E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kështu thotë nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa, i cili në një intervistë për “Zërin” ka arsyetuar vendimin e partisë më të madhe në vend që postet e dy institucioneve kryesore në vend, kryeministrin dhe presidentin, t’i mbajë për vete.
Qeverinė e bėjmė edhe pa AKR







Jeton Llapashtica

Edhe nëse Aleanca Kosova e Re (AKR) vendos të qëndrojë në opozitë, kjo nuk do ta pengojë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) që ta formojë qeverinë e ardhshme. Kuvendi i Kosovës i ka 120 deputetë, nga të cilët PDK-ja do t’i gjejë votat për ta formuar qeverinë.

Kështu thotë nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa, i cili në një intervistë për “Zërin” ka arsyetuar vendimin e partisë më të madhe në vend që postet e dy institucioneve kryesore në vend, kryeministrin dhe presidentin, t’i mbajë për vete.

Ai nuk pajtohet se Partia Demokratike e Kosovës është fajtore për vonesat në krijimin e qeverisë, faj ky të cilin ai thotë se e kanë të gjitha institucionet dhe partitë politike.

Derisa liderin e PDK-së, Hashim Thaçi, ai e sheh si personin e vetëm që do ta drejtojë qeverinë e ardhshme, për të përfolurin për këtë post, ministrin Ahmet Shala, ai ka krejtësisht qëndrim tjetër. “Është humor të thuash që Ahmet Shala ose dikush tjetër të jetë kryeministër”, thotë ai.

Zëri: PDK ka deklaruar se i ka numrat dhe formulën për formimin e Qeverisë, e cila do të formohej menjëherë pas certifikimit të rezultateve. Pse po zvarritet ky proces?

Mustafa: PDK-ja ka fituar të drejtën për të fituar mandatarin për krijimin e qeverisë. Unë po mendoj që nuk ka vonesë për krijimin e qeverisë, mirëpo ka një varg modalitetesh, të cilat duhet t’i bisedojmë, një varg mundësish të cilat po i diskutojmë rend me rend dhe ne jemi duke i udhëhequr bisedimet tash për tash me njërën prej këtyre mundësive. Dhe të shohim se si do të rezultojë kjo mundësi.

Vonesat, jo për fajin e PDK-së

Zëri: Zvarritja e konstituimit të institucioneve po e zgjat krizën 6- mujore institucionale e politike në Kosovë. A është përgjegjëse PDK-ja për këtë zvarritje?

Mustafa: Unë po them se është përgjegjësi e gjithë lidershipit në vend. Por pas zgjedhjeve unë nuk them se ka vonesa, vonesat janë krijuar më herët. Problemi nuk është shkaktuar vetëm me krijimin e qeverisë tash pas përfundimit të zgjedhjeve, ka stërzgjatje të procesit zgjedhor, ka kod zgjedhor mbi të cilin i kemi kryer zgjedhjet, që nuk është i rregullt dhe nuk është i kompletuar si duhet, kështu që fajin mund të shpërndahet, faji nuk është vetëm te Partia Demokratike e Kosovës, por është te lidershipi i vendit.

Zëri: Në të gjitha koalicionet e kaluara posti i presidentit dhe ai i kryeministrit u kanë takuar dy partive të ndryshme politike, pjesë të koalicioneve. Si e arsyetoni vendimin e PDK-së, që kësaj radhe, me gjithë kontestimin e zgjedhjeve, të dy këto poste t’i takojnë PDK-së?

Mustafa: Bëhet fjalë në vendin tonë për tri poste kryesore që pak dallojnë njëra nga tjetra. Kësaj radhe kemi vendosur që të dy postet t’i mbajë Partia Demokratike, mirëpo kemi zhvendosur njërin post nga partia jonë, kemi dashur që t’ia dhurojmë partisë që do të jetë në koalicion me neve.

Zëri: Në opinion kanë qarkulluar zëra se kandidatura e Behgjet Pacollit për president nuk është e preferuar për ndërkombëtarët. A do të ishte zgjidhje që ky post t’i jepet dikujt tjetër nga partia e Pacollit, apo mjafton ky arsyetim që edhe presidenti të jetë i PDK-së?

Mustafa: Në forumet e Partisë Demokratike të Kosovës nuk është biseduar kjo punë, ne kemi parë mediet e shkruara dhe vizuale në përgjithësi, i dinë këto opinione, mirëpo ne nuk kemi folur fare për kandidaturën e Behgjet Pacollit, apo dikujt tjetër për president. Partia Demokratike e Kosovës ka kandidatin e saj për president. Në këtë radhë duam që të kontribuojmë me presidentin e vendit, ne vetë si Parti Demokratike e Kosovës.

Ahmet Shala kryeministër- humor

Zëri: AKR-ja ka dalë së fundi me qëndrimin se nëse s’i jepet posti i presidentit nuk hyn në Qeveri. Ku do t’i gjeni numrat për formimin e koalicionit në rast se edhe AKR-ja vendos të mbetet në opozitë?

Mustafa: Numrat janë brenda mandatarëve që kanë fituar për Parlament të Kosovës, janë njëqind e njëzet. Brenda këtyre njëqind e njëzet numrave Partia Demokratike e Kosovës duhet t’i gjejë numrat, edhe secili që dëshiron të bëjë qeverinë duhet të sillet brenda këtyre numrave. Unë po besoj që Partia Demokratike e Kosovës ka një instrument të fortë në dorë dhe mund të zgjedhë se me kënd do të jetë në qeverinë e ardhshme.

Zëri: A është Thaçi kandidati i vetëm për kryeministër apo mund të ndodhë që dikush tjetër nga PDK-ja t’i prijë qeverisë së ardhshme? Është përmendur emri i Hajredin Kuçit dhe ai i ministrit Ahmet Shala në këtë drejtim?

Mustafa: Për neve mbeten spekulime, është humor të thuash që Ahmet Shala ose dikush tjetër të jetë kryeministër. Partia Demokratike e Kosovës ka nominuar për kryeministër zotin Thaçi dhe vazhdon ai qëndrim. Asnjë ndryshim, asnjë vendim tjetër nuk është marrë në Partinë Demokratike, prandaj nuk flas për mundësi tjera.

Zëri: A ka shans, që institucionet të konstituohen para datës 24 shkurt, ku edhe është caktuar seanca e Kuvendit?

Mustafa: Unë nuk jam i lidhur me data, me etapa, nuk do të flas me data, nuk jam pjesë e bisedimeve për koalicion, por flas vetëm për mundësi dhe po mundohem të sillem brenda vendimeve të Partisë Demokratike të Kosovës, që tani për tani janë marrë.

Zëri: A po ballafaqohet PDK-ja me probleme të brendshme për shkak të kërkesës ultimative të një pjese të deputetëve të saj të ardhshëm që të mos lëshohet pe nga posti i presidentit?

Mustafa: Nuk ka ultimatume, krejt këto janë spekulime mediatike që unë i kam lexuar sikurse ju, por brenda forumeve të Partisë Demokratike të Kosovës nuk ka kësi ultimatumesh, unë nuk kam dëgjuar për këtë.

Zëri: A është përfundimtare oferta e PDK-së e miratuar në Kryesisë para dy netësh, karshi AKR-së?

Mustafa: Nuk është përfundimtare, kanë kompetenca njerëzit që udhëheqin këto bisedime me në krye kryeministrin që të shohin modalitetet brenda kornizës të caktuar, që unë nuk dua ta bëj publike sot me juve, për gazetën e juaj dhe as për medie fare, por është një kornizë brenda së cilës ka mundësi të manovrohet.

Publikuar: 13.02.2011 | 11:32
Lexuar: 574 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime