E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Bogovina ngadalë por sigurt ecë drejt një vendbanimi me të gjitha segmentet e organizimit të jetës për t’u bërë qytezë. Dashtë Zoti që kërkesat dhe investimet e planifikuara të bëhen realitet objektiv e në veçanti ai i shkollës fillore, infrastrukturës, Xhamisë së Re e të ngjashme.
Reportazh, fshati Bogovinė








Prof. Ismet Jonuzi-Krosi

Botuar më: 2003

”FSHATI QË ZHVILLOHET ME VETËKONTRIBUTIN E BANORËVE”


Rrugës rajonale rrëzë Malit Sharr afër 10 km larg Tetovës në jugperëndim shtrihet fshati Bogovinë në lartësinë mbidetare 550 m. Me sipërfaqe prej 10.9 km2, tokë pjellore ka 838 ha., kullota 39 ha, pyje të pasura 99 ha me çka ka 976 ha sipërfaqe agrare.

HISTORIKU

Në dritën e emrave ku përmendet Bogovina nga dëshmitë e shekullit të XV më 1467/68; Arbana /Arbanash/ Arnaut- emri etnik për shqiptarët në mesjetë, të cilin në këtë periudhë në lakadredhat shqiptare të Maqedonisë e hasim me një përdorim shumë të shpeshtë në funksione të ndryshme antroponomike, partonomike, etnonimike dhe toponimike. Ky emër, të cilin e ndeshim dhe me variacionet ARBANASH, ARBINA, ARNAUT, ARNAVUD, ARNAVID e OLBANASH, përveç atyre ARBANAS e ARBANASH, madje del me një vlerë më të madhe përdorimi nga të gjithë emrat e tjerë etnikë që i ndeshim të përdoren në mesjetë në këtë trevë, krahaso ato grk, vlag, bolgarin, bugarin, srbin, ermen, kuman, german e tjerë. Një shfaqe më të hapët ka sidomos në rrethinën (nahijen) e Manastirit, të Velesit, të Shkupit, të Tetovës, të Kërçovës, të Mariovës, të Follorinës ( Maqedonia egjejane) e tjerë, por nuk është pa një përhapje të vogël as dhe në rrethinat e tjera gjeografike të Maqedonisë, që dëshmon kjo për karakterin e ngulët të elementit shqiptar në lakadredha gjeografike.

Këtu më poshtë do të zgjedhim një varg emrash personal në bashkëvajtje me emra KRYEFAMILJARËSH, te të cilat përmbahet termi etnik ARBANAS si element i parë (emri i të birit) apo i dytë (i të atit) dhe si element atributiv i përkatësisë etnike, të nxjerrë nga defterët e regjistrimeve turke-osmane të shekullit XV. Nga shembujt e këtillë antroponomik po veçojmë këtë fond emrash vetjak sipas krahinave të ndryshme gjeografike.- Nahija e Manastirit, Nahija dhe Vilajeti i Tetovës, Vilajeti i Shkupi, Nahija e Kërçovë, Vilajeti i Rekës së Dibrës, Vilajeti i Velesit (Qypërlisë), Nahija e Follorinës (Maqedonisë egjejane… , hasim të shënuar: Gon ARNAUD/ TD 294/, Dola/Dula/ARNAUT/ TD 294/, Gon ARBANAS/fsh, Bogovi, Ponorishte TD 358, Gon ARBANAS/ NT TD 305/ ku edhe e hasim si lokalitet BOGOVI, dhe PONORISHT. Duhet përmendur se në këtë fshat përmendet Kisha e lashtë që nuk dihet se prej kur daton edhe pse supozohet se rrënjët i ka mjaft të hershme, e cila ka shërbyer për banorët e fshatrave përreth tjç janë Sëllarca e Epërme, Dërniku (sot Pallçishti I Poshtëm) Kamjani e fshatra tjerë /shih më tepër Jovan Trifunofskit në veprën “POLLOG” Beograd-1976 në faqen 399, i cili tenton që ta fsheh këtë argument ngase të parët e kësaj treve i kanë shfrytëzuar objektet e tilla fetare, me çka si nëpër të gjitha fshatrat tjerë mohon vazhdimësinë historike të shqiptarëve autokton. Edhe ky antishqiptar ndër të tjera në heshtje e përmend faktin se “EDHE POPULLSIA E POLLOGUT NË PERIUDHËN PARAHISTORIKE PA DYSHIM KA QENË ILIRE” që është dëshmi se ne çdo rast ne mund të provojmë se shqiptarët u kanë paraprirë (proceduar) sllavëve dhe kurrë e kundërta, edhe pse argumentet dhe faktet historike janë të padiskutueshme për autoktoninë shqiptare/ të cilët e kanë vizituar këtë Kishë njëherë në vit, që sipas meje ka të bëj me Kishën e Shën Dhimitrit.
Lokaliteti i kësaj Kishe të lashtë gjendet buzë lumit të fshatit dhe atë në lagjen që u thonë PREJFTE (POPÇE), që siç kam kuptuar nga disa persona se prifti i fundit nga ky fshat është vrarë më 1862, dhe se ka dëshmi se kush ka qenë ai i cili e ka bërë këtë vepër.
PONORISHTE apo Bogovina daton që nga mesjeta e hershme, ndërsa në historiografinë e Perandorisë Osmane haset në vitet 1452/53 me 47 familje, 10 të pamartuar dhe 1 vejushë, më 1467/68 me 42 familje, 2 të pamartuar dhe 1 vejushë, më 1481/82 hasem me 32 familje, më 1544/45 haset me 26 familje, 3 të pamartuar dhe 1 vejushë si dhe për herë të parë me 1 familje të fesë islame.

HISTORIKU

Ky lokalitet përmendet në historiografi që në shekullin e XV gjegjësisht në historiografinë e dëshmive të Isa Beut në Pollogu të Tetovës dhe Gostivarit në vitin 1455, fshati i sotëm Bogovinë përmendet se ka pasur 47 shtëpi, na jep të dhënat e lartpërmendura për vakufet e Tetovës që janë bërë prej 9 deri 18 maj 1455/ Ndërsa në defterin nr.4 të osmanlinjve të shekullit XV përmendet në vitin 1468 me 42 familje. Po ashtu edhe në rrafshin e dëshmive antropologjike hasim të shënuar në dokumentet e shekullit XV- si TD 358 Gon Arbanasi-fsh. Bogovi ose Ponorisht/, TD 313 Dano Arbanas-fshati Bogovi/, TD III 41 Manuel Arbanas-fshati Ponorisht/, TD III Petru Arnaut-fshati Bogovinë/, NT TD 312 Gon Arbanas-fshati Bogovi e shumë patronime që përkojnë me këtë fshat.

Në këtë fshat prej vitit 1996 graviton Komuna e Bogovinës. Bogovina ka tre këshilltarë komunal të cilët në bashkëpunim me Bashkësinë Vendore i koordinojnë punët në interes të përbashkët, ka mbi 1300 shtëpi, afër 6 mijë banorë. Kufizohet me Pirokun, Rakovecin, Sellcën e Keqe, Novossellën II, Siniçanin e Epërm dhe atë të Poshtmin, Sëllarcën e Epërme dhe Zherovjanin.

INFRASTRUKTURA

Fshati ka tri rrugë kryesore që lidhen me rrugën rajonale edhe pse shtrirja është më e theksuar mbi rrugën në fjalë që vetë fshati është i ngritur në gjysmë kurorë nga malet dhe kodrat e Sharrit e pjesa më vitale në rrafsh apo pjesën e cila nga dita ditës është duke marrë trajtën e një vendbanime me elemente bashkëkohore. Në vitin 1989 me vetkontribut banorët e këtij fshati kanë shtruar disa rrugë me bekatone dhe asfalt që kanë nevojë të mirëmbahen e të sanohen.

Habit fakti se ende nuk kanë kanalizim edhe pse siç kuptojmë nga kryetari i Bashkësisë Vendore Avni Ramadani se janë duke hartuar projektin ideor për këtë çështje tepër të nevojshme, po ashtu bogovinasit në muajin nëntor 2002 filloi ndërtimi i urës së re në fshatin Bogovinë. Donatorë janë UNDP-ja dhe Komuna e Bogovinës. Projekti në fjalë do të kushtojë 30 mijë dollarë amerikan 15 mijë dollarë financon UNDP-ja si dhe 15 mijë dollarë Komuna e Bogovinës. Kjo urë ka funksionin e vet të shumëfishtë, përpos që i lidh lagjet e këtij lokaliteti po ashtu lidh fshatin e malësisë Rakovecin. Konstruksioni i sipërfaqes së urës së re është tetë gjerësia dhe nëntë metra gjatësia.

Siç shprehet inxh. Dip. Behlul Musliu-Koordinator komunal i UNDP-USAID se ky projekt ka peshën e vet në shumë segmente jetike që është në interes të bogovinasve dhe më gjerë dhe deri më sot është realizuar mbi 80% që do të thotë se për disa javë do të lëshohet në përdorim. Gjithashtu siç kuptova nga kryetari i Bashkësisë Vendore Avni Ramadani se janë duke punuar në shtrimin e tri rrugëve me bekatone që lidhen me urën e re do i japin një pamje tjetër që për banorët e Bogovinës si çdo investim tjetër e përkrahin pa rezervë me 50% të mjeteve financiare dhe pjesën tjetër 50% Komuna e Bogovinës shuma është mbi 60 mijë euro ku duhet përmendur veprimtarin që punon në perëndim Dalip Misimi përpos angazhimeve në mërgim, i palodhshëm në terren ndihmon tej mase. Nga këto investime mund të konstatoj se lumenjtë i ndajnë në dy pjesë fushat, malet, fshatrat, qytetet dhe hapësirat tjera, kurse urat lidhin brigje, fate, interesa dhe njerëzit.

Problemi i uji për pije është i zgjidhur së paku edhe për disa vite edhe pse nga dita në ditë ky lokalitet zgjerohet që dëshmojnë ndërtimet e reja që janë mbi 100 shtëpi të reja vetëm në dekadën e fundit ku duhet theksuar se nga të gjitha fshatrat e Malësisë së Sharrit vendosen në Bogovinë edhe pse siç thonë se nuk ka shpërngulje. Pra, në vitin 1987 e kanë rregulluar çështjen e ujit për pije për nevojat e amvisërive nga burimet në malin Sharr, projekti në fjalë ka kushtuar afër 500 mijë euro, si dhe i kanë të instaluara orët për matjen e harxhimit të ujit ku janë të punësuar tre vetë, të cilët përkujdesen për mirëmbajtjen e rrjetit e të defekteve të ndryshme teknike.

Prof. Ismet Jonuzi-Krosi
Bogovinasit njihen si bujq të vyeshëm me produktet, kulturat dhe rendimentet e ndryshme bujqësore si në ish-Jugosllavi po edhe në Luginën e Pollogut gjë që e dëshmojnë edhe sot e kësaj dite. Funksionon shoqata e bujqve që nëpërmjet Bashkësisë Vendore dhe Komunës së Bogovinës i kanë të harmonizuar raportet në të mirë të bujqive. Edhe blegtoria ka tendencë rapide të rënies që dëshmon se shumë apo fare pak zhvillohet edhe pse dikur ka pasur mjaft qehajë me zë nga Bogovina. Dikur kanë pasur kokëçarje me ujin për ujitjen e tokave të shumta pjellore siç thonë se uji i lumit nuk i përmbushë nevojat dhe kërkesat, për të para tri vitesh në organizim të një komisioni të veçantë të Bashkësisë Vendore marrin ujë nga kanali vetëm gjatë sezonit të verës nga kanali famoz që i mbledh të gjitha burimet e Sharrit duke filluar nga Reçica deri në Mavrovë për nevojat e elektros, edhe me këtë rast bogovinasit e kanë materializua këtë nevojë për bujqit që gjatë verës në organizim të bashkësisë vendore punësojnë mbi 10 persona që përkujdesen për ujitjen që nënkupton se edhe pagesat drejtohen në fondin e institucionit në fjalë mu ashtu si mjetet financiare të ujit për pije.

Edhe në këtë fshat ka një përqindje të madhe në mërgim dhe atë në shtetet e ndryshme të Evropës Perëndimore si dhe 5 familje në SHBA, që japin kontribut të jashtëzakonshëm në shumë projekte konkrete në të mirë të vet fshatit ku duhet përmendur shoqatën humanitare “ALI MUNISHI” (emri i kësaj shoqate- Ali Munishi 10.12.1961-18.04.1987 që sot e ka pllakën përkujtimore gjegjësisht bustin me mbishkrim në qendër të fshatit, ngase në aksionin për sjelljen e ujit aksidentalisht ka humbur jetën ky i ri) me seli në Zyrih dhe Frankfurt e themeluar në vitin 1992 nga vetë mërgimtarët e Bogovinës. Kjo shoqatë deri më sot ka ndihmuar në shumë sfera të ndryshme duke filluar që nga terreni i sportit, shkollës fillore, skamnorëve, shkollarëve, studentëve si dhe xhamisë së Re, të cilën vepër humane edhe sot e kanë aktive për nevojat dhe kërkesat e bogovinasve e më gjerë. Edhe pse ka mbi 7 mijë banorë thonë se diku afër 30% marrin ndihma sociale, por kanë rezervë se ky numër do të reduktohet me ligjin e ri të Ministrisë së Punës Sociale që do t’i dëmton në tej masë.

NDRIÇIMI PUBLIK DHE RRYMA

Ndriçimi publik është në gjendje të mirë, edhe pse ballafaqohen me mungesën e rrymës elektrike. Vitin e kaluar kanë instaluar një trafostacion të ri, por ende nuk është vënë në përdorim siç thonë ngase bogovinasit nuk e shlyejnë borxhin ndaj elektrodistribucionit të Tetovës, por besojnë se së shpejti do të rregullohet edhe kjo dukuri dhe do ta kalojnë në bashkëpunim me elektrodistribucionin.

POSTA

Në objektin e ri të Komunës së Bogovinës funksionon prej vitit 2002 posta për të gjitha llojet e shërbimeve dhe se telefona të rrjetit tokësor kanë që nga viti 1980 e këndej.

AMBULANCA E SHËNDETËSISË

Që para disa dekadash kanë pasur objektin e ambulancës së shëndetësisë ku sot në atë hapësirë është ngritur godina e Komunës, ndërsa ka të punësuar dy mjekë dhe tetë motra medicinale ngase ambulanca punon në dy ndërrime gjithashtu punon edhe ordinanca e stomatologjisë, por thonë se kanë nevojë që të punësojnë edhe mjekë të tjerë si pediatër e të ngjashme. Gjithashtu ka edhe ordinanca dhe ambulanca private.

NDËRMARRJET E VOGLA DHE TË MESME JANË TË SUKSESSHME

Ka mbi 100 shitore dhe lokale afariste si dhe disa ndërmarrje të vogla dhe të mesme të cilat nga dita në ditë janë duke shënuar suksese të lakmueshme që dëshmojnë edhe për numrin e të punësuarve nga ky fshat. Firma e mirënjohur “FRIGO-TEKNIKA” e cila ka të punësuar mbi 40 punëtor, firma “BULA-TRANS” ka afër 10 të punësuar, firma “EURO-BETON” ka të punësuar mbi 20 persona, firma ”ABI-KOMERC” mbi 15 persona të punësuar si dhe shumë e shumë të tjera që ndikojnë dukshëm në zvogëlimin e papunësisë. Ky fshat po ashtu në kuadër të komunës ka të organizuar bartjen e mbeturinave nga ana NPK”SHARR” që edhe vërehet në terren.

MBURRJA E BOGOVINASËVE

Mburrja e bogovinasëve në rrafshin e çështjes kombëtare të cilët kanë dhënë personalitete me nam përmenden ushtarët dhe veprimtarët e devotshëm të Çështjes Kombëtare të cilët në vitin 1945 në pranverën e hershme janë persekutuar nga ana e komunistëve dhe atë në qendër të fshatit ILJAZ RUFATI-BOGOVINA që e përkujtojnë me nderime si personalitet të denjë, trim, human dhe atdhetar i pashoq, ndërsa grupin në përbërje RUSHAN DEHARI, GARIP BEHLULI, JUSUF BAJRAMI dhe MEHMET ASANI ( ky i fundit ka qenë njeri i shkolluar e përparimtar me ideal dhe bindje të shëndosha kombëtare) janë ekzekutuar në vendin e quajtur te gështenjat te toka e kuqe në fshatin Dobërdoll, por habit fakti se ende për personalitet e këtyre dëshmorëve të çështjes kombëtare ende nuk janë ndriçuar në rrafshin historiografik që ndoshta në të ardhmen e afërt do të zënë vendin meritor në historikun e bogovinasëve qoftë në emërtimin e ndonjë objekti shoqërore, rrugësh, shesheve e të ngjashme.

FEJA, SHKOLLA DHE SHKOLLIMI

Shkolla e parë përmendet se ka punuar në vitet 1907/08 në kohën e sundimit otoman, edhe pse këtë dëshmi e vërtetojnë pleqtë që i thonë se aty kanë mësuar vetëm meshkujt deri në klasën e pestë që njëherit ka qenë edhe mejtep, por si dëshmi faktike përmendet viti 1923/24 që posedojnë dokumente. Por, kjo nuk do të kuptosh se Bogovina nuk ka pasur shkollë që në kohën e luftës së parë bakllkanike apo të pushtimit të serbit të parë e që ka ekzistuar në mejtepin e Xhamisë së Moçme ku sot është rregulluar në lulishte apo si qendër.

PISHTARËT E ARSIMIT

Pishtarët e arsimit; Në vitin 1941 thonë se shkolla e ka pasur emrin “ABDYL FRASHËRI”, ndërsa si mësues të Normales së Elbasanit me nderime i përkujtojnë si; mësuesi Pandi Gjoka dhe Mësuesi Reçi, ndërkaq pas 1945 e këndej i përkujtojnë mësuesit si; Abdulla Sulejmani-drejtori i parë i cili është shpërngulur në Turqi, Nazmi Patpati-i shpërngulur në Turqi, Hasan Hasani, Adil Gazaferi, Izmit nga Gajrja, Kurtaliu nga Negotinë, Rahman Besimi, Hasan Qazimi, Daut Ibrahimi, Samedin Qazimi, Xhevat Besimi, Setki Rexhepi, Sabri Sabriu dhe Vesel Qazimi të gjithë nga Piroku, ndëra; Ismail Ismaili, Nexhat Idrizi, Vehap Vehapi-LUSHI, Xheladin Palloshi së bashku me të shoqen e tij, Abedin Qafjani, Abdyl Ismaili dhe Ismailaki Rizahu që të gjithë nga Tetova, prej Reçice përmenden si Refik Rexhepi, Ajet Reçica, Mustafë Reçica, Nevzat Mullahakiu, Miftar Miftari ( i ndjeri neuropsikiatër), Qatip Hasibi ( i ndjer) nga Kamjani, Jonuz Jonuzi-ing. I dipl. I teknologjisë nga Kamjani etj.

PISHTARËT E PARË NGA BOGOVINA

Pishtarët e parë nga Bogovina janë; Hanif Halit Mehmedi ( i ndjer), Nakil Abdiu ( i ndjer), Abdilalim Asani-aktualisht drejtor i shkollës, Taip Ademi-nga Bogovina, Dr. kirurg Isa Saliu, Beqir Iseni-jurist, Lutfi Murati, Xhevahir Azizi, Sali Musliu, Selim Abdiu, Xhevahir Xhemaili, Sadulla Izahiri-jurist, Qani Abduli-jurist përkatësisht ish-sketretar i parë i PPD-se në vitin 1990, Qani Nuhiu-politikolog, Abdylqerim Veliu-mësues i klasëve të ulta,aktori prof. Senad Abduli, ndërsa me tituj shkencorë dr. Nehat Sadiku-ligjërues në Universitetin e Lubjanës, mr. Vehbi Xhemaili,mr. Arifikmet Xhemaili, mr. Nermin Ademi- ekonomist si dhe poet, mr. Besnik Fetahu, mr. Selajdin Abduli, Isak Aliu-prof, mr.Halit Ibrahimi, Sulejman Fetau-sociolog aktualisht ndihmës ndrejtor në shkollën e mesme të Tekstilit, Besnik Emshiu-ing. I dip. si dhe shumë e shumë emrat të tjerë që janë në rrjedhat e ndryshme shoqërore-politike-ekonomike- kulturore-arsimore e të ngjashme.

Në vitin 1965 ia ndërrojnë emrin e ia vënë “REVOLUCIONI POPULLOR” që këtë emër e ka pasur deri në vitin 1993 ku ia kthejnë emrin e mëparshëm “ABDYL FRASHËRI”, duhet përmendur se në vitin 1949/50 mësimi është zhvilluar si tetëvjeçare ku mësimin e kanë ndjekur mbi 13 fshatra të rrethinës. Si pjesë përbërëse të kësaj shkolle sot punojnë edhe shkollat fillore në fshatin Rakovec dhe Sellcës së Keqe. Gjatë viteve 1978 deri 1984 ka qenë paralelja e gjimnazit për dy vite që ka ndikuar në shkollim në këtë anë, por gjatë viteve 1980/81 në shkollë kanë pasur 96 me më shumë se 2000 nxënës dhe 109 arsimtarë. Sot kjo shkollë ka 44 paralele si dhe pesë paralele të foshnjores me 90 vogëlushë. Në këtë vit shkollor 2002/03 kjo shkollë ka 1189 nxënës, prej tyre 1010 mësojnë në Bogovinë, ndërsa 140 në Shkollën e Rakovecit dhe 40 nxënës në shkollën e Sellcës së Keqe.

Kolektivi numëron 71 arsimtarë. Ndërkaq projekti për ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore “ Abdyl Frashëri” të fshatit Bogovinë është kryer deri në fazën e dytë. Gur-themeli i godinës është vënë më 15 dhjetor të vitit 2000. Tani për tani punimet janë ndërprerë në realizimin e mëtejmë të ndërtesës. Ndërkaq, shkolla e vjetër ku vijojnë mësimin në tri ndërrime nuk i plotëson as për së afërmi kushtet e procesit edukativo-arsimor. Por, bogovinasit shkollimin e brezave të rinj e trajtojnë si çështje të shenjtë. Këtë e dëshmon organizimi i tyre rreth grumbullimit të mjeteve financiare për projektin në fjalë.

I tërë projekti i kësaj shkolle vlerësohet se do të kushtojë mbi 1 milion e 400 mijë euro. Por, për të vazhduar me fazën e tretë të objektit të ri të shkollës fillore “Abdyl Frashëri” në Bogovinë duhet edhe shumë punë dhe mjete financiare. Abdilalim Hasani-Drejtor i Sh.F “Abdyl Frashëri” fsh. Bogovinë, siç kuptova se është duke bërë gjithçka që objekti i filluar të kryhet karabina që ka shpresë se do të mund të kryhet ngase kontaktet i ka të përhershme me ministrinë përkatëse dhe se një ditë edhe do të përmbyllet objekti në formën e karabinasë ngase drejtori shpreh besim se shoqatat e ndryshme do të ndihmojnë për ta rrumbullaksuar këtë objekt. Edhe këtë shkollë e kanë ndihmuar shumë organizata të jashtme në investime të nevojave elementare siç janë USAID, IOM, CRS, CISS, UNICEF, Childver’s AID, OXFAM, Solidarite, etj si dhe shoqata “ALI MUNISHI” me ndihma konkrete.

Mbi 90% e semi-maturantëve vazhdojnë shkollimin e mesëm. Studimet universitare i ndjekin me qindra studentë e më të fokusuar janë në Universitetin e Tetovës dhe nëpër qendrat tjera shqiptare.

KF”DRITA” SINONIM I SPORTIT DHE RINISË NË BOGOVINË

Klubi i futbollit “Drita” u themelua në vitin 1994 dhe përherë të parë garoi në kampionatin 1994/95 në ligën e komunave, për tri vjet radhazi ishte ndër ekipet më të suksesshme për çka edhe në vitin 1998/99 u ngjitë në ligën e tretë republikane ku me sukses garoi dy vite, ndërsa në kampionatin 2001/02 arrin suksesin më të madh në historikun 8 vjeçar duke u plasuar në ligën e dytë unike. Por situata aktuale dhe mallverzimet e shumta në LFM, kundër ekipeve shqiptare ndikoi që kjo ekip përsëri të kthehet në ligën e tretë grupi i veriut. Kur përmendet ekipi i Dritës patjetër duhet përmendur Abedin Aliti-Abi i cili që nga themelimi deri në suksesin më të madh ishte në krye të klubit duke mos kursyer as mjete e as kohë.

Ndër lojtarët që kanë afirmuar veten dhe klubin gjithsesi se janë Sheismail Munishi i cili ka luajtur edhe në ekipin e Shkëndijës edhe në Slloveni, pastaj Besir Xhemaili një kohë të gjatë golashënuesi më i mirë i ekipit, portieri Florim Asani, Blerim Bajrami dhe shumë të tjerë të cilët me sukses të madh kanë mbrojtur ngjyrat e KF “Drita”. Me një fjalë Drita ishte dhe do të mbetet sinonim i sportit dhe rinisë së sportit në fshatin Bogovinë. Nga Bashkësia Vendore drejtuar këshillit komunal të Bogovinës që e miratuan në dhjetor të 2002 për emërimin e rrugëve, sheshe, objekteve publike e të ngjashme sot ky fshat i ka edhe të emëruara si; rruga kryesore “Skënderbeu”, “Pollogu”, “mullaga”, sheshi “Ali Munishi”, “Ura e Haxhisë” , “Ura e Bashkimit” dhe rruga “Nakil Abdiu”.

TË DHËNAT E FAMILJEVE DHE VENDEMËRTIMET

Fshati ndahet në disa lagje; Si në të gjitha fshatrat e Luginës së Pollogut edhe në Bogovinë janë emrat e familjeve si; Kuse, Lajke, Popçe (PRIFTI) (lagje që ka të dhëna historiografike se është lokalitet i antikës, por ende e paprekur fare, ku supozohet të ketë qenë edhe kisha e cila ka luajtur rol për fshatrat përreth), Kërshe, Karaemine, Fetishe, Kase, Kovaçe, Ranxhulle, Hadre, Zize, Çajke dhe Vejshe etj.

VENDEMËRTIMET

Vendemërtimet popullore janë evidente në shprehjet e tyre të përditshmërisë si; vendemërtimet në kodra-male-fusha; Sokaki i Dardhave, Lethejat, Përroi i Çangut, Gurëzit e Derdhët, Udha e Shkupës e Sëllarcës dhe Udha e Kamjanit, Mëni i Math(dh), Te Lisi, Fajrishte, Te Dardha, Përkaçe, Vorret e Xhipve, Vorret e Krushqive, Gllanicë, Izerishte, Zabeli, Kodra, Vneshtat, Kraishte, Prekovec, Kuçishte, Ksenika, Ograde, Popadricë, Toplicë, Kiselaçkë, Krushevicë, Rraogat, Vojnica, Parcaçe, Llokvishte, Gradishte, Kosovcë Te Kisha e shumë e shumë të tjera.

Bogovina ngadalë por sigurt ecë drejt një vendbanimi me të gjitha segmentet e organizimit të jetës për t’u bërë qytezë. Dashtë Zoti që kërkesat dhe investimet e planifikuara të bëhen realitet objektiv e në veçanti ai i shkollës fillore, infrastrukturës, Xhamisë së Re e të ngjashme.

Publikuar: 10.02.2011 | 21:40
Lexuar: 1288 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime