për këtë flet edhe ajeti vijues: “Allahu nuk krijoi dy zemra në gjoksin e asnjë njeriu…” (El-Ahzabë, 4). Pra, në zemër ndodhet ose përkujtimi ose neglizhenca, përkatësisht përkujtimi i Allahut ose i shejtanit. D.m.th. në zemrën e njeriut ose ka vend për përkujtimin e Allahut ose të të tjerëve – ajo është ose stacion i Zotit ose i shejtanit (Allahu na ruajt nga kjo!)

Në ‘irfan (gnosticizëm) vëmendje e posaçme i kushtohet çështjes së zemrës, me vërejtjen se kur thuhet zemra - nuk nënkuptohet në zemrën organike që e kemi në anën e majtë të kraharorit, pra në zemrën si organ të trupit, përkundrazi.

Hafizi mbi zemrën thotë:

“O myslimanë! Unë dikur kisha një zemër të cilës ia rrëfeja vështirësitë e mia. Kjo zemër ishte e ndjeshme dhe ma rekomandonte atë që është e drejtë. Kjo zemër, sikur njeriu i përkryer, ishte mbështetje e atyre që ishin ehlul-kalb (të kthyer kah zemra spirituale, vërej. e përkth.) Dhe kur ngjitesha në vargonjtë e fatkeqësive duke biseduar me të – shpresoja të dal në sipërfaqe.

O Zot! Unë u largova nga afërsia Jote. ǒmë gjeti që dynjasë t’i jepem… Unë kam mjeshtëri (flas bukur), por gjithë kjo është nga Mëshira Jote, ngase askush që ka qenë pa ndihmëtar – pa Ty – asgjë s’ka mundur të bëjë. Kujtojeni edhe këtë të dehurin e humbur kur të takoni ndonjë njeri të mirë, dhe më përmendni si të nevojshëm për t’u lutur (që ai të lutet për mua). Gjithë këto fjalë të bukura i arrita falë kësaj, sepse pikërisht nga dashuria kanë buruar. Mos thoni për Hafizin është gnostik dhe poet i madh, jo, unë e kam parë, ai ishte një njeri i harrestar, larg nga Zoti…”

Nga kjo shihet se zemra për të cilën kemi folur nuk është zemra organike, por ajo shpirtërore, harresa e së cilës sjell mallkim, kurse përkujtimi Mëshirë të Zotit. Ndaj dhe Profeti ynë Muhammedi s.a.v.s. thotë: “Nga namazi ka dobi aq sa në të është zemra e pranishme.” Këtu nuk mendohet se namazi sipas rregullave të fikhut nuk është i vlefshëm dhe si i tillë nuk është i pranuar, porse namazi i atij që e fal pa praninë e zemrës nuk mund ta shpijë larg atë.

________________________

*Shënim: Kjo pjesë është shkëputur nga hyrja e librit “Savršeni Ahlak” Šejh Akbar Eydi, Sarajevo, 2004. (“Morali i Përkryer” i autorit Shejh Akbar Eydi), i cili libër është përkthyer nga boshnjakishtja në gjuhën shqipe nga Ahmed R. Ramadani, dhe së shpejti pritet të del në botim.

Publikuar: 10.02.2011 | 20:52
Lexuar: 695 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime