Në program pati edhe interpretim ilahish, një: grupi Lebejk nga Tetova, si edhe kënduesit kumanovarë Abdullah Shaqiri i bashkëshoqëruar nga Esad Azizi dhe Avni Nebiu.
Para një publiku pothuaj prej një mijë vetash, në Kumanovë u mbajt manifestimi qendror në kuadër të kampanjës Ta njohim Pejgamberin Muhamed [alejhi selam]!, të cilën Forumi Rinor Islam e organizon për të senzibilizuar popullatën me personalitetin e Pejgamberit Muhamed.
Më 15 shkurt 2011, u mbajt manifestim për nder të shënimit të datës së lindjes së Pejgamberit Muhamed [alejhi selam], i cili përndryshe organizohet qe shtatë vjet me radhë. Publiku kumanovar e më gjerë pati mundësi të përcjellë një program të begatë fetaro-artistik e kulturor.
Programi u begatua me fjalim hyrës të nënkryetarit të FRI-së, z. Zulqifli Sinanit nga Shkupi, për tu pasur më pastaj nga psikologu, teologu e ligjëruesi universitar në USHT, dr. Musa Musai nga Gostivari, i cili me anë të një ligjërate të shkurtër paraqiti ca dimensione të jetës së Pejgamberit Muhamed [alejhi selam].
Në program pati edhe interpretim ilahish, një: grupi Lebejk nga Tetova, si edhe kënduesit kumanovarë Abdullah Shaqiri i bashkëshoqëruar nga Esad Azizi dhe Avni Nebiu.
Interpretim eseje të Fatmir Mujës, ... e ujin e mori etja..., bëri Arsim Fazliu nga Tetova, i cili në mënyrë fenomenale dhe shumë shpirtërore u mundua të përcjellë te publiku atë që dora e Fatmir Mujës e kishte shprehur.
Programi u përmbyll me promovimin e videoklipit të ilahisë Pendimi të Avni Nebiut, këtij kënduesi ilahish kumanovar, i cili karakterizohet me një zë melankolik e kumbues dhe që premton shumë se do të jetë veprimtar i denjë në rrugën që e ka zgjedhur.
Falë Zotit publiku nuk u zhgënjye as kësaj here për përmbajtjen e formën e këtij manifestimi tradicional që mbrëmë mbushi shtatë vjet.
Në anën tjetër, ne si trup organizativ dhe si nikoqir të organizimit në fjalë jemi shumë krenarë dhe falënderues ndaj Zotit, në radhë të parë, për suksesin e arritur. Veç kësaj, ne falënderuam edhe sponsorët e këtij manifestimi, ndihma materiale e të cilëve u bë faktor kyç për mbarëvajtjen e organizimit që ia dedikuam Pejgamberit tonë.