E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Sapo ka dalë në Amerikë libri që i kushtohet Zonjës së Parë të Amerikës: “Everyday Icon: Michelle Obama and a Power of Style” shkruar nga një gazetare e njohur e modës. Përfundimi? Është Zonja e Parë që nuk vishet për rolin që mbulon.
Michelle Obama dhe fuqia e stilit







Kate Betts, sipas “Forbes”, është një nga gazetaret e modës më me ndikim në botë. Biondja njujorkeze e diplomuar në Princeton ka drejtuar revistën e famshme “Harper’r Bazaar” që nga viti 1999 e deri më sot. Sot bashkëpunon me “Times”, CNN dhe është editorialiste e “Daily Beast” të Tina Brown. Prej vetëm dy ditësh, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka dalë libri i saj dedikuar Michelle Obama-s: “Everyday Icon: Michelle Obama and a Power of Style”. Çështja që shtrohet është: A është Michelle Obama një Zonjë e Parë edhe në fushën e elegancës? Ja se çfarë tregon Betts.

Përse një libër për Michelle Obama-n?

Sepse ajo nuk ka frikë që të përziejë në të njëjtën kohë inteligjencën dhe stilin. Në SHBA, shpesh gratë mendojnë se eleganca është një pengesë: të vishen sipas modës mund t’i bëjë të duken jo serioze. Por kjo mënyrë është tërësisht e gabuar. Michelle Obama ka shënuar një ndryshim të fortë: është Zonja e Parë postfeministe që në të njëjtën kohë ka hequr dorë nga karriera brilante e avokates.

Ku ndryshon nga gratë e tjera të presidentëve?

Ka dy lloj Zonjash të Para: Ato që përdorin stilin për t’u imponuar dhe për t’i dhënë kuptim punës së bashkëshortit të tyre. Këtu mund të përmendim Dolley Madison, Grace Coolidge dhe Jakie Kennedy. Në grupin e dytë bëjnë pjesë ato që kanë pasur rol politik, duke rrëzuar rolin tradicional të bashkëshortes. E para ka qenë Eleanor Roosevelt, e cila e zëvendësonte bashkëshortin e sëmurë në karrige me rrota në shumë angazhime, duke luftuar për të drejtat civile dhe Deklaratën Universale të të drejtave të Njeriut në OKB. Zonja të tjera të Para ndoqën shembullin e saj, si Rosalynn Carter, e cila dha ndihmesë të çmuar për reformën e shëndetit mendor. Nuk mund të mos përmendim këtu edhe Hillary Clinton.

Po Michelle Obama ku bën pjesë?

Në të dyja grupet. Është njëlloj sikur gërsheton inteligjencën e Hillary Clinton-it me një kostum të Jakie Kennedy. Michelle ka studiuar në Princeton dhe në “Harvard Law School”. Në Çikago jo vetëm ka punuar në studio prestigjioze ligjore si “Sidley Austin” por ka bashkëpunuar me kryetarin e bashkisë për sa i përket zhvillimit dhe formimit profesional. Për më tepër e pranon që i pëlqen moda. Ka qenë një mënyrë shumë e zgjuar ajo e administrimit të stilit, sepse ka tërhequr edhe vëmendjen tonë. Dhe kur një Zonjë e Parë të tërheq vëmendjen në atë çfarë bën, kjo do të thotë me të vërtetë shumë.

Nuk ju duket sikur ndonjëherë e ekzagjeron. Për shembull veshja në ditën që Obama mori detyrën u kritikua shumë...

Jo, nuk më është dukur aspak një hap fals. Copa e atij kostumi ishte shumë e bukur për atë rast. Stilistja Isabel Toledo kishte punuar me kujdes sipas asaj që Michelle kishte kërkuar. Thjesht dhe bukur. Kaq mjafton.

Po veshja në ballon e inaugurimit?

E bardha është ngjyra simbol i një fillimi të ri, njëlloj si në një martesë. M’u duk me të vërtetë glamour. Ai fustan i jepte forcë dhe prezencë. Këto dy veshje na bëjnë të arrijmë në përfundimin se Michelle Obama i bën gjërat sipas mënyrës së saj. I thyen rregullat. Nuk i bën gjërat sipas detyrës që i është caktuar, por për vete. Është shumë ndryshe.

Sipas jush, cila Zonjë e Parë vishet e kushtëzuar nga roli që ka?

E para Carla Bruni. Ka ndryshuar stil për t’u përshtatur me situatën. E kam ndjekur për vite me radhë në sfilatat e shumta dhe e kam parë me kujdes në shumë foto. Dikur kishte një look të stilit hippy: flokë të lëshuar, xhinse, këmishë të bardhë, stil burrash, madje ndonjëherë edhe zbathur. Kur e pashë në vizitën zyrtare në Londër me kapele, këpucë të sheshta dhe pallto gri “Christian Dior” pothuajse nuk e njoha. Michelle Obama është ndryshe. Është shumë e natyrshme në gjithçka që bën, nga darkat zyrtare te lojërat që bën në kopsht në kuadër të luftës ndaj obezitetit dhe ushqyerjes së shëndetshme te fëmijët.

Zonja e Parë amerikane pëlqen të përziejë veshje të shtrenjta, por jo vetëm...

Sepse në këtë mënyrë na tregon se sa afër nesh është. Kështu bëjmë të gjithë, apo jo?

Po nga stilistët italianë?

I pëlqen Moschino dhe vesh vazhdimisht veshjet e kësaj firme. Nuk është e rastësishme, sepse është një firmë që gjithmonë e ka trajtuar modën me ironi. Gjithsesi në përgjithësi pëlqen firma amerikane.

Publikuar: 17.02.2011 | 01:52
Lexuar: 384 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime