Ndërlikimet që sjell diabeti tek fëmijët, si mund të mbahet nën kontroll sëmundja dhe dietat e rekomanduara për këtë pacient. Sot Prof. Dok Petrit Hoxha do të shpjegojë pikërisht këto aspekte të sëmundjes.
Çfarë ndërlikimesh mund të shfaqen?
Shumë pacientë me diabet sheqeri të tipit 1 zhvillojnë atë që njihet si ketoacidoza diabetike, që shkaktohet nga mungesa e theksuar e insulinës. Përveç simptomave të zakonshme, humbja në peshë e pacientit, përshpejtohet nga urinimi i shpeshtë dhe të vjellat që shkaktojnë humbje të theksuara të lëngjeve të trupit. Fëmija ankon edhe për dhimbje barku, e cila çon ndonjëherë në diagnozën e gabuar për problem kirurgjikal.
Si mund të matet glicemia nga i sëmuri?
Është i rëndësishëm edukimi i pacientit dhe familjes lidhur me matjen e glicemisë me glukometër, administrimin e insulinës dhe planifikimin dietetik menjëherë pas kalimit të ketoacidoza diabetike. Fakti që në jetën e përditshme pacienti do të jetë më shumë aktiv se në spital, vlerat e glicemive do të rezultojnë më të ulëta se ato spitalore për të njëjtat doza të insulinës dhe të njëjta skemë dietetike. Në të gjitha regjimet, glicemia duhet matur e pakta 4 herë në ditë dhe dozat e insulinës duhen rregulluar në lidhje me këto vlera të matura të glicemisë. Insulina zakonisht nuk duhet të jepet jashtë skemës kohore, me përjashtim të rastit kur vlerat e glicemisë janë shumë të larta (më shumë se 350mg/dl) ose kur janë shfaqur trupat ketonik në urinë. Insulina injektohet nën lëkurë dhe jo intramuskulare. Vendi i injektimit duhet të ndryshohet rregullisht, dhe insulina injektohet zakonisht në zonën e krahut, në kofshë, në bark shpinë, vithe. Flakonet e insulinës duhen ruajtur në temperaturë të dhomës ku mund të qëndrojë stabël për rreth 30 ditë.