Famë ndërkombëtare dhe miliona dollarë të ardhura. Li Na ka futur ethet e sportit të tenisit në Azi. Tani tenisi është sporti i tretë më i ndjekur në Kinë.
Çmimin në para të fituar në turneun e fundit Open në Madrid ia dhuroi një fondacioni kinez që ndihmon familjet e varfra në zonën e Yushu, që u godit rëndë nga tërmeti i muajit të shkuar. I mungoi vetëm fitorja ndaj belges Kim Clijster, por futja e saj në finalen e Australia Open bën pjesë tashmë në historinë e tenisit.
Pavarësisht humbjes, kinezja Li Na ka arritur të renditet e teta në klasifikimin botëror. Ka fituar rreth 4.5 milionë dollarë në karrierën e saj jo shumë të gjatë dhe me kontratat e reja me sponsorët pritet të fitojë ende më shumë. Li Na deri më sot ka fituar vetëm katër turne: të fundit në Sidnej në fillim të janarit. 29-vjeçarja nga Whuan, profesioniste që prej vitit 1999, është imazhi i Nike për veshjet sportive dhe Babolat, një prej prodhuesve më të mëdhenj të raketave. Për të promovuar këto marka fiton jo më pak se 800 mijë dollarë në sezon.
Agjencia amerikane është ajo që e udhëheq nga ana tregtare që prej një viti. E njëjta strukturë drejton edhe karrierat e Roger Federer, Maria Sharapovës, Rafael Nadal dhe Venus Williams-it, që janë njëkohësisht edhe emrat më të famshëm të sportit të tenisit. Në shtator të vitit 2009, renditej e 18-a në botë, ndërsa sot ka ambicien të renditet tek pesë të parat. Pak orë pas humbjes së finales me rivalen belge, Li Na bëri me dije për kontratën e nënshkruar me Spider-Tech, një kompani e specializuar për prodhimin e mjeteve të fituesit, me të cilën do të fitojë rreth 250 mijë dollarë për një seri spotesh publicitare.
Shpërthimi i atletes aziatike është përforcuar edhe nga rritja ekonomike e Kinës në përgjithësi që numëron katër teniste në 100 të parat sipas klasifikimeve ndërkombëtare. Federata Kineze e Tenisit po njeh një rritje të shpejtë, duke nisur nga sektorët e sponsorit. Partneri kryesor i kombëtareve është Mercedes-Benz, i ndjekur nga veshjet sportive Anta dhe nga Huatai securities. Praktikantët janë rreth 15 milionë, pothuajse sa gjysma e atyre në SHBA, fushat 35 mijë, ndërsa akademitë e tenisit e kanë kaluar kufirin e katër mijë njësive, me më shumë se 450 mijë atletë. Tenisi është sporti i tretë më i ndjekur në Kinë. Sukseset më të mëdha vijnë nga sektori femëror, sepse meshkujt nuk kanë arritur kurrë të kalojnë pozicionin numër 300 në renditjen botërore.
Momenti më i mirë i tenisit kinez është i lidhur me vitet 90, falë një lojtari të vetëm jo shumë i njohur, Pan Bing, që renditej i 180-i në renditjen e atyre viteve. Ai fitoi Lojërat Aziatike pastaj u zhduk në errësirë. Përkundrazi Li Na është një kampione e vërtetë. Në fëmijëri shumë mendonin se do të bëhej kampione në sportin e badmintonit, por më vonë zbuloi se raketa e tenisit ishte ajo e duhura për të. Me stilin e saj në fushë po kontribuon në përhapjen e tenisit në Kinë, duke u bërë kështu një model referimi për shumë të rinj. Ajo nuk është një kineze tipike. Nuk i pëlqen vetëm të stërvitet, është e qeshur dhe shumë e komunikueshme. Kush e njeh mirë e përshkruan edhe si një dembele dhe gjumashe të madhe.
Trajneri i saj është bashkëshorti Jiangh Sahn. Me mua ndodhi e kundërta. Unë vetë kërkova që burri im të ishte edhe trajner njëkohësisht, dhe jo e kundërta, sepse nëse ai dhe unë nuk do të kuptoheshim kaq mirë në jetën private, nuk do të funksiononte as në tenis. Ndonjë trajner tjetër ndoshta do të mendonte keq për ndonjë gabim në fushë, ndërsa im shoq jo. Ndihem rehat me të. I pëlqen edhe noti, shopping dhe leximi. Ngjyra e saj e preferuar është e zeza. E vetmja shenjë në trup është tatuazhi i një trëndafili sipër zemrës. Stacioni i ardhshëm? Të fitojë Grand Slam-in e parë të karrierës, për të sfiduar njëherë e përgjithmonë popullaritetin e ikonës së NBA, Yao Ming.
Të fitosh një Slam do të thotë shumë për gjithë sportin e tenisit në Kinë. Por qëllimi i saj është diçka tjetër. Pak kohë më parë, përpara gazetarëve ka rrëfyer pa ju dridhur qerpiku: Po ju them se cili është motivi i vërtetë që më jep forcë, ideali që më bën të eci përpara: janë paratë. Kur unë fitoj burri im zhduket me kartën time të kreditit, tregon ajo duke qeshur.