Mubarak është udhëheqësi i dytë arab që përmbyset nga kryengritja popullore brenda një muaji.
Egjiptianët kanë festuar gjatë gjithë natës largimin e presidentit Hosni Mubarak, pas 30 vjetësh në pushtet.
Presidenti 82-vjeçar dha dorëheqje pas 18 ditësh protesta kundër varfërisë, korrupsionit dhe shtypjes.
Mubarak është udhëheqësi i dytë arab që përmbyset nga kryengritja popullore brenda një muaji.
Zëvendëspresidenti Omar Sulejman tha se këshilli ushtarak do të marrë drejtimin e vendit tani për tani.
Mediat perëndimore kanë mirëpritur rënien e presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, por kanë shprehur frikën për të ardhmen e paqartë të vendit dhe rajonit.
"Marshi i Egjiptit drejt lirisë politike është vetëm fillimi; ne mund të presim më shumë drama dhe mosmarrëveshje", shkruan në editorialin e saj "Wall Street Journal".
"Los Angeles Time" ka përshëndetur protestat që çuan në përmbysjen e Mubarakut, duke thënë se "që nga rënia e Murit të Berlinit nuk ka pasur një dëshmi aq dramatike të dëshirës për liri personale".
"Washington Post" u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve tjera perëndimore të bëjnë presion mbi administratën ushtarake të Egjiptit për të shkuar drejt demokracisë.
Gazetat britanike e vlerësuan përmbysjen e Mubarakut si moment përcaktues në histori.
"Tridhjetë vjet diktaturë kanë ikur në 30 sekonda", shkruan "Guardian".