Drejton një nga spitalet e vetëm që funksionon në një vend të shkatërruar nga lufta. Përreth klinikës së saj ka lindur një qytet më vete, i populluar nga mijëra refugjatë.

Më 5 maj të vitit 2010, menjëherë pas agimit, 750 rebelë rrethuan spitalin e doktoreshës Hawa Abdi. Mama Hawa, siç e thërrasin në këto anë, dëgjoi të shtëna, nxori kokën në dritare dhe e kuptoi se e vetme nuk mund ti bënte ballë këtij sulmi. Këtë spital e drejton ti? Ti je e moshuar, për më tepër je edhe grua, e pyetën banditët. Atyre nuk u interesonte që mama Hawa, 63 vjeçe, ishte një nga mjekët e paktë profesionistë në këto anë. Klinika, shkolla dhe programi ushqimor që aplikonte, u garantonte mbijetesën rreth 100 mijë njerëzve, mes të cilëve shumë refugjatë të arratisur nga zonat e shkatërruara nga luftërat shumëvjeçare e varfëria që prej kohësh torturon Somalinë. Komandantët e këtyre rebelëve e mbajtën Abdi-n peng për shumë orë nën kërcënimin e armëve, ndërsa të tjerët, shumica djem të rinj 1516-vjeçarë e plaçkitën spitalin, duke thyer aparatet e anestezisë, dritaret dhe duke djegur kartelat klinike. Agresorët, pjesë e një prej grupeve islamike më të frikshme të Somalisë, që zakonisht u pret gjymtyrët dhe i varros të gjalla gratë, e mbajtën Abdi-n në arrest shtëpie për pesë ditë dhe e mbyllën spitalin, duke lënë një numër të madh fëmijësh pa ngrënë dhe të braktisur. Pastaj ndodhi e pabesueshmja. Qindra gra në kampin e refugjatëve pranë spitalit që drejton Abdi nisën protestat dhe i detyruan militantët të tërhiqeshin. U thashë banditëve se nga spitali nuk do të lëvizja. Nëse duhet të vdes, do të vdes me njerëzit e mi e me dinjitet. U bërtita dhe u thashë se si pasojë e kësaj që ata bënin, po vdisnin dhe po ngelnin pa ushqim qindra fëmijë, tregon doktoresha. Somalia është në luftë me vetveten prej 20 vjetësh. Sistemi shëndetësor është shkatërruar së bashku me një pjesë të mirë të vendit. Spitalet janë shumë të paktë në numër. Por ndërsa shteti po shkatërrohej nga luftërat, Hawa nuk u dorëzua: strehonte qindra familje refugjatësh që përpiqeshin të iknin nga zonat e luftimeve dhe varfëria e skajshme. Qeveria kontrollon vetëm disa zona të kryeqytetit. Abdi dhe vajzat e saj, edhe ato të diplomuara në mjekësi, administrojnë një qytet më vete. Por kjo nuk i mjafton doktoreshës, duke u dhënë pjesë nga toka e saj disa familjeve dhe bleu një flotë të vogël peshkarexhe për të plotësuar nevojat me ushqim në kampin e refugjatëve.
Rambo dhe Nënë Tereza
Angazhimi i saj ka marrë shumë vlerësime në nivel ndërkombëtar. Pas thuajse 30 vjet operacionesh dhe ndërhyrjesh të menjëhershme, në vitin 2010, Abdi dhe vajzat e saj u renditën në klasifikimin e grave të vitit, të revistës Glamour, nën shoqërinë e të famshëmve si Julia Roberts dhe mbretëresha Rania e Jordanisë. Revista e cilësoi mama Hawa-n si pak Nënë Tereza dhe pak Rambo. Në librin The tenth parallel, Eliza Griswold ka shkruar pikërisht për projektin e saj: Vetëm falë këmbënguljes dhe përkushtimit të tyre, Hawa dhe vajzat e saj kanë ndërtuar një qytezë të vogël spitalore në kaosin e luftës. Amina, një nga vajzat e saj, e ka mësuar zanatin e mjekut, duke ndjekur të ëmën teksa vizitonte pacientët. Ajo tregon se tani e ëma ka nevojë të çlodhet. Në 20 vitet e fundit nuk ka pushuar kurrë. Kohët e fundit doktoresha është operuar pas një tumori beninj në tru. Tani është më mirë, por ndihet e lodhur. Nuk mund të largohem e të mendoj për veten në këtë situatë, tregon ajo. Abdi i përket një tjetër brezi somalezësh. Atij brezi që ka pasur disa mundësi, edhe pse të kufizuara. Në moshën 17-vjeçare, Hawa fitoi një bursë për të studiuar për gjinekologji në Ukrainë. Mes 91 studentëve somalezë ajo ishte gruaja e vetme. Ëndrra për tu bërë mjeke, tregon, i lindi në moshën 12-vjeçare teksa kishte parë nënën e saj të vdiste gjatë lindjes. Mendoja dhe shpresoja që një ditë do të shpëtoja jetë njerëzish, sidomos nëna që vdisnin duke lindur pasi nuk kishin asnjë ndihmë, rrëfen ajo. Pas studimeve në Kiev u kthye në Somali dhe punoi në spitalet publike. Ndërkohë u martua dhe solli në jetë tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë që humbi jetën në vitin 2005 në një aksident rrugor. Ishte 23 vjeç. Edhe vajzat Amina dhe Deqa janë diplomuar në mjekësi. Në vitin 1983, Hawa hapi një klinikë gjinekologjike private të përbërë nga një dhomë e vetme në një copë toke të familjes së saj dhe nisi të bindë gratë nomade që të lindnin në klinikën e saj. Presidenti i asaj kohe e ndihmoi shumë në këtë nismë. Pastaj klinika erdhi gjithmonë e duke u zmadhuar. Sot kompleksi Hawa Abdi Hospital ka 400 shtretër, 3 salla operimi, 43 infermierë, 1 shkollë me 800 nxënës dhe 1 qendër informacioni për të rinjtë ku gratë mësojnë të qepin veshje dhe të gatuajnë. Për shumë kohë Abdi i ka praktikuar e vetme ndërhyrjet kirurgjikale, nga lindjet me operacion e deri tek ato për heqjen e plumbave. Por tashmë operacionet janë pezulluar për shkak të agresionit në maj të vitit 2020. Për Hawa-n problemet që duhen përballuar ditë pas dite, me ndonjë ndihmë ndërkombëtare por me aparatura dhe ilaçe të pamjaftueshme, janë malaria, kolera, diarreja, epilepsia, tuberkulozi dhe mbi të gjitha kequshqyerja.
Kura falas
Në dy kate të spitalit të vendosur 25 kilometra larg Mogadishos është krijuar një qytet më vete, i populluar nga rreth 90 mijë refugjatë që jetojnë në baraka të ndërtuara me shkopinj dhe mushama. Kanë ardhur këtu, sepse kjo është një nga zonat më të sigurta të Somalisë Jugore, e financuar përmes donacioneve të ndryshme, ajo u ofron kura mjekësore falas të gjithëve. Në kamp ka edhe roje për sigurinë dhe disa rregulla që duhen zbatuar, mes të cilave edhe ajo për të mos rrahur gratë. Pak kohë më parë Hakima Mohamoud, një nënë 50-vjeçare erdhi këtu pasi kishte lindur një fëmijë të vogël, të dobët e të kequshqyer, e cila u fut menjëherë në trajtim. Kurat funksionuan dhe vajza tani është e shëndetshme. Në jetën time nuk kisha parë një spital që funksiononte falas. Nuk di si tua shpërblej, thotë ajo. Do të vazhdoj të punoj dhe të ndihmoj të gjithë ata që kanë nevojë deri sa të mundem, përfundon Hawa.